Masakra e Zminecit e 19 prillit 1944 dhe masakrimi i mjekut Petro Nako

1422
Nga disa masakra të kryera nga pushtuesit gjermanë ndaj popullsisë shqiptare në jugun shqiptar, masakra që kalojnë kufirin e përmasave në ç’do popullsi të vendeve të Ballkanit e më tej. E vërteta historike është se jugu shqiptar u masakrua së tepërmi, dhe pikërisht në këtë trevë ndodhën dhe masakrat më çnjerëzore të nazizmit hitlerian pa pritur mirë të vinte këmbën në truallin shqiptar; ndodhi masakra e Borovës, Hondrovunut në Shën-Vasil dhe ajo e Zminecit në Vurg. Por edhe nga pesë femra që vari nazizmi në vendet e pushtuara prej tij, tre qenë shqiptare. Edhe femra shqiptare u masakrua. Po le të vijmë tek ngjarja: Zmineci është një nga ngjarjet më çnjerëzore e më barbare që nazistët gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre kryen në jugun shqiptar dhe më e madhja jo vetëm në komunitetin minoritar në Shqipëri, por duke u radhitur pas asaj të hebrenjve, në mos më e rralla në historinë njerëzore, aq sa mund të plotësojë edhe përmasa gjenocidi. Në këtë masakër u dogjën të gjallë 17 persona, burra të pafajshëm nga Zmineci dhe fshatrat përreth, fshatra që janë nga më maloret e zonës së Sarandës në kufirin shtetëror shqiptaro-grek. Po pse ndodhi kjo masakër e pa parë dhe e pa dëgjuar? Gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre, në rrugëtimin e zbarkimit të tyre në Shqipërinë e jugut, pas kapitullimit të Italisë fashiste, ndeshi në rezistencën partizane të batalionit “Thoma Lulo” dhe popullatës së fshatrave të N/prefekturës së Konispolit ku përfshiheshin edhe fshatrat e minoritetit grek , të cilët ju bashkuan me kontribute rezistencës dhe qëndresës 55 ditore. Kjo rezistencë zgjati nga data 5 gusht 1944-28 shtator 1944. Këtu duhet përmendur se jemi në kohën kur themeluesit e Çetës Çamëria, baza e batalionit Thoma Lulo, kishin kundërshtuar emërimin e batalionit dhe të komisarit Lefter Talo (hero i popullit). Dhe Haki Rrushiti qe hedhur në krah të kundërt. Por rezistenca dhe qëndresa dhanë frytet e saj. Kjo rezistencë përfshiu gjithë fshatrat e N/prefekturës së asnjë kohe, përfshi dhe gjithë fshatrat e minoritetit grek të zonës së vurgut dhe malësisë së Theollogos dhe të mbështetur me ndihma të ndryshme,njerëzore e materiale edhe nga zonat fqinje; Rëzomë e Labëri. Por peshën e mbajti popullsia çame. Forcat partizane, të mbështetura edhe nga forcat vullnetare territoriale, bënë të bllokonin për 55 ditë udhëtimin gjerman nga Sajadha e Greqisë, nëpërmjet Qafë-Botës drejt Vlorës. Kjo rezistencë do të mbahet mend si më e madhja ndaj nazistëve në Luftën e dytë Botërore, por që nuk do të kalonte pa pasoja. Këtë pengesë e rezistencë të pa shoqe, gjermanët nuk do ta falnin lehtë, kur dihet radikalizmi në disiplinë dhe kushtet e hakmarrjes së ushtrisë pushtuese gjermane gjatë Luftës së dytë Botërore. Kështu nuk e lanë në harresë në planet e tyre edhe qëndresën dhe rezistencën 55 ditore të kësaj treve kufitare. Por më pas ndodhi edhe beteja në qytetin e Konispolit më 29 mars 1944. Koha kish ardhur për veprim nga nazistët. Komanda e tyre kish firmosur për vendimin e hakmarrjes. Për këtë, për vet terrenin malor të fshatrave minoritare ku do të kryhej operacioni se informacioni qe që ndodheshin edhe dy spitale partizane, u thirr për ndihmë forca alpine e Janinës, një regjiment nazist i motorizuar dhe i blinduar. Përqendrimi i forcave kaq të mëdha dhe kaq të specializuara në përforcim, të çojnë n mendimin se kemi një informim , apo dekonspirim të spitaleve partizane në këtë zonë tek komanda gjermane, që nuk mund ti nënvleftësonte informacione të tilla. Forcat e Janinës qenë të stërvitura për terrenet malore dhe vet planifikimi i sulmit të bën të mendosh për një informacion dekonspirues tek gjermanët. Filloi mësymja tek fshatrat malore të minoritetit grek të zonës së Sarandës me shkatërrime, djegie shtëpie, dhunë dhe masakra. Fshatrat që u nënshtruan këtij terrori të paparë qenë , Zmineci, Grazhdan e Karroq; tri fshatra malore me terren të vështirë. Nuk u kursye as popullsia nga masakrat hakmarrëse, masakra të përmasave të papara, sidomos në fshatin Zminec, fshat që i dha edhe emrin masakrës barbare naziste. Po pse themi pas asaj të hebrenjve, vjen kjo masakër, në mos edhe e para dhe e vetmja? Sepse në Zminec qe spitali partizan. Nazistët, pavarësisht informacionit, nuk e gjenin dot. Terrori nazist nuk kurseu 17 burra të pafajshëm, fshatarë fukarenj e të ndershëm në punën e tyre të cilët u dogjën të gjallë nga mizoria naziste, e paparë në historinë e njerëzimit gjatë luftërave të zhvilluara. Dhe pas kësaj, bënë atë të pabërën; masakruan, torturuan dhe vranë barbarisht mjekun Petro NAKO, një mjek human që i kishte shërbyer zonës më shumë falas, aq sa edhe sot kujtohet se kur nënat fukaresha nxirrnin nga cepi i mandiles së tyre ndonjë napolon të fshehur për të shpërblyer mjekun të shëronte fëmijën, Petro u a kthente mbrapsht paratë:” merrini se ilaçet po ju a jap unë, blini ushqime për fëmijën se ka nevojë të hajë”. Ky mjek u masakrua nga bajonetat e pamëshirshme naziste. Për nder të veprës së tij humane e burrërore, pasi nuk u përkul nga torturat dhe pranoi vdekjen masakruese, emrin e tij sot e mban spitali civil i Sarandës”Petro Nako”. Një nder i merituar, një emër i paharruar! Dhe na vjen keq që nuk i gjendet një fotografi, madje edhe të interesuar në arkivin e degës së veteranëve të rrethit Sarandë , nuk gjendet një e tillë , por për ta ilustruar në këtë shkrim, gazeta “TELEGRAF” u interesua në arkiva dhe gjeti këto foto të këtij mjeku human të masakruar nga nazistët gjermanë për të vetmin krim se i shërbeu shëndetit dhe jetës së njerëzve. Së bashku me mjekun human, u vranë edhe partizani Andrea Stefo dhe aktivisti i këshillit Na-Çl Nikolla Stavro së bashku me kryetarin e këshillit Na-Çl Dhimitër Nikolla. Kjo është ndodhia e masakrës së Zminecit, por meqenëse edhe emri i mjekut Petro Nako lidhet me këtë masakër, po japin një informacion biografik për këtë personalitet:

