Marin Barleti mbi jetën dhe veprat e Skënderbeut

9282
Sigal

Asnjëherë nuk është vonë për të shkruar për jetën dhe veprën e lavdishme të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Në këtë kuadër para nesh, që nga thellësia e shekujve, shtrihet një hapësirë e pafund e memories historike, e mbushur plot luftëra e lavdi, ku në një sfond të artë, në altarin” e saj, “banojnë” në përjetësi korifenjtë e ndritur të mendjes, shpatës e penës shqiptare. Një nga ata, nga më gjigantët, është prifti katolik nga Shkodra Marin Barleti, personalitet i shquar i rilindjes shqiptare dhe evropiane të shekullit XV.

Barleti në moshën 16 vjeçare përjetoj me dhimbje vdekjen e Skënderbeut. Zotërues i disa gjuhëve të huaja, shkrimtar humanist, historian, filozof dhe luftëtar i paepur i shpirtit të pamposhtur liridashës të popullit shqiptar. Ai  luftoi me trimëri në rrethimin e parë e të dytë të Shkodrës në vitet 1474 e 1479. Me 4 prill 1479 bashkë me të tjerët shkoj në Itali, Venedik e romë ku shkroi veprat e tij të pavdekshme.“Barleti ynë u bë jo vetëm mbrojtësi, përjetonjësi dhe hymnizonjësi me i denjë i emrit e i lavdisë së atdheut të vet, por edhe një nga predikonjësit me të zjarrtë e me tërheqës të humanizmit…”

Me ndjenjat e zjarrta të atdhedashurisë e bindje të thellë për sakrificat  që e prisnin, duke mos parë asnjë zgjidhje tjetër, ndërmerr një punë kolosale për të përjetuar në shekuj jetën dhe veprën e shkëlqyer të Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Te libri i parë-parathënie-në mes tjerave shkruan:”…por,ndërsa po e ngre padyshim aq lartë atë burrë, barra që kam marrë përsipër më rëndon e më tremb edhe më shumë, sepse unë i peshoj  mirë forcat e mia dhe e kam parasysh madhësinë e punës dhe lëndën e gjerë për t’u shkrojtur.” Barleti pranoi peshën e rendë të detyrës.“dhe, asnjë mundim apo frikë nuk do të më bëjë tanimë që të heq dorë nga të shkrojturit”. Sepse” s’ka turp më të madh mosmirënjohjeje, se sa të sillesh kësisoj me atdhenë, që, ndërsa ke mundësi ta ruash me ndonjë mënyrë nga vdekja dhe koha, të rrish me nj’anë i stepur nga që nuk mundësh, siç thonë, ta shtrish dorën në vetë burimin.”Ai kaloi shumë vështirësi dhe pengesa, të cilat i përballoi me besim, urtësi, guxim e vullnet të jashtëzakonshëm:”unë nuk pata në këtë rrugë asnjë udhëheqës, që herë të mund t’i shkonja pas, ta imitonja, herë të përpiqesha t’ia kalonja me vrullin e mendjes, sipas shembëllës së të cilit edhe vehten time ta rregullonja, edhe rendin e atyre që duhen thënë ta trajtoja;s’pata mundësi të shikoj as anale të vjetra, as historira të reja, të cilat, një njeriut të ri dhe që hyn në një det kaqë të madh, do t’i jepnin një farë ndihme. Por, megjithë këtë, nuk dyshoj kurrsesi se më pas do të jenë të shumë ata që do të provojnë të hyjnë në rrugën e hapur me shenja më të mbara dhe me dashamirësi më të madhe të perëndive. Por sigurisht këto janë në dorë të fatit. Përkundrazi, çka më përket, unë do ta bëj pa dyshim me dorë në zëmër, do të përpiqem që asnjeri të mos mundet ta akuzoj punën time as për mungesë besimi, as për plogështi, sepse unë nuk kam shkruar trillime, por ato që më kanë treguar me kujdes më të mëdhenjtë dhe ato që kanë parë me sytë e tyre që kanë marrë pjesë; dhe kam marrë parasysh besimin e shumë burrave që thonë të vërtetën dhe jo vetëm traditën e parëndësi dhe të pavlerë. Kështu gjithsecili t’ua vërë mendjen këtyre me zemërgjerësi, me qëllim që, pasi të dalim më në fund, po desh zoti, jashtë stadiumit, t’ia fillojmë, me ndihmën e të epërmvet, punës së kërkuar prej një kohe të gjatë me aq lutje nga njerëzit.”

Gjergji, djali më i vogël i Gjon Kastrioti, sundimtarit të matit e Dibrës, dhe i Vojsavës, vajzës plot hire e princit fisnik të tribalëve u detyrua në moshën 9-të vjeçare të shkojë peng në Stamboll te Sulltan Murati, ku atje kreu me rezultate të larta shkollën e jeniçerëve dhe “akademinë ushtarake” si edhe mësoi shkëlqyeshëm gjuhët turke, arabe, greke, italike e sllave. Gjithashtu mori gradën e sanxhak-beut, të komandantit të një njësie administrative të perandorisë dhe u mbiquajt: “Aleksandër zot”.

