Matura e paharruar e shkollës pedagogjike  “Petro Nini Luarasi” Korçë

1122
Sigal

REPORTAZH/ Një maturë për “Gines” e vitit 1959,  me 25 meshkuj sot 72 -vjeçarë dhe që të gjithë gjallë

 Ata janë gjashtë shokë të Pedagogjikes së vitit 1957 që jetojnë në Tiranë dhe që takohen javën e tretë të çdo muaji në librari-kafenenë “Dritëro Agolli”.  Arqile  Stoja nga Vithkuqi, Çlirim Majranaku, Zyfkë Dikolli nga Floqi, Fatmir Asimllari nga Moglica, Esat Ibro nga  Çemrica, Muharrem Çela nga Dushari dhe Mehmet Gëzhilli  nga Opari. Një ftesë e tyre më befasoi. Ata thjeshtë si lexues të rregullt të gazetës Telegraf, më ftuan për një kafe në vendtakimin e tyre të përhershëm. Të gjithë burra fisnikë, plot dije, të dashur që flisnin për vitet e rinisë me nostalgji. Flisnin qetë, pa u nxituar dhe me përgjegjësi. Me nga një gotë rakie përpara të cilën e kishin me vete nga zonat  nga janë me origjinë bisedat mbi shokët dhe jetën pedagogjike nuk kishin të sosur. Të gjithë kishin një memorie që të habiste. Pyetjeve dhe kureshtjes sime për ato vite dhe për atë Shkollë Pedagogjike ata u përgjigjeshin me shumë korrektesë dhe pa u menduar gjatë. Ajo shkollë kishte lënë gjurmë të thella në kujtesën e tyre. Madje, e theksonin, nuk mbajmë mend shumë shokë të shkollës së lartë, por të shkollës së mesme i mbajmë mend të gjithë. Kujtimet e tyre konvertonin në një pikë, shkollë si  e atyre viteve, me kërkesë të lartë llogarie, me disiplinë me dashuri për njeri tjetrin nuk vjen më.

 Shkolla pedagogjike  “Petro Nini Luarasi” Korçë, u hap pas çlirimit të vendit në vitin 1957 por pati jetëgjatësi të vogël deri në vitin 1968, pasi u plotësuan kërkesat për mësues të shkollave fillore. Në vitin 1959 ndër shumë klasa paralele ishte dhe kjo e këtyre nxënësve që më vonë u bënë mësues, oficerë, doktorë, etj..Shkollën e mbaruan në vitin 1963.  Sipas Mehmet Gëzhillit në klasë ishin 25 nxënës nga trevat juglindore të vendit si Korça, Pogradeci, Përmeti etj… Kishin një shoqëri të shkëlqyer, një shoqëri që sot nuk e gjen. Ishin si vëllezër dhe e ndanin çdo gjë bashkë. Kishin ikur 14 vjeç larg familjes dhe u bënë një familje tjetër më e madhe një familje me 25 vetë.

 Profesorët e tyre

 Kur flasin për profesorët kujtimet e tyre janë nga më të ndryshmet. Kujtime që nuk kalojnë pa lot dhe mirënjohje të thellë. Ishin mësues që nuk mund të përsëriten thekson  Arqileja. Me ata as mund të krahasohet asnjë pedagog i sotëm, as si nivel intelektual, por në radhë të parë për sakrificat e panumërta. Asnjëherë nuk përtonin, na ndihmonin edhe pasditeve në konvikt. As mund të mendohej shpërblim tjetër në atë kohë përveç faleminderit. Ai brez ishte i rrallë. Kujtojmë me nostalgji Pandeli Cicin, drejtor, partizan i Brigadës së V sulmuese, i cili kishte përfunduar studimet në Francë për pedagogji. Virgjini Pepa, mësuese e letërsisë që na edukoi me dashurinë e madhe për letërsinë. Kjo mësuese ka pasur nxënës edhe Dritëro Agollin, Koçi Petritin, Ilia Terpinin, Natasha lakon, Kristaq Lakon etj.. Mësues tjetër ishte Skënder Stefanllari, korrekt, i saktë, kërkues. Nuk mund të lëmë pa përmendur  Sotir Temon (thekson Muharremi), i cili kishte mbaruar për pedagogji në ish Bashkimin Sovjetik. Gaqo Opingari mësues kujdestar që na jepte lëndën e gjeografisë si dhe autor i shumë teksteve shkollore. Vangjush Tushi piktor i cili kishte mbaruar në Itali. Dhimitër Qirici, mësues matematike. Tefta Zguri që na jepte filozofi dhe ishte mjeshtër në alpinizëm.  Jani Frashëri që na e bënte lëndën e fizikës shumë të dashur.  Kostaq Osmanlliu, një mjeshtër i muzikës, që në lëndën e muzikës shkonim gjithë qejf, ai ishte dhe dirigjent i korit “Lira”. Të flasësh për atë brez mësuesish duhen ditë të tëra. Të aftë, të dashur, të sakrificës, të bindur në misionin e tyre si edukues i brezit të ri.

