Luftar Paja: Jeta e njeriut është si një film, si një teatër. Lumë ai që di ta luajë bukur!

2490
Sigal

Mjeshtri i madh i humorit, “Artisti i Popullit”  Luftar Paja lindi më 1 dhjetor të vitit 1941 në Gorishovë të Mallakastrës. Jeta e tij artistike  është  shumë e çmuar dhe hyn në fondin e pasurisë  kombëtare. Ka interpretuar mbi 300 role, tek të cilët personifikon mjaft tipa e karaktere. Ka interpretuar  në 15 filma artistikë, ku ka interpretuar role nga më të dashurit për publikun shqiptar si tek “Çobo Rrapushi”, “Telefoni i prishur”’,  “Çeçoja”, “Tetë persona plus”, etj.. Humorin e ka gjetur dhe e gjen mes popullit, me të cilin nuk i ka shkëputur lidhjet asnjëherë. Në këtë intervistë  Luftar Paja   shfaqet  në  përmasat e njeriut të thjeshtë,  lindur e rritur mes sakrificave  për t’u bërë ai që është sot, “Artist i Popullit”.

-Një fëmijë i llastuar?

-Jo, jo! Fëmijëria ime ka qenë disi ndryshe nga ajo e fëmijëve të zakonshëm. Kjo  për shkak të punës e përgjegjësive që ka patur babai im, i cili ishte  ushtarak.  Si i tillë, shkonte atje ku e thërriste puna, me rrecka në krah. Ka gjezdisur gjithandej, sa në Fier, sa në Vlorë, sa në Sarandë, atje ku e komandonin. Në atë kohë unë jam ndeshur me lloj-lloj mentalitetesh, zakonesh, traditash, sipas krahinave dhe zonave, ku shkonim  për të jetuar. Megjithatë, nga fëmijëria ime, edhe pse i kam rënë pash më pash vendit, ajo që më ka mbetur në kujtesë, që e kam të futur thellë në zemër, është  fshati im i lindjes, Gorishova, e cila ndodhet në zemër të, Mallakastrës. Mallakastra është një krahinë  e bekuar nga Zoti.  Njerëzit e saj kanë për pasuri  punën, mikpritjen, ndjenjën e patriotizmit, të gjitha ato, pa të cilat njeriut nuk mund t’i thuhet njeri. Më kujtohen emra njerëzish, të cilët edhe pse kanë kaluar 6-7 dekada, më kanë mbetur në kujtesë si personalitete të mëdhenj, figura të shquara, gati-gati të përmasave të legjendës. Ata ishin burra fjalëmbajtës, të sinqertë, burrërorë. Për ç’ka them nuk është se këtë zbulim e bëra  unë, por ata burra zor se gjenden sot. E them me dhimbje që ata i përkasin të kaluarës, të asaj periudhe që unë e kujtoj me nostalgji.

Mban mend emra konkretë?

-Më kujtohen ca burra nga Cakrani, kryeqendra e disa fshatrave, ku është edhe Gorishova ime. Fjala vjen Nuredin Aliu ka mbetur me emër, kujtohet si fjalëmbajtës, që i kishte  peshë ajo ç’ka thoshte. Matej shtatë herë e fliste një herë. Në sajë të kësaj maturie gëzonte  respekt e autoritet të padiskutueshëm në tërë zonën. Një personalitet tjetër ishte Dano Feçorri. Ai e ngrysi jetën me halle, me shqetësimet që kishte populli. Rreth 35 vjet kreu detyrën e Kryetarit të Këshillit dhe të Kooperativës. Nuk janë pak, apo jo!

Dano  Feçorri, p.sh, mbahet mend për lidhjet me njerëzit e hallet e tyre. Po në atë fshat, shërbente një punonjës policie me emrin Medin Skëndo. Punoi në atë zonë plot 27 vjet. Zona kishte më shumë se 22 mijë banorë. Puna, përkushtimi dhe modeli i bashkëpunimit të Dano Feçorrit me punonjësin e policisë, Medin Skëndo, bëri që në tërë këto vite të mos ndodhte asgjë e jashtëzakonshme, të mos regjistrohej asnjë vjedhje, asnjë konflikt, e ca më shumë të ndëshkohej me burg ndonjë banor i zonës. Krahasoje këtë çka po të them me atë që ndodh tani! Ishin njerëz me hije, me autoritet.

