Lufta Nacional-Çlirimtare është një nga gurët më të çmuar të të Historisë së Kombit

586
Astrit Çerma, artist
Debati bëhet për të mohuar të vërtetën historike dhe luftës partizane për çlirimin e vendit. Besoj se sot nuk do të ketë nevojë për kanoçe që të shqyhen deklaratat e ca “kungujve”, që çoç u duket vetja se i janë kacavjerrë përpjetë pemës së demokracisë
Jakup B. GJOÇA
Gazetar i Telegraf
Qeveritarët dhe Ish-ët me Vettingun dhe Vet-tringun…
“Ne, artistët e “asaj kohe” krijuam duke u ndeshur edhe me varfërinë tonë, qoftë artistike e qoftë jetike. Paguheshim me vetëm 10-15 centë në ditë, jetonim në një dhomë e kuzhinë, krijonim në atelie e studio të varfra artistikisht, jepnim shfaqje në salla ku vapa dhe të ftohtit na merrnin frymën… e megjithatë bëmë Art për popullin, ndaj sërish na ndjek populli.
Artisti Astrit Çerma, i cili ka interpretuar role shumë të realizuara në filmat artistikë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pasi rrëfehet se çfarë mundi, sakrifice njerëzore dhe artistike u është dashur që të interpretojnë rolet, u përgjigjet “kritizerëve” të historisë të Kinematografisë Shqiptare, se “Mos vallë e gjithë kjo mëri kundër filmave e veprave të pjella gjatë asaj diktature, është, sepse, me dashje ose pa dashje, e shpallin shterp në shumë drejtime këtë farë “demokracie”, që na u manipulua nga qerratenjtë postkomunist?…”. Njëkohësisht, artisti Çerma, i “fton” këta kritizerë, që “Kapini “për veshi”, “detyrojini” të mos mbushin, skenën, ekranin dhe artin në përgjithësi vetëm me humorin banal. 

Zoti Çerma, cili është vlerësimi juaj për qeverisjen e Rilindjes Socialiste? Sipas Jush, cilat janë arritjet dhe ku dështoi?… 
Eh! Me ato që shoh nga Qeveria e quajtur “Pozitë”, por, që i dëgjoj ndryshe nga “anti Qeveria” e quajtur “Opozitë”, si, edhe me ato që i dëgjoj nga qeveria, por që nuk i shoh nga ”anti Qeveria” dua, s’dua, duhet të pranoj se ka të.. kundërta? Sigurisht, që ka. Ç’të bëjmë?! Kështu është kuptuar dhe zbatuar tek ne… demokracia jonë pluraliste: – Dy shqisa “shikimi dhe dëgjimi” gjithmonë ta kundërshtojnë njëra tjetrën. Por, jashtë tyre, për mua, deri tani, këto 3.5 vite nëse do t’i krahasojmë me të tjera vite qeverisjeje, janë tepër pozitive. Mund “të rendisja” një sërë arritjesh, por, po them vetëm një për mua është më kryesorja: “Ka filluar të bulojë Shteti Ligjor”… Natyrisht me stërmundim, me mungesa dhe vende – vende edhe i dëmshëm për të tashmen, por i mbarë për të ardhmen. Ndërsa “për dështime” dhe ”boshllëqet” të tjera, që ankohet populli dhe trumbetohen nga opozita, ato, në 23 vjet të shkuara janë kaq të thelluara, sa kjo qeveri nuk mund të rrafshonte kaq lehte sa…kritikohet e akuzohet… 