Skënderbeu valëviti në Krujë me 28 nëntor 1443, për herë të parë në histori, flamurin kuq e zi dhe në kulmin e entuziazmit popullor të të pranishmëve tha : “lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj edhe me një çlirimtar tjetër, se Arbërisë nuk i mungojnë burrat. Lirinë nuk jua solla unë po e gjeta këtu në mes tuaj. Armët nuk jua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në kraharor, në ballë, në shpatë dhe në ushtat”.

Heroi ishte i pajisur me njohuri të thella të artit ushtarak. Ai shkëlqeu si strateg i shquar në fushën e betejave ushtarake. “Turqit e quajnë Skënderbeun mjeshtrin më të talentuar të pritave, luftëtarin më të madh të botës, që s’ka kush t’ia heqë fitoren nga duart. Ai është i pathyeshëm, i pamposhtur në armë, që s’merr plagë nga hekuri. “Për Skënderbeun shpejtësia, befasia, njohja e shkëlqyer e terrenit dhe shfrytëzimi maksimal i kohës ishin faktorë me rendësi që përcaktonin fatin e luftës. Në këtë kuadër kishte një mister. Ai taktiken e bënte pasuri të të gjithëve. Ajo para se të vihej në praktikë u bëhej e njohur ushtarëve dhe oficerëve, shoshitej e pranohej me bindje prej tyre. Komandanti kurrë nuk vepronte pa u këshilluar me luftëtarët e bashkëpunëtorët e vet. “unë s’jam nga ata, u thotë ai atyrëve, që të tërheq njerëzit në rreziqe, pa ditur se ç’bëjnë.”

Në kuvendin e Lezhës me 2 mars 1444, për herë të parë në histori, princat shqiptarë i dhanë besën njeri tjetrit për të luftuar deri në fund kundër pushtueseve të huaj. Forcat e bashkuara nën udhëheqjen e Skënderbeut përballuan me sukses sulmet e hordhive pushtuese kundër Arbërisë, që ishte ngritur në këmbë për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e vet. Ata korrën fitore që në betejën e parë të Torviollit me 29 qershor 1444. Shqiptarët me Skënderbeun në krye triumfuan kundër ushtrisë turke edhe në mokër më 1445 e në otonetë më 1446. Në rrethimin e parë të Krujës më 1450 Sulltan Murati II, duke përdorur forcat e të gjithë perandorisë, synonte likuidimin përfundimtar të rezistencës shqiptare. Nga zemërimi për disfatën e turpshme gjeti vdekjen. Edhe në rrethimet e tjera të Krujës turqit pësuan disfata të mëdha. E gjithë Arbëria, për njëzetepesë vjet, u bë varr i tyre.

Në letrën që senati i Raguzës i drejtonte Janosh Huniadit në mes tjerave lexojmë:”perandori turk bashkë me të birin mban ushtri shumë të forta në viset e Arbërisë dhe ka ngulur shatorret kundër Krujës, të cilin orvatët me të gjitha fuqitë dhe me luftë shumë të rreptë të shtjerë në dorë e ta shtyp. Në Krujë janë vendosur 1500 burra shumë të aftë për mbrojtje, prandaj ushtria e lartpërmendur më kot mundohet kundër atij qyteti. Skënderbeu nuk është larg nga shatorret turke dhe për ditë e më tepër i shkakton dëme armikut.”

Shpirti luftarak i arbëreshëve ishte i pamposhtur. Idriz Bitlisi, historishkrues i oborrit turk i fillimit të shekullit xvi shkruan: “dihet, si një e një bëjnë dy, se midis popujve të Rumelisë asnjëri nuk është aq rebel dhe kokëfortë sa populli arbëresh. Arbëreshët, në sulm e në qëndresë, janë shumë të rrëmbyeshëm e të patundshëm. Shigjetat e shtrëngatës së vuajtjeve dhe të fatkeqësive, ata i presin me kraharorët e tyre të hapur dhe nuk vënë kurrë përpara armikut të tyre mburojën e dobësisë e të përuljes. Vlera luftarake dhe trimëria e tyre tanimë është një fakt i provuar.”Një historian tjetër i oborrit perandorak Ibn-i Kemal tregon:” arbëreshët, këta tigra të luftërave malore… Kanë për fe kryengritjen. Edhe luftëtari më i dobët i tyre është nga më trimat në fushën e luftës, tamam sikur të ishte kalorës i hipur në  kalin legjendar. Ai nuk ka as kalë as edhe mjete lufte, por ka në vend të kuajve shtiza që flakërojnë si vetëtima, ka ushta maja e të cilave është plot helm si thumbi i grerëzave, ka edhe një hark prej druri bashkë me disa shigjeta, por megjithatë ai është më i fortë se hekuri. Ata qëndronin në majat e thepisura dhe në luginat e maleve të gatshëm për të luftuar dhe vigjilentë për të vepruar në çastin e duhur.”

Kalorësi  i shquar anglez Njupor me 1456 deklaronte: “invazioni i Evropës është i sigurtë, sepse s’ka fuqi tjetër që mund ta bëjë këtë rezistencë, po të bjerë kështjella arbëreshe”. Arbëria nën udhëheqjen e Skënderbeut, pas rënies së Kostandinopolit me 1453 dhe vdekjes së Janosh Huniadit me 1456, vazhdonte të qëndronte kala e pamposhtur përballë taborëve të fuqishme turke të sulltan Mehmetit II-të, i cili synonte pushtimin e Evropës pasi të shuante qëndresën heroike shqiptare.