Mark Topollaj/ Me At Gjergj Fishtën shqiptohet qenësia e Kombit

76

Shkodra dhe Kleri katolik e dinin mirë se ç’ është melodia misterioze e komunizmit 

Dhe në epikën e Lahutës së Malësisë shënohet formimi i vetëdijes shqiptare për mëvetësi. Misterin e fateve të Kombit e sheh tek kulti i trimërisë që del nga gryka e pushkës.

“Tu bjer nërmend, se fort ma e rënd është thembra

E shkjaut koktrashë, se guri i varrit mbi krye”

At Gjergj Fishta

Shkodrën, ky qytet i lashtë me pamje mistike, e kaluara e shekujve e ka dobësuar shumë. Por burimi njerëzor në rrëfimin e epikës gojore e bëri të pa cenueshëm lindjen e krenarisë e bujarisë shkodrane.Dhjetor i vitit 1940. Bënte ftohtë. Binte borë. Rrugët e qytetit ishin të përbaltura. Kulmet e shtëpive dukeshin se përkuleshin nga bora. Rrethi i harmonisë kozmike dukej se nuk është në sintoni me shqiptarët. Në tokën tonë dy fuqi të huaja luftonin në mes tyre. Siç shihet një pushtues tjetër më i rrezikshëm e më gjakatar pritet të vijë. E keqja është esenciale me përmasa ndërshtetërore. Shkodra dhe Kleri katolik e dinin mirë se ç’ është melodia misterioze e komunizmit që leu në kaosin e zhvillimit botërore dhe përfaqësohet nga Rusia e Serbia, armiqtë shekullorë të shqiptarëve. Frynte murlani. Në acarin e këtij dimri flokët e borës lëvizin në drejtime të pacaktuara. Dëgjohen këmbanat e kishave. Sovrani i letrave shqipe është i sëmurë. Nga dritaret e shtëpive duken dritat e zbehta. Tymi i oxhaqeve dukej se po shkrinte flokët e borës. I ftohti i këtij dimri i kishte mërdhitë zemrat e shqiptarëve. Nata e 31 Dhjetorit të vitit 1940. U shua përgjithmonë gjeniu i Kombit Gjergj Fishta. Nëpër rrugët e qytetit të lashtë, dukej bora e bardhë. Heshtjen e mallëngjimin e shoqëron një tingëllimë shekullore e lahutës. Binte borë. Homeri i ri, poeti i Kombit që madhoi armët e lartësoi burrninë shqiptare do të mbulohet nën dhe të zi. Nuk e pa Shqipërinë e lirë, megjithëse me këngët e tij e madhoi në përjetësi.

Varri u hap në fund të kishës së Gjuhadolit. Tek kryet i vunë një kryq nga druri i dëllinjës për të çuar në vend amanetin e tij.

“Një kryq druri, t’ kjosha true

Nxire e venma përmbi krye”.

