Lufta fiktive kundër hashashit, janë dekonspiruar 238 aksione nga 32 “çuna” të ish-ministrit Tahiri

545
Vjollca KUTA
Kupola e Ministrisë së Brendshme, nga “licencuese” e biznesit të drogës është kthyer në shtab aktiv për pastrimin e gjithë territorit të vendit
Informacionet që kanë dhënë drejtuesit policor, po përdoren si “pikë referimi” për të projektuar dhe realizuar operacionin kombëtar të “pastrimit” të territorit të vendit nga mbjellja, laboratorët, trafikantët, bashkëpunëtorët policor e shtetarë politiko-administrativ rajonalë e qendror të drogës 
Zbulimi depove e tuneleve të drogës dhe arrestimet e shumta brenda radhëve të policisë në pikat kufitare e doganore në Durrës, Qafë Thanë, Përmet, Skrapar, Bulqizë, Dibër, Elbasan, Tiranë, Kakavijë, Korçë, Vlorë, Lezhë, Shkodër etj, po konfirmon faktin, që beteja e Fatmirit ka nisur e po vazhdon seriozisht, realisht e fuqishëm, për të shkatërruar rrjetin drogës që ngritur dhe ka mbrojtur prej Tahirit
Lufta kundër kultivimit, përpunimit dhe trafikut të drogës, deklaruara e propaganduar me aq bujë prej ish-ministrit Saimir Tahiri, rezulton se paska qenë një “teatër” i inskenuar e luajtur mjeshtërisht prej ish-ministrit të Brendshëm dhe kultivuesve trafikantëve të drogës. Brenda 15 ditëve në krye të Ministrisë së Brendshme, ministri Fatmir Xhafaj me shumë lehtësi, duke zbatuar vetëm ligjin për policinë e shtetit, ka arritur të zbardh skemën e lejimit, mbështetjes dhe mbrojtjes së krimit të kultivim-trafikimit të drogës prej segmenteve zyrtare brenda dhe në krye të policisë e të ministrisë, të cilat ishin pjesë aktive dhe garantuese e të normaliteti të këtij biznesi kriminal. Çfarë ka ndodhur realisht me (gjoja) luftën kundër krimit, deri në ditën që ministri Tahiri komandonte këtë shërbim publik sigurie e anti-krim? Sipas të dhënave që drejtues të policisë zonale dhe të inspektorëve të zonave i kanë vetë-deklaruar “në vesh” ministrit Xhafaj, rezulton se me urdhër të ish-ministrit Saimir Tahiri, drejtoritë rajonale të policive në qarqe, merrnin detyrë të përgatisnin operacione anti-drogë, për rastet e zbuluara nga agjentët e policisë së shtetit, të raportuara nga SHISH dhe të “spiunuara” nga populli. Këto drejtori, porositeshin prej Tahirit, që të ruanin sekretin, madje edhe kërcënoheshin prej tij me prangosje e përjashtime nga policia nëse aksionet dekonspiroheshin. Paralelisht me porositë që u jepte drejtorëve, ish-ministri Tahiri ua këtë informacion edhe “çunave” të tij të besuar, që kishte emëruar në krye të shërbimeve urdhëruese e kontrolluese në policitë zonale, por pa ua bërë të ditur këtë “dublim” informacioni drejtuesve rajonalë! Mirëpo edhe pse betoheshin për sekret të aksioneve, “çuditërisht” shumica a aksioneve dështonin, sidomos ato aksione që kishin si objektiv goditjen e grupeve dhe zonave të madha të kultivimit, përpunimit, magazinimit dhe transportit të drogës. Po kështu dështonin edhe aksione trafikimi droge prej grupesh të organizuara në vijën bregdetare, në portet detare, në pika kalimi kufiri tokësor e liqenor, duke mos kapur kultivuesit e trafikuesit e as sasitë e gatshme për trafikim apo ët magazinuara, shumica e të cilave kapeshin në brigjet detare, lumore e liqenore, apo në territoret tokësore të vendeve fqinje. Ndërkohë që, po kaq “çuditërisht” nuk dështonin aksionet policore anti-drogë që organizoheshin për raste shitësish me 1-2 e 10 gram, të kultivuesve me 10020 rrënjë ose të trafikantëve me 1-2 kilogramë hashash që publikoheshin me shumë bujë prej vetë ish-ministrit Tahiri. Kujtojmë, që ministri aktual Xhafaj, vetëm 24 orë pasi morri detyrën, thirri në takim urgjent drejtorët e rajoneve dhe drejtuesit e anti-drogës në qendër dhe u kërkoi, që brenda 48 orëve të “rrëfenin” gjithçka dinin, lidhur me operacionet anti-drogë, me urdhëruesit, me dështimet e aksioneve policore, me drejtuesit e operacioneve, me zonat ku ishin zhvilluar, me emrat e individëve e grupeve të piketuar si financues, kultivues, përpunues, ruajtës, transportues, magazinues e trafikues droge ne tregun vendas dhe vendet fqinje. Po kështu, u kërkoi të “rrëfenin” dyshimet e tyre, se me cilët drejtues të lartë, shefa sektorësh e shërbimesh policore, zyrtarësh, politikanësh zonalë e qendror, biznesmenë e deri me cilët policë zonash, mendohej se mund të kishin lidhje e komunikim kultivuesit dhe trafikantët e drogës, sidomos ata të aksioneve të dështuara! Sipas informacioneve, ministri Xhafaj ka në dorë një “buletin të zi” të tejmbushur me të dhëna të sakta për bazat e drogës së prodhuar, të qendrave e zonave të kultivimit të këtij viti, të depove, tuneleve, vilave, staneve, barakave, qendrave të bizneseve e banesave gërmadha që përdoren prej kultivuesve dhe trafikantëve. Drejtuesit policorë të zonave i kanë treguar informacionet, të detyruar prej presionit ligjor të bërë nga ministri Xhafaj. Sipas të dhënave të këtij “buletini të zi”, rezulton se deri tani janë skeduar 182 “çuna” të ish-ministrit Tahiri me funksione “kyçe” në shërbimin policor në qendër e në rajone. Për ta, thuhet se kanë dekonspiruar aksionet e policisë, si shërbim bashkëpunues ndaj ish-ministrit Tahiri, në funksion të ecurisë normale të kultivimit dhe trafikimit të drogës. Sipas informacioneve, konfirmohet se ministri Xhafaj po i përdor këto dhëna, si “pikë referimi” për nisur operacionin kombëtar të “pastrimit” të territorit të vendit nga mbjellja, laboratorët, trafikantët, bashkëpunëtorët policor e shtetarë politiko-administrativ në aktivitetin kriminal të drogës. Zbulimi bazave të drogës në Përmet, Skrapar, Bulqizë, Dibër, Elbasan, Tiranë, Kakavijë, Korçë, Vlorë, Lezhë, Shkodër etj, provon faktin që beteja e Fatmirit ka nisur e po vazhdon fuqishëm për të shkatërruar rrjetin e ngritur e të mbrojtur prej Tahirit.
