Luleshtrydhja, vlerat e veçanta të këtij fruti

1110
Tani është koha e duhur për t’i konsumuar sepse janë në stinën e tyre dhe luleshtrydhet rriten në mënyrë natyrale, jashtë serave dhe pa plehra kimike. Në këtë mënyrë përfitoni të gjitha vlerat ushqyese që përmban ky frut duke e konsumuar atë sa më bio.
Plot me vitamina, fibra, kripëra minerale dhe ujë, ky frutë i sezonit konsiderohet aleat i shëndetit sepse na ndihmon të jetojmë shëndetshëm dhe të buzëqeshur. Mbajeni mënd, kush konsumon luleshtrydhe konsiderohet i zgjuar. Sepse ky frutë i vogël i kuq përveçse është super i mirë, është minierë e mirëqenies. Rezulton të jetë i pasur me ujë në rreth 90% të tij, pak kalorik. Luleshtrydhet janë të pasura edhe me vitaminë të grupit C, të cilat forcojnë dhe mbrojnë sistemin imunitar, po kështu me minerale dhe fibra të shumta. Dietologët listojnë pesë arsye për të motivuar konsumimin sa më të shumtë të këtij fruti.
Tani është periudha perfekte për t’i konsumuar sepse janë në stinën e tyre dhe luleshtrydhet rriten në mënyrë natyrale, jashtë serave dhe pa plehra kimikë. Në këtë mënyrë përfitoni të gjitha vlerat ushqyese që përmban ky frutë duke konsumuar atë sa më bio. Fillim pranvere e deri në mesin e verës, këshillohet që të blini këtë frutë sepse kjo është periudha në të cilën kultivohen. Nëse luleshtrydhja ka pjesë të bardha ose jeshile, do të thotë se është ende e papjekur; nëse ngjyra është një kuqe e errët, kjo do të thotë që duhet të konsumohen në një kohë të shkurtër, sepse ajo është pjekur mjaft. Sa i takon madhësisë së frutit, më të preferueshme janë ato të madhësisë mesatare sepse janë më të shijshme se sa të mëdhatë. Teksa vendosni të blini këtë frutë në kuti apo paketime të tjera bëni kujdes që ambalazhi të mos përmbajë lagështi apo ndonjë nga frutat të mos jetë prishur, sepse rrezikon të prishë edhe të tjerat shumë shpejt. Nga ana tjetër, mbani mend që luleshtrydhet e ngrira janë po aq të shëndetshme sa ato të freskëta. Ndaj për këtë arsye po listojmë edhe pesë arsye përse duhet t’i konsumojmë.
Së pari, sepse ju ndihmojnë të dobësoheni. Përveçse tepër të shëndetshme, ky frutë mund të konsiderohet aleati kryesor për mbajtjen e linjave. Falë përmbajtjes së lartë me fibra, përveçse ndihmojnë aparatin tretës, rritin edhe ndjenjën e ngopjes. Konsiderohet frutë diuretik (ndihmon për të eliminuar lëngjet e tepërta dhe luftojnë në mbajtjen hidrike të organizmit) sepse janë të përbëra prej rreth 90% ujë.
Së dyti, sepse na dhurojnë gjithmonë bukuri. Tetë luleshtrydhe përmbajnë më shumë vitaminë C se sa një portokall. Luleshtrydhet janë të pasura me antioksidantë, të cilët na mbrojnë nga efektet e dëmshme të mjedisit mbi trupin tonë, veçanërisht dëmet e shkaktuara nga dielli. Fuqia antioksiduese e gjetur te luleshtrydhet zgjat deri në 24 orë pas konsumit; kjo i bën ato aleate kundër dëmeve të radikaleve të lira.
Së treti, sepse janë aleat i kujtesës. Luleshtrydhet janë një minierë e vërtetë me acid folik. Sipas një studimi të “Tufts University” të Bostonit, substancat e pranishme te ky frutë stimulojnë autofaginë, një proces përmes të cilit trupi vetëpastrohet nga toksinat, të cilat akumulohen edhe në tru duke parandaluar rënien e aftësisë njohëse që mund të çojë në sëmundje të rënda të tilla si Alzheimer.
Së katërti, kundër sëmundjeve. Ky frutë i mrekullueshëm me ngjyrë të kuqe forcon zemrën, ul rrezikun e kancerit, përmirëson shikimin, parandalon alergjitë dhe qetëson dhimbjet. Luleshtrydhet janë plot me fibra dhe vitaminë C. Ky frutë është gjithashtu i shkëlqyer për fëmijë që mësojnë dhe janë para testeve apo provimeve, pasi forcon shumë memorien e ngjarjeve të fundit. Një ndër atributet më interesante të luleshtrydheve, është edhe mbrojtja kundër helikobakterit – një mikrob që shkakton ulcerë në stomak dhe ka predispozitë për zhvillim kancerogjen të tij.
Së pesti, sepse me luleshtrydhe “luftojmë” luhatjet e temperaturave. Konsiderohet fruti ideal për t’u konsumuar si vakt i ndërmjetëm apo për të pasuruar sallatrat e ndryshme, pasi janë detoksifikues (detoksifikimi është procesi natyral i eliminimit dhe neutralizimit të materialeve toksike nga qelizat, indet, organet dhe gjaku i organizmit të njeriut) dhe diuretik (ndihmojnë për të eliminuar lëngjet e tepërta dhe luftojmë me mbajtjen hidrike të organizmit). Luleshtrydhet janë burim i shkëlqyer i vitaminës C, po kështu përmban edhe antioksidantë të tjerë të cilët janë të dobishme për forcimin e sistemit imunitar.
Vlerat ushqyese: 
Luleshtrydhet përmbajnë sheqer, magnez, fosfor, kalcium, fibra, vitaminë A, B1, B2, K e C dhe “Xylitol”, substancë mike e zemrës, veshkave, metabolizmit dhe trurit. Kjo substancë e pranishme edhe te luleshtrydhet ndihmon shumë anemikët sepse ndihmon në përthithjen e hekurit, ndihmon në prodhimin e kolagjenit dhe në parandalimin e rrudhave, si dhe forcon kapilarët. Xylitoli, sikurse mund ta kemi lexuar edhe te çamçakëzët, parandalon krijimin e smaltit dentar dhe erën e keqe të gojës. Konsumimi i luleshtrydheve këshillohet të konsumohet veçanërisht te të sëmurët me veshka, pasi mban trupin tonë gjithmonë të hidratuar. Falë pranisë së lartë të acidit folik, luleshtrydhet ndihmojnë kujtesën. Përmbajnë fibra, të cilat rregullojnë aparatin tretës dhe mbajnë nën kontroll urinë. Falë disa substancave luleshtrydhet kanë aftësinë të veprojnë kundër radikaleve të lira, duke shërbyer kështu edhe si aleat kundër plakjes.
Kujdes!
Nuk këshillohen të konsumohen nëse jeni alergjikë, sepse luleshtrydhet përmbajnë istaminë, substancë e cila provokon reaksione të ndryshme alergjike. Po kështu duhen evituar nëse keni probleme me ulcerën, gastritin dhe kolitin.