–  Po si ia arrinin, si mund të bënin e t’i sillnin në një mendje?

– Kishin komunikim të shkëlqyer me familjet, fiset, duke shfrytëzuar, sidomos, miqësitë brenda zonës. Ashtu si punojnë sot disa individë në Shqipërinë e Veriut për të pajtuar gjaqet dhe prapë nuk shkon ky krahasim. Ata punonin shumë më shumë, ishin autoritete të padiskutueshme e që u dëgjohej fjala.

– Çdo ditë dëgjojmë të ndodhin vjedhje, vrasje, konflikte të ndryshme, të cilët përfundojnë në nxjerrjen e thikave. Përse?

-Sipas mendimit tim janë shkëputur lidhjet me njerëzit. “Kompetentët” ia kanë lënë  spontanitetit, nuk merret më kush me zgjidhje konfliktesh, me pajtime, të cilët shpesh kanë lidhje me probleme të rëndomta. Ato çka përmenda më lart, pra punën me njerëzit, ndërmjetësimin mes personave në  konflikt,  i konsiderojnë praktika “të vjetërsuara”, metoda pune që zbatoheshin në kohën e monizmit. Ky mentalitet mua më çudit, madje më revolton. Ç’të keqe ka, more zotëri, po të merren me këto plagë të hapura shoqëritë civile, të cilat, siç e dinë të gjithë, i kemi me shumicë? Një organizatë fronti kishte atëherë dhe ajo ishte shumë aktive. Tani, nëse e kini vënë re, janë me dhjetëra të tilla. Kanë ndryshuar vetëm emrin. Sigurisht, ka ndryshuar dhe metoda e punës. Shoqëria civile “punon” në zyrë, “i zgjidh problemet” me anë të internetit! Unë kam mendimin se praktikat e mira dhe dobiprurëse të sistemit që lamë pas nuk kemi pse t’i quajmë “metoda të vjetërsuara” vetëm pse kanë qenë të atij sistemi. Si është më mirë, të mbushen burgjet, apo të punohet me njerëzit që ata të mos përfundojnë prapa hekurave? Emrat e personazheve që përmenda më sipër, këtë punë bënin, i zgjidhnin konfliktet vetëm në sajë të autoritetit që kishin në fshat apo në zonë. Këta njerëz janë ende, por nuk veprojnë për shkak të nofkës që i ndjek pas, “janë metoda të diktaturës”. Mbaj mend në ato kohëra që shpesh në fshat  dëgjonim të shtëna armësh. Ç’ka ndodhur, pyesnim, ç’janë këto armë? Dhe përgjigja: Dino Feçorri ka pajtuar filanin me filanin. Ja kështu punonin! Tani po vriten me njëri-tjetrin, hasmëria dhe gjakmarrja janë shtuar si sëmundje e kolerës.

 

-Mund të kujtosh personalitete të tjerë të asaj zone, autoritete që kanë mbetur në mendjen e mallakastriotëve për punët e mira që kanë lënë pas?

 Ouu, me dhjetëra! Mallakastra është shquar për njerëz humanë, për njerëz që meritojnë t’ u heqësh kapelën, t’u bësh monumente. Po sjell në kujtesë njërin prej tyre nga fshati im Gorishova, “Mësuesin e Popullit”, Teki Sadikun. Tekiu dinte të bënte vetëm të mira. Kujdesej për njerëzit e thjeshtë, për hallexhiun. Unë për vete u shkollova dhe arrita këtu ku jam nga Teki Sadiku. Shkollën e kam dhuratë nga ai.

-Pse, si ka ndodhur?

