Marash Hajati: Vitet e mia me Dritëro Agollin në Rusi

868
Sigal

Libri/ Gazetari dhe publicisti i njohur Marash Hajati, rrëfen kujtimet nga vitet e gjata të studimeve dhe të punës me Dritëro Agolli

Dje u promovua libri i Marash Hajatit me një titull intrigues “DRITËRO – Kohës i falemi për këtë ditar”. Është një libër me kujtime i gazetarit dhe publicistit të njohur Marash Hajati, që i kushtohet një personaliteti të madh të gazetarisë dhe letrave shqipe, Dritëro Agollit. Do të mjaftonte vetëm ky fakt, emri i Dritëroit, që librit të mos i vihej në dyshim suksesi.  Sikurse shkruan autori që në hyrje “i falem kohës, sepse atje larg, në  Universitetin me emër të madh ndërkombëtar të Shën Petërburgut, ku si ne studentët shqiptarë,  kishin ardhur mijëra të rinj nga shumë vende të botës për të studiuar e për t’i dhënë  jetës një kuptim  tjetër. E ajo jeta tjetër ishte shpërthyese e të dukej se pas asaj lufte, që jeta normale kishte  ndalur, po fillonte të merrte përsëri frymë, po rilindte. Po rilindte puna, ndërtimet, shkenca, arsimi, shkollat e universitetet, kultura, arti, sporti. Gjithçka më e fuqishme. Pjesë e asaj kohe ishim edhe ne, një grup i studentëve shqiptarë, që në radhë me mijëra e mijëra të tjerë hodhëm hapat e rëndësishme në jetën  e studimeve dhe pas saj. Gjithçka këtu është një copë e vogël e asaj  jete, që ruan në vetvete përmasat e mëdha të një miqësie e shoqërie, që nuk i gjen kufijtë ta rrethojnë. Ato janë pjesë e fletëve të këtij libri ditar, por jo në kuptimin klasik të formës së ditarit  me orë e ditë, por një ditar ngjeshur si gishtat e dorës me ngjarje, rrëfime, peripeci e gazmore, e padyshim,  kryefjala  e tyre,  miku im  e i të gjithë  shokëve, Dritëro Agolli.

Një “Shqipëri” e vogël niset jashtë shtetit

Më besoni që edhe sot e kësaj dite, që kanë kaluar dekada, nuk më është hequr nga mendja iluzioni i asaj kohe të rinisë, që kisha qenë jashtë shtetit, jashtë Shqipërisë, kuptueshëm pa lëvizur asnjë ditë nga Shkodra. Po të hyni edhe ju në filozofinë e nxënësit të shkollës së mesme e sidomos të maturës së atyre viteve, do të më jepni të drejtë e për këtë do t’u rrëfej diku më poshtë.