Ju si e shpjegoni, që sot në Shqipëri, më shumë për Reformën në Drejtësi, për Vettingun, thërrasin, stërbetohen se duan ta votojnë pikërisht ata politikanë, ish dhe të sotëm, që janë të korruptuar dhe duhet të jenë subjekt i hetimit të Drejtësisë?
Thërrisnin e bërtisnin.Tani. Ëhë… Po dridhen e përdridhen… Or mik, me “reforma drejtësie” për këto 25 vjet demokraci jemi deri në grykë ne…Por “NE” ama, ne që votojmë, dhe jo “ATA” që votohen… Ata gjithmonë me “reformat e drejtësisë”, që kanë krijuar, kanë dalë pa u lagur. Edhe ky “Vettingu”, për mendimin tim, kështu u nis:- Të krijohej si “Vetting”, por të zbatohej si “Vet-tring” nga ata. Ata t’i binin zileve të drejtësisë. Po, po, nga të gjithë ata. Por… Gjithë “çështja” është se, me insistimin e BE dhe Amerikës, u doli nga duart edhe disa zotërinjve aktualë qeveritarë, por, edhe të tërë “ish-ëve” qeveritarëve të së kaluarës. Ata tashmë nuk mund ta “kollondrisin”, siç kanë kollondrisur deri tani prokurorin dhe gjykatën, që të dalin si gjithmonë “pa lagur”. Kjo është e gjitha. Ato të tjerat, tërrti – vërrti… “korrupsion qeveritar” , “qeveri teknike”, “zgjedhje te ndershme”, janë broçkulla…

Pse?
A si kemi dëgjuar e stërdëgjuar në çdo prag zgjedhjesh këto “parulla të së ardhmes” që, fill mbas zgjedhjeve, fituesit i kyçin nëpër magazina, ndërsa humbësit i nxjerrin nga magazinat i lyejnë e stërlyejnë dhe valëvisin e brohorasin??!!… 

Besoni, që nga Vettingu i Gjyqësorit, do të bëhet edhe Katharsisi i Politikës nga të korruptuarit apo do të jetë Masha e qeveritarëve për të kapur dhe kontrolluar Drejtësinë? Unë sinqerisht nuk e kuptoj se përse i duhej ky “marifet”, siç thotë opozita, qeverisë aktuale “për të kapur dhe kontrolluar Drejtësinë”? Ëëë?! Po, pse, në këto vite “të ndritura të demokracisë”, “masha” e kujt ka qenë drejtësia e jonë?! Ëëë? Të gjitha qeveritë deri tani, jo vetëm “mashën e kacinë”, por të gjithë “vatrën e drejtësisë” e kanë futur nën shalë dhe vetëm kanë ngrohur koqet e tyre. Pse, vështirë e kishte Edi Rama ta bënte këtë kur kishte edhe gurin edhe arrën. Ja, më thuaj “historikisht”, a kanë të numëruar prokurorët, gjykatësit. juristët e noterët, që, u janë ftohur e u janë bërë akull “të ndenjurat” në karriget e posteve, sapo, befas, kanë “harruar të ngrohin “mullaqet” e kolltukëve të qeveritarëve e politikanëve? Ëëë? Ja.. Më thuaj një që ka pasur ose ka bythë të qëndrojë në “kolltukun e ndershmërisë”, duke gjykuar me kokë?! Atëherë?! Është ajo që thamë më lart, i dashur. Është ajo… “Vettingu dhe Vet-tringu”…

Derisa tani dalin në dritë dokumente që zoti Fatmir Xhafa ka qenë hetues dhe ka marrë pjesë në torturat që u ka bërë të burgosurve të akuzuar për Agjitacion dhe Propagandë në vitet ’80-të, a duhet të jetë akoma ministër dhe deputet? A duhet, që më së fundi, edhe në Shqipëri të zbatohet Ligji i Lustracionit me standardet juridike që u zbatua edhe në vendet ishkomuniste të Evropës Lindore? 
Për mua, idiotësitë, maskarallëqet dhe budallallëqet e president Nishanit nuk kanë të numëruara, por, duhet ta pranoj, se kësaj radhe me dekretimin e 4 ministrave, brenda tyre edhe Xhafën, ai u tregua vërtetë i mençur. Por, ndofta si gjithmonë, në formë këshille të urdhëruar, ai ka marrë edhe ndonjë shtysë ose “orientim” nga qerratai Sali. Thuhet një fjalë e urtë e popullit: “Në shtëpinë e të varurit nuk përmendet…litari”. Jemi edhe në prag të zgjedhjeve tani edhe nuk është mirë për të katër palët, të majtët, të djathtët, të qendrës dhe të “garniturës” që të hapen “defterët e vjetër”. Jo për gjë, por, pothuajse të gjithë, pavarësisht se ç’lule çelin e ç’fruta mbijnë, “rrënjën” aty e kanë,aty…tek partia e lavdishme e P.P.Sh. Edhe me figurë edhe me zë s’kanë të numëruar “akuzat e dokumentuara” për pothuajse të gjithë politikanët dhe qeveritarët tanë. Edhe ai “Ligji i Lustracionit” me standardet juridike që u zbatua edhe në vendet ishkomuniste të Evropës Lindore”, këtu tek ne, nuk duhet vetëm për të “shkuarën e “largët” komuniste mbi diktaturën dhe sejmenët e saj, por, edhe për shkuarën “e afërt” demokratike, me shkatërrimin, vjedhjen, rrëmbimin dhe pasurimin nga qentë dhe këlyshët e egër të saj. Zbulimi i të shkuarës nuk duhet të mbulojë të tashmen, zotërinj. Duke bërë pis të tjerët, nuk pastrohesh dot ti. A e vine re, se, pavarësisht se, publikisht janë akuzuar, bile edhe në forume shtetërore edhe shoqërore, edhe në media e masmedia si spiunë të ish sigurimit të shtetit, bile edhe me pseudonimet përkatëse një numër i konsiderueshëm zyrtarësh, politikanësh e qeveritarësh, askush nga ata nuk “ka marrë mundimin” të denoncojë dhe të hedhë në gjyq akuzuesin. Pse? Ata, në raste të tjera, për “një plesht kanë djegur jorganin”. Mos vallë kanë frikë, se pa dashje “trashet muhabeti” dhe u dalin të palarat sheshit”?… 

