LUFTA E KOSOVËS NË LABIRINTET DIPLOMATIKE

754
Prof. Dr. Ksenofon Krisafi ka mbaruar Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike të Universitetit të Tiranës. Është lauruar doctor honoris causa nga Universiteti Sancti Cyrilli i Valetës, Maltë. Ka punuar në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike të Universitetit të Tiranës, drejtor në Ministrinë e Jashtme, ambasador në OKB dhe në OBT, në Gjenevë, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe këshilltar diplomatik i Kryeministrit, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, zëvendës/rektor dhe dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin Evropian të Tiranës. Aktualisht është dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë. Ai është lektor i së drejtës publike, të drejtës ndërkombëtare, organizatave ndërkombëtare etj. Ka mbajtur leksione në një numër universitetesh të huaja dhe ka marrë pjesë në dhjetëra konferenca shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Ka botuar disa monografi, libra, tekste universitare, si dhe artikuj shkencorë e publicistikë. Ndër librat duhen përmendur sidomos “Në Gjenevë për Kosovën, Fjalime në institucionet ndërkombëtare (1998-2002)”, “Lufta e Kosovës në labirintet diplomatike (Gjenevë, 1998-2002)”, “Organizimi politik ne trojet shqiptare”, “Për tokën dhe detin e Shqipërisë”, “Diplomaci pas lufte”, “Në kërkim të arit”, E drejta e organizatave ndërkombëtare”, “Paradigma e tranzicionit demokratik” – “Fundi” i tranzicionit apo një tranzicion “pa fund” (bashkautor), “Epiri i Jugut, Çamëria”, (bashkautor), “Historiku i Bankave në Shqipëri”, (bashkautor), “Çështje të historisë së shtetit dhe të drejtës”, (bashkautor), “Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri” (bashkautor), “Kushtetuta e re shqiptare sfida e së ardhmes euroatlantike të Shqipërisë”, (bashkautor) etj. Së bashku me Ndriçim Kullën dhe Dritan Thomallarin ka marrë pjesë në përgatitjen dhe botimin e 7 vëllimeve të para nga krijimtaria e studiuesit At Giuseppe (Zef) Valentini.
Prof. Ksenofon Kristafi 
Këtu mbyllet ky libër, që mori shkas nga mbresat, kujtimet, veprimtaria dhe shërbimi si ambasador i vendit tim, Shqipërisë, por pa asnjë dyshim edhe si ambasador i pa akredituar formalisht, i gjysmës tjetër të saj, Kosovës, pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë. Ai nisi kur në Kosovë bëhej luftë, vriteshin njerëz të pafajshëm, derdhej gjak, kryheshin masakra, ndërkohë që në kuluaret diplomatike botërore punohej pa reshtur për ndalimin e saj dhe gjetjen e zgjidhjes së përshtatshme. Mbaroi kur në Kosovë kishte ardhur pranvera e lirisë së shumëpritur. Në jetën e njeriut këto janë pak vite, por të mbushura me veprimtari intensive, të përditshme gjithë përkushtim e përgjegjësi për një kauzë të madhe mbarë kombëtare, përfaqësojnë një epokë, përfaqësojnë gjithashtu një rast të lakmueshëm të papërsëritshëm. Ndjehem me fat, që isha pjesë e atyre mijëra njerëzve që punuan sinqerisht, pa reshtur dhe pa u lodhur, secili në pozicionin e vet, duke kontribuar modestisht për Kosovën tonë.





LUFTA E KOSOVËS NË LABIRINTET DIPLOMATIKE
Fatos Tarifa
Ksenofon Krisafi është një emër shumë i njohur në jurisprudence dhe në diplomacinë shqiptare. Pas ndarjes nga jeta të profesorit dhe mikut tonë të çmuar Arben Puto, Krisafi mbetet njohësi më i mirë i historisë diplomatike të shtetit shqiptar dhe eksperti më i shquar i së drejtës ndërkombëtare në këtë vend. Por, përtej akademisë, ai është, gjithashtu, një ndër diplomatët shqiptarë më të shquar në këta dyzet vitet e fundit. Unë, pa asnjë hezitim, do ta cilësoja atë si Dekanin e diplomatëve shqiptarë… Rasti (ndoshta si një shprehje e domosdoshmërisë) e solli që Profesor Krisafi t’i shërbente Shqipërisë si përfaqësuesi i saj më i lartë diplomatik në një sërë organizatash ndërkombëtare (pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara), me qendër në Gjenevë. Në këtë pozitë, ky diplomat i klasit të parë i shërbeu gjithashtu edhe Kosovës, në një kohë kur populli i saj luftonte për lirinë e vendit të vet nga shtypja serbe dhe për shtetin e vet të pavarur. Krisafi u gjend në kohën e duhur dhe në vendin e duhur për t’i dhënë çështjes së lirisë e të pavarësisë së Kosovës mbështetjen e duhur diplomatike në atë qytet ku gjallon diplomacia shumëpalëshe më e dendur në tërë planetin tonë. Dhe këtë diplomaci ai ka ditur ta bëjë dhe e ka bërë si askush tjetër në radhët e diplomatëve shqiptarë… Në dallim nga shumica e autorëve shqiptarë, që deri më sot, me shumë zell, por për asnjë meritë të veçantë, kanë hedhur në treg kujtimet e tyre mbi bëma të qena e të paqena, duke dashur t’i ngrenë kult vetes së tyre, Krisafi, në këtë libër, ngre vetëm një kult—Kosovën. Liria dhe pavarësia e Kosovës janë kryefjala e librit dhe substanca e tij… Të gjitha këto shihen e vlerësohen nga një pozicion në të cilin pak njerëzve u është dhënë mundësia të vëzhgojnë, si Krisafi, dhe nga një këndvështrim historik e teorik që shumë analistëve të tjerë që janë marrë e merren me Kosovën u ka munguar. Kjo pikërisht e bën këtë libër të veçantë, të vërtetë e të dobishëm.
Sigal