Në të gjithë vendin, në ato fillime të shekullit që kemi përshëndetur në kohë, ka pasur nja nëntë qytete që përgatisnin të diplomuar maturantë me arsim të mesëm. Në Shkodër, shkollat që vazhduan vijimësinë e detyrës së madhe për arsimin e mesëm, mbas Luftës së Dytë Botërore, ishin gjimnazi dhe shkolla pedagogjike. Kush arrinte deri këtu, ishte me fat në atë kohë. Pse me fat?  E para, se mund të fillonte punë si mësues, apo diku në administratën shtetërore. E dyta, sepse si maturant kishe fituar jo vetëm njohuri shkollore, por edhe shumëçka  jetësore. Me këtë shpjegim, si i thonë fjalës, arrita te mendimi i rreshtave të parë  të këtij kapitulli. Kur kam thënë si fantazi apo shaka, se kam qenë dikur “jashtë  shtetit” pa dalë  asnjë ditë nga Shkodra, kam pasur parasysh se të gjithë profesorët (mësues e pedagogë) kishin kryer studimet jashtë Shqipërisë. Ata me shumë zell e dashuri na jepnin mësim çdo ditë, jo thjesht si mësues të lëndës, letërsi, matematikë, fizikë, biologji e deri fizkulturë, por qenë edhe vazhdues të punës së familjes, pa pritur ditët formale të takimit me ta. Në atë kohë, mesa e vlerësoj unë, arsimi ka qenë tepër i lakmuar e shumë konkurrues te prindërit, pavarësisht nga kushtet ekonomike për të pajisur fëmijët me dije. Mësuesit na donin e na mësonin. Ne i respektonim. Pa le, kur frymëzoheshim nga zotësitë e aftësitë e tyre, apo kur ata vetë na tregonin me pasion për universitetet, ku kishim mësuar. Profesor Kol Kamsi e Filip Ndocaj na flisnin për gjuhën e letërsinë. Prek Jakova për muzikën. Veç lëndëve të mësimeve, ata tregonin aq bukur për Romën e Firencen, për Barin e Milanon. Profesor Neziri kishte kryer studimet në Francë. Edhe ai veç kur na fliste për Parisin e Kanën. Me prof. Luigj Kromiqin kisha fat të veçantë, sepse banoja në një shtëpi me të. Tregimet e tij për Vjenën e Austrinë nuk sosnin asnjëherë. Nderimet vijnë edhe për prof. Taip Shkodrën. Gjithmonë të merituara. Ai ishte ushtarak pedant, me një personalitet, profesionalizëm të lartë e etiketë të pakrahasueshme. Na drejtonte orët e fizkulturës e të kalitjes me një përpikëri të paimagjinueshme, pa bërë asnjë lëshim. Pati mbetur si lajtmotiv i asaj kohe për disiplinën ngjarja, kur Prof. Taipi në një parregullsi të vënies në rresht në klasën e maturës, i kërkoi të birit, Gencit, të qëndronte gatitu e të thoshte me zë të lartë, biri i kujt ishte dhe pse nuk zbatonte rregulloren e shkollës.  Ajo që kërkonte profesori ishte shkolla, vëmendja. Ishin kërkesat akademike, ku ai kishte kryer studimet në Itali. Por kurioziteti i atyre viteve nuk mbaron këtu. Vetëm dy vjet para se ne të merrnim maturën, mësuesi i pedagogjisë dhe njëkohësisht drejtor i shkollës, na erdhi profesor Qemal Mandia, përgatitur në Akademinë e mësuesisë në Moskë. Një adresë e re për studime po i vinte Shqipërisë në vendet e Lindjes: Moskë, Varshavë, Gjermani, Çeki etj. Tani, a kam të drejtë të them se nga rrëfimet e mësuesve tanë të mrekullueshëm, ne nxënësit e njihnim disi botën pa qenë jashtë Shkodre.

Kam një arsye të fortë, që solla këto copa kujtimesh e tregimesh në faqet e këtij libri. Kjo për faktin se po niste vazhdimësia për studime, por në një kahje tjetër, në një drejtim tjetër. Ne, një grup maturantësh shkodranë, por edhe të tjerë nga disa qytete të Shqipërisë (ata studionin në qytetin tonë), na u akorduan bursa për të vazhduar studimet jashtë shtetit, si në Bashkimin Sovjetik e disa vende të Lindjes. Numri ynë ishte i kufizuar, krahasuar me klasat paralele e kjo na bënte të ndjeheshim disi më të privilegjuar. Por jo vetëm kaq. Në vetvete shprehnim me një farë naiviteti dyshimin, nëse do t’u ngjanim kur të ktheheshim nga studimet profesorëve tanë. Vërtet naivitet rinor dhe i sinqertë, por përsëri më mirë pak mosbesues, sesa të shprehësh artificialisht një gënjeshtër të zbukuruar. Ky mendim nuk është jashtë logjikës sime edhe sot. Ajo që normalisht pasoi këto mendime në atë që e shprehëm, vazhdoi me ndjenjën tjetër të mallit e të nostalgjisë, që do të përjetonim kur të ishim larg atdheut e ku, deri në Rusinë e largët të Moskovit, siç thoshin të vjetrit, që as në mend nuk u kishte vajtur se ku bie.

