Luan Zhegu: Ishte koha kur ishte dënuar Françesk Radi dhe Sherif Merdani, lëvizjet quheshin shfaqje të huaja

1503
Sigal

INTERVISTA/ Flet kantautori, “Mjeshtri i Madh” Luan Zhegu: Para perdeve, Vaçja më tha: Do këndosh më mirë se unë, lotova

Takimet me të gjithmonë janë mbresëlënëse. Një njeri i qeshur, i dashur, i respektuar, korrekt. Biseda fillon natyrshëm dhe pyetjet ngacmuese bëjnë që ai gjithmonë të më sjellë diçka të re në kujtesën time. Rruga drejt këngës fillon rreth viteve 1957, në Pallatin e Pionierëve dhe më vonë në Pallatin e Kulturës “Ali Kelmendi”. Ishte motra e tij, që ishte më e madhe që e zbuloi, që kur ishte në moshën 12-vjeçare. Me Zhegun mund të kem zhvilluar mbi 10 intervista, por duke qenë se jeta e tij artistike është shumë e pasur, asnjëherë nuk kam rënë në përsëritje pyetjesh apo ngjarjesh. Ai është një minierë e pashtershme kujtimesh interesante sa të befason. Kjo për vetë faktin se ai ka punuar dhe krijuar me korifenjtë e këngës, kompozimit dhe poetëve krijues që aq shumë i mungojnë sot Shqipërisë. “Mjeshtri i Madh” Luan Zhegu, ka mbi 40 vjet si këngëtar por më shumë se 43 vjet si kompozitor. Fillimet e muzikës për të janë në Estradën e Shtetit ku ishte si baterist. I pëlqenin shumë instrumentet muzikoree por duke qenë afër këngëtarëve ai nxori në pah dhe një vlerë tjetër, atë të kompozimit por edhe të kënduarit duke u bërë një ndër këngëtarët më të njohur dhe me të pëlqyer në Shqipëri. Kantautori i mirënjohur Zhegu ka një eksperiencë 40 vjeçare në skenën e festivaleve të këngës, Festivalit më prestigjioz në Shqipëri dhe të vetmit deri në  fundvitet 1990. Në arkivin e tij ai numëron më shumë se 300 këngë të kompozuara dhe as nuk i numëron dot këngët e kënduara. Pra, mbi 43 vjet në skenë, merret me mend se sa kënduar kur dihet se në monizëm fundjava ishte e mbingarkuar edhe me 2 shfaqje në ditë. Është një ditë e veçantë jeta e tij artistike në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH. Ajo nisi pikërisht në vitin 1975, kur ai ka kënduar të njëjtën këngë me këngëtaren e madhe Vaçe Zela, për të cilën ai ruan kujtimet më të bukura dhe që edhe sot e ka si idhull. Pikërisht Festivali i 14-të në RTSH i hapi atij rrugën e madhe të skenës si këngëtar, për të mos ju ndarë kurrë më këtij eventi, dikur shumë magjik.

Kur vjen fjalë për krijimtarinë tuaj ju heshtni dhe buzëqeshni. Kjo tregon se nuk ke mbajtur një arkiv të saktë. Por le të të pyes si këngëtar, në sa Festivale të RTSH keni marrë pjesë?

Për këtë pyetje mund të them se jam pjesëmarrës i mbi 20 festivaleve të këngës si këngëtar, pra si këngëtar. Por unë në këto Festivale kam marrë pjesë dhe si kantautor.

Sërishmi asgjë të saktë. Po si krijues?

E drejtë, shumë herë nisem ti bëj mirë llogaritë, por më pas them, kush merret me to, duan shumë kohë. Kështu e lë në hije dhe ende se di shumë të saktë, ndaj them mbi 20 Festivale, ndërsa si krijues jam shumë më tepër. Pra, më parë kam bërë këngë për të tjerët dhe më vonë fillova dhe vetë të këndoj.

 – Të ndalemi tek kjo pjesë. Ju për herë të parë morët pjesë si këngëtar në vitin 1975 në skenën e Festivalit të 14 në RTSH. Mund të na thoni impresionet e asaj kohe?
Eh! Ishin kohë të arta. Ishin kohë që kur i kujtoj lotoj dhe se besoj. Pikërisht në këtë vit që përkonte me Festivalin e 14-të unë isha pjesëmarrës si këngëtar. Në këtë Festival magjik unë interpretova këngën e Shaqir Kodrës  me titull “Shokët” me tekst të Betim Muçës dhe orkestruar nga Gjon Simoni. Në atë kohë çdo këngë këndohej me dy këngëtarë. Për çudi mua më ra shansi të këndoja të njëjtën këngë me Vaçe Zelën. Se besoja. Vaçen e njihja shumë mirë në Estradën e Shtetit. Ajo për mua ishte mit. E dëgjoja dhe nuk ngopesha. Hutohesha pas zërit të saj të mrekullueshëm. Ndjeva një emocion shumë të madh kur më thanë se do të këndoj të njëjtën këngë. E ku matesha unë me Vaçen e paarritshme? Fillova provat. Punoja shumë. Punoja orar pa orar. Shpesh herë shkoja dhe dëgjoja Vaçen. Kur e dëgjoja atë trembesha. Ajo të mbushte me zërin e saj. Stepesha. Por për çudi Vaçja vinte dhe pyeste për mua. Një ditë më afroi dhe më tha, se këndon shumë mirë. Do ja dalësh mbanë se ke zë dhe interpreton bukur. Sa u gëzova. E besova se mi tha me gjithë zemër. Ditët e fundit ajo më inkurajonte. Ditën e Festivalit ajo u afrua dhe më thotë: Luan do dalësh me shumë sukses, të kam dëgjuar dhe kam shumë besim tek ty. Do arrish sukses, do këndosh më mirë se unë, lotova. Sa më gëzuan ato fjalë. Më dhanë forcë, më dhanë kurajë. Si harroj kurrë ato dy fjalë. Këto mund ti thoshte vetëm Vaçe Zela. Dhe në fakt ashtu doli. Kënga ime u mirëprit. Pata shumë duartrokitje. Nuk e besoja. Triumfova. Në fund të Festivalit, ne u nderuam me çmimin e dytë. Nuk ishte pak. Që në daljen e parë një fitore e tillë. Dua të them se atë vit sapo kisha mbushur 25 vjeç.

