Maria Tona: Kënga e parë që kam kënduar, “Moj Sarandë, moj Delvinë”

1383
Sigal

Rrugën e këngës e ka filluar që në moshën 7 vjeçe, kur shkruante tekste për vendlindjen e saj edhe i bënte apo kthente në këngë polifonike. Teksti i parë, apo poezia e parë, që ka shkruar ishte për Enver Hoxhën, por nuk ka asnjë tekst në arkiv të asaj kohe. Pasi koha ishte e tillë që s’kishte aparatura si tani t’i ruanin. Edhe kjo këngë e kënduar si polifoni ajo se di ku ka përfunduar. Që në atë moshë bënte tekste, por dhe këndonte këngë popullore në festivalet e fëmijëve apo të të rinjve.

 Po për herë të parë në skenë me çfarë kënge je ngjitur?

Ah, e kujtoj si sot. Kënga ime e parë është “25 gërshetat” e Eli Farës në një festival në Delvinë. Kjo këngë gjithmonë më ka ngjallur emocion. Edhe sot e këndoj me ëndje. Eli Fara e ka qarë këtë këngë e ka nxjerrë nga thellësia e shpirtit.

Kur ikët në Greqi?

Që në fillim të vitit 1990. Unë jam me origjinë greke dhe pse lerë e rritur në Shqipëri. Kam 24 vjet larg Shqipërisë edhe me ikjen e viteve vështirë të kthehem përfundimisht. Puna, njerëzit, problemet kanë bërë që të mos lëviz shumë. Ndaj jam instaluar në Greqi. Vij vetëm për koncerte.

 Ju thatë jeni me origjinë nga minoriteti grek i Shqipërisë, pikërisht, ku keni banuar?

 Unë jam nga Metoqi i Sarandës, ku shkollën tetëvjeçare e kam mbaruar në Metoq, ngjitur me Qafë- Gjashtën, ndërsa shkollën e mesme e kam mbaruar në  Delvinë. Sarandën e kam pasur 10 min larg, ndërsa Delvinën 30 minuta. Janë dy nga qytetet jugore më të bukur, ku unë jam rritur. Janë dy qytete piktoreske, mjaft të bukur dhe që kanë nxjerrë këngëtarë të zotë. Jo më kot kënga popullore:

 “O moj Sarandë, o moj Delvinë”

E kush ta prishi ty bukurinë”,

Është një nga këngët popullore më të bukura të të gjitha trevave shqiptare që këndohet nga të gjithë këngëtarët shqiptarë në Greqi, madje kërkohet në çdo koncert, pa diskutim.

 Sa këngë keni në repertorin tuaj?

Unë kam një intensitet të madh koncertesh, pjesëmarrje në disa festivale, sikundër kam shumë ftesa në lokale apo dhe dasma. Repertori im shtohet nga dita në ditë. Aktualisht në repertorin tim kam rreth 400 këngë në shqip dhe në greqisht.

 Me cilin autor tekstesh dhe kompozitor bashkëpunoni?

Me thënë të drejtën unë më lart e rroka paksa. Që në vogëli kam bërë shumë tekste, e doja shumë poezinë, kam krijuar shumë dhe pjesën dërrmuese të teksteve i kam bërë vetë. Po ashtu dhe shumë dhe muzikën. Pra deri në një farë mënyre jam kantautore.

 Si janë marrëdhëniet e tua me televizionin shqiptar?

Nuk mund të flas me kompetencë, pasi jam larguar prej shumë kohësh, por dhe aq sa kam pas kontakt, aty këngëtarët duhet të vijnë me njohje dhe nuk i vlerëson këngëtarët sipas aftësisë, cilësisë dhe rezultateve. Kaq mund të them.

 Cilat janë këngët, ku ju keni bazuar suksesin?

Unë këndoj vetëm këngë të muzikës popullore, sepse më pëlqen tabani popullor. Jam popullore edhe në jetën personale të përditshme dhe nuk dua të ngatërrohem me muzikë tjetër. Kjo është rruga ime e nisur që në fëmijëri.

 Këngët më të bukura shqiptare cilat janë?

Janë ato që thashë më lart. Në shqip zakonisht interpretoj këngë të kolegëve të mi të ndryshëm. Këngë shqiptare popullore ka pafund.

 Si je pritur nga emigrantët në Greqi?