Për të mos e ndërprerë rrjedhën e këtyre shënimeve, gjatë gjithë kohës që kam plotësuar kolonat e pafund të formularëve për jashtë shtetit, na patën ngacmuar temat me tregime e histori, me ngjarje dhe episode për shtegtarët e rrugëtarët shqiptarë, që dikur në kushtet e skamjes e varfërisë, me torbë pas krahut, ishin detyruar të linin atdheun për një jetë më të mirë, për të mos thënë për të mbijetuar. E ku e kishin ndalur vrapin paraardhësit tanë! Deri edhe në brigjet e Afrikës, në Egjipt, Liban e Siri, pa folur për Turqinë e vendet fqinje të Ballkanit, Italinë e për të zënë vendin e parë në ato turravrapet e emigracionit drejt Amerikës, ku ai vend i bekuar të jepte mundësinë të punoje shumë, të fitoje e të jetoje jo keq, por të merrte nganjëherë jetën pa mundur të ktheheshe më në vendlindje, në vatrën e sofrën e prindërve dhe gjyshërve.

Natyrisht, ne në vetvete gëzoheshim, se nuk do të ishim si ata, edhe pse në shpirt e zemër i respektonim dhe i donim. Ne do të ishim ndryshe. Do të ishim rrugëtarët e shtegtarët, vazhduesit e disa brezave intelektualësh, që kishin “msy” drejt shumë kryeqyteteve të ndryshme për t’u shkolluar, për t’u bërë pishtarë të dijes, sepse vendi  ynë nuk ishte i varfër vetëm në të ngrënë, në të veshur, por i varfër dhe i etur ishte edhe për kulturë, për shkollë e arsim.

I duhet dhënë hak historisë e respektimit të kodeve të saj për saktësinë e ngjarjeve, atmosferën e fakteve, mbështetur në statistikat zyrtare të arkivave e dokumenteve të nxjerra në shtyp kohë mbas kohe. Dhe kjo jo thjesht si konkurs dijesh, por për faktin se i gjithë ky ditar ngrihet në raport të ngushtë me zhvillimet e ngjarjeve të atyre viteve. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, brenda në vendin tonë, madje të njohur me emra, ishin vetëm disa qindra intelektualë me arsim të lartë të fushave të  ndryshme. Pra, as në 1000 nuk arrinte lista. Të gjithë ata ishin të arsimuar e të përgatitur në vende të ndryshme, kryesisht në ato perëndimore. Në ato kohë, aty nga fillimi i viteve 50-të të shekullit të kaluar, fill pas çlirimit, u krijuan disi kushtet e mundësitë për të hapur ne vendin tonë dyert e arsimit të lartë. Ishte një ëndërr historike e rilindësve tanë për Institute e Universitet shqiptar. E përmenda këtë fakt, se paralel me grupin tonë (rreth 100 maturantë me gjithë ushtarakët), po niseshim për studime jashtë shtetit. Disa qindra të tjerë paralel me ne, do të thoshin me krenari, se ne kemi kryer studimet e larta në Tiranë, në Shqipëri. Edhe kjo është një pikë referimi, sepse thuhej për herë të parë në rrjedhën e shekujve, Shqipëria u bë me Institute, Shqipëria me Universitet. Pra, si të thuash, ecëm me këmbë të mbarë, sepse studentë e specialistë e më vonë edhe profesorë dhe akademikë, do të përgatiteshin paralel jashtë vendit e në Shqipëri. Madje nuk vonoi të vinin studentë në vendin tonë edhe nga vende të ndryshme, sidomos të atyre të Lindjes. Ndoshta më shumë se në asnjë kapitull  të këtij libri me kujtime, dua të jem sa më i pranishëm dhe më i kuptueshëm për lexuesin. E kam vlerësuar dhe e kam mbajtur kurdoherë si mbi shpatulla nevojën e sfondit historik të kohës në krijimtarinë time për të shpjeguar deri në imtësi marrëdhëniet e veprimtaritë e njerëzve në kohë të zakonshme  apo të veçanta. I lidh këto të gjitha bashkë me vetveten e me të tjerët në rrethanat, që pata kaluar në vitet 50-të, që përshkrova më lart, me Luftën e në fillimet e Pasluftës së Dytë Botërore, që e ktheu jetën kudo si në një ferr mbi tokë. E ktheu me skamje, me varfëri, me përpjekje për të jetuar e mbijetuar. Nëse vendeve evropiane, atyre të Lindjes, Rusisë e deri në brigjet e Japonisë, iu duheshin përpjekje të mëdha për të ringritur atë që ishte shkatërruar, vendeve të varfra si Shqipëria, i duhej të fillonte nga e para për hapjen e tokave e tharjen e kënetave për të siguruar bukën, fabrikën, uzinën e kombinatin, për të siguruar punën, edhe shkollën e klasat e mësimit deri në skajet më të largëta, për të zhdukur analfabetizmin, që numëronte mbi 90 për qind të vendit. E për të mos harruar mjekun e infermierin, spitalin, që jo vetëm duhej të kuronte të sëmurët, por edhe të përballonte vuajtjet e sëmundjeve kronike të mbartura në vite, si: malaria, tuberkulozi etj. Atëherë ka qenë koha (thënë jo me shaka) që në zonat e varfra, e zëvendësonin djathin me bukën e grurit, edhe atë kur e gjenin. Nuk e solla me tendenciozitet këtë tablo jetësore të viteve të largëta. Nuk bëj histori, por faktet e ngjarjet mund t’i shërbejnë historisë, që të jetë vërtet histori. Megjithatë më duken aq të magjishme gjurmët e asaj kohe të ripërtërira në kujtimet e në psikologjinë e maturantëve, që në tërë atë pështjellim ngjarjesh, kontrastesh do të niseshim për studime. Do të niseshim jashtë shtetit, që më vonë të na merrte malli të shkruanim letra e pse jo të ktheheshim të rritur e të ditur.