Mijëra kurora e dhimbje e mbulonin varrin. Mbi varrin e këtij personaliteti poliedrik e korife i Shqipërisë, që sharjet dukeshin se dilnin nga kordhat e një simfonie magjike të pafund dhe në lotët që rridhnin nëpër faqet e njerëzve pasqyroheshin fytyrat e heronjve të Lahutës e ideali i Kombit.Erdhën netët gjakatare të komunizmit. Nata është natë. Mercenarët e ideologjisë së gërvishtur pansllave pretendonin se kanë shembur botën e vjetër. “Internacionalja do jetë bota e re”. Struktura sociale e politike e ideologjisë komuniste, i dha vendit tonë një tërmet shkatërrues. Kombi e ka humbur ndjeshmërinë. Burrat e mençur që ishin shkolluar nëpër Europë i zhduku. Dijet e përfituara ishin zverdhur. Fati i historisë dhe i kulturës i futi në errësirë të plotë.Një botë e re që kishte ardhur nuk ishte e jona, nuk dihej se e kujt… po po dihej, ishte hiena e komunizmit, hiena serbe që për katolikët kishte krijuar një klimë shekullore plot urrejtje. Komunizmi e tradhtoi kombin, dhe krijoi pelegrinazhin e peizazhit të vdekjes, kurse stili është përcaktimi i epokës utopike.Hyjnë në kishën e Gjuhadolit njerëzit e ideologjisë koleksioniste kriminale. Lulet që ishin mbi varrin e gjeniut të kombit, i hoqën, i shkulën kryqin e drunjtë. Në atë vend vaj, mbeti vetëm një rrasë e bardhë pa emër. Nën atë rrasë mermeri dukej se u dëgjua një zë, një zë proteste i poetit që përcillej nga një nënshtresë vibracionesh. Ishte një tonalitet tronditës e thirrje përkushtimi. “Largoni  retë e zeza nga toka e trazuar Shqiptare”. Kështu u duk se erdhi zëri i apostullit të shqiptarëve, i viganit të racës, në pjalmin e këtij dimri të ftohtë mbi rrasën e mermertë të varrit të poetit, dëgjohet një melodi e vjetër e lahutës, sikur vinte nga thellësia e tokës. Sot lahutës nuk ka kush të ja luaj gishtat as të ja ujdisë qimen, por ajo pret fshehurazi në zemrat e bashkuara për të kënduar rishtas këngën e lavdisë së kombit.Lahuta gjithmonë flet. Ajo lëshon jehonën e përmallshme se liria e bashkimi bëjnë kombin. Për këtë komb shqiptarët kanë dhënë djemtë e vet dhe i kanë vendosur në melodinë e lahutës, në melodinë e përjetësisë. Në robërinë komuniste shqiptarë, u desh të merren edhe  me “revolucionin kulturor kinez”. Një çudi e universit.Më 6 shkurt të vitit 1967 u shpall revolucioni kulturor edhe në Shqipëri. Revolucioni i shkatërrimit.Feja u ndalua. Kishat e xhamitë u shemben, korifenjtë e racës e heronjtë e kombit u quajtën tradhtar. Ata që kishin mbetur gjallë nga kleri katolik i burgosën përsëri. Komunizmi, frika e një dimri të ftohtë ju lëshuan edhe varrit të Gjergj Fishtës. Me urdhër të Bilal Parrucës u zhvarros legjenda e kombit. Eshtrat ju hodhën në lumin Drin. Shkodra u kthye kryeqytet i vdekjes. Llava e llumit komunist kishte filluar me kohë luftën kundër klerit e korifenjve të racës. Fishtës i ishte mbyllur me kohë reflektimi i veprave të tija nëpër shkolla. Megjithëse liria e individit është në kontrollin e sistemit. Lahuta e kjo vegël tingëlluese ishte ngulitur në zemrën e mendjen e Lekëve të Malësisë për të shprehur dashurinë e për të thënë se kjo vegël pa shqiptar është pa subjekt. Lahuta ishte biblioteka e kallëzimeve në netët e dimrit, ishte katedra e universiteteve të Europës,  ishte vatra e mikpritjes ku mësuesi ishte tata, edukatore ishte lokja që fëmijën e rriste me ushqimin e gjirit  e me përkëdheli. Lahuta ishte një institucion kulturor që se ka askush në botë, është psikologjia e lindur e epopeja e një populli që gjallon tokën dhe e shndërron në barut e flakë për ti dhënë