Si mos më mirë. Duartrokitjet e tyre më shërojnë. Janë të dashur dhe e pëlqejnë këngën popullore. Të vjen çudi se si ata çohen dhe këndojnë me ne. Janë të respektueshëm. Kanë shumë qejf këngët patriotike.

 Je ndodhur ndonjëherë keq në skenë?

 Jo aq sa të bie në sy, pasi keq ndihesh në mënyra të ndryshme. Por edhe n.q.s bëhet ndonjë gabim, ato janë njerëzore, aq më tepër ku punon live. Por me një buzëqeshje kalojnë të gjitha. Spektatori të mirëkupton. E kupton kur është padashje. Këngëtarët e aftë dinë të ndërtojnë raporte të drejta me spektatorët.

 A jeni xheloze ndaj këngëtarëve të tjerë?

Jo, kurrë. E them me sinqeritet. Nuk kam arsye pse të jem. Çdo këngëtar ka pozicionin e tij, zërin e tij, fansat e tij, mënyrën e tij të komunikuarit, mënyrën e tij të të bërit art, pra ka individualitetin e vet. Unë as marr as jap tek individualiteti i një këngëtari tjetër. Unë kam egoizëm profesional që më shtyn për të punuar më mirë, më shumë dhe me cilësi. Në fund të fundit çdo arritje e këngëtarit realizohet me punë, vullnet. Unë ndihem mirë kur të gjithë këngëtarët japin maksimumin pasi ata argëtojnë popullin, u heqin stresin, ku populli nëpërmjet këngës shpreh ato ndjenja  që nuk i shpreh dot me fjalë. Në ‘to ka dhimbje, dashuri, vuajtje, por dhe argëtim.

 Ke preferencë të këngës sipas zonave?

Jo. Unë i pëlqej të gjitha këngët popullore shqiptare, por interpretoj ato që mua më vijnë për shtat, mua më sjellin ngjyrën e zërit tim.

 Me cilët këngëtarë bashkëpunoni zakonisht?

Unë bashkëpunoj me këngëtarë të ndryshëm si shqiptar po ashtu edhe grek, sipas rastit. Duke pasur parasysh se kam një repertor të gjerë kam çdo ditë kërkesa edhe nga populli grek edhe nga emigrantët shqiptar. Duke pasur parasysh se jetoj në Athinë dy albumet e parë i kam në gjuhën greke, ku dhe tekstet i kam bërë vetë.  Një album e kam bërë me shtëpinë diskografike  “Kronos” me titull, “Polla kolpakia kaneis” edhe një disk tjetër në shtëpinë diskografike, “General muzik” me titull. “Ipros Leventogena”.

 Me kë shoqërohesh më shumë me femra apo me meshkuj?

Më shumë shoqërohem me veten time (qesh). S’kam probleme të tilla. shoqëria nuk ka gjini kur është e vërtetë.

A ka moshë ky profesion?

 Ky profesion sigurisht që nuk ka moshë kur ajo bazohet në punë në vullnet edhe në mundësi.

 Cilët janë këngëtarët tuaj të preferuar?

Në botë më pëlqen Celin Dion, në Greqi Pagona Athanasiu. Fylio Pyrgaki.

Një përkufizim për dashurinë?

Përkufizim për dashurinë?….Dashurinë duhet ta kesh, ta prodhon shpirti dhe si e tillë duhet të jetë e vërtetë. Përndryshe s’ka kuptim. Dashuria është ujë burimi që nuk shuan dot etjen deri sa t’i thuash lamtumirë kësaj jete.

 Jeni supersticioze?

Besoj në punë dhe në vullnet. Por në disa raste njeriu ka dhe besim tek diçka që e quan të shenjtë se mund ta ndihmojë.

 Ju keni dhe një motër këngëtare? Keni krijuar këngë për të?

 Po. Unë bashkëpunoj me motrën. Pikërisht në shqip për të kam bërë dy këngë, pra tekstin e tyre. Motra ime quhet Kostandina Tona. Këngët, të cilat kam krijuar për të janë “Lëre, lëre”, realizuar nga shtëpia diskografike “Shqipja master” dhe kënga tjetër “Ty moj shpirt katile”. Të dyja këngët kanë pasur shumë sukses.

 Do kthehesh përfundimisht në Shqipëri?

Ne tashmë s’na pengon asgjë të vëmë dhe të vijmë. Ku ka punë ndihesh më mirë. Nesër mund të kem më shumë në Shqipëri dhe mund të rri.