Luan SHMILLI/Filmi anti-islam rrit inatin arab kundër Amerikës

548
Sigal

Protestat kundër SHBA janë përhapur në të gjithë botën arabe, për shkak të zemërimit të krijuar nga publikimi i filmit ku profeti Muhamed fyhet rëndë

 Nga Italia, për “Telegraf”

 Ajo që ndodhi në Bengazi, Libi, me vrasjen e ambasadorit amerikan dhe tre të tjerëve, si dhe reaksioni zinxhir në botën myslimane meriton më shumë se një koment dhe, natyrisht, më shumë se një refleksion.

Koment meriton të bëhet rreth gjithçkaje të paraqitur në këto ditë nga bota islame në vendet arabe, ku reaksioni zinxhir shkaktoi tragjedi të vrarësh dhe jo vetëm amerikanët në Bengazi, ku ambasadori amerikan humbi jetën me të tjerë, por dhe protestues në vende të ndryshme. Shifra e te vrarëve në këtë çmenduri ngjethëse e ka kaluar shifrën dhjetë, me disa qindra të plagosur dhe dëme të shumta materiale. Ngjarjen e rendë e dënoi edhe Papa Ratzinger, i cili po kryen dhe një vizitë të planifikuar në Liban në një kohë me shumë probleme. Deklarata e parë se: “Vatikani dënon dhunën dhe ndërkohë edhe fyerjet ngado që i vijnë besimeve fetare”, iu bashkëngjit edhe deklarata në Bejrut se: “Kisha i qëndron besnike mësimeve të Koncilit të Vatikanit II, dhe i shikon myslimanët me vlerësim…”

Një film ende i pashfaqur nëpër kinematë publike (shfaqur ne Ëeb) përfshin në revoltë botën myslimane. Nga Libia, protesta dhe konfrontim edhe në Nigeri, në Kenia, Pakistan, Egjipt, Jemen, Bangladesh, Iran, Sudan, Indonezi e gjer në qytetin Madras në Indi. Në Basora (Irak) u njoftua se mijëra myslimanë kanë vërshuar rrugëve duke hedhur parulla antiamerikane, në Afganistan rebelët talebanë kanë goditur edhe një bazë në Camp Bastion, duke vrarë edhe dy marinsa. Dje u njoftua se një goditje ka marrë edhe baza angleze, ku gjendet me “ndëshkim” princi anglez Harry, për të cilin talebanët u zotuan ditë më parë se do ta vrasin…  Rebelimi fetar mysliman, në mbrojtje të shenjtit Muhamed, nuk ka ndalur dhe protestat po vazhdojnë me ditë të tëra.

Nga ana tjetër SHBA, vet Presidenti Obama, nuk kanë nguruar të deklarojë se shkaktarët do të përgjigjen duke nisur edhe marinsa në vendet më problematike. Dy anije luftarake me marinsa janë nisur prej ditësh drejt vendeve arabe dhe ndërsa njoftohet nga Libia se: “Dërgimi në territor nuk do të pranohet sepse quhet pushtim”, 50 marinsa deklarohet se kanë mbërritur në Jemen dhe disa qindra të tjerë në Tunizi (La Repubblica,15 shtator). Nga Sudani njoftohet se të paktën tre persona janë vrarë nga forcat qeveritare, pasi kanë pushtuar e djegur ambasadën amerikane. Në Liban në shkatërrim dhe flakë ka përfunduar një restorant me emrin KFC, pranë Hardee’s, në qytetin e Tripolit. Një i vdekur dhe 25 të plagosur. Ekstremistët myslimanë, të udhëhequr nga militantët salafitë, e kthyen të premten e lutjes dhe të shtunën e djeshme në ditë të përgjakshme dhe revoltë. Janë sulmuar edhe ambasadat e Anglisë dhe Gjermanisë. Dy viktima janë regjistruar edhe në Tunizi, sipas një lajmi të së premtes së vonë… ku janë djegur edhe dy ndërtesa të “compound USA”, një shkollë dhe ambasada amerikane, në të cilën janë regjistruar 30 të plagosur mes ekstremistëve myslimanë dhe forcave të policisë. Sipas burimeve nga vendngjarja: “Policët nuk përballuan dot mosdjegien e Ambasadës Amerikane… “Protestuesit ekstremistë nuk kanë nguruar të lëshojnë parulla: “Obama, Obama, jemi të gjithë Osama!”, shkruan nga vendngjarja në Tunizi gazetarja e “La Repubblica” Vanna Vannuçini, e cila ka ndjekur edhe protestat në Shqipëri. Videot e vendosura në You Tube tregojnë qartë rebelimin e papërmbajtshëm. Një imam në Tunizi udhëheq protestën dhe merr pjesë në djegien e ambasadës amerikane…Ambasadori dhe stafi operativ,kishin kohë që kishin ikur dhe ishin siguruar nga policia e cila edhe pse ishte në tarracë të ambasadës amerikane,edhe pse u përlesh me besimtarët ekstremistë islamikë,nuk qëlloi mbi ta dhe nuk shkaktoi viktima…,shkruan hollësisht spanjollja “El Pais”.