Pak histori mbi Petro Nakon 
Kush qe Petro Nako, sot i lartësuar me emrin e tij tek spitali civil i Sarandës? Lindi në Zminec në vitin 1883 dhe vdiq i masakruar dhe i torturuar nga nazistët po në Zminec në 19 prill 1944. Mbahet mend nga bashkëkohësit si mjek humanist dhe me ide përparimtare, si dhe veprimtar i LANÇ-it. Intelektual i spikatur dhe me vlera të jashtëzakonshme në fushën e shëndetësisë. Petro, qysh i ri, së bashku me të atin emigroi në Stamboll. Puna e rëndë e detyronte të mendohej për jetën. Ndaj vendosi të vazhdonte shkollën. Punonte ditën dhe studionte natën, kështu deri sa mbaroi studimet e larta për mjekësi. Me diplomën e mjekut në xhep filloi punë dhe pas dy vjetëve punë si mjek, mbron doktoraturën dhe profesoratin duke bërë edhe specializime në universitetet e Parisit dhe Belgjikës. U formua me një kulturë perëndimore. Pas gjithë këtyre përpjekjeve e sheh vetëm pedagog në universitetin e Athinës dhe në këtë moshë të re zotëronte gjashtë gjuhë të huaja. Duke parë e dëgjuar në lajme gjendjen e mjeruar të asaj kohe në Shqipëri, vendosi të iki nga kryeqytetet e Evropës dhe të vijë ti shërbej popullit të tij në Zminec dhe gjithë fshatrat përreth. Një rast fatlumë për gjithë popullatën e Sarandës e më tej. Qenë kushte mjera mes moçaleve dhe mushkonjave, mes sëmundjeve që vinin nga mungesa e higjienës. Por filloi përpjekjet. Kjo ndodhi më 1925. Ndihma e tij më e shumtë qe humane. Shërbente në përmirësim të shëndetit në kushte të mjera që jetonte fshatari i asaj kohe. Po nuk u dorëzua, nuk iku. Ndenji deri sa e vranë me masakrim. Me një çantë në dorë do ta shikoje fshat më fshat e shtëpi më shtëpi. Përpjekje të mundshme, që më shumë vuante vet nga pamundësia për të shërbyer, por shërbente. Kjo situatë e nderë e fshatarësisë së asnjë kohë në këtë zonë e bëri të përqafonte idetë e LaNç-it, si shpëtimtare për këtë situatë. Vendosi dhe doli partizan më 5 nëntor 1943 me grupin e katërt. Duke qenë terren malor fshati i tij dhe qe e pamundur të ngjitej pushtuesi, shtëpinë e tij e ktheu në spital partizan në Zminec ku u shërbente të plagosurve. Kështu zhvilli aktivitetin , por me krijimin e Grupit të katërt në fshatin Cerkovicë të zonës së Theollogos, që u rrit siguria mbrojtëse, por nga ana tjetër edhe me shtimin e numrit të partizanëve të plagosur dhe duke mos lënë pas dore vizitat shëndetësore të popullatës civile, në janar 1944 bashkoi të dy spitalet zonale, atë të Zminecit dhe të Leshnicës së Sipërme. Në këtë shërbim të tej ngarkuar Dr. Prof. Petro Nako kish ndihmës stafin e tij me infermier, sanitar e farmacist si, Thoma Budi, Irfan Sejko, Anila Kote dhe Thoma Kumarati. Shërbente në spitalin partizan , por pasditeve i përgjigjej popullatës; një sakrificë sublime dhe humane në shërbim të jetës , por që iu shpërblye me tortura, masakrim dhe plumba mbi trupin e tij nga bisha naziste gjermane. Dhe ky është përvjetori përkujtimor i 73-të i kësaj masakre të pa parë njerëzore. Nderime emrit të viktimave të pafajshme, lavdi emrit të mjekut të nderuar Petro Nako! 

Agron MEMA
Sigal