Manjola Baçi: Teknologjia dembelos dhe nuk zhvillon inteligjencë

174
Teknologjia po ecën me hapa më të shpejt se njeriu. Andaj edhe mundësitë që të ofron janë të shumëllojshme për shkak se kushdo mund të bëhet pjesë e saj sipas mundësive, kushdo bëhet i panjohur për këdo. Lehtësisht e besueshme behet një adresë fallco nëpër rrjete sociale. Janë bërë mediatike rastet e keq përdorimit të rrjeteve sociale, si për shembull, shkaktarë për divorce, apo më e fundit largimi i vajzave nga shtëpia me të “njohurit” nga rrjetet sociale. Duhet të ndajmë teknologjinë nga rrjetet sociale. Pa të parën nuk ka ekzistencë të së dytës. 
Psikologe Baçi po dëgjojmë probleme të ndryshme viteve të fundit si: Largimi i vajzave nga shtëpia dhe shkak për këtë del njohja me një të huaj nga rrjetet sociale. Në opinionin tuaj sa shqetësuese po bëhet keqpërdorimi i rrjeteve sociale duke komunikuar me të panjohurit?
Tashmë është një fenomen aventura apo lundrimi në internet, e cila ka kornizuar stilin apo dinamikën e jetës, duke e përqendruar atë në nevoja që vetë individi apo shoqëria do t’i japin njëri-tjetrës shembuj individualizmi dhe jo konstruktiv. Të lakuarit kaq shpesh përdorimi i rrjeteve sociale në shqetësim për shoqërinë e familjen, ka fakte të drejta sot. Të studiuara në analizë, ky fenomen global ka renditur 1001 disavantazhe, ku përpos ka edhe avantazhet e saj, ku ju po përmendni edhe njohjet virtuale, një tjetër proces transaksioni komunikativ dhe afektiv. 
Përse priremi të krijojmë miqësira me të panjohurit virtualisht dhe të besojmë përmes tyre? 
E panjohura gjithnjë ka intriguar njeriun, ndaj lehtësisht të manifestuarit e kësaj sjellje është e natyrshme, pasi në këtë botë virtuale, individi përpiqet të mbulojë shumë të meta, ku i vjen e plotësuar si me magji, dhe të tilla mundësi shoqëria,individi e ka gjetur dhe e pranuar shume veten këtu. Krijimi i një identiteti ndryshe nga ç’është i jep mundësi individit për tu pranuar dhe dashur ashtu si të tjerët do të donin, këtu mund të fshihen dobësitë, të shpaloset afeksioni, duke shtrembëruar apo gënjyer veten dhe të tjerët. Krijimi për të pasuar miqësira me të panjohur bëhet si shkak për të ndryshuar apo pse jo për të qenë edhe vetvetja duke u mbuluar me një identitet ndryshe, pasi në të vërtetë nuk do të kishte kurrë guximin për të vërtetat. Kjo prije për të besuar të kundërtën e saj, kërkon të bindë më parë veten dhe më pas të tjerët, dhe kjo vlen më tepër për ata/ato që kanë një status, pozicion, për të dhënë një model të perfeksionuar ku të gjithë ta adimirojnë.
Teknologjia dhe njerëzimi 
Si ka ndryshuar jetën e njerëzimit sot teknologjia?
Ka një ndryshim të ndjeshëm, gjithçka është e lidhur për të promovuar veten në imazh, status, tendenca, si dhe me një uri të madhe emocionale. 
Çfarë ofron dhe çfarë ka mundësi të largojë nga e përditshmja jonë?
Ajo çfarë ofron teknologjia, nuk është e barabartë me atë çfarë të merr, merr një pjesë të konsiderueshme të jetës tënde, vëmendjen, energjinë dhe i kthen ato në substanca helmuese e cila është varësia e madhe ndaj saj, padobi e cila të ngushton përditshmërinë tënde, dhe në fund të ditës ti i thua vetës përse ndihem kaq e drobitur apo pa një funksion pozitiv.
Sa e dobishme dhe e dëmshme është bërë teknologjia?
Dobia e saj është e limituar apo e zvogëluar përkarshi asaj që ne sot po e quajmë të dëmshme si ato radikalet e lira që marrim çdo ditë nga atmosfera, si në një shqetësim më të madh se kaq, të vetizoluar të kontrolluar, e të skanuar, nga hipnotizimi i kësaj kuçedre teknologji.
A zëvendëson teknologjia praninë e njerëzve apo duke u marr me një grup të vogël që ne mendojmë se u rrimë afër, na largon me ata që vërtet kemi afër?
Ajo që na ofron teknologjia është vizive, të përmbajtur, jo shprehës, ka zëvendësuar portretin në një shkëmbim sa më prekës, për të mbushur shpirtërisht dhe jo fizikisht. Edhe kur jemi nën shoqëri rrimë të vetmuar dhe kërkojmë ushqim virtuoz për t’i shpëtuar kritikës, si dhe mohimit të tërheqës së vëmendjes.
A mund të zëvendësoj teknologjia punën e njeriut?
Pak nga pak, këtë gjë ka nisur të bëjë më herët teknologjia, si nga zëvendësimi i të shkruarit me dorë, dërgimit me postë, etj, po e zëvendëson punën e njeriut, por kjo nga ana tjetër po dembelos dhe nuk zhvillon inteligjencë kolektive po individuale.
A është bërë kërcënuese?
Rreziku është më i pranishëm herë i dukshëm herë i padukshëm për disa, kjo nuk tregon mungesë aftësie por njohje të thellë për këtë risi që është më e madhe sesa ne, ku pushton energji, kohë dhe cilësinë e jetës sonë. 
Teknologjia dhe të rinjtë:
Si e ka ndryshuar mendimin e të rinjve teknologjia?
Për të rinjtë e sotëm, ajo ka qenë aty, ata janë njohur më vonë më të, ndaj ky stil jetë, nuk i bën përshtypje, as i krijon frikëra apo pasiguri, pasi ato njohin alternativa që janë përshtatur njëra-tjetrës, kur të tjerët flasin për të (të rriturit) ata i shohin çuditshëm, dhe të lodhshëm, se përse duhet syrgjynosur kaq shumë kjo gjë.
Varësia kundrejt asaj përse bëhet?
Varësia lind si një proces rutine të përditshmërisë tënde, ndaj ne sot me gjithë fenomenet që po i ndërtohen shoqërisë sonë na duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë konsumojmë apo fusim në trurin tonë, pasi mekanizmat automatikë janë të gatshëm për të programuar lëvizjet dhe sjelljet e të menduarit, si nevojë imediate në kënaqësi përparësi për të përmirësuar atë çfarë u duhet.
Ju ka ndodhur të flisni me të rinj për ketë temë, dhe si ju përgjigjen?
Po gjatë punës sime si trajnuese në aspektin psikologjik fokus-grupe që realizoj me të rinjtë, shkëmbejmë dhe trajtojmë tema të tilla, ata e shohin si mjet komunikimi, shkëmbim informacionesh, pra e kanë një alternative ndihmëse, por shohin edhe si argëtim, ku ndajnë mendimet apo thashethemet. Ata edhe pse e kuptojnë që aty ndihen më të gjykuar, diskriminuar, ata vazhdojnë të jenë pjesë e këtyre rrjeteve sociale për të sfiduar apo thënë atë që mendojnë realisht. 
A mos ndoshta rrjetet sociale kanë bërë të mundur qëndrimin e tepërt para kompjuterit?
Është një nga mënyrat më të pëlqyera që të rinjtë zotërojnë të bëjnë, aty mundohen të jenë vetvetja ose e kundërta e saj, ku kalojnë një kohë që ata mendojnë se ja vlen ta kalosh. Ndaj nevojitet aktiviteti fizik, apo aktivitete krijuese për të mbajtur ndezur motivimin dhe qëndrimin sa më larg veseve jo të shëndetshme për të riun.
Ju çfarë këshillash jepni në lidhje me përdorimin e rrjeteve sociale dhe qëndrimin e tepërt para kompjuterit?
Këshilloj, përkushtimin dhe prezencën e prindërve ndaj fëmijëve në përditshmërinë e tyre, kontrollimin dhe kujdesin e aktiviteteve, të nxisin vullnetin për të bërë gjëra konstruktive, t’i edukojnë vazhdimisht pa u lodhur duke u përsëritur për dobi të mirë shërben edhe kjo, të zgjedhin taktin për të komunikuar dhe transmetuar qartë atë që duhen të thonë, të dëgjojnë sa herë që i thërret fëmija, edhe nëse nuk e bën ai/ajo duhet të shkojë prindi dhe ta nxisë të flasë dhe të jetë i hapur, jo paragjykues, të mirëpresë, jo të dënojë fëmijën për gabimin, gabimi do jetë më i madh i prindërit nëse nuk ndihmon por dënon. Fëmijët e sotëm kanë këtë aspekt të teknologjisë, të mos i dënojmë apo t’i ndrydhim për ndryshimet që vetë njeriu po i bën, por t’i qëndrojmë afër dhe t’u mësojmë se çfarë të selektojnë dhe çfarë iu bën mirë atyre.

Intervistoi: Klaudia Malaj