 Thuhet se qysh në daljen e parë, Luani rri si i “ngrirë”, si “Monument kulture”, pse kjo ngrirje në skenë?

(Qesh me të madhe). Dhe pse kemi vite që flasim bashkë dhe bisedojmë nga gjëra më të ndryshmet, këtë cilësi, apo cen në mënyrën e të kënduarit tim, e kam fituar, apo e kam rrënjosur qysh në këtë Festival, pra në pjesëmarrjen time të parë në Festivalin e 14. Ishte periudha pas Festivalit të 11 të RTSH kur u burgosën dhe ju hoq e drejta e të kënduarit shumë këngëtarëve të mëdhenj. U burgos Sherif Merdani, u internua Françesk Radi, u dënuan shumë drejtues të RTSH. Ishin vitet kur shfaqjet e huaja ishin në plan të parë. Pra, çdo lëvizje, çdo veshje paksa e ekzagjeruar shihej me dyshim dhe të rëndonte. Pak para se të futesha në skenë, fill pasi iku Vaçja që më mobilizoi, më afrohet afër Drejtuesi Artistik i Festivalit, Gjon Simoni dhe më thotë nën zë: Kujdes, mos lëviz në skenë. Më mirë rri statik se sa të lëvizësh dhe të na marrësh në qafë. Një dorë, të majtën, mbaje tek xhaketa, të djathtën mbaje tek mikrofoni. Kjo është e tëra. S’kemi ç’të bëjmë. Për të tjerat s’ta kam frikën. Për një moment ngela. Por e kuptova ç’donte të thoshte. E kisha parasysh Festivalin e 11-të. Ashtu këndova, pa lëvizje, si i ngrirë, ashtu si thoni ju, si “Monument Kulture” (qesh sërishmi).

Po në Festivalin e 15-të?

Në Festivalin pasardhës unë u paraqita me këngën e Agim Krajkës “Këngët  e rinisë”. Kjo ende mbetet për mua një këngë e mrekullueshme e cila qysh në atë kohë u kthye në hit.

Kur je ndjerë më keq në gjithë karrierën tuaj kaq të pasur artistike?

Mos ma kujto se dhe sot dridhem. Jam ndodhur keq në Dekadat e Majit në vitin 1978. Atë vit unë bëra një këngë për Margarita Tutulanin. Këngët për heroizmat e luftës ishin në rend të ditës. Kënga që unë kompozova atë vit titullohej “Nusja e lirisë”. Ishte një bashkëpunim i bukur për mua me poetin Sulejman Mato,  dhe orkestrim të Alqi Karecos. Këngën e këndoi Vaçe Zela. Ishte një vlerësim i madh për mua. Një vlerësim i jashtëzakonshëm. E di çdo të thoshte të këndonte këngën tënde Vaçe Zela? Ajo e këndoi shumë mirë këngën. Një mrekulli. Por, pas përfundimit, ndodhi hataja. Një nga anëtarët e byrosë politike nuk e pëlqeu tekstin e këngës pasi në përshkrimin fizik diçka nuk shkonte. Ja teksti: “Ç’mu kujtove sonte motra Margaritë, me fustan të grisur si dritë e lirisë”. Pikërisht tek fustani i grisur u kap udhëheqësi. Pra nuk duhej që partizania të kishte fustan të grisur. Ajo këngë nuk u transmetua më.  Më ka ngelur peng. Se kam gjetur më atë këngë.

Festivali i 14-të i Këngës në RTSH

Festivali i 14-të i Këngës në RTSH u zhvillua në dhjetor të vitit 1975 në Tiranë.

Kënga fituese “Buka e duarve tona”, kënduar nga Alida Hisku dhe Ema Qazimi.

Festivali i 14-të i Këngës në RTSH
Edicioni 14-të
Qyteti Tirana
Vendi Tirane
Viti 1975
Datat 25, 26, 27 dhjetor
Prezantues Rezarta Malaj dhe Kastriot Çaushi
Artisti Fitues Alida Hisku dhe Ema Qazimi
Kënga Fituese “Buka e duarve tona”, muzika Kujtim Laro, teksti Xhevahir Spahiu”

Albert Z. ZHOLI