Mark Dodani, një jetë si porosi dhe testament dinjiteti njerëzor…

410
Nga Lekë DODANI 

Me 12 maj mbushet plot një vit që kur ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare Mark Dodani, një emër i shumëlakuar i Sigurimit të Shtetit komunist, që me “kokë në torbë” u infiltrua në mes të grupeve të të rebeluarve shqiptarë, të instruktuar nga CIA dhe shërbimet e tjera të huaja, në kampet e përgatitjes së anti-revolucionit, për të përmbysur regjimin njëpartiak, të ashtuquajturën Diktatura e Proletariatit në Shqipëri. Duke qenë im atë, një njeri i pushtetshëm dhe me ndikim të fortë, jo vetëm në shoqëri, por dhe në familje, që kur e mbaj mend, më del parasysh në lëvizje, në punë dhe projekte, shkrime, libra, lexime, komunikime mes miqsh dhe kolegësh, një individ impulsiv, i cili ndodhej gjithmonë në lëvizje dhe në kërkim të botës së vlerave. Bota e tij shpirtërore qe gjithmonë e trazuar, në kërkim të plotësimit të unit të tij, një un i mbushur me talente të shumta e përkushtime po kaq të shumta, të cilat ai dinte t’i kombinonte aq natyrshëm. Mark Dodani, ish-oficeri i lartë i Sigurimit te Shtetit, me të cilin lidhet kryesisht emri dhe karriera e tij e gjatë, është futur në këtë shërbim në fillim të vitit 1946, pasi qe kthyer nga mali, ku ku kishte marrë pjesë me armë në dorë kundër nazifashistëve. Ai do të hynte në armën e Sigurimit i nxitur nga vrasja e babait dhe vëllait të tij në vitin 1945. Por në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai angazhohet në operacione në vitin 1948 pas takimit me Kadri Hazbiun. “Mendoja se më kishin thirrur për punën time në zonën e veriut, gjë e cila m’u përforcua kur aty gjeta edhe Bardhok Bibën, por nuk dija se, që në ato momente jeta ime do të merrte rrjedhë tjetër”, ka rrëfyer Mark Dodani në një nga mediat e kohës sonë. Sipas shënimeve të tij, Kadriu, i drejtohet Markut: “Ti je Mark Dodani!”. “I thashë, se unë jam”, – tregon Dodani. Pa e zgjatur, Kadriu i është drejtuar Bardhok Bibës: “Mos e kërko më Mark Dodanin, ai do të punojë me ne”. Kështu, për 35 vjet me radhë, Dodani punoi ne organet e Sigurimit me pseudonime te ndryshme, ku me kryesoret janë “Xhakoni” e “Studenti”.

Mark Dodani lindi më 24 shkurt të vitit 1926, në Naraç të Shkodrës, në një familje nacionaliste dhe ku rrymat majtiste e djathtiste të një kohe të vështirë, do të përplaseshin furishëm, ashtu si në çdo cep të trojeve shqiptare. Ai është shkrimtar dhe skenarist i njohur, që me skenarët e filmave të tij ka ndikuar në njohjen e kuotave të reja artistike të vetë kinemasë shqiptare. Mbaroi shkollën fillore në Orosh të Mirditës, për të vijuar më tej mësimet në një nga gjimnazet në Tiranë. Në vitin 1964, kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë dhe Letërsi. Studimet pasuniversitare i ka përfunduar në vitin 1976, pranë shkollës së Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç kur hodhi armën supit dhe u ngjit maleve, në kërkim të shtigjeve të lirisë dhe ëndrrave të një djaloshi plot fantazi për një jetë të re. Pra, ka qenë partizan që në vitin 1943 dhe me përgjegjësi që në kohën e Luftës. Ka punuar mbi 35 vjet në organet e Sigurimit të Shtetit, ku misionet e tij për të luftuar nga brenda kundra bandave të armatosura, që mësynë në vitet e para të Çlirimit në Shqipëri, kanë hyrë në analet e historisë. Veprimtaria e Mark Dodanit në radhët e Sigurimit komunist ra menjëherë në sy të drejtuesve kryesorë të shtetit të atëhershëm, për pasionin, këmbënguljen dhe zgjuarsinë e tij. Ai u bë menjëherë një nga njerëzit me më tepër efikasitet në radhët e këtij Sigurimi. Kështu, pas kësaj, Mark Dodani vendosi lidhje direkte me vetë drejtuesit qendrorë të Sigurimit komunist, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Biografia e tij e punës është ndërtuar kryesisht në luftën e madhe që është bërë nga Sigurimi i Shtetit me bandat e “Komitetit të Maleve” që vepronin në zonën e veriut, të cilët, për të rrëzuar me çdo formë, mënyrë dhe mjet sistemin komunist të drejtuar nga Enver Hoxha, luftonin në një organizim të përsosur. Në interes të Sigurimit të Shtetit, krah shumë njerëzve me emër të atij shërbimi si Pal Mylishi, Idriz Seiti, Asim Aliko etj., Mark Dodani, duke pasur edhe ndihmën direkt të përfaqësuesit më të lartë komunist të zonës së Mirditës, Bardhok Biba, arriti vetë ose me elementët që vinte në përdorim, të hynte deri në radhët e bandave më të fuqishme dhe të rrezikshme të drejtuara nga “Komiteti i Maleve”. Dritëhijet e asaj epoke vijnë edhe sot me tallazitje dhe dyzime të epërme, duke na mbajtur peng të kaluarën dhe duke na mbërthyer në presën e politizimeve të tejskajshme. Sot me të drejtë sigurimi etiketohet me epitete që stigmatizojnë shumë veprime dhe praktika të tij jo humane, por kjo nuk ishte për faj të njerëzve idealistë si Mark Dodani, që besonin tek Atdheu i tyre dhe mendonin se për atdheun ia vlente të bënin çdo sakrificë. Pas daljes në pensionin e parakohshëm, u atashua si shkrimtar i lirë pranë Kinostudios “Shqipëria e Re”. Ka shkruar 3 romane, një monografi, dhjetë novela, disa vëllime me tregime, tre skenarë filmash artistikë dhe pesë skenarë dokumentarësh. Gjithmonë lexonte, shkruante, mbante shënime, botonte nëpër gazeta, komunikonte me miq, të cilët i ndiqte në rrugëtimet e tyre, bënte shumë për to, i donte me një idealizëm të kulluar, siç i kishte dashur para shtatëdhjetë viteve në Luftën e madhe, siç i kishte dashur në ato ditë të vështirë të infiltrimeve të tij vetëvrastare, kur ndiqte këmba këmbës ata që gjithashtu “me kokë në torbë”, luftonin për Shqipërinë në një mënyrë tjetër, të ndryshme nga ajo e Mark Dodanit. Është pak të them, se ndihem krenar që jam biri i tij, që në gjenin tim është gjeni i tij. Por ne veriorët kemi një verb: “Mjerë djali i babait të mirë”. Pse do të thoni ju? Se “djali i babait të mirë”, sado të ecë përpara, sado të përpiqet në jetë, ende do të ketë diçka mangët të atit dhe kjo do ta bëjë lehtësisht të mundshëm diferencimin. Atje ku është tani Mark Dodani nuk ka më as kohë, as hapësirë, as hierarki, as diferencime sociale, kulturologjike apo të gjithëfarshme dhe neve nuk na mbetet veçse të krenohemi, me çfarë ai na la në jetë, si gjurmë, si porosi, si testament jete dhe dinjiteti njerëzor.