Marjeta Vjeri: Kënga ime shtegton në pesë shtete!

699
Mes një brenge që i ka lënë gjurmë në shpirt dhe zemër, Marjeta Vjerri, e plotëpushtetshmja e skenave të Sarandës në koncerte dhe festivale lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, e fillot bisedën e saj me një buzëqeshje të fytyrës dhe syve, duke i dhënë shpirtit prej artisti magjinë dhe fuqinë e mbytjes së brengës dhe mbylljes së plagës që ajo i ka lënë që herët në rininë e parë të saj duke i prerë rrugën e skenës dhe arsimimit të plotë si artiste nga burgosja e të atit si politikan kundërshtar i rregjimit komunist. Vetëm në vitet e demokracisë do ta arrinte këtë sukses si artiste dhe me arsim të përfunduar, ndonëse jo në fushën e muzikës. Ajo është mësuese e letërsisë në gjimnazin e Borshit të Sarandës, por kënga është ushqimi dhe endrra e sajë. Ka në repertorin e saj dhjetra këngë dhe prezantohet në të gjitha eventet artistike lokale dhe në shumë festivale kombëtare dhe shfaqje jashtë atdheut. Në këtë intervistë rrëfen diçka nga jeta e saj artistike, qëndrimin kritik ndaj deformimit të trashëgëmisë muzikale të popullit tonë si dhe vlerat kombëtare të folklorit si pasuri e vyer e një populli.
Marjeta, shohim që sukseset ndjekin njëra tjetrën dhe nuk kanë munguar as vlersimet me çmime dhe çertifikata, madje këto ditë do të nderoheni me titullin e “Mirënjohjes qytetare” nga komuna e Lukovës dhe Bashkia e Himarës. Mund të thoni diçka për karierrën tuaj artistike?
Përshëndetje edhe “Telegrafit” ku shikoj se është nga të vetmet media në Shqipëri që u jep hapësira artistëve në katër anët e vendit të shfaqin portretin dhe profilin e tyre artistik. Kam filluar të këndoj e vogël, por në skenë për herë të parë si konkuruese dola në moshën 15 vjeçe në festvalin e pionierëve të Sarandës me një këngë të Thoma Gjonit, ku fitova edhe çmimin III. Gëzimi qe i pamasë, por fatkeqësisht shumë i shkurtër. Ajo këngë u zhduk, nuk u këndua më dhe mua mu pre rruga e skenës për shumë vite. Arsyeja qe se im at u burgos për agjitacion dhe propagandë. Mes sfilitjes dhe vuajtjes së kësaj tronditjeje familjare, ndrydhej në shpirtin tim edhe ëndrra e skenës. Por nuk zgjati shumë dhe demokracia erdhi. Rruga u hap edhe për arsimim ku mbarova universitetin dhe sot punoj mësuese letërsie në gjimnazin e Borshit piktoresk të rivierës joniane, por edhe sukseset në skenë. Fillova me grupet folklorike të bregdetit. Korrëm suksese për të ardhur tek festivali i këngës dhe valles çame, një aktivitet kombëtar ky ku marrin pjesë edhe grupe të bashkatdhetarëve tanë përtej kufijve shtetëror shqiptar. Dhe në festivalet e Çamërisë për vitet 2008-2009 u nderova nga juria e festivalit me “Çmimin e publikut”. Gëzim dhe sukses i madh. Por edhe për vet faktin që këtë çmim, pas kaq shumë vitesh, e mora me interpretimin e një ninulle çame. Dua të them se këngët e mia, përveçse i interpretoj, bëj edhe tekstet dhe kompozoj vijën melodike, ndërsa orkestrimi bëhet nga kompozitorët e njohur si Ardian Hila, Edmond Zhulali, Dorian Gjoni etj. Në këngët e mia ka tematikë të larmishme ku spikatën ato me tematikën kombëtare, këngët për bregdetin e bukur ku keemi lindur dhe jetojmë, Sarandën-këtë perlë të lakmueshme joniane me bukuri stolisur, këngë kjo e kënduar pothuajse në të gjitha skenat ku unë kam marrë pjesë si në Shqipëri edhe jashtë saj dhe për të ardhur tek kënga ime e fundit “Mbi të gjitha dashuritë”, orkestruar nga i madhi Edmond Zhulali. Po kjo këngë ka të veçantën e sajë emocionale sepse e interpretoj me Artisten e Popullit, Nderin e Kombit, Margarita Xhepa. Kjo një ëndërr e imja, tashmë realitet. Po fundi nuk është këtu…
Cilat janë sukseset e Marjetës?