Ju keni luajtur role në filma artistikë që pasqyrojnë Realizimin Socialist. Sot, kur disa kërkojnë që këto filma të ndalohen, të mos shfaqen më në asnjë kanal televiziv, ju çfarë do t’u thoshit? 
Gjepura…E..kush do t’i ndalojë?! Si do t’i ndalojë?! Ato kanë qenë dhe kanë mbetur pjesë e jetës së përditshme. Të gjitha familjet i kanë kaseta të filmuara nëpër shtëpia. Çfarëdo të sajojnë, që t’i zhdukin??!! Zjarret naziste që digjnin librat??!!” Po, në fund të fundit, ky ndalim, kufizim, ose seleksionim, a nuk ka një të përbashkët me të njëjtën mendësi që bëri edhe ideologjia komuniste me ndalimin dhe censurimin e filmave të huaj? He, he. Po edhe ata në një farë mase nuk mundën…Ne atëherë për të thyer “bllokadën e rrethimit komunist”…sajuam “kanoçet” e televizorëve për t’i hedhur një sy artit të përtej kufirit…Unë, besoj se sot s’do të ketë nevojë për kanoçe që të shqyhen deklaratat e ca “kungujve”, që çoç u duket vetja se i janë kacavjerrë përpjetë pemës së demokracisë…Ato krijime, zotëri, i krijoi koha dhe, kur t’u vijë koha, vetë koha do t’i kalojë në harresë.. 

A mund të rishikohet ARTI, për më tepër, të ndalohen realizimet artistike të çfarëdo gjinie, me pretendimet e atyre që sot kërkojnë censurimin e tyre, me flamurin e luftës kundër komunizmit?
Si të rishikohet?! Se kuptoj? Çfarë i shqetëson këta “kritizer antikomunis” tek filmat, dramat, skeçet dhe në përgjithësi tërë krijimet artistike të atij regjimi, që sot qenkan me “një seri problemesh” për shoqërinë tonë demokratike e pluraliste? Partia e asaj kohe? Udhëheqësi i saj? Lufta e klasave? Armiqtë e brendshëm e të jashtëm? Komunistët revolucionarë të partisë?.. Çudi.. Ne sot po na mbysin partitë! Po na lemerisin udhëheqësit! Po na çakërdisin militantët partiakë!Thirrjet për luftë e shpalljet e armiqve brenda e jashtë partisë vlojnë nëpër kongrese, konferenca e intervista. Atëherë??!!! Apo, në ato krijime duhej të nxihej e të sterrosej e gjithë jeta e shoqërisë dhe e individit vetëm me të burgosur, të pushkatuar, të shpronësuar dhe të internuar, vetëm me sigurimsa dhe policë, vetëm me burgje e kampe përqendrimi dhe zhdukej çdo shenjë e civilizimit të shoqërisë e të individit ,çdo përpjekje e Iniciativat për ndërtimin e vendit, civilizimin dhe emancipimin e femrës shqiptare, ndërtimin e uzinave e fabrikave, shkollave, universiteteve e deri kopshtet e çerdhet e fëmijëve??…S’paskemi jetuar fare ne, sipas këtyre teoricienëve. S’paskemi pasur familje, shoqëri, miqësi, dashuri?! Atëherë?!.. A, po, mos vallë e gjithë kjo mëri kundër filmave e veprave të pjella gjatë asaj diktature, është, sepse, me dashje, ose pa dashje, e shpallin shterp në shumë drejtime këtë farë “demokracie”, që na u manipulua nga qerratenjtë postkomunist??… 