Tekiu mbuloi detyra të rëndësishme në rrethin e Fierit, por ajo që i dha emër, që e lidhi më shumë me Mallakastrën, ishte pozicioni që mbajti si shef i arsimit. Ai nuk la djalë apo vajzë pa arsimuar, mjafton që të kishte dëshirë.

Me mua ndodhi pak si ndryshe. Meqë babai im në atë kohë ishte kthyer në fshat, për shkak të reformës që ishte kryer në ushtri, familja nuk kishte mundësi të më dërgonte në shkollë. Ishim shumë të vakët ekonomikisht. Shokët e mi ikën që të gjithë në shkolla të ndryshme, unë mbeta në fshat, në Gorishovë. U ndjeva keq kur më ikën shokët. Nuk më mbante vendi, nuk po gjeja mundësi të thyeja babanë, pra t’i mbushja mendjen të ikja edhe unë si të tjerët.

Një ditë babai iku për në Korçë. Mesa mbaj mend, do të qëndronte andej më shumë se një jave për çështje përvoje, mbasi në atë kohë ishte nënkryetar i kooperativës. Ai u nis për në Korçë, ndërsa unë u nisa hajdutçe drejt e në Fier, tek Teki Sadiku.

-Më ka dërguar babai, i thashë Tekiut, të më dërgosh në shkollë. Sigurisht që e gënjeva.

-Po ku do të vesh, cilën nga shkollat të pëlqen,- më tha ai,- dhe numëroi disa prej tyre. Të fundit më përmendi Shkollën Teknike të Kuçovës. E ke këtu afër,- më tha,- përveç trajtimeve në konvikt si ushqimi dhe veshmbathje, edhe një mijë lek xhepi.

– Këtu më dërgo, i thashë, kjo është për mua. Dhe shpejtova të mbyllja këtë punë për të cilën nuk po më vinte turp të gënjeja mikun e babait sepse më dolën disa yçkla të tjera më pas.

-Po dokumentet ku i ke, m’i jep!

-Nuk kam dokumente. Babai më tha vetëm kaq: “Shko tek Teki Sadiku!”

Pashë që ai mori një copë letër. Ia bëri drejtorit të shkollës, ku i shkruante: “Shoku Llaqi! Po të dërgoj të më sistemosh në shkollë një nipin tim. Dokumentet t’i dërgoj më vonë. Teki Sadiku.”

Me atë copë letër u nisa për në Kuçovë. Për dreq, aty takova jo drejtorin, por zëvendësin e tij i cili, pasi lexoi letrën, ma priti me të parën: “Pa dokumente nuk të sistemojmë dot.”

 M’u desh të vija tek një mik tjetër i babait. Ai ishte kryetar i Degës së Brendshme. Babai kishte qenë me të ushtar në kufi, por e kishim patur edhe komshi. Edhe unë e njihja mirë.

-Xhaxhi Avniu, i thashë, më ndihmo të futem këtu, në shkollën Teknike, sepse nuk më pranuan.

-Kush ishte ai që të paska kthyer?

-Ishte nëndrejtori, por ai nuk ka faj mbasi unë nuk kam asnjë dokument. U paraqita vetëm me një shënim që më dha shefi i Seksionit të Arsimit, Teki Sadiku.

Ai nuk e zgjati më, por telefonoi dikë. Dëgjova vetëm që i tha vetëm kaq: “Si ore nuk më pranoni nipin në shkollë?”  Pastaj mu drejtua mua: Shko regjistrohu sepse  bisedova me drejtorin. Pas atij çasti çdo gjë u fut në rrugë të mbarë.

-Po me shtëpinë, me prindërit si ia bëre, e morën vesh aventurën tënde?

-Gjatë gjithë atyre ditëve unë isha në një ankth të madh. Mendoja me vete: si të bëj, si të mund të lidhesha me të shtëpisë për t’u treguar “marrëzitë” që kisha bërë. Kishin kaluar plot tetë ditë. Nuk ishin pak për të alarmuar jo vetëm prindërit, por tërë fshati. Më vajti mëndja të bëja një telegram. Tekstin e telegramit e mbaj mënd e sot. Ia nisa babait. “Ndodhem në Qytetin Stalin. U regjistrova  në filan shkollë. Mos u bëni merak! Luftari”.