—————————
Ministri Fatmir Xhafaj urdhëron vlerësimin e gradave, verifikimi nis nga policia zjarrfikëse
Mendohet se ka abuzime të shumta me bazë nepotizmin, klientelizmin e deri me dosjet e arsimimit të drejtuesve kryesorë e të sektorëve në disa qarqe dhe rrethe, madje edhe në drejtorinë qendrore që ka si strukturë këtë shërbim policor
Duket se ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, paska shumë probleme për të zgjidhur në detyrën e re që i është ngarkuar, të krijuara e të lëna “mullar” prej ish-ministrit Tahiri, i cili më shumë bënte politikë partiake dhe ceremoni auto-lëvdatash, se sa punë. Një skandal i mbetur në sirtarin e ish-ministrit Tahiri, denoncuar nga disa punonjës dhe drejtues policie të nivelit të ulët në komisariatet e Tiranës, Fierit e Korçës, kërkonte të verifikoheshin procedurat dhe praktikat e dhënies së gradave në polici e po kështu, personat të cilëve u ishin dhënë. Nisur prej këtij denoncimi, ministri Xhafaj vendosi të nxjerr një urdhër të posaçëm, për vlerësimin dhe verifikimin gradave që janë dhënë për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke e nisur këtë proces “hetimi” nga gradat e dhëna në Shërbimin Zjarrfikës, ku mendohet se ka abuzime të shumta me bazë nepotizmin, klientelizmin, dekriminalizimin, dosjet e arsimimit të drejtuesve kryesorë e të sektorëve në disa qarqe e rrethe, madje edhe në drejtorinë qendrore e cila ka si strukturë këtë shërbim policor.
UDHËZIM Nr. 211, datë 3.4.2017 
1. Ngritjen e komisioneve të vlerësimit të gradave, për strukturat e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin në nivel qendror për punonjësit e nivelit të mesëm, të lartë dhe madhor dhe në nivel vendor për punonjësit e nivelit bazë. 
2. Komisioni i Vlerësimit të Gradave në nivel qendror përbëhet nga: 
a) Drejtor/shef sektori në shërbimin e MZSH-së në ministrinë përgjegjëse, kryetar; 
b) Specialist në sektorin e menaxhimit të burimeve njerëzore, në ministrinë përgjegjëse,
anëtar;
c) Specialist në Drejtorinë e Shërbimit të MZSH-së në ministrinë përgjegjëse, anëtar. 
3. Komisioni i Vlerësimit të Gradave në nivel vendor përbëhet nga: 
a) Drejtor/shef sektori i shërbimit të MZSH-së në bashki, kryetar; 
b) Specialist i burimeve njerëzorë në bashki, anëtar; 
c) Specialist në Drejtorinë Shërbimit të MZSH-së në ministrinë përgjegjëse, anëtar. 
4. Komisionet e vlerësimit të gradave funksionojnë si organ kolegjial vlerësues dhe propozues në zbatim të dispozitave të ligjit nr. 152/2015 “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”. 
5. Komisionet e vlerësimit të gradave trajtojnë çdo kërkesë të punonjësve të shërbimit të MZSH-së, për vlerësimin e gradave në përputhje me parimet dhe afatet e ligjit nr. 44/2015 “Kodit i Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë”. 
6. Komisionet e vlerësimit të gradave, në përfundim të shqyrtimit të kërkesës, hartojnë aktin e vlerësimit, në përputhje me kriteret e ecurisë dhe fitimit të gradave, sipas përcaktimeve të ligjit nr.152/2015 “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, dhe vendimit nr. 895, datë 21.12.2016 të Këshillit të Ministrave “Për kriteret e ecurisë dhe fitimit të gradave, njësimin e funksioneve korresponduese për çdo gradë, paraqitjen, formën dhe specifikimet teknike të gradave të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”. 
7. Akti i vlerësimit sipas pikës 6 të këtij udhëzimi, i dërgohet autoriteteve të përcaktuara në pikën 1 dhe 2 të nenit 24 të ligjit nr.152/2015 “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”. 
8. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të MZSH-së në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe bashkitë përkatëse, për zbatimin e këtij udhëzimi. 
Ky udhëzim, hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. 
MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME 
Fatmir Xhafaj 
Sigal