Llazar Myzeqari, piktori që i jep jetë ngjyrave me penel

749
Sigal

Kujtoj me nderim të thellë profesorët e mi, si: Abdurrahim Buzën, Sadik Kacelin, Nexhmedin Zajmin

Kurdoherë ndër vite e vite, ka kundruar me ngulm natyrën dhe ka udhëtuar me mendjen e tij ngado për ta njohur, ndjerë e prekur shpirtin e saj. Natyrën pa fillim e fund, në tërësinë e veçantitë e saj dhe i bashkohet me bindje të sinqertë thënies së Spinozës: “Natyra është shkak i vetvetes”. Ndaj dhe u përpoq ngaherë t’i qëndroj pranë dhe ta pikturoj si i thoshte shpirti; “pikturova dhe vazhdoj ende, pa menduar sa dhe si arrita, pikturoj ashtu siç e ndjej dhe kjo është vetë ajo çka dua më shumë, kjo është bota ime…”.  Vjen pra vetiu, pa kuptuar dhe vetë, që jo rrallëherë gjatë orëve të kaluara në studio, duke punuar apo duke vërejtur ato që ka bërë ndër vite, mendja i përhumbet ndër kujtime mbi rrugën e përshkuar me pathos e dëshirë në ngrohtësinë e natyrës dhe mbi atë çka mori prej saj, mbi përpjekjet e tij për të hedhur në telajo sado pak nga madhështia e saj pa cak e pa kufi. Natyra në gjithçkanë e saj ka një përsosmëri të paarritshme, por që kurdoherë të jep mundësinë, përmes artit, ta thithësh fort në vetvete dhe më pas të japësh atë çka ajo të ushqen kaq dlirësisht dhe me bujari, duke ndjerë thellë në shpirtin tënd të bukurën përmes dritës e magjisë së ngjyrave. Sot, pas kaq e kaq vitesh, ai shikon qartë se ashtu si dhe shumë të tjerë përpara tij, sikundër dhe të tjerë që do të vijnë më pas, ka kërkuar të “mbërrij hënën”. Pas një jete përpjekjesh, e di që nuk e mbërriti dot, ashtu si të gjithë ata që e provuan deri më sot, sado që t’i jenë afruar dritës së saj. Por edhe pse nuk e mbërriti hënën, jetoi përmes yjeve. Kjo është piktura, të mundëson si shpirt i lirë të jetosh me ëndrrën, ndjesinë dhe dëshirën tënde atë përthithje të asaj që dëshiron të bësh. Përpjekja e rikrijimit të saj të jep lirinë e pakufi të artit, ku çdo gjë është e jotja dhe ti i përket asaj që krijon në vetvete dhe i jep jetë në telajo, kur ngadalë e kur vrulltas, kur në ngjyra të qeta e kur shpërthyese, ashtu siç përjeton natyrën dhe e kthen sërish me frymën tënde, aty e gjen veten të plotë.

Kujt ja dedikon arritjet?

Vërtet, natyrës i falem përditë për gjithçka që më ka dhënë deri më sot në përpjekjen time për ta kuptuar dhe përcjellë ashtu si e kam ndjerë që në vogli, kur mëngjeseve shihja diellin të lindte nga krahu i malit të Tomorrit dhe deri sa perëndonte, herë në flakërimë e herë qetë dhe fshehur pas reve, në krahun tjetër të kalasë së Beratit. Pra, fati kishte dashur të më ndihte që të lindja në një qytet me emër të dëgjuar për nga fama dhe pasuritë, qendër administrative mbretërish dhe perandorësh nga kohë tepër të vjetra e deri vonë…

Si filloi rruga jote drejt artit?

Një ditë më njoftojnë të paraqitem në seksionin e arsimit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit, një organ shtetëror siç është bashkia sot, ku ata të zyrave më thonë “Nisu për në Tiranë, do të vazhdosh shkollën për pikturë në liceun artistik “Jordan Misja”. Ndjeva në vetvete një gëzim të patreguar dhe turravrap mbërrita në shtëpi. Më vinte të bërtisja nga gëzimi dhe isha i mbushur me dëshirën për t’u bërë piktor. Çudia kish ndodhur, më ishte hapur rruga që dëshiroja aq fort. Mbërrita të nesërmen në Tiranë dhe një kushëri i imi, Pali Pacuka, të cilit ia di për nder sot e kësaj dite, i cili punonte në Ministrinë e Industrisë, më shoqëroi për në lice, ku u takuam me profesor Abdurrahim Buzën, i cili, pasi më pa, më dha nja dy modele allçie dhe më tha: “Djalë i mbarë, vizatoi siç di vetë e na trego mirë se ç’mund të bësh. Ke tre orë kohë, sa ç’kanë pasur të tjerët në garim, puno mirë edhe pse je me vonesë, do shohim si të të ndihmojmë’. Me të ikur ai, iu vura fort punës dhe, në krye të orëve, i kisha mbaruar vizatimet që më ishin kërkuar. Profesori erdhi më vonë dhe, pasi pa vizatimet, më tha: “Të lumtë djalosh, ke vizatuar mirë, për mua t’i bëhesh piktor dhe je i mirëpritur”. U kënaqa pamasë dhe isha skuqur sa nga ndrojtja aq dhe nga një krenari e brendshme. Zemra më rrihte fort, pasi po më realizohej një ëndërr. Por fati nuk deshi, pasi doli një telash nga më të papriturit: “…nuk  ka vend në konvikt, kështu që do të kthehet prapë në Berat dhe vitin tjetër do të fillojë duke e quajtur garimin të fituar’. Zemërthyer u ktheva pranë familjes në qytet dhe atë vit punova si ndihmës-marangoz, duke u ushtruar në vizatim dhe pikturë me ato mundësi të pakta që kishim.

Shkolla besoj është diçka e veçantë?

Pas një viti fillova liceun dhe kujtoj me nderim të thellë profesorët e mi, si: Abdurrahim Buzën, Sadik Kacelin, Nexhmedin Zajmin dhe mësuesen e pedagogji-psikologjisë, Fatbardha Gegën etj.. Mësuese Fatbardha jepte mësim në shkollën pedagogjike dhe në lice vinte si e “jashtme”, por ndikimi i saj në jetën time ka qenë vendimtar. Fatbardha Gega ishte një mësuese tejet e përgatitur, që njihte nxënësit dhe botën e tyre dhe gjente rrugë për të vënë këdo të studionte lëndët që ajo kurrë nuk i shpjegoi thatë, por na dha më shumë nga ç’kishin dhe vetë librat. Me një kulturë të spikatur për kohën, na tregonte jetët e artistëve të mëdhenj, periudhat e ndryshme duke u rikthyer gjithmonë te idhulli i vet: Da Vinçi…