Marshimi luftarak i Brigadës I Sulmuese në shkurtin e vitit 1944

637
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ
Kaluan 73 vite nga marshimi luftarak i disa batalioneve të Brigadës së Parë Sulmuese (Br. I S) të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, por nga mënyra e veprimit dhe përvoja luftarake e treguar prej tyre, ende dalin mësime dhe përfundime, rreth lëvizje të një force masive në kushte të vështira të terrenit dhe të motit. Marshimi luftarak i disa batalioneve të Br. I S nga Shqipëria e Jugut për në Shqipërinë e Mesme, u krye në kushte të vështira të terrenit, të motit, por dhe të goditjeve të vijueshme të forcave të armikut dhe të bashkëpunëtorëve të tyre. Marshimi luftarak u bë nën drejtimin e komandantit të brigadës Mehmet Shehu. Ky marshim u bë me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, në një kohë kur operacioni armik i Dimrit 1944 po vazhdonte akoma me egërsinë më të madhe. Partizanët dhe repartet e kësaj njësie sulmuese e kryen në saj të studimit dhe të njohjes së terrenit. Qëllimi i këtij marshimi luftarak ishte që forcat e Br. I S, të cilat në këtë kohë ishin më të organizuara dhe kishin fituar eksperiencë dhe përvojë në lufte, të çorientonin fashistët gjermanë dhe veglat e tyre, të lehtësonin veprimet luftarake të forcave partizane të qarkut të Elbasanit për të manovruar në krahinat e Çermenikës, Shëngjergjit e Martaneshit, si dhe t’i vinin në ndihmë një pjese të Shtabit të Përgjithshëm, që ishin bllokuar nga armiku në zonën e Çermenikës.Terreni, malet e larta, dëbora e madhe që kishte mbuluar gjithë vendin dhe pritat e vazhdueshme të ngritura nga armikut nuk e penguan këtë marshim luftarak të luftëtarëve të Br. I S, që të kryenin këtë detyrën të ngarkuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH. Forcat e brigadës, më 21 shkurt 1944, pas luftimeve të ashpra që kishin zhvilluar në zonën malore të Skraparit, u nisën nga Kapinova, duke kaluan në kushtet e pamjes së kufizuar dhe terrenit tepër të rënduar në Qafë-Dardhë, Guri i Prerë, Opar, Gorë dhe më 25 shkurt mbërritën në Çezmë të Mokrës. Duke ndjekur me përpikmëri kërkesat e urdhrit të komandantit të brigadës, batalionet kishin lëvizur me shpejtësi, për të arritur në mënyrë të organizuar dhe në kohë sa më të shpejtë në zonën e Çermenikës. Marshimi luftarak do të vazhdonte po me këtë ritëm edhe në drejtim të Qukës-Qarrishtës dhe Çermenikë-Shëngjergjit. Përsëri më 26 shkurt, të tri batalionet vazhdonin marshimin luftarak nga Çezma e Mokrës për të arritur objektivin. Kushtet e dimrit të ashpër, kalimi i maleve dhe shpateve të lartë, të cilat i kalonin mbi 1000 m, si dhe përballja me pritat dhe sulmet e fashistëve gjermanë dhe tradhtarëve, ishte një provë e vështirë për të gjithë luftëtarët e këtij formacioni luftarak të ushtrisë partizane. Duke ndjekur gjurmët e luftëtarëve, më 27 shkurt fashistët i goditën forcat e brigadës në katundin Skroskë, afër Qukësit. Luftime të ashpra u zhvilluan midis forcave naziste dhe bashkëpunëtorëve të tyre me batalionin e parë që ishte dhe në pararojë të forcave. Kështu, forcave kryesore të brigadës iu dha mundësia të vazhdonin marshimin luftarak për në objektivin e caktuar. Në këtë mënyrë forcat luftarake të brigadës mbuluar pjesërisht njëri-tjetrin, repartet e brigadës mbështetën edhe tërheqjen e forcave të batalionit të parë, të cilat, pas shkëputjes së kontaktit me armikun u bashkuan me forcat kryesore. Luftëtarët e Br. I S zhvilluan luftime të ashpra me forcat armike, të cilat me shpejtësi kishin ardhur nga Librazhdi në katundet Velçan e Pishkash. Kundërgoditjet e forcave të Br. I S i detyruan fashistët gjermanë të tërhiqeshin në bazën e nisjes, duke zënë përsëri pozicionet e tyre në rrugën Librazhd-Qukës. Pas këtyre përpjekjeve, nga më të vështirat e bëra prej kësaj njësie, komandanti i brigadës Mehmet Sheu ju tha luftëtarëve, të cilët nuk dinin gjë konkretisht mbi misionin që u ishte ngarkuar të kryenin. Ai ju kërkoi të shfaqnin mendim rreth vendimit për të vazhduar marshimin luftarak për realizimin e detyrës së ngarkuar. Përgjigja ishte një e vetme: “Të gjithë, të gjithë do të shkojmë!”, “Rroftë Shtabi i Përgjithshëm!”,( për më shumë nesër në gazetën Telegraf)
Sigal