Liza Laska, mëshirimi artistik i nënës labëreshë…

799
Sigal

Edi Rama-Kryeministër i Shqipërisë

U shua Liza Laska, një tjetër Yll i skenës dhe i filmit, që sot ka mbështjellë me të zeza Shqipërinë e artit dhe kulturës. I paharruar kujtimi i saj!

**************************************

Ajo realizoi me fisnikëri, më trimëri, me mençuri, me bukuri, me finesë

Nga   Sejmen Gjokoli

Nënkryetar i Përgjithshëm i shoqatës “ Labëria”

 Ajo u shua në mbyllje të gushtit, pas një venitje të heshtur e të ngadaltë, pasi i pat shënjuar të tetëdhjetë e tetat…

Aktoren e madhe të karaktereve, Liza Laska, mjeshtren e madhe në kinematografi e teatër, tani s’do ta kemi më midis nesh. Artiste me më shumë vlera se titujt dhe dekorimet e akorduara, pa dyshim.

Shtetit për Të i ngeli vlerësimi tek “ Artistja e Merituar “, ndërkohë që artdashësi popull i ka dhënë me pashë medaljen e madhe të Dashurisë dhe Mirënjohjes. Vlora pak vite më parë e certifikoi “Qytetare Nderi” të saj, duke e vendosur plot dinjitet në gjerdanin e atyre që qyteti vendos t’i ketë, edhe kur si ka më fizikisht, në ballë të nderit.  Një jetë në skenë e në sheshe xhirimi për t’u dhënë jetë mëse 120  roleve të interpretuara.  E prerë sidomos për interpretimin e roleve të gruas labe, të nënave labëresha sidomos. Jemi mësuar e mëkuar me ato dhjetëra role qysh fëmijë, kur nga ekrani na përcillej gruaja labe, mes shoqeve në shtigjet e malet me borë duke u shpurë bukë, ujë e rroba partizanëve. Në një udhë fshati, “Maleve me blerim mbuluar”, duke i lagur buzën me ujë Lilo Labes së plagosur e në sa e sa role të tjera aq shumë të spikatura si nënë.

Liza Laska, pa më të voglin hezitim, mund të konsiderohet aktorja që gdhendi e skaliti në mënyrën më të përkryer nënën dhe gruan labe. Me fisnikëri, më trimëri, me mençuri, me bukuri, me finesë.

Si nga asnjë tjetër , ndër koleget e saj, gruaja labe nuk erdhi në art më origjinale dhe më e drejtpërdrejtë, si portret, por edhe si akcent, se sa në imazhin e aktores Liza Laska. Mëshirim i gjallë, shkrirë në një.

Për këtë kontribut të jashtëzakonshëm të aktores së madhe, përpara pak kohësh, shoqata “Labëria”, përmes një aktiviteti mbresëlënës në teatrin “Petro Marko”, në tempullin, ku aktorja e papërsëritshme shkriu gjithçka kishte për artin dhe popullin e vet, e nderoi aktoren e madhe me titullin “ Mirënjohja e Labërisë”.  Lamtumirë aktorja jonë e madhe, ikonë plot shkëlqim e skenës dhe ekranit shqiptar !

Lamtumirë, Liza Laska, monumenti artistik i gruas dhe nënës labëreshë !

Për Labërinë do të mbetesh gjithmonë e gjallë, siç mbeten Nënat !

***************************************************************

Ajo ishte pjesëmarrëse  në operetën e parë “Agimi” si protagoniste kryesore

Veprimtaria artistike

Ka filluar punën si aktore pranë Teatrit  Popullor në Tiranë (sot Teatri Kombëtar) në vitet 1946-1948 për të vazhduar në vitet 1949-1952, aktore pranë Teatrit të Ushtrisë, ndërsa në vitet 1952-1953 kalon pranë Teatrit Profesionist të Shkodrës (sot Teatri “Migjeni”), ndërsa për 10 vjet rresht ajo emërohet aktore  në Teatrin profesionist të Korçës, ndërsa nga ky vit (1963) e deri sa del në pension në vitin 1982, aktore pranë Teatrit profesionist të Vlorës, sot Teatri “Petro Marko”, por edhe pas daljes në pension ne e shohim përsëri në skenë duke interpretuar.