U nisëm. Po edhe ajo nisje më nxit të them diçka. Ishte në atë kohë një Shqipëri me një transport gati si në një komandë ushtarake. Çdo ditë në mëngjes, nga qytetet e mëdha të vendit, niseshin për në Tiranë dy apo tre autobusë në orë të caktuara. Edhe ata quheshin autobusi i parë, i dytë apo i tretë. Edhe biletat atë numër kishin. Çdo qytet kishte vetëm një agjenci (dy dhoma të palyera që nga dita e fillimit të punës). Në çdonjërën 2-3 sportele me zgarë hekuri, sa një pëllëmbë dore dhe 2-3 banka dërrasash të rrjepura në korridorin e gjatë. Vendet në autobus shënoheshin në numrin e biletës dhe njerëzit mbaheshin më të madh. Sa më afër shoferit të ishin. Sediljet e para zakonisht planifikoheshin për nëpunës e zyrtarë dhe lëshoheshin me autorizim të veçantë. Ne maturantët, që udhëtuam ato ditë për në Tiranë, demek si me rëndësi, na vunë në vendet e para. Gjithë ky organizim kishte edhe stacionin e mbërritjes, ku pa përjashtim detyroheshim të ndalnim vrapin në një strehëzë pranë Sahatit të Tiranës, që ishte e vetmja që quhej Agjencia Qendrore e Transportit të Udhëtarëve. Për kënaqësinë e atyre që duan ta shohin, kjo agjenci, si një monument që akoma s’kanë gjetur mundësinë për ta transformuar, është në këmbë edhe sot. Kur thashë strehëz pranë Sahatit, kam parasysh ca zyra, kund nja gjashtë dhoma vendosur rresht pranë restorantit e hotelit të famshëm në atë kohë me emrin e lumit rus, “Vollga”. Tek ajo ndërtesë, ngjitesh nga krahët e shkallëve, ku del si në një ballkon lidhës. Sa herë i patën ngjitur ato shkallë njerëz nga gjithë Shqipëria, sepse ajo ishte e “detyruar”  për të gjithë ata që do të rrugëtonin: edhe kur fejoheshin, edhe në gëzim, edhe në vaki e hidhërim, sepse ajo ishte e vetmja pikë lidhëse me gjithë Shqipërinë. I ngjitje ato shkallë me qejf, me shpresë, me buzëqeshje e veç kur të thoshin: biletat u mbaruan, hajdeni nesër për pasnesër. Sa gëzim e hidhërim kanë parë ato shkallë. Autobusët, ngaqë kishin largësi të ndryshme nga kryeqyteti, arrinin edhe në kohë të ndryshme. Por në mjaft raste pranë agjencisë grumbullohej një numër jo i pakët makinash për kohën. Kjo ndodhte sidomos në orët e mëngjesit, kur automjetet merrnin rrugë të ndryshme drejt qyteteve. Atëherë  bëhej një gjurulldi e “organizuar”,  sepse shpesh po aq sa ishin udhëtarë që vinin apo niseshin, aq ishin edhe njerëz për t’i pritur, apo për t’i përcjellë. Si kohë rrugëtimet ishin goxha të gjata. Nga Shkodra në Tiranë, në rastet më të mira duheshin mbi pesë orë për të arritur. Po qyteteve të tjera si, Vlora, Gjirokastra, Korça, sa orë udhëtim u duhej”! I