Në Egjipt protestat, edhe pse nuk kanë intensitetin e ditëve të para, janë ende në vazhdim të udhëhequra nga imamët.”Ofendimi kundër profetit Muhamed, lahet me gjak!”, është parulla e të rinjve dhe të vjetërve fanatikë, duke shtuar: “Ka vetëm një Zot dhe Muhamedi është profeti i tij!”, shkruan kudo shtypi perëndimor, me korrespondentët e tij në vendngjarjet duke treguar edhe për mikrongjarje, si në Egjipt, ku nuk ngurohet të merret megafoni dhe të thuhet: “Me shpirtin tonë, me gjakun tonë, do marrim hak, Muhamedi ynë!”, ndërsa turma që betohet nuk nguron të lartësojë portrete të mëdha të Bin Laden.

Kryetari i parlamentit të Libisë, Mohamad al Megaryef, ka anuluar vizitën në Itali me Montin dhe Finin dhe ka shkuar në vendvrasjen e ambasadorit amerikan, në Bengazi dhe është lutur para ambasadës së djegur. “Filmi kundër Muhamedit? Po çfarë filmi? Ai po shihet prej gjashtë muajsh, si vallë ndodhi që pikërisht më 11 shtator u bë rebelimi dhe u godit ambasada? Nuk duhet të tregojmë gënjeshtra se të gjithë e dinë se ishte një pretekst, për një goditje të tmerrshme, që Libia civile dhe demokratike e dënon!”

Ndërkohë të shtunën, u njoftua se është hapur proces dhe janë marrë në pyetje autorët e filmit në SHBA. Sipas një njoftimi, regjisori i filmit Basseley ka deklaruar në një radio amerikane se: “Nuk jam i penduar…Do ta ribëja sërish filmin!”

Ndërkohë komentohet se pas filmit qëndron: “diskreditimi dhe humbja e zgjedhjeve e Obamës. “Pas qëndron një grup misterioz izraelit, “Longa manus”  Mossad, që përgatiti “kokteil” të përgjakshëm. Dhe jo vetëm kaq. AFP njofton se, regjisori është fals. Vërtet Sam Bacile është 55 vjeç, konstruktor izraelit, banues në Kaliforni, por bëhet fjalë për një emër fals. AFP bën të ditur se: “mbrapa tij fshihet 56- vjeçari kristian, kopto, Nakoula Basseley. Duket dallimi mes të dy personave. I takuar në Los Angelos, pohon se është producenti, por jo regjisori. I pyetur për filmin ai thotë se është bërë për të dënuar dhunën e myslimanëve kundër kristianëve kopt në vendet islamike. Nakoula nuk e ka “biografinë” të pastër. Ka qenë dënuar më parë në Kaliforni për evazion fiskal dhe mashtrim. Por dhe titulli është ndryshuar, madje trefishuar… Në një studio të vogël të Fernando Valey, jo larg Los Angelos, shtëpia producente, “Media For Krist”, ka punësuar përkohësisht 80 aktorë për një film të titulluar “Desert Vvarriors”. Ndërmjet aktorëve, edhe irakenë, libanezë e sirianë. Me të mbaruar xhirimet filmi u titullua: “Pafajësia e Bin Laden”, pastaj u ndryshua sërish dhe u quajt: “Pafajësia e Myslimanëve”.

