Lotaria Amerikane, ja shkollat që do të njihen

3538
Ambasada e SHBA-së në Tiranë sqaron aplikantët e përzgjedhur për kriteret e kualifikimit të arsimimit
Ambasada Amerikane në Tiranë ka publikuar një këshillë për të gjithë ata që janë shpallur fitues të lotarisë së vizave të emigrimit. Me anë të një postimi në faqen zyrtare në “Facebook”, Ambasada kujtoi gjithë të përzgjedhurit, që përpara se të aplikojnë për vizë të kontrollojnë kriteret kualifikuese mbi arsimin ose mbi përvojën e punës. “Keni aplikuar për programin e Lotarisë? Keni rezultuar i përzgjedhur? Vizitoni faqen tonë të internetit: https://go.usa.gov/xNmVn për këshilla, udhëzime dhe pyetje të shtruara shpesh. Përpara se të aplikoni për vizë, sigurohuni që të kontrolloni kriteret kualifkuese mbi arsimin ose mbi përvojën e punës – jo të gjitha dëftesat e shkollave të mesme kualifikohen!”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Të gjithë aplikantët dhe sigurisht fituesit e Lotarisë së Vizave të Shumëllojshmërisë (DV) këshillohen të shqyrtojnë udhëzimet mbi kriteret e kualifikimit të arsimimit dhe punësimit para se të aplikojnë. Aplikanti kryesor (ai që është përzgjedhur në bazë të numrit të aplikimit) duhet të ketë arsimim apo punësim të kualifikueshëm me qëllim që të kualifikohet për një vizë të programit të lotarisë së DV-së. Aplikantët duhet të kenë mbaruar arsimin e mesëm me kohë të plotë që është i barasvlershëm me arsimimin në të paktën një shkollë të mesme amerikane (4 vjeçare, me kohë të plotë, arsim i përgjithshëm). Diplomat e shkollës së mesme gjimnaz me kohë të plotë kualifikohen për lotarinë. Shkollat e mesme profesionale me kohë të plotë mund të kualifikohen, nëse ato në thelb përputhen me kërkesat thelbësore të një të arsimi të mesëm me kohë të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendimi përfundimtar do të merret nga oficeri konsullor në ditën e intervistës për vizë.

Diplomat e shkollës së mesme me kohë të pjesshme – pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose ato me korrespondencë, përfshirë programet pesëvjeçare ose programet e gjata (me kohë të pjesshme, pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose me korrespondencë) nuk kualifikohen për programin e lotarisë. Edhe nëse fituesit kanë mbaruar një pjesë të shkollës së mesme në sistemin pa shkëputje nga puna dhe pjesën tjetër në sistemin me kohë të plotë, kjo diplomë nuk kualifikohet për programin e lotarisë. Ndërkohë, diplomat universitare kualifikohen për programin e lotarisë së DV-së.

Megjithatë, aplikantët që nuk përmbushin kriterin e arsimimit, duhet të përmbushin kriterin e përvojës në punë për dy vjet në një profesion që kërkon të paktën dy vjet trajnim apo përvojë brenda një periudhe pesëvjeçare menjëherë para aplikimit. Vetëm disa profesione specifike kualifikohen për programin e Vizave të Shumëllojshmërisë. Për t’u kualifikuar për një vizë të lotarisë mbi bazën e eksperiencës së punës, fituesit duhet të kenë brenda pesë viteve të fundit dy vjet përvojë në një profesion që është përcaktuar si Zonë Pune 4 ose 5, e klasifikuar në Përgatitjen Profesionale Specifike (SVP) të vlerës 7.0 ose më lart. Profesionet kualifikuese të DV-së janë të renditura në Bazën e të dhënave të Departamentit të Punës O*Net Online Database.

Çdo vit rreth 3 mijë shqiptarë fitojnë Lotarinë Amerikane, ndërsa numri i tyre që pajisen me vizë dhe largohen nga vendi arrin në rreth 10 mijë për shkak të familjarëve.
Sigal