Lirim Biçaku: Rininë, me vuajtje të madhe; pleqërinë, me art të bukur

672
Sigal

INTERVISTA/ Flet ish i përndjekuri politik, piktori Lirim Biçaku

Jeta e tij është shumë e vështirë. Madje, deri diku e pabesueshme. Në vitin 1945 babai i tij arratiset së bashku me gjyshin dhe kështu rritet jetim. Konkurroj për piktor ku fitoi por për arsye biografie nuk e pranuan në shkollë. Por të qenit i internuar për 50 vjet bëri që ai të lexojë mbi 2 200 romane. Diktatura ia shoi ëndrrën e tij për pikturë dhe e degdisi murator dhe punëtor ferme, por ai asnjëherë s’e la mënjanë librin;  u rrit me të dhe me dëshirën që një ditë t’i kthehej penelit. Me ardhjen e demokracisë ëndrra e tij u realizua.

Ditët e fundit ju morët pjesë në një ekspozitë të artit pamor për gratë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Si e keni filluar pikturën dhe çfarë punimesh ke pasur në këtë ekspozitë?

Unë kam rreth 20 vjet që merrem me pikturë direkte, pasi më iku djali në Belgjikë. Pra ëndrrën time të parë, ëndrrën time të bukur munda ta prek me ardhjen e demokracisë?

Keni konkurruar dhe nuk iu kanë dhënë të drejtën e studimit?

Po. Në vitin 1956 unë konkurrova në lice për pikturë, fitova, por nuk u futa asnjë minutë në ambientet e Liceut Artistik, pavarësisht se e fitova konkursin. Kështu që fillova dhe mbarova gjimnazin dhe fillova punë në ndërmarrjen NSHN të Lushnjës. Pastaj dhe pse usta me kategorinë e shtatë, përfundova punëtor në parcelat e Myzeqesë deri në vitin 1992, ku ishim të internuar.

Pse ju internuan?

Internimi i familjes sime erdhi pasi babai im, Isufi me gjyshin Hazizin u arratisën në vitin 1945, pasi nuk e pëlqenin regjimin që erdhi pas Luftës së Dytë Botërore. Ata nuk e donin komunizmin. Kishin pikëpamje të tjera. Nuk ishin për zhdukjen e pronës private. Pas arratisjes ata shkuan në Stamboll. Vite më vonë babi im, Isufi shkoi në Bruksel, Belgjikë, ku dhe u martua sërish.

Kur u takuat me babanë?

Pas 48 vjetësh. Kur unë u bëra gjysh, pasi më lindi vajza, unë takova babanë, i cili erdhi në Shqipëri.

Cilat ishin vendet që iu internuan?

Nga viti 1845 deri në vitin 1950 kaluam nga Berati në Kuçovë, pastaj në Turan. Nga viti 1950-54 në Tepelenë dhe prej vitit 1954 deri në vitin 1992 në Savër të Lushnjës.

Internimi mbetet internim, çfarë të mire ke pasur në ato vite?

Internimi kishte midis të tjerash një të keqe shumë të madhe dhe një të mirë shumë të madhe. E keqja e madhe ishte se çdo ditë duhej të paraqiteshe në apel, pra shikoheshin mungesat, pasi kishin frikë mos arratiseshim. Se si, se di! Por e mira më e madhe ishte se në internim njiheshe me njerëz me emër të madh që kishin mbaruar studimet jashtë shtetit dhe kishin një kulturë të jashtëzakonshme. Ata ishin intelektualë të mirëfilltë, madje të gjithë dinin nga 3-4 gjuhë të huaja.

Çfarë bëje në kohën e lirë?

Lexoja dhe vetëm lexoja. Qysh nga viti 1950 dhe deri në vitin 1962 unë kam lexuar 2 200 romane. Pra në 12 vjet në çdo tre ditë mbaroja një roman.

Po pas përmbysjes së diktaturës u morët me politikë?

Aspak. Çdo gjë ia kushtova fëmijëve, arsimit të tyre dhe artit, pra pikturës. Kam tre fëmijë të arsimuar që kanë zënë pozicione në jetë.

Edhe pas përmbysjes së komunizmit ndenjët në Savër?