A mund të përmbajë domosdoshmëria e rishikimit të Historisë, standarde të këtilla, siç kërkojnë sot disa, të ndalojnë ARTIN, të fshijnë nga memoria personifikimin e heronjve dhe dëshmorëve të Luftës Partizane, edhe në filmat e realizuara, pikturat, memorialët, monumentet, lapidarët, etj? 
Or mik..E thashë dhe më lart: Ato krijime zotëri i krijoi koha dhe kur t’u vijë koha, vetë koha do ti kaloi në harresë”. Në art, sidomos në artë, çdo gjë seleksionohet nga më mira. Ne ato vepra arti i krijuam në atë kohë kur çdo gjë ishte kufizuar. Që nga ideja, tema dhe deri tek krijimi, trajtimi dhe interpretimi i figurave dhe karaktereve që luanim. Ishim, si të thuash, të mbërthyer brenda një kornize dhe shablloni ideo-artistik, aq sa çdo devijim ishte shkatërrim i artistit krijues. Tani hapësirat krijuese janë të pa kufi. Hajde…Urdhëroni…Krijoni… Ju kritikë, gazetarë “të ndershëm e përparimtarë”, ju analistë partiakë e pushtetarë, ju politikanë e qeveritarë: “Ne, artistët e “asaj kohe” krijuam duke u ndeshur edhe me varfërinë tone, qoftë artistike e qoftë jetike. Paguheshim me vetëm 10-15 centë në ditë, jetonim në një dhomë e kuzhinë, krijonim në atelie e studio të varfra artistikisht jepnim shfaqje në salla ku vapa dhe të ftohtit na merrnin frymën… e megjithatë bëmë Art për popullin, ndaj sërish na ndjek populli. Ndërsa krijuesit e “kohës suaj” tani i kanë të gjitha, paguhen me mijëra dollarë, kanë makina, vila, atelie, skena dhe ekrane modernë. Hajde.., Kapini “për veshi”, “detyrojini” të mos mbushin, skenën, ekranin dhe artin në përgjithësi vetëm me humorin plot banalitete.

Shumë Faleminderit! 
Lufta Naciona-Çlirimtare është një nga gurët më të çmuar të të Historisë së Kombit 
Në asnjë vend tjetër ish komunist, apo edhe në vendet demokratike, që ishin pjesë e Koalicionit Antifashist në Luftën e Dytë Botërore, apo edhe vendet që ishin në Bllokun Fashist, siç është Italia, deri më sot nuk është bërë ndonjë debat për ndalimin e filmave që pasqyrojnë Luftën Partizane. Përse kjo ndodh vetëm në Shqipëri? 

Unë kam mendimin se nuk është thjesht “Çështje Arti” në këtë “mesele. Është problemi i HISTORISË… I së vërtetës historike. I masakrimit të çlirimit dhe ndërtimit të vendit. I mohimit të vlerave të së kaluarës. Duhet zhdukur, sakatuar dhe shtrembëruar e gjithë e vërteta historike 50 vjeçare, duke futur brenda edhe Luftën Nacional-Çlirimtare e një kombi. Në kurorën e shndritshme të kombit tonë lufta nacional Çlirimtare është një nga gurët më të çmuar të saj. Duan ta heqin, ta transformojnë, ta bëjnë kallp….Kjo është e gjitha.

