Margarita Xhepa: Albert Zholi, shkrimtari dhe gazetari korrekt dhe vizionar

894
Prof. Sulejman Muça
Nga Shoqata Labëria “Nderi i Kombit”, shkrimtari Albert Zholi merr titullin e lartë “Personalitet i Shquar i Labërisë” 
Ditën e shtunë, datë 16 dhjetor 2017, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar u zhvillua festimi i 26-vjetori të Shoqatës Labëria “Nderi i Kombit”. Në këtë festë merrnin pjesë drejtues, anëtarë dhe simpatizantë të Shoqatës “Labëria”, deputetë, politikanë, shkrimtarë, artistë, poetë, gazetarë, inxhinierë, ushtarakë, miq të kësaj Shoqate. Ajo që ra në sy në këtë festë ishte pjesëmarrja e jashtëzakonshme dhe salla e tejmbushur, madje në sallë kishte njerëz në këmbë dhe në hollin e Muzeut. Kënga labe përhapej deri në qendër të Sheshit Skënderbe, se aq të shumtë ishin grupet labe pjesëmarrëse në këtë event të bukur. Festë e vërtetë, në këtë mënyrë di të festojë vetëm Shoqata “Labëria”. Në fjalën e tij, Kryetari i Shoqatës Prof. Ago Nezha, theksoi: “Tashmë “Labërinë”, ky Jubile e gjen ndryshe nga përvjetorët e tjerë, se qysh nga Dhjetori i vitit 2015, ajo mban mbi krye kurorën e shndritshme: “Nderi i Kombit” të kurorëzuar nga Presidenti i Republikës. Po të bëjmë një retrospektivë të jetës së saj, Shoqata “Labëria”, u krijua në dimrin e demokracisë, më 12 Dhjetor, të vitit 1991, nga një grup intelektualësh nga trevat e Labërisë. Ajo, lindi në një klimë të acaruar, kur partitë ngjanin me një fole grenzash që shponin dhe helmonin njëra tjetrën me vrerin e kohës, ndërsa shoqatat amortizonin dhe i bashkonin njerëzit pa dallime partiake. Shoqata “Labëria”, ka pasur një fëmijëri të vështirë, një adoleshencë të shëndetshme dhe një maturi të parakohshme. Kuvendi i Parë themelues i shoqatës u mbajt në Tiranë, ku kryetar u zgjodh poeti i njohur, Halil Qëndro. Nisur nga misioni i shoqatës dhe traditat patriotike të trevës së Labërisë, për bashkimin e trojeve shqiptare, Kosovë e Çamëri, në këtë Kuvend u zgjodh Kryetar Nderi Akademiku Kosovar, Prof. Dr. Rexhep Qosja, një personalitet i shquar i çështjes shqiptare, Rilindës i kohës sonë. Kuvendet e tjera u mbajtën respektivisht, i Dyti në Vlorën e flamurit, i Treti në Himarë, jo rastësisht por për t’u thënë himarjotëve se Himara në lashtësi, ka qenë kryeqendra e Labërisë me 52 fshatra. Kuvendi i Katërt u mbajt në Kuç të Vlorës, për të evokuar një ngjarje madhore atë të Kongresit të Labërisë për çështjet zakonore që u zhvillua më 28 Nëntor – 4 Dhjetor 1924, me pjesëmarrjen e 300 delegatëve nga të gjitha trevat shqiptare, nga Kosova e Çamëria. Po të heqësh një paralele midis dy kohëve, problematikat e trajtuara 92 vjet më parë, janë të ngjashme me ato të sotmet, si gjakmarrja, që për fatkeqësinë e pushtetit demokratike kemi shumë të ngujuar, problemet e gruas, të arsimit, etj. Kuvendi i Pestë, u mbajt në kryeqendrën e kulturës labe, në Gjirokastër, që shënoi disa arritje kulmore, veçanërisht prurje të mëdha intelektuale dhe biznesmenë të rinj, që e fuqizuan veprimtarinë e saj.” 

E gjithë kjo arritje sendërtohet në fjalën përshëndetëse të Profesor Rexhep Qoses, që tha se: “Këtë shoqatë të mirorganizuar, do ta kishte zili çdo parti dhe çdo qeveri”. 

