Luan SHMILLI/ Giuseppe Schiro, poeti arbëresh që i këndoi Pavarësisë

633
Sigal

EKSKLUZIVE/ Vijnë për herë të parë, për lexuesit shqiptarë, disa nga poemat e këtij poeti të marra nga biblioteka e Vatikanit

 “Këthimi” është poema e vendosur pas 48 vjetësh në libër e Giuseppe Schiro (i vjetri). Një libër i jashtëzakonshëm i poetit të njohur arbëresh që e konsolidon atë mirë edhe në vendin amë shumë pak të publikuar. Krahas tij kemi autor dhe pasardhësin tjetër arbëresh dhe bile me të njëjtin emër: Schiro, por junior (Por i vjetri Schiro është ndër më të mëdhenjtë e letërsisë shqipe, ku arbëreshët kanë profilin e vet të spikatur me korife, natyrisht De Radën në përvjetorin e 150 -vjetëve të lindjes si përkujtim u botua poema e Schiro “Këthimi”. Kjo poemë marrë me “mundim” në bibliotekën e Vatikanit dhe fotografuar, ku dy pjesët kryesore me këto shënime, të thjeshta përkushtuese po i sjellim për lexuesin e “Telegraf” në Shqipëri. Natyrisht publikimi pjesërisht i veprës, me vetëm dy këngë të para të poemës “Këthimi”, bëhet në kuadër edhe të 100 -vjetorit të Pavarësisë Kombëtare!

Sigurisht, ja vlen të themi edhe dy fjalë për autorin e mirënjohur tashmë në letrat shqipe, ku besojmë se, për herë të parë sjellim në origjinal pjesë nga poema e tij kryesore, postum: “Këthimi”. Një vepër ku ka dhënë ndihmesë, sipas parathënies edhe shkrimtari e publicisti i njohur Ernest Koliqi, i cili ka pasur detyrën e drejtorit të Institutit të Studimeve Shqiptare në Romë. Trungu që mban degët e poemës padyshim janë dy pjesët që po i sjellim të plota, origjinale, për Ismail Qemalin dhe Skënderbeun. Është interesant të themi gjithashtu se përgatitësi i këtij botimi është një tjetër Giuseppe Schiro, që duket nuk ka ndrojtje të mbajë emrin e madh të poetit të mirënjohur me përcaktimin vazhdues: Junior, duke deklaruar i riu Schiro se me të vjetrin Schiro ka lidhje gjaku dhe si shkruan në parathënie: “gens”, o, per dirla all’albanese,”fis”. Giuseppe Schiro, i riu, tregon në fillim të poemës se vepra e mrekullueshme i është dhënë spontanisht nga e veja e autorit, zonja Angela dhe nga djemtë e tyre, Zef, Gjergj dhe Gjin.(Duket qartë këtu edhe prejardhja e gjakut dhe shqiptarizmi i pastër në vendosjen e emrave të djemve nga poeti arbëresh, Schiro (i vjetri). Autori i botimit të poemës “Këthimi”, tregon se vepra pa dritën e botimit 48 vjet pas përfundimit të saj nga autori. “L’ultimo canto fu scritto il 28 agosto 1917” (Kënga e fundit është shkruar më 28 gusht 1917), që do të thotë se poema është botuar në vitin 1965, pra 47 vjet më parë. Nuk kam dijeni të jetë botuar e plotë apo e pjesshme në Shqipëri, megjithëse në post-monizëm, duhet thënë, janë publikuar shumë vepra të papublikuara a censuruara më parë. Natyrisht vepra në Itali nuk ka shumë tirazh publikimi dhe pse duhet menduar se mund të jetë libër i plotë, (si origjinali në Vatikan) diku…a tek dikush që duhet gjendur dhe marrë si thesar i letërsisë shqipe dhe kryevepër e një poeti atdhetar arbëresh që gjaku, gjuha, ndërgjegjja dhe historia e bëjnë përjetë shqiptar. Pata fatin dikush të më jap, përkohësisht, këtë vepër postum tërësisht atdhetare me stil të spikatur, mjeshtëri e figuracion artistik të lartë dhe mbi të gjitha, me sensibilitet patriotik, që rrallë vepra letrare të shkruara në vitet e para të gjysmës se Pavarësisë kombëtare, na e kanë dhënë kaq me emocion dhe po kaq edhe konkrete.