Behet e ditur se dhe aktorët janë mashtruar dhe nga frika e gjetjes dhe ndëshkimit të myslimanëve. Ata kanë lëshuar edhe një komunikatë shtypi se: “gjatë lojës në film, nuk kemi thënë asgjë kundër Muhamedit, por gjatë dopjazhit janë vendosur fjalë dhe batuta që nuk janë tonat dhe personazhi kryesor quhej Xhorxh dhe jo Muhamed”, ka treguar artistja Cindy Lee Garcia tepër e frikësuar. Edhe producenti që të paktën deri dhe të shtunën qëndronte në anonimat, Stev Klein, njihet si njeri ekstrem i djathtë. Ai ka krijuar një shoqatë kundër abortit dhe ndërtimit të xhamive në Amerikë. Klein ka takuar mbi 100 sipërmarrës të fuqishëm izraelitë dhe pasi u ka bërë të qartë idenë me synim humbjen e Obamës në zgjedhje, biznesmenët nuk kanë nguruar të financojnë të lumtur shifrën rreth 5 milion dollarë, duke pranuar në operacionin financiar të deklarohen për disa media arabe, por AFP tregon se duken gjurmët e Mossad, shërbimi sekret izraelit, për të vendosur në vështirësi Obamën dy muaj para zgjedhjeve. Sipas planit dhe revoltave të parashikuara në botën arabe, Obama do detyrohej të sulmonte Iranin, aq shumë të dëshiruar nga Izraeli, por të frenuar me kohë nga Obama. AFP dhe gazeta italiane “Il Secolo XIX”, sjellin edhe detaje të tjera rreth komplotit që përgjaku dhe dogji ambasadat amerikane për fyerje filmi ndaj profetit Muhamed. Ndërkohë analistë e filozofë e shohin ndryshe “fyerjen”. Në demokraci lejohet fyerja, shkruan filozofi publicist Simone Regazzoni, në një artikull të këtyre ditëve të përgjakshme. Ai shton se, fyerja në demokracinë liberale është liri shprehje individuale dhe plotësisht demokratike, por që bie ndesh me Islamin jodemokratik. Liria e të shprehurit nuk është liri që pranohet nga të gjithë, dhe nuk shqetëson njeri. Një liri e tillë mosshqetësuese “akorduese” me të gjithë, nuk do kishte nevojë për mbrojtje. Kur thuhet se, liria e shprehjes është e mirë gjer sa nuk penetron në ndjenjat e sensibilitetet e njeriut, besimin etj,. nuk bëjmë gjë tjetër veçse frenojmë në thelbin e çështjes demokratike, përcakton në debat, filozofi. “Si ka shkruar edhe filozofi Ronald Dworkin,” vazhdon ai: “Esenca e lirisë së fjalës është liria për të fyer. Çdo fjalë a vepër shumë a pak edhe artistike është bërë edhe për të fyer, rriskon të fyej ndjenja apo sentimente të pakta a te shumta njerëzore. Shpesh bën kështu dhe debati njerëzor. Por nëse censurojmë çdo fjalë që nuk na pëlqen, nuk mundet më të flasim… Të mbrosh lirinë e fyerjes, nuk do te thotë të mos kujdesesh për të vërtetën dhe lirinë e tjetrit. Përkundrazi, të lejosh tjetrin të fyej, do të thotë të mbrosh lirinë e të shprehurit. Ambasadori amerikan vrarë në Libi dhe të tjerët, janë fakt i qartë i dhunës nga mungesa e demokracisë dhe lirisë së shprehjes edhe nëse vërtet ke marrë fyerje…” konkludon duke përcaktuar moslirinë e njerëzve në zona të përcaktuara të globit.