Në këtë festë u theksua se në strukturën e Këshillit Drejtues të kësaj Shoqate me emër ka personalitete me grada e tituj shkencor Profesor e Doktor plot 30 anëtarë, si Pëllumb Xhufi, Moikom Zeqo, Bardhosh Gaçe, Rami Memushi, Kristaq Kume, Bilal Shkurti, Natasha Hodo, Diana Shehu etj, si dhe ”Skulptorin e Popullit” Muntaz Dhrami, “Piktorin e popullit” Skënder Kamberi dhe “Mjeshtrin e Sportit” Bejkush Birçe. Ka disa personalitete të nderuar nga Presidenti i Republikës me titujt “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, “Mjeshtra të Mëdhenj gjashtë dhe me gradën Gjeneral në ushtri një person. Nga lartësia e 25 viteve unë dua të falënderoj kontribuesit e pa kursyer për realizimin e veprimtarive si nën/kryetarët e shoqatës të ndierin Enver Guga, legjendarin e deri sotëm Gafur Dudaj, Kastriot Zoto, Fatmir Toçi, e duke ardhur te më të rinjtë që‰ ju afruan pas Kuvendt të 5-të të Gjirokastrës si Dr. Bujar Leskaj, Agim Çiraku, Agim Rrapi dhe prurjet e fundit të admirueshme si Ardian Resuli e Vullnet Sina. Të dy krahët e shoqatës, kanë funksionuar si një orkestër për ta çuar shoqatën në lartësitë që ndodhet sot. E gjithë puna dhe veprimtaria e suksesshme e shoqatës do të ishte e mangët në rast se nuk do kishte zëdhënësen e saj Gazetën “Labëria”. Qysh nga lindja e saj e deri më sot ajo ka pasqyruar jetën social-ekonomike të trevës së Labërisë. Një punë të lavdërueshme kanë bërë kryeredaktorët e saj qysh nga krijimi me kryeredaktor Pëllumb Tare, për shumë vjet Lirim Dede, e tashmë Albert Zholi plot 10 vjet kryeredaktor, si dhe botuesit Fatmir Toçi e Gafur Dudaj. Gazeta “Labëria”, pas Kuvendit të 5-të të shoqatës, me botues Agim Çirakun e Gafur Dudën dhe me përkujdesjen e drejtorit të Gazetës Telegraf, Engjëll Musai, ka pësuar një ndryshim cilësor si në formë, që botohet me ngjyra ashtu dhe në përmbajtje, theksoi Nezha. Në këtë veprimtari Shoqata nderoi 4 personalitete, Prof. Arben Malaj, Kryetarin e Bshkisë Vlorë, Dritan Leli dhe shkrimtarin e talentuar Albert Zholi, me titullin më të lartë “Personalitet i Shquar i Labërisë” ndërsa vajzën kosovare Labëri Luzha me titullin: “Mirënjohje e Labërisë”. Titullin e lartë shkrimtarit Albert Zholi. Në këtë festim shkrimtari dhe gazetari Zholi u vlerësua për punën e tij këmbëngulëse, për impenjimin e madh në Shoqatë, por dhe për nxjerrjen me cilësi, në kohë dhe me nivel profesional, të gazetës “Labëria”, e cila është bërë zëdhënësja kryesore e Shoqatës. Prof. Nezha theksoi se Albert Zholi gjithmonë është treguar i papërtuar për të bërë çdo punë që i ngarkohet në interes të Shoqatës. Autori i 21 librave, 120 librave të redaktuar dhe i afërisht 3000 intervistave, Albert Zholi mbetet një vlerë në këtë Shoqatë. Dekorimi i tij u prit me duartrokitje të vazhdueshme. Këtë dekoratë shkrimtarit Albert Zholi ia dorëzoi “Nderi Kombit”, “Artistja e Popullit” znj. Margarita Xhepa.

Margarita Xhepa: Albert Zholi, shkrimtari dhe gazetari korrekt dhe vizionar

E kam njohur nga afër Albert Zholin ku kam luajtur një film në Greqi. Që pas asaj njohjeje me të jam takuar shpeshherë dhe kam bërë disa intervista. Ajo që kam vënë re në punën, sjelljen dhe aktivitetin e tij është se Alberti është i thjeshtë, korrekt, punëtor, i palodhur dhe i kudo ndodhur. Në shkrimet dhe intervistat e tij, Alberti është shumë korrekt dhe shumë i saktë. Ai nuk mundohet të bëjë zhurmë me lajmin as të transformojë intervistën, përkundrazi do të përcjellë tek lexuesi, vërtetësinë e figurës së personazhit. Ai ndodhet gjithmonë mes artistëve me çantë në krah dhe çdo aktivitet e sjell në gazetë me një frymë realiste dhe të besueshme. Ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë komunitetin e artistëve dhe asnjëherë nuk ka deformuar bisedën apo lajmin. Merr pjesë aktive edhe në aktivitetet e shoqatave simotra dhe nuk bën kurrë zhurmë në punën e tij. Librat e Alberti i lexon me endje pasi ai ka vizion për letërsinë dhe zhvillimet në vend he në botë. Shkruan me sinqeritet shpirtëror dhe nga duart nxjerr gjithmonë vepra me vlera artistike dhe estetike. Komunikimi është cilësia kryesore në jetën e tij si gazetar ku nuk tenton të evidentohet por të punojë në heshtje dhe ndershmëri. Ndihem mirë që gjeta rastin që dhe unë të shpreh dy fjalë për të dhe për meritat e tij, pasi ai është modest, edhe pse punon shumë. Ta gëzosh medaljen miky ynë Albert Zholi! Suksese kudo në jetë! 


Sigal