Profesionalizmi i saj, si një aktore shumëplanëshe, bëri që ajo të ishte protagoniste, pothuaj në të gjitha shfaqjet e vëna në skenë nga kjo trupë, por nuk mund të linte pa tërhequr edhe vëmendjen e kinoregjisorëve tanë më të njohur. Kështu që ne, “Artisten e Merituar” Liza Laska e shohim sa në teatër, por edhe në filma duke skalitur e ndërtuar portrete nga më të spikaturat në role të ndryshme. Gjatë karrierës së saj artistike, për rreth gati 40- vjeçare ajo ka interpretuar mbi 150 role në teatër dhe në estradë. Gjithashtu, ajo është pjesëmarrëse  në operetën e parë “Agimi” si protagoniste kryesore. E shohim tek drama “Lidhur si fishekë gjerdani” si një pikë kulmore e viteve ‘70 me një lojë energjike. Nuk mund të shuhet nga kujtesa figura e Zyrakës tek  “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit, apo roli i Agathisë, interpretuar nga aktorja Liza Laska tek drama “Rruga Budi 723”

Në vitin 1973 ajo interpreton në komedinë klasike të Nikollaj Gogolit, rolin e Ana Andrejevnës.

Të spikatura dhe shumë të dashura janë rolet që ka gdhendur edhe në kinematografi. Ajo ka gdhendur rreth 15 role në kinematografi, si në filmat: “Lulëkuqet mbi mure”, “Dimri i fundit”,  “Liri a vdekje”,  “Shtigje lufte”, “Dhe vjen një ditë”,  “Gurët e shtëpisë sime”, “Familja ime”, etj.. Ajo ka skalitur në mënyrë të papërsëritshme figurën e nënës labe, duke mishëruar karakteristikat dhe virtytet e saj.

Duke folur për Teatrin e Vlorës, regjisori i njohur Dhimitër  Orgocka, “Artist i Merituar”, midis të  tjerave shprehet: “Do të desha të përmend një aktore jashtëzakonisht të madhe, të talentuar, Liza Laska, të cilën e kam patur partnere në Korçë. Ajo ndikoi ndjeshëm në emancipimin, jo vetëm shoqëror, por edhe artistik në teatrin tonë. U bë një nga gurët e themelit, së toku me aktorët e tjerë, themelues të Teatrit të Vlorës”. Kinoregjisori i njohur, “Artisti i Popullit”, Viktor Gjika e ka përkufizuar aktoren Liza Laska si një aktore veterane, ndërsa “Artistja e Popullit” Violeta Manushi duke folur për Teatrin e Vlorës, nuk harron të përmendi aktoren Liza Laska.

Dhe Lazër Filipi, “Artist i Popullit”, kujton:  “Mbaj mend  në vitet e para të pasçlirimit, Vlora erdhi në takimin e teatrove të asaj kohe me një pjesë të Ibsenit “Zonja Ingra e Ostrotit”, ku luante Liza Laska, ndërsa “Artistja e Popullit” Tinka Kurti shprehet: “Sot ne flasim me gjuhën e moshës sonë, por unë nuk mund ta kuptoj dot Teatrin e Vlorës pa Liza Laskën (Skrami).

Për kontributin e dhënë në artin skenik shqiptar ajo është vlerësuar:

       Në vitin 1955 i akordohet “Medalja e Punës”

       Në vitin 1970 i jepet Urdhri “Naim Frashëri” Klasi i Dytë

Në vitin 1973 i jepet titulli “Artiste e Merituar”

       Në vitin 1977 ajo është fituese e Festivalit të Filmit Shqiptar

       Në vitin 1984 artistes Lisa Laska i akordohet Urdhri “Për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore”.

Filmografia

  1. Malet me blerim mbuluar, (1971)

2. Brazdat, (1973)

3. Shtigje lufte, (1974)

4. Dimri i fundit, (1976)

5. Lulëkuqet mbi mure, (1976)…shërbyese e Strehës Vorfnore

6. Gunat mbi tela, (1977)

7. Liri a vdekje, (1979)

8. Plumba perandorit, (1980)

9. Në prag të lirisë, (1981)

10. Dritat e qytezës, (1983)

11. Vendimi, (1984) si nëna

12. Gurët e shtëpisë sime (1985)

13. Dhe vjen një ditë, (1986)…Nëna e Llano Bletës

14. Familja ime, (1987) …. Teta Kalina

15. Kthimi i ushtrisë së vdekur, (1989)

16. Vdekja e burrit, (1991)

17. Një ditë e mrekullueshme (2002)

Me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare aktorja e mirënjohur Liza Laska u vlerësua “Për kontributin e paçmuar e të pandërprerë në interpretimin me mjeshtëri si askush tjetër, të karakterit e integritetit të gruas dhe nënës labe, duke u shndërruar krenarisht ne “laben” e kinematografisë shqiptare”.Vërtet ajo u largua fizikisht nga kjo jetë, por ajo do të mbetet e paharrueshme në larminë e personazheve që ajo la pas.

 KOZMA BILLA