kuptimin se kjo tokë është truall i racës Arbënore. Ky vigan i racës e gjeniu ma i lartë i fisit Arbënor, pjella ma fisnike e ma e bukura e tokës me lahutën e malësisë krijoi Biblën Shqiptare. Gjergj Fishta është konsideruar monumenti klasik i fisit trak-ilir dhe përmendorja e kombit. Bota e ka vendosur në krahët e Skënderbeut. A nuk e meriton një varr me shtat pëllëmbë dhe një monument madhështor për pelegrinët e kombit të vet. Intelektualët s’bashkohen e politika hesht. Heshtja është  persekucioni më i madh që i dhurohet viganit të racës Arbënore.Sikur të ishte gjallë skulptori i madh Odise Paskali do ta bënte.Dyzet vjet më parë ai më tha:Ia kam borxh atij dhe kombit. Sot nuk mundem.Shkodra, ky vend i dijes dhe i burrnisë me nderim e bindje i përulet At Gjergj Fishtës për kulturën e tij universale, e cila funksionalizoi virtytin e kombit dhe me lahutën në dorë zuri vend në krye të oxhakut të Vatrës Shqiptare duke kënduar shqip.Shkodranë në orët e para të ditës që vjen, bashkohuni e përmbyseni atë monument që ndodhet përballë bashkisë sepse për nga shëmtira i ngjan vetëm politikës shqiptare. Kam përshtypjen se ky popull vital nuk trembet nga kundërthëniet, nuk tërhiqen nga dhunimi i fjalës. Vendosmëria i mban fort të lidhur, kundra të keqes që godet.Zanat e malit, vetja e dytë e Homerit të ri dhe bashkë udhëtar me shpirtrat endacak të korifenjve të racës lëvizin së bashku ,natën vonë, dhe trokasin në dyert e kishave shkodrane.Zgjohuni dhe përgatisni programin e lavdisë për At. Gjergj Fishtën. Ky njeri i shenjtë nëpërmjet epikës krijoi epopenë e kombit. Kultura e gjithanshme i dha vitalitet të vrullshëm dhe u bë gur themeli dhe e ka lartësuar tokën tonë deri në  Jeruzalemin qiellor.Dielli dhe planetët e gjithësisë lëvizin sipas rregullsisë së tyre për ti dhanë dritë heronjve të lahutës, të cilët kanë zhvilluar beteja të përgjakura kundra turkut dhe sllavëve të jugut.Në mjegullën e vjeshtës së hershme, serbët zbritën nga malet dhe zunë vend këtu afër nesh. Në mes motiveve të shkuara “këta fshatarë të shenjtë vrastar”, dy herë e dogjën botën e katër herë Ballkanin.Kurse ne, Europa na e banalizoi të drejtën për të qenë të lirë në tokën tonë. Me forcën e armëve na ndau e na copëtoi. Diplomacia europiane thotë At. Gjergj Fishta: “Nuk ka nder as burrni, është vet faqja e zezë e marrja e turpi i gjithë njerëzimit”.At Gjergj Fishta i vdekur është ma i gjallë se të gjallët. Çfarë e pengon politikën shqiptare që ti drejtohet Europës e Botës për ta lartësuar poetin gjenial dhe françeskanin e shenjtë me çmimin Nobel.Ne i kemi heronjtë e njerëzit e shenjtë e nuk i çmojmë, të tjerët nuk i kanë dhe i krijojnë.Në mitologjinë e trashëgimisë mijëra vjeçare, At. Gjergj Fishta edhe i vdekur, por nga emër i përvetshëm, kthehet në emër të përgjithshëm dhe në pamjen e lartësisë kozmike shef tokën shqiptare të ndarë e të copëtuar.At. Gjergj Fishta i mësoi shqiptarët dhe Botën për rreth, se kjo tokë s’është çiflig i kurrkujt, as mall tregu në duart e njërit apo tjetrit. Shqipëria është një tokë e shenjtë me njerëz të lirë  prandaj Europa të na e kthejë atë tokë që na ka marrë padrejtësisht, sepse çdo pëllëmbë tokë e kemi larë disa herë me gjakun e djemve tanë.Ky njeri i vrullshëm me dije të jashtëzakonshme, trillin poetik e vendos në brendësinë qiellore dhe e bën idealen të gjejë origjinën e harmonisë me Universin.Populli kërkon një monument lavdie për At. Gjergj Fishtën. Kërkon monument edhe për ata që u është mohuar vdekja dhe varri, monument për Korifenjtë e Racës.