Natyrisht ngjarjet e fundit, janë në fokusin e të gjithëve ndaj dhe reagimet dhe deklarimet janë të shumta. E pranueshme është protesta, ashpërsitë e saj, por e papranueshme vrasja, krimi i pastër mbi njeriun që vlen më shumë se një ndërtesë e djegur e quajtur dhe ambasadë! Për vrasjet duhet të ndëshkohen dhe do ndëshkohen vrasësit!… Tablo e gjithanshme me viktima, shkatërrime,dhunë: të gjitha nga mungesa e lirisë, kulturës dhe demokracisë. Demokracisë reale që nuk limitohet as edhe në fjalë me fyerje!

Protestat anti-SHBA, pas publikimit të filmit

 -Një nga protestat më të ashpra u regjistrua në Sudan.

 -Rreth 10 000 njerëz sulmuan Ambasadën Gjermane në këtë vend dhe i vunë flakën asaj.

Protesta pati edhe para Ambasadës Britanike në këtë vend.

 -Në Libi, nga sulmi i egër në konsullatën e Bengazit, humbi jetën ambasadori amerikan Kris Stivens dhe 3 të tjerë.

 -Në Egjipt, partia “Vëllazëria Islamike”, e cila fitoi zgjedhjet, ka anuluar protestat e paralajmëruara në të gjithë vendin, duke lënë vetëm atë në sheshin “Tahrir” në Kajro. Të paktën 15 persona u plagosën në ditën e katërt të protestave në këtë vend.

 -Protesta pati edhe në Afganistan, për herë të parë të premten me gjithë përpjekjet e qeverisë për të bllokuar faqen e internetit.

 -Në Tunizi, qindra protestues shkuan në Ambasadën Amerikane duke sulmuar portën e saj. Protestuesit u ngjitën në mure e valëvisnin flamurin e zi të islamit.

 -Në Bagdad, Irak, qindra myslimanë shiitë bërtisnin “Jo Amerikës, jo Izraelit”.

 -Në Jerusalem, palestinezët marshuan nga xhamia al-Aqsa drejt konsullatës amerikane, por u ndaluan nga Polica izraelite.

 -Në Siri, qindra njerëz ishin mbledhur para Ambasadës Amerikane në Damask me pankarta, ku shkruhej se e dënonin filmin dhe administratën amerikane që kishte lejuar realizimin e transmetimin e tij.

 -Në Iran, Këshilli i Koordinimit të Propagandës mbi Islamin kërkoi protesta mbarëkombëtare për komplotin kundër myslimanëve “të mbështetur nga SHBA”.

Të dhëna rreth filmit:

-Titulli origjinal: “Luftëtarët e shkretëtirës”

 -Titull i modifikuar: “Pafajësia e myslimanëve”

 -Regjisor: Sam Bacile, Alias Nakoula Bassaley, kristian kopto kalifornian

 -Produksioni: Steve Klein, themelues i “Corageous Christian United”- grup ekstrem i djathtë fetar

 -Suport mbështetës kryesuar nga kleriku Terry Jones, Gainsville Florida, një drejtues i së djathtës ekstreme, që dy vjet më parë ka djegur kopje të Kuranit me rastin e ngjarjes së 11 shtatorit

 -Vlera e filmit: Rreth 5 milion dollarë

 -Financues: Rreth 100 investitorë izraelitë

 -Interpretues: Rreth 80 aktorë

 -Dyshime për komplot kundër Obamës, për të humbur zgjedhjet

 -Në demokracitë e zhvilluara lejohet e drejta për të fyer, sepse mbron të drejtën e fjalës!