solla këto copëza kujtimesh për një kohë të largët e të shkuar, sepse ato nga fundi i gushtit 1952, kanë pasur për mua e për një grup të madh shokësh  të “emëruar ” maturantë të veçantën e tyre. Rreth 100 nxënës, pothuaj nga gjithë Shqipëria, që kryen arsimin e mesëm në degë të ndryshme, për  2-3 ditë me radhë, me natyrën e tyre të gëzuar, të zhurmshme e shoqërore, arritën me autobusët e linjave në qendrën  e Tiranës. Një “Pazar” i buzëqeshur maturantësh  “mbiu” poshtë Sahatit. Që aty me bagazhet për “kurbet”, ne fatlumë të studimeve, duke mbajtur në duar valixhet e drunjta, “sistem kompensate”, u vendosëm jo larg agjencisë, ku ishte konvikti i vajzave, “Nëna Mbretëreshë”. Që këtu maturantët  do të  niseshin për t’u kthyer inxhinierë, mjekë, teknologë, historianë, juristë, gazetarë etj. Një “Shqipëri” e vogël do të nisej jashtë shtetit në shumë vende të ndryshme. Ditët e qëndrimit në konvikt na dhanë kohë për t’u njohur me njëri-tjetrin. Deri në atë kohë mes nesh ishim vetëm shqiptarë. Disi të ndrojtur rrethonim të dërguarin e Ministrisë së Arsimit për informacion, se ku do të mblidheshim, kur do të regjistroheshim e pse jo edhe kur do të niseshim. Ka pasur ato ditë një veçori “përputhjesh” interesash të veçanta të ne studentëve, që donim të iknim sa më parë, edhe të nëpunësve të Ministrisë, që donin të na hiqnin qafe sa më shpejt. Në konvikt vetëm sa bënim një sy gjumë në dyshekët prej kashte, me batanije e pa çarçafë e më pas, shyqyr ishte verë e tërë ditën rrinim jashtë përreth Ministrisë së Arsimit. Dua të përmend këtu vetëm disa emra nga ata të grumbulluar maturantë, si Hajro Zeneli, Xhemal Dini, Myfit Balani, Liri Gjoliku, Sabri Rrapi, Lili Bare, Ibrahim Tukiqi, Avni Mula, Gjoni Athanas, Jakup  Keraj, Vilson Kilica, Xhelo Murra, Palo Çakalli, Burbuqe Vogli… e sa të numëroj të atij viti, po edhe të viteve të tjera, që vinin njëherë në pesë vjet me pushime. Këtu dua të veçoj grupin tonë, që do studionte për gazetari: Janaq Gjeçi, Dritëro Agolli, Marash Hajati, Fadil Kokomani e Vangjel Lesho. Të gjithë emrat që përmenda më lart e dhjetëra të tjerë në vazhdim me ta, nga të panjohur u bëmë të njohur me shoqi-shoqin, duke ecur e kuvenduar rrugëve të Tiranës. Duke kënduar e recituar, na mblidhte vonë konvikti. U bëmë të njohur duke treguar anekdota lokaleve në fillimin e rrugës së Durrësit. Por ka edhe më shumë se kaq. U bëmë të njohur duke hyrë në botën e njëri-tjetrit me çiltërsi e respekt, me dashuri gjimnazistësh, buzëqeshjesh e optimizmi për çfarëdo mësonim e krijonim në një rrugë të gjatë të përbashkët.

(Vijon)