Matilda Klesti: bëhesh e famshme me çdo kusht, s`më pëlqen!

229

Intervista / Flet Top~Modelja e talentuar & e suksesshme shqiptare, Matilda Klesti

Një femër plot elegancë dhe komunikim perfekt. Dhe pse bukuria e saj bie në sy që larg ajo nuk mundohet ta evidentojë. Natyra është treguar bujare, por ajo shikon më larg, pasi të qenit modele i kanë hapur shumë dyer, por më kryesorja për të mbetet inteligjenca. Sipas saj, konkurrenca në modeling është e madhe, por ajo e ndjen veten të sigurt, pasi duke qenë pjesë e agjencisë prestigjioze “Grace Models Tirana”, ofertat janë të shumta dhe perspektiva është më e sigurt. Thashethemet e prekin si fillim, por tashmë është mësuar me to dhe i kalon me një buzëqeshje.

 Prej kohësh merreni me modeling, me thoni ju lutem eksperiencat e deritanishme?

Prej kohësh merrem me Modeling dhe mendoj se, sot jam profesioniste në këtë fushë. Fillimisht nisa bashkëpunime me shumë fotografë të njohur për sete të ndryshme, më pas kam qenë pjesëmarrëse (figurante) në disa klipe muzikore të shumë këngëtarëve të njohur . Aktualisht jam pjesë e Agjencisë prestigjioze “Grace Models Tirana”.

Ky profesion është elitar?

Pa diskutim. Jo çdo femër mund të jetë modele. Linjat e trupit janë dhunti e zotit, por duhet të kujdesesh dhe vetë që t’i mbash. Në botë modelet janë të pakta dhe shumë të kërkuara. Ato numërohen me gishtat e dorës dhe dihet se çfarë magjie marrin me vete kudo që shkojnë.

Modelingu për ju është pasion, profesion apo biznes?
Profesioni është i pandashëm nga biznesi, ecin bashkë dhe për të qenë të suksesshëm kërkohet dhe faktori pasion. Ose pasioni mban gjallë profesionin dhe i jep kuptim dhe shije biznesit.

-Si ndiheni kur ju ngacmojnë në rrugë?

Ndaj ngacmimeve inteligjente buzëqesh me vete, ndaj ngacmimeve harbute më vjen neveri.

Cili është ngacmimi më i bukur që ke marrë?

Të hënksha frymën. Këtë s’e kisha dëgjuar ndonjëherë.

-Cili shtet e ka më të zhvilluar këtë profesion dhe si është zhvilluar në vendet Ballkanike?

Sigurisht më të zhvilluar e kanë SHBA. Aty modelingu është kthyer në një profesion  në perfeksion. Aty është një industri e tërë marketingu që merret me modeling. Në Ballkan është pak i zhvilluar dhe kryesisht ndihet vetëm brenda vendit. Janë të pakta modelet ballkanike që kanë çarë në Evropë dhe në botë.

Përveç modelimit, cilët janë pasionet e Matildës?
Pasioni më i madh i jetës time janë pasarelat, por nuk ngelet pas baleti, televizioni, aktrimi dhe udhëtimet në vende të ndryshme te botës.

 Si janë raportet tuaja me modelët e tjerë me emër në Shqipëri dhe a shikoni konkurrencë mes njëri-tjetrit?
Sigurisht që, konkurrenca është e madhe, por falë punës dhe arritjeve të mia, sot emri im është një ndër më të lakuarit sa i përket modës dhe televizionit.

Si vishesh në jetën e përditshme? Po veshjet e femrave shqiptare si të duken?
Veshja ime është gjithmonë në varësi të programit ditor që kam. Nëse është një ditë shkolle , normalisht e veshur sport & praktike. Nëse programi ditor kërkon diçka më klasike apo moderne, sigurisht që, i përshtatem eventit. Nëse flasim për femra që janë imazhe mediatike, them se i kapin tendencat, pasi vajzat e ekranit janë të mirinformuara. Nëse flasim për vajzat e vogla, e teprojnë pak më veshjen e paradites ose në shkollë. Mendoj së është bukur t’i shikosh pa grim. Vitet e fundit tendenca po ndryshon, ama mendoj se duhet shumë kujdes në kombinimin e veshjes me stilin që të përket dhe ditës që kemi përpara.

Të prekin thashethemet që dëgjon për veten?
Thashethemet në momentin e parë prekin këdo. Kur pastaj i analizon dhe i mendon me gjakftohtësi, kupton që bëhet fjalë vetëm për fjalë boshe dhe pa bazë i anashkalon. Njerëz të boshatisur e thashethemexhinj ka gjithandej. Nëse nuk kanë gjë më të mirë për të bërë në jetën e tyre se të merren dhe të fantazojnë për dikë tjetër, sigurisht që nuk do të mundem unë t’ua ndryshoj mendimin ose rutinën e përditshme.

Thonë që nuk ka industri mode në Shqipëri, Ju si Top~Modele, çfarë mund të thoni?
Në fakt e kam dëgjuar shpesh dhe më vjen keq sepse e thonë pikërisht ata që ndërkohë merren me këtë gjë. Është mëse normale që s`mund të flasim për industri si vendet e botës, por gjithsesi edhe këtu ka shumë përpjekje për të arritur. Stiliste, Modelë, Fotografë, janë në gamën e modës, ku secili përpiqet në një mënyrë apo tjetër të sjellë diçka të re. Ndoshta, fakti është se shumë herë duke mos pasur dhe një edukatë mode shumë gjëra nuk perceptohen. Është më e thjeshtë të flasësh kundër sesa të ecësh me hapin e kohës.