Jo. U punësova në Lushnjë dhe në vitin 1998 erdha në Tiranë, ku mu duk vetja emigrant, pasi në kryeqytetin tonë nuk kisha asnjë të njohur. Bëja xhiron e ditës qendër-shtëpi dhe anasjelltas pa patur një shok. Isha dhe i papunë dhe mendova t’i futem ëndrrës time të pikturës, apo të rri të luaj domino. Ju futa pikturës dashurisë sime të parë si profesion. Punova 4 vjet pa pushim ditë e natë pa njohur asnjë piktor në Tiranë. Pas katër vjetësh duke parë punët e mia u bëra mik me shumë piktorë.

Cilët ishin piktorët që të inkurajuan më shumë?

 Falë dy piktorëve, Bujar Zajmi dhe një piktor që punonte në Teatrin Popullor munda të hap ekspozitën e cila nuk u hap në Galerinë e Arteve për mungesë diplome, por u hap në galerinë T&G. Pas hapjes së kësaj ekspozite unë u njoha me shumë piktorë të tjerë, të cilët kanë lënë shënimet dhe impresionet e tyre në librin e përshtypjeve për mua. Pas kësaj ekspozite kalova nga punimet në akuarel, në punimet në vaj.

Sa  ekspozita personale dhe të përbashkëta keni hapur deri tani?

Deri tani kam hapur 7 ekspozita personale dhe më shumë se kaq të përbashkëta. Thuajse çdo vit kam hapur një ekspozitë vetjake dhe një të përbashkët.

Tek ekspozita “Gruaja Shqiptare” me rastin e 100-vjetorit si morët pjesë dhe sa punime kishit?

 Në këtë ekspozitë u përzgjodha nga një komision nga Galeria e Arteve. Në radhë të parë për këtë ekspozitë duhej të kishe piktura vetëm për gratë, femrat . Unë paraqita disa punime femrash dhe komisioni përzgjodhi tre punime të miat.

Si ndihesh sot?

Rininë e kalova me vuajtje të madhe, pleqërinë po e kaloj me art.

Sa piktura keni në fondin tuaj?

Mund të jenë mbi njëmijë. Mendoj aq, por mund të jenë dhe më shumë.

Ju thatë se nga akuareli keni kaluar në vaj. Po tani i përdorni të dyja llojet e bojërave?

Po nga akuareli kam kaluar në akrelik dhe së fundi në vaj. Pra sot punimet e mia dominojnë në vaj. Secila lloj boje ka hiletë dhe delikatesat e saj. Por të gjitha duan kujdes në përdorim.

Sot rendet pas pikturës abstraksioniste. Ju e përdorni këtë rrymë apo jeni në për pikturat reale dhe peizazhit?

Unë pikturat i kam filluar me punime reale, të cilat i paraqita në ekspozitën e parë. Në këtë ekspozitë pikturat kishin vetëm pesë për qind dritë dhe dominonte errësira. Pastaj ishte këshilla e djalit që e kam piktor në Bruksel, i cili më tha: Babë, duhet të shohësh dritë, nuk u ngope 50 vjet me errësirë?

Dhe tani po të shohësh punimet e mia, kanë 95 për qind dritë dhe pesë për qind errësirë. Në ekspozitën e fundit Naxhi Bakalli  tha tri fjalë: “Lirimi është i lirë që s’i ngjan kurrkujt”.

Kjo tregon se ke individualitetin tënd?

Po. Mendoj se e kam krijuar këtë individualitet. Por dua të them se vitet e fundit kam kaluar tek abstraksionizmi pasi kur lexova një libër të një piktori abstraksionist Kandist që shkruante që 70 vitet e mia i humba për të prekur të virgjërën natyrë, të cilën nuk  e arrin askush, tani ju ktheva ëndrrave të mia që më bën të qartë. Ndërsa Salvador Daliu mbetet piktori më i mirë abstraksionist. Unë sot punoj 8 orë në ditë, duke pasur parasysh këta njerëz të mëdhenj të abstraksionizmit.

Po në regjimin komunist nuk u more fare me pikturë?

Si t ë merresha? Puna më lodhte, por kryesorja nuk kisha vegla pune, penela, kanavaca, bojëra. Ku kisha mundësi t’i merrja. Por edhe të bëja, