Sigal

Dr. Minella Kureta

(Mjeshtër i Madh)

Çdo fund tetori, Shoqata “Durrësi” në bashkëpunim me Bashkinë Durrës dhe Qendra e Artit dhe

Kulturës Shqiptare dhe këtë vit organizoi “Festën e Ullirit” (edicioni 20-të). Kjo festë tradicionale, tashmë e kthyer në një ritual sa karakteristik aq dhe historik për këtë qytet bregdetar ka ardhur duke u organizuar çdo vit e më bukur, duke simbolizuar paqen, dashurinë, mirësinë e urtësinë, humanizmin pa kufi, respektin njerëzor, mençurinë dhe ndihmën reciproke të qytetarisë durrsake nga brezi në brez e nga shekulli në shekull, që janë kaq të lashta, po aq sa pema e ullirit. Por pema e ullirit përveç se njihet si pemë simboli i Paqes, e cila vjen që nga koha e lashtësisë, ka dhe një simbolikë tjetër shumë domethënëse, që është ajo e kohës së Skënderbeut, i cili në bazë të ligjit të tij nuk i jepej lejë martese asnjë çifti në qoftë se s’kishte mbjellë 5 (pesë) rrënjë ulliri. Në veçanti këtë vit në 550-vjetorin e Kryeluftëtarit, Heroit Kombëtar, Kryelegjendës Gjergj Kastrioti Skënderbeu (në vitin e shpallur si viti i Skënderbeut), ky ligj na vjen si një ogur i bardhë për vlerësimin e madh që i bëhet pemës së ullirit. Në qytetin e Durrësit çdo familje ka pasur me qindra rrënjë ullinj në kodrat e qytetit, një pjesë e të cilëve vazhdojnë të jenë edhe sot. Në këto rrethana Shoqata me Bashkinë Durrës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shumë të ndjeshme ndaj simboleve të tilla, të cilat kanë çuar në organizimin e këtyre festave kaq popullore e masive, kaq serioze e të rëndësishme për jetën e tyre. Kjo festë kaq e bukur e organizuar në mënyrën më shembullore, në këtë mjedis kaq të ngrohtë dhe entuziast, ka pasur dhe vazhdon të ketë në epiqendër të saj, stimujt moralë dhe materialë, duke vlerësuar me tituj të ndryshëm të shumë personaliteteve të ndryshëm të huaj e të vendit.

Edhe këtë vit do të sillte para publikut durrsak dhe atij shqiptar në tërësi, ritet, zakonet dhe argëtimin më të përsosur artistik. Duke pasur një dashuri të veçantë për pemën e Ullirit, si dhe duke e vlerësuar atë si pema që përfaqëson simbolin e paqes, ne jemi munduar të japim mesazhin e përkujdesjes, si dhe rëndësinë ekonomike dhe ekologjike që ka ulliri për qytetin e tyre. Ky është viti i 20-të që organizohet ‘Festa e Ullirit’ dhe tani mund të themi me plot gojën se është bërë një nga festat më të dashura. Ajo është kthyer në një traditë ku është i interesuar vetë qyteti i Durrësit dhe pse jo, dhe të krejt ‘Shqipërisë së Mesme’. Në ‘Festën e Ullirit’ marrin pjesë si të ftuar dhe tërë ‘Shoqatat e Shqipërisë së Mesme, duke filluar që nga Shoqata ‘Tirana’, ajo e Elbasanit, Krujës, Kavajës, Peqinit, etj. Kjo festë motivon artistët, investon dhe u afron turistëve dhe biznesit të zonës, jo vetëm mundësi zhvillimi por u ofron dhe një agjendë të pasur të trashëgimisë tonë tradicionale jo vetëm për kultivimin e ullirit dhe resurset e tij, por dhe për ritet që organizoheshin në shekuj në mbrojtje të pemës së ullirit dhe të dashurisë që tregohet në breza për të. Ky manifestim zhvillohet me kaq seriozitet në Qytetin e Durrësit, sa çdo qytet tjetër bregdetar duhet ta ketë zili. Kjo festë u ofron qytetarëve Durrsakë momente nga më çlodhëset e nga më argëtueset në mënyrë sa më të kulturuar, që ndikon fuqishëm në edukimin e brezave të rinj me trashëgiminë kulturore në radhë të parë, por dhe me dashurinë për zakonet e mira dhe për njëri-tjetrin dhe bëjnë njëkohësisht senbsibilizimin për të tërhequr tërë vëmendjen e qytetarëve për ullirin. Pra qëllimi i këtij manifestimi ka qenë, të sjellë para tërë qytetarëve me sa më shumë publicitet rëndësinë që ka ulliri për qytetin e Durrësit dhe për tërë ‘Shqipërinë e Mesme’, të vërë në pah e të publikojë vlerat shëndetësore, kurative, vlerat ushqyese dhe të asaj të ruajtjes së ambientit. Të evidentojë rëndësinë ekonomike që ka ruajtja dhe kultivimi i ullirit në këtë qytet mesdhetar, si dhe të evidentojë në mënyrën më shkencore jo vetëm vlerat ushqyese por dhe shumëllojshmërinë e produkteve në industrinë ushqimore, si dhe atë artizanale që arrihet të gatuhen apo konsumohen mbi bazën e produktit te ullirit. Të evidentojë në mënyrën historike për dashurinë e madhe që ka treguar populli në shekuj për rëndësinë ekonomike dhe ekologjike e pse jo, për rëndësinë politike për simbolikat dhe trashëgiminë rituale, si dhe për rëndësinë drusore si për industrinë e përpunimit të drurit, por edhe për rëndësinë e druve të zjarrit për pjesët e thata. Një nga synimet kryesore të organizmit të “Festës së Ullirit” është të bëhet evidentimi i vlerave më të mëdha ekonomike dhe ekologjike të ullirit. Tërheqja e të rinjve në këto veprimtari, të shoqëruar me ritualet tradicionale,. ka qenë një synim tjetër i organizatorëve për përçimin nga brezi në brez të dashurisë për kultivimin e ullirit. Mbjellja e një peme ulliri në qendër të qytetit, në prani të qindra qytetarëve dhe të shumë personaliteteve , me një demonstrim sa ritual aq dhe popullor simbolizon dhe predikon paqen dhe mirëkuptimin që është dhe një nga karakteristikat kryesore të këtij populli të lashtë, që në shekuj ka rrezatuar jo vetëm kulturë, paqe dhe harmoni, por edhe për të rritur dashurinë dhe frymën e kultivimit të pemës së ullirit, simbolin e lirisë. Po le të kthehemi në kohët më të lashta, tek tradita dhe sa ullinj ka pasur Durrësi? Po t’u hedhim një vështrim shumë librave historike, do të shohim se ulliri ka qenë një nga bazat ushqimore kryesore në jetën e këtij populli, duke qenë edhe yndyra e gatimit por dhe në vend të gjellës me të cilën hante bukë si fshatari ashtu edhe qytetari. Ishte ushqimi ditor. Si i tillë edhe në Durrës, prezenca e pemës së ullirit ka qenë në çdo shtëpi e oborr dhe sidomos në disa zona si në Shënavlash, Rrushbull, Spitallë, Kallem e Shkallnur, si dhe tërë kodra e Durrësit kanë qenë të mbushur me ullinj. Pra kokrrat e ullirit kanë qenë ushqimi kryesor i përditshëm i fukarait, ndërsa vaji i ullirit përdorej gjerësisht për gatimin e gjellëve e sallatave, por përdorej dhe për përgatitjen e balsameve dhe pomadave me ose pa infuzione të bimëve në rritje spontane ose të kultivuar, produkte këto që kanë veti nga më të lartat kurative dhe sidomos kundër iritimeve, djegieve e plasjeve. Si pema simbol i lirisë ka qenë zakon që me gjethet e ullirit thuren kurorat e triumfatorëve, thureshin kurora në çdo portë e dritare për ditë feste. Por degën e ullirit e gjen të skalitur edhe në pragjet e portave e të kishave, monumente varrimi, monedha etj. Për prezencën e pemës së ullirit në Durrës ka shumë citime nga udhëtarë e kronikanë të Mesjetës, por unë do citoja Raportin politik të Konsullit Austriak më 12.11.1884 i cili thotë… “Vetëm nga Durrësi u përfituan 30500 kv. Vaj.” Po t’i referohemi një studimi të Z. Dashamir Hajderi shohim se deri në vitin 1934 Durrësi ka pasur 242 mullinj me krahë dhe 2 me motor.

Shijaku 245 mullinj me krahë, ndërsa Kavaja 163 mullinj me krahë e 2 me motor. Dhe ajo që është më e rëndësishme, numri i rrënjëve të ullirit ku vijojnë. Rrushbulli ka pasur 25.000 rrënjë ullinj. Rajoni i Spitallës 5541 rrënjë, Xhafzotaj 3700 rrënjë etj. Duke pasur parasysh se ato nga një anë janë shtuar me mijëra, nga ana tjetër sidomos vitet e fundit ka pasur një shkujdesje, Shoqata Durrësi që ka marrë përsipër të mbrojë vlerat më të mira të traditës durrsake, ka arritur të organizojë me kaq popullaritet e seriozitet “ Festën e Ullirit” ashtu si dhe festat e tjera. Sjellja e artistëve të shquar në këtë eveniment rrit shkallën e interesimit dhe sensibilizimit për pemën e lirisë. Gjatë edicioneve të shumta të këtyre festave me kaq impakt të madh popullor kanë marrë pjesë Mjeshtrit e Mëdhenj duke filluar që nga këngëtaret Manjola Nallbani, Kastriot Tusha,Irma dhe Eranda Libohova, Artiola Toska, Bujar Qamili, Ema Qazimi, Valbona Mema, Valbona Halili, Silva Gunbardhi, Vikena Kamenica, Eglantina Toska, Marie Lajcaj, Lindon Camaj, Valentina Dedvukaj, Gjyste Vulaj nga Mali i Zi, Shkodran Tolaj, e Leonora Jakupi nga Kosova, Besjana Mehmedi nga Maqedonia. Gjithashtu këngëtaret e reja Era Rusi, Kejsi Tolaj, Olta Boka, Anjeza Shahini. Këngëtarët e brezit tjetër Aleksandër Gjoka, Redon Makashi, Irini Qirjako, Maja Aliçkaj, Hatixhe Lushi, Ardian Trebicka, Pirro Çako, Kengëtarët e Durrësit, disa këngëtarë të shquar Italianë duke filluar që nga Massimo Renjeri etj. Kanë marrë pjesë dhe shumë aktorë të humorit dhe satirës duke filluar që nga Mjeshtrit e Mëdhenj Agron Hamo, Afrim Agalliu, Muhamed Liko nga Vlora, Zef Deda, Gëzim Kruja, Rajmonda Marku, Zyliha Miloti, Andon Krosaj, e Gac Kadrina nga Shkodra. Gjithashtu artist i madh i humorit Skënder Sallaku e Met Bega që e mbyllen jetën e tyre pa u ndarë nga festa tradicionale e Durrësit si dhe aktorë të tjerë të suksesit Behar Mera, Rita Lati, Marjana Kondi etj. Aktorët e Durrësit Muharrem Hoxha, Roland Koçi e Aishe Stari me në krye dy regjisorët Durrsakë Nderi i Kombit Gjergj Vlashi dhe Mjeshtri i Madh Haxhi Rama. Si rezultat i organizimit shembullor të kësaj feste është arritur të bëhet nxitja dhe evidentimi i arritjeve të masave organizative për mbjelljen e ullirit dhe mirëmbajtja e tyre. -Bashkimi i vlerave artistike me vlerat ekonomike dhe zbërthimi i riteve tradicionale me anë të personaliteteve artistike,promovimi i resurseve ekonomike e turistike në plantacionet apo parcelat me ullinj, evidentimi i eksperiencave të përparuara, të njerëzve të jashtëzakonshëm që merren me kultivimin e ullirit, si dhe eksperiencave të veçanta të asortimenteve me vaj ulliri,kanë qenë arritjet më të suksesshme të komunitetit Durrsak i cili i ka realizuar nëpërmjet ‘Festave të Ullirit’.Ky aktivitet që ishte edicioni i 20-të pas përfundimit arriti të nxjerrë edhe këtë vit konkluzionet që dalin nga thellimi në analizimin e problemeve duke i vlerësuar ato në rezonancë me pjesëmarrjen e audiencës, publikimi në shtyp e në mediat elektronike, analizat e stafit organizator e specialistët e kualifikuar, si dhe për t’u bërë evidentimi i të gjitha problemeve duke vlerësuar përfundimisht implementimin e projektit për realizimit e këtij manifestimi popullor.