Në epiqendër të poemës është i ikuri përtej detit, Mili. Një arbëresh që bën një ditë “Këthimin”. Dhe niset. Dhe Mili, jo paqëllim zbret në Vlorë. Jo pa kuptim takon së pari Ismail Qemalin, të cilit autori i bën një portret të jashtëzakonshëm. Jo pa qëllim, kënga e dytë i kushtohet kryeheroit tonë kombëtar, Skënderbeut…. dhe vazhdon me predispozicionin shpirtëror të autorit të riprodhojë personazhe dhe vende historikë, duke ricikluar poema, para syve tanë Shqipërinë, e cila dikur ishte lavdiplotë. Ajo kishte shumë bij që luftuan për të. Ajo vet luftoi, por u errësua e u copëtua, u përgjak nga të huajt dhe u përbaltë edhe nga vet shqiptarët.

Pa rënë në pesimizëm dramatik (sepse ka ndonjë moment të tillë, të kuptueshëm për kohën, por që nuk dëmton aspak tërësinë, sikurse ka edhe ndonjë mosmirinformim personazhi, për vet largësinë, mundësitë, informacionin, pasi jemi pikërisht në vitet e para të Pavarësisë gjysmake) dhe terri ishte gjigantesk. Megjithatë Skiro (i vjetri) lartëson Shqipërinë, heronjtë e saj real dhe këtë e bën për të nxitur sensibilitetin tek arbëreshët për “Këthim”, por dhe për shqiptarët e “mëmëzës së madhe” për tu bërë patriotë të vërtetë të vendit të tyre të shenjtë. Poema ka pak vështirësi gjuhësore, por duke u lënë në origjinal (çdo këngë e poemës është e përkthyer nga shqipja në Italisht, në libër) kuptojmë më mirë shqipen e vjetër e të pahumbur të arbëreshëve, e kohës së pas Pavarësisë së përgjysmuar; kënaqësinë e shqipes evolutive por dhe qëndrestare, dialektizmin si dhe gjuhën normative të fjalëve që rrjedhin edhe nga fjalët dialektore…

Poema është tërësisht e fotokopjuar, pasi na u tha se nuk lejohej të merrej jashtë Vatikanit, si mundësi riprodhimi material, pasi ishte kopje e vetme, ndaj kjo ishte edhe arsyeja që e fotografuam të plotë, duke memorizuar e arkivuar gjithçka në kompjuter. Poema duket qarte, nuk ka nacionalizëm ekstrem. Ajo nuk kërkon të pushtohen troje ku nuk ka shqiptarë, ndërsa na jep mesazhin se:”shqiptarët duhen të ndiejnë mall për vendin e tyre, të bëjnë përpjekje të jenë bashkuar, të jenë koshientë për veten, shqiptarin, Kombin”. Shqiptarët duhet të bëjnë, të gjithë, “Këthimin”në vetvete, tek Kombi, tek shteti, i cili duhet t’i bëjë shqiptarët të respektuar dhe njohur denjësisht në Europë dhe botë. Ky është edhe mesazhi i  dukshëm i Schiro(i vjetri),dhe vjen natyrshëm, real me lëvizjet dhe përfytyrimet e Milit dhe Hajrisë, personazhe “rapsodie albanesi”, përkufizon Schiro (i riu), të cilit i vjen keq që gruaja e Schiro(i vjetri), nuk arriti dot të shoh poemën të botuar pas 48 vjetësh mbetur dorëshkrim…

Superidea, ajo që mund të quhet, pafrikë, e padukshmja brilante, perla e mrekullueshme e fshehur në guaskë, dridhja e zemrës që emocionon një popull të prerë dhe që është vërtet edhe një mesazh për “Këthim”, është kthimi në Atdhe. “Këthim” në origjinalitetin e humbur padrejtësisht, dhunshëm dhe me përgjakje të pamerituara nga pushtuesit dhe vetvetja. “Këthim” është, më saktë, poemë me mesazh “urdhërues” drejt ëndrrës së Skënderbeut, Rilindësve, Ismail Qemalit, mesazh që nuk është lexuar mirë nga të gjithë shqiptarët edhe sot e kësaj dite dhe sidomos nga ata që i mburren se u paraprijnë…

Nga Italia, për “Telegraf”