Suksese në të gjitha veprimtaritë dhe organizimet artistike si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi dhe Greqi. Jam nderuar nga bashkia e Sarandës me “Mirënjohje e qytetit” për pjesmarrje në aktivitetet artistike që kjo organizon, mirënjohje nga komunat e ndryshme, me titullin “Tefta Tashko Koço, Mirënjohja e Festivalit të këngës dhe valles Çame, Mirënjohje tek festivali “Sofra dardane” dhe tani çertifikata e mirënjohjes nga komuna e Lukovës dhe bashkia e Himarës. Tani kam duke punuar një këngë me tematikë sociale nga realiteti i përditshëm por edhe pakëz simbolikë politike: në këngë prezantohet një trup nëne me një zemër që ushqehet me një gjak, por me dy krahë të kundërt. Them se do të arrij suksesin e rradhës.
Si e shkoni sot muzikën e lehtë dhe atë tradicionale, pasi ju interpretoni dhe krijoni në të dyja zhanret? Po për muzikën e trupit?
Në Shqipëri është pak e vështirë të merresh me këngën, si atë të muzikës së lehtë, ashtu edhe atë tradicionale, apo popullore si i themi, madje e pafalshme kur lidhet me biznesin. Kjo shkatërron dhe djeg talentin e vërtetë. Humbet i afti dhe cilësia në art. Është për të ardhur keq që ana financiare nuk i lejon talentet e shumta të shfaqin aftësitë. Kjo është vrastare, sepse kënga është shpirt, buron nga shpirti dhe ushqen shpirtin. Muzika e trupit nuk është art. Është treg në shërbim të asaj që thamë më lart. Falsitet se nuk bëhesh këngëtare me trup kurrë. Këto elementë le të shkojnë e të bëhen akrobate. Kjo lloj muzike bastarde nuk ka asgjë me shpirtin, me ndjenjën, atë ç’ka ofron arti i vërtetë kur buron dhe ofrohet nga talentet. Vetëm talentet u falin misionin e artit: lotë dhe buzëqeshje, gëzime dhe emocione, realitete dhe fantazi, shpresë se jeta është e bukur si muzika e vërtetë dhe duhet jetuar bukur. Për muzikën tradicionale, mund të them se po e masakrojnë, sidomos me të ashtuquajturin turbofolk. Duhet të dimë se folklori i trashëguar, por edhe brenda risië origjinale,është shpirti i pasur i një populli, është pasuri me vlera e tij dhe si i tillë është i pa prekshëm nga kushdo. Folklori ka rëndësinë kombëtare, historike, artistike, gjenetike, trashëguese dhe shumë element që nuk lejojnë prekjen, ndaj dhe nuk mund të luhet kurrë me folklorin e kujtëdo populli që të jetë. Mendoj se në këtë drejtim, në Shqipëri, ka pasur deformime dhe kjo, e ritheksoj, është e pafalshme, madje mund ta krahasoj me një krim që të shkelësh mbi folklorin dhe traditat e një populli. Folklori është folklor dhe muzika e lehtë është muzikë e lehtë, pavarsisht se në elementë të përzjerë mbrujnë dhe ushqejnë njëra-tjetrën.
Sigal