Zoti Çerma, kam pasur fatin të bisedoj me arvanitas, që, si shtetas i SHBA është veteran i Luftës në Vietnam, dhe më ka pohuar që është krenar për pjesëmarrjen e tij. Edhe qytetarët e SHBA i respektojnë veteranët e tyre të Luftës, pavarësisht ideologjive politike. Përse në Shqipëri ndodh, që disa të betonojnë standardet demokratike ndaj Historisë, sipas interesave të tyre politike?
Eh.. He, he. Këtu pastaj hynë…”teoria e relativitetit”. Qytetërimi nuk është…qytet-zim. Ne, për këto 26 vjet, prodhuam shumë qytet-zim. Një qytet-zim, që po e shkatërron qytetarin…Po, dhe.. sepse demokracia tek ne erdhi nga ata që kërkojnë me insistim të zhdukin nga vetia njollat e së kaluarës së tyre komuniste… 

Cilat do të ishin, sipas jush, standardet, kriteret e rishikimit të Historisë së Shqipërisë? – A mund të rehabilitohen sot kolaboracionistët, bashkëpunëtorët e fashistëve dhe nazistëve, me pretendimin e vetëm se ata luftuan kundër PKSH?
– Më fal po ..Këtë përgjigje e ka dhënë me qëndrimin e saj me kohë Evropa dhe Bota me standardet e kriteret për bashkëpunëtorët e fashizmit dhe nazizmit…Po. Tek ne, nuk është e keqja e “standardeve e kritereve” e shikimit të Historisë së Shqipërisë, por e qerratenjve “historianë” që zbatojnë standardet e kriteret…Një letrar i madh francez thotë: “Historia shkruhet drejt, kur vdes dëshmitari i fundit”. Historia e jonë është mbushur me “historiçka” nga “dëshmitarët makutë dhe historianë militantë”, aq sa është servirur dhe serviret si një “çorbë derrash” që s’ka Histori ta gëlltisë…
1.Të gjitha qeveritë deri tani, jo vetëm “mashën e kacinë”, por të gjithë “vatrën e drejtësisë” e kanë futur nën shalë dhe vetëm kanë ngrohur menderen e tyre

2 Ja, më thuaj “historikisht”, a kanë të numëruar prokurorët, gjykatësit. juristët e noterët, që, u janë ftohur e u janë bërë akull “të ndenjurat” në karriget e posteve, sapo, befas, kanë “harruar të ngrohin kolltukët eqeveritarëve e politikanëve? Ëëë? Ja.. Më thuaj një që ka pasur, ndonjë të qëndrojë në “kolltukun e ndershmërisë”, duke gjykuar me kokë?! Atëherë?! Është ajo që thamë më lart, i dashur. Është ajo. “Vettingu dhe Vet-tringu”…

3. Pothuajse të gjithë, pavarësisht se ç’lule çelin e ç’fruta mbijnë, “rrënjën” aty e kanë,aty…tek partia e lavdishme e P.P.Sh. Edhe me figurë edhe me zë s’kanë të numëruar “akuzat e dokumentuara” për pothuajse të gjithë politikanët dhe qeveritarët tanë

4.Edhe ai “Ligji i Lustracionit” me standardet juridike që u zbatua edhe në vendet ish komuniste të Evropës Lindore”, këtu tek ne, nuk duhet vetëm për të “shkuarën e “largët” komuniste mbi diktaturën dhe sejmenët e saj, por, edhe për shkuarën “e afërt” demokratike, me shkatërrimin, vjedhjen, rrëmbimin dhe pasurimin nga qentë dhe këlyshët e egër të saj

5.Unë, besoj se sot s’do të ketë nevojë për kanoçe që të shqyhen deklaratat e ca “kungujve”, që çoç u duket vetja se i janë kacavjerrë përpjetë pemës së demokracisë…Ato krijime, zotëri, i krijoi koha dhe, kur t’u vijë koha, vetë koha do t’i kalojë në harresë.. 

6 .Unë kam mendimin se nuk është thjesht “Çështje Arti” në këtë “mesele. Është problemi i HISTORISË… I së vërtetës historike. I masakrimit të çlirimit dhe ndërtimit të vendit. I mohimit të vlerave të së kaluarës Unë, besoj se sot s’do të ketë nevojë për kanoçe që të shqyhen deklaratat e ca “kungujve”, që çoç u duket vetja se i janë kacavjerrë përpjetë pemës së demokracisë
Sigal