 Kush ka dalë nga kjo shkollë

Nga kjo shkollë kanë dalë shumë intelektualë që më vonë u bënë me emër në gjithë Shqipërinë. Shkolla Pedagogjike e Korçës edhe pse pati jetëgjatësi të shkurtër. Ndër shumë intelektualë mund të përmendim aktorin Dhimitër Deshnica, Aleko Prodanin.  Atletin Jetnor  Fetajiu, përfaqësuesi ekipit të “Skënderbeut” dhe më pas i “Partizanit”. Mirdash Pupa, autor i pesë veprave letrare. Këta janë disa emra thekson  Fatmir Asimllari, por në të vërtetë në këtë grupim mund të fusim dhjetra të tjerë që kanë bërë emër në tërë Shqipërinë.

 Tre elementët që duheshin për t’u bërë mësues

 Mësuesi është nj profesion i shenjtë, një profesion i bukur, një profesion i vështirë, por mbi të gjitha profesioni q ë ka misionin më fisnik, më të bukur, më sinjifikativ, atë të edukimit të brezit të ri. Çdo njeri do të kalojë në dyert e shkollës. Çdo gjë mund të anashkalojë njeriu në jetë, por kurrsesi shkollën. Në botën e sotme analfabetët janë me gishtat e dorës, pasi vetë prindërit i nxisin fëmijët të mësojnë.  Sipas Mehmet Gëzhillit jo vetëm në atë kohë, por edhe sot ekzistojnë tre elementë që duhet të zotëroje që të bëheshe mësues”

-1-Bukurshkrimi, që të mësoje veten dhe më vonë të mësoje nxënësit si të shkruajnë bukur gjuhën shqipe. Patjetër edhe vizatimi.

2- Fizkultura, që nxënësit të rriteshin të shëndetshëm dhe të ishin të aftë për punë në jetë.

3-Muzikë, të mësoje patjetër violinë. mandolinë ose kitarë.

Këto tri detyra të arta qëndrojnë aktuale në çdo kohë pavarësisht evoluimit të shkencës.

  Veprimtaritë kulturore

Në atë kohë veprimtaritë kulturore artistike s’ishin të panumërta. Çdo të shtunë dhe të diel do kishim patjetër aktivitete të tilla si festivale, koncerte, teatër shkollor apo shkonim në teatër. Pedagogjikja në të gjitha këto aktivitete patjetër do të zinte vendin e parë thekson Esat Ibro. Kjo edhe për vetë faktin se grupet artistike ishin mikse për vetë nxënësit që sillnin folklor të pasur nga zonat që ishin si Përmeti, Librazhdi, Kolonja, Devolli, Pogradeci, Liqenasi apo dardharët. Mes nesh dëgjoje këngë nga më të ndryshmet që përbënin folklorin e çdo zone.

 Mbrëmjet e vallëzimit

Ato mbeten të paharruara. Mbrëmje të tilla as mund të bëhen sot. I kujtojmë me shumë nostalgji thekson  Çlirim Majranaku. Thuajse bënim çdo të shtunë. Aty njiheshim me vajzat dhe argëtoheshim deri vonë, Bëheshim ujë në djers nga të kërcyerit. Kurrë nuk shkëmbyem fjalë me njeri tjetrin, kurrë. Me rregull, edhe nën kujdesin e mësuesve, kalonim cacte të paharruara. Ato mbrëmje ishin më të bukura dhe se filmat. Ishte vetë gjallëria jonë, ëndrrat tona. Ne që ishim klasë vetëm me meshkuj këto mbrëmje ishin dhe më të dëshiruara. Një klasë vetëm me meshkuj sikur nuk shkonte dhe pse ne ishim si vëllezër. Por në mbrëmje sikur merrnim me vete atë që na mungonte gjatë javës, aromën e vajzave të shkollës, buzëqeshet e tyre, vrullin dhe  bukurinë e tyre. Nuk mund të mos themi se shumë nga ne u njohën dhe me bashkëshortet e ardhshme dhe pse ishim ende fëmijë. Aty u njohën për të vazhduar rrugën e dashurisë në universitete apo në auditorët e shkollave ku filluan ët japin mësim.

 Mesazhi

Ata në bisedën e tyre lanë nj mesazh të qartë, shkolla është e pazëvendësueshme, pa shkollë s’ka brez të ri të edukuar, s’ka komb, s’ka përparim. Shkolla mbi të gjitha. Por kur flisnin për shkollën në tërësi, ata flisnin për atë shkollë si të Pedagogjikes që kishin bërë që mbante emrin e “Petro Nini Luarasit” të madh. Atëherë mësuesi as mund ta konceptonte të kryente aktin e mitmarrjes nga nxënësit, përkundrazi mësuesit i ndihmonin nxënësit edhe për të vlerë fletore. Ai brez mësuesish nuk vjen më. Ajo shkollë nuk arrihet. Ata mësues ishin vetë drejtësia, shembulli hyjnor se si duhet të jetë një mësimdhënies.

Albert Z. ZHOLI