Ditën tjetër erdhi babai urgjent. Sigurisht, ai sapo më takoi, më ulëriti. E ç’nuk më tha. Jo pse ike pa na pyetur, pse ke vënë në siklet shokët dhe miqtë e mi, si do t’ja bëjmë tani e tutje me punët që më ke lënë, e të tjera e të tjera.

Vetëm mësues Tekiu?

Tekiu ka qenë ekzemplar i rrallë për ndihmesën që ka dhënë për arsimimin e njerëzve të brezit tim, por dhe të atyre para meje. Por kishte të tjerë që ishin kthyer në zyra pune,  nuk linin hallexhinj pa sistemuar. Engjëll Beshaj, p.sh, i cili  kryente detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Naftës ka ndihmuar shumë banorët e zonës për t’i punësuar, për t’i ardhur në ndihmë nga ana ekonomike…  Edhe ky ishte nga fshati im, Gorishova.

 Më vjen mirë të përmend edhe emrin e një mësuesi tjetër. E quanin Ahmet Merkaj. Ahmeti, në dukje ishte shumë i egër, nopran, por shumë korrekt në punë, shumë kërkues për përvetësimin e programit mësimor. Falë  seriozitetit të këtij mësuesi unë dhe të gjithë nxënësit e tjerë morëm njohuritë e duhura për të ecur më tej. Kur vija në fshat, edhe pse isha bërë burrë, më shumë se 30 vjeç, nxirrja duart nga xhepat po të më dilte përpara mësues Ahmeti. Gjatë gjithë jetës time e kam respektuar atë njeri. Atë dhe të gjithë mësuesit e mi të asaj kohe. Ata nuk ishin diktatorë, por edukatorë të talentuar, këmbëngulës për të na futur në gjak punën, edukatën dhe ndershmërinë. Tani, më bëj një krahasim me atë çka ngjet sot në marrëdhëniet mësues-nxënës. E kam dëgjuar me veshët e mi kur në një mosmarrëveshje midis mësuesit dhe një nxënësi, ky i fundit e kërcënonte mësuesin: “M’u hiq qafe se unë të .… robt!” Jo, unë këtë model demokracie nuk e kuptoj dot!

Mosha e rinisë?

-Moshën e rinisë, madje, pjesën më të madhe të atyre viteve  i kam kaluar në qytetin e Patosit. Me atë profesion që mora në shkollë, domosdo që do bëhesha qytetar i atij qyteti. Po aty punohej, nuk bëhej shaka. Punonim me turne, natën dhe ditën. Në këtë kuptim nuk na mbetej kohë të merreshim me gjëra koti, të sorollateshim rrugëve. Kritika më e rëndë që mbaj mend të na jetë bërë ishte “heqja e veshit”,  ngaqë ditën kur merrnim rrogën shkonim me shokë për të pirë ndonjë gotë birrë. Nuk e bënim këtë pse na tepronin lekët, por për t’u dukur më me “autoritet”, me demek për t’i thënë opinionit “ne tani jemi burra”. Në kohën e rinisë time ne njihnim vetëm nderin dhe respektin. Kishte lezet, vërtet kishte lezet për ato marrëdhënie që kishim krijuar me shokët, me të njohur e të panjohur. Sot, pas 70 vjetësh ruaj kujtimet më të bukura nga mosha ime të rinisë. Ajo kohë kishte vështirësi, kishte fukarallëk, por njerëzillëku ishte një pasuri shumë e madhe, me vlerë të çmuar e që sot na ka ikur “në drejtim të paditur”. Nuk ma mbush dot mendjen njeri që sot nuk është ftohur vëllai më vëllanë, që vdes dikush në pallat e nuk e merr vesh njeri, që tjetri ka mbetur pa bukë e nuk do të dijë kush për fatin e tij. Mua këto më shqetësojnë. Jo se jam nostalgjik për të kaluarën, por ama kështu është mirë.

I përjeton këto marrëdhënie si artist dhe si aktor?

Unë i kam kaluar 50 vjet që merrem me teatrin e kinemanë. Periudhë shumë e gjatë, apo jo! Por më vjen mirë kur dëgjoj që kam mbetur Luftari që kam qenë, ai i viteve të moshës së rinisë. Po të tregoj diçka, të cilën ua kam rrëfyer edhe fëmijëve të mi, e që sot janë burra. Kur punoja në pallatin e kulturës “Mustafa Matohiti” në qytetin e Patosit gati çdo të shtunë vija në shtëpi pranë familjes, në Gorishovë. Kisha përgatitur një çantë të madhe me nga ato mushamatë e punëtorëve. E mbushja me 5-6 bukë gruri, i vija një shkop, e hidhja në krah dhe nisesha për në Gorishovë. Me ato bukë, familja kalonte javën. Këtë e bëja çdo të shtunë. Duke vuajtur vetë, siç po të tregoj, kur shikoja njerëz që vuanin, më bëhej një lëmsh në zemër.

Kanë ndikuar, i ke “përjetuar”  këto skena në rolet që ke luajtur si aktor?

Për këtë pyetje që po më bën po të tregoj një ngjarje, të cilën e kam përjetuar vetë. Ishim mbledhur në Pallatin e Kulturës dhe përgatiteshim për të luajtur një skeç. Mua -për ta bërë sa më të vërtetë rolin tim-  më duheshin  rroba të përdorura, të vjetra. Pra, çizmet duhet të ishin të vjetruara, të grisura, palltoja të ishte shumë e përdorur, fanella e leshit të ishte me andrra, e kështu me radhë. Në një moment pushimi, trokiti dera. Ishte shumë ftohtë, acar i vërtetë. Kur shikojmë, tek dera u shfaq një plak, një fshatar. I dridhej buza nga të ftohtit. Këtu është prokuroria, apo jam gabim? Kam një hall,- na u drejtua i gjori plak. Jo, këtu është teatri, i thamë ne, po ti hajde, qasu e ngrohu pak se qenke bërë akull.

 Sa e pashë plakun më vajti mendja tek rrobat që më duheshin për të luajtur rolin në skeç. Ai i kishte të gjitha ato që më duheshin, nga koka tek këmbët. E mbajta frymën tek drejtori. Unë i gjeta rrobat- i thashë. Na ka ardhur një fshatar, i cili ka një hall në prokurori, por ka një veshje “model” për rolin që kam unë. Çizmet që kemi blerë nuk ke pse t’i presim, kostumin po ashtu, nuk ka përse ta sakatojmë, qylafin e ka tërë zgjyrë, ashtu si e do roli im. Si të bëj? A të pëlqen ty, -më tha drejtori,- merri.

  E “zhveshëm” fshatarin plak, ia morëm të gjitha, nga çorapet e deri tek qylafi. Ia dhamë të gjitha të reja. Ç’bëhet kështu, nuk po e marr vesh? Ju më bëtë dhëndër, çuditej plaku! Nuk e mbante veten nga gëzimi i shkreti. Dhe, pasi u ngroh mirë e mire, iku i veshur  në zyrën ku kishte hallin. Edhe unë, po ashtu, “dhëndër” për të luajtur rolin tim si aktor.

 I ruan lidhjet me shokët, miqtë?

Unë të them vetëm një gjë. Nuk mund të bëj sikur “nuk e shoh” një shok apo mik, kur ai ka dëshirë të shkëmbejë dy fjalë me mua. Këtë, as e kam bërë e as do ta bëj kurrë.

Kam vite që jam larguar nga Fieri, por lidhjet me ata njerëz nuk i kam shkëputur asnjëherë. Sidomos me komshinjtë kemi qenë si në një familje. Kam vajtur unë atje, por kanë ardhur edhe ata këtu në Tiranë. Njëri nga ata, i cili është si emigrant në Itali, kur vjen me pushime nuk bën vaki të mos qëndrojë, të mos më vijë një natë si mik në shtëpi.

Keni miq kudo, në tërë Shqipërinë?

– Më duket sikur po flas për “Belulin”, por edhe për këtë çka më pyet po të tregoj një ngjarje që ka ndodhur me shokët e mi. Na duhej të shkonim në Ersekë për të dhënë shfaqje. Unë nuk u nisa me autobusin e trupës, por me një makinë tjetër. Kur u fut makina me aktorët në qytetin e Ersekës, frap u del përpara një polic, i cili e kapi shoferin në shkelje të rregullit të qarkullimit. I kërkoi shoferit të hapë krahun dhe, aty për aty, e pyeti nga vinin dhe kush ishin. Jemi të Estradës së Fierit, -i tha shoferi, vijmë në qytetin tuaj të japim shfaqje. Po Luftarin ku e kini, nuk po e shoh, vazhdoi polici. Pse ku e njeh Luftarin, apo të pëlqen si aktor! Jo, jo, e kam shok,- u tha. Dhe i la të lirë të vazhdonin rrugën.

 Kam patur dhe kam të njohur, shok e miq në të gjithë Shqipërinë. Ti je nga Skrapari, por dhe nga ana tënde kam miq shumë të mirë; nga Korita, nga Radëshi, nga Staravecka me mbiemër Sulejmani etj.. Mund të flas me hollësi për Bujanin e Tropojës, për Shkallën e Konispolit, për Lurën. Takova disa nga Dibra para ca ditësh këtu në Tiranë. Nga jini, u thashë, nga ç’fshat i Dibrës. Nga Zalldardha, u hodh e tha njëri prej tyre. Kur fillova e u fola për Zalldardhën, ata u çuditën. Kështu më ngjau kur vajta në festën e Kuçit, në Vlorë. Nga je, nga ç’fshat, i thashë një djali, i cili mu qas të më takonte. Nga Ramica, mu përgjigj. Unë, për ta ngarë bisedën më tej e pyeta: E di ti, e pyeta, ku bije Rrapi i Gurrave atje në Ramicë? I Burrave?! Jo jo, nuk e di, -tha ai paksa i hutuar. Jo i Burrave, i thashë, por i Gurrave. Jo, jo, tha, nuk e kam dëgjuar. Po lapidarin që është ngritur për Zenel Gjolekën, e di, e ke parë ndonjëherë? Ai u hutua fare dhe bëri të ikte. Eee , ti, i thashë, nuk qenke nga Ramica, nga Ramica jam unë… Qeshëm të dy, pastaj…

-Me kolegët, me artistët si kanë qenë marrëdhëniet tuaja?

-“Edhe zorrët në bark trazohen”, thotë populli. Por, nëse flitet për ato suksese që arriti Estrada e Fierit në ato vite ka qenë, pa asnjë diskutim, shoqëria e mirë, shkuarja dhe dashamirësia që kemi patur për njëri-tjetrin. Në art, sigurisht, që ka xhelozi, por nëse ajo dominon, nëse ajo bëhet pengesë për punën, është gjë shumë e keqe. Në përgjithësi gjërat kanë anuar nga e mira.

-Diçka për Kadri Roshin? Di që e ke patur mik…

 Po është e vërtetë. Unë Kadriun e kam patur, si i thonë, të zemrës. Kam edhe filmime me të, të realizuara gjatë takimeve me njerëz të thjeshtë. Po të tregoj një rast. Ka qenë një kioskë aty përballë Muzeut Historik. U ula me Kadriun për të pirë një gotë. Kur hajde njëri, hajde tjetri, u bë një rreth i madh. Ishin të gjitha racat, por shumica ishin romë. Këtë e kam të filmuar. Kemi bërë humor me ta për shtatë palë qejfe. Kënduam arixhiçe, kënduam labçe, kemi ngritur dollira që nga Jugu në Veri. Kënaqësia e Kadri Roshit ishte kur ai në  muhabet nuk pyetej për etiketë. Nuk na kanë pëlqyer njerëzit e etiketës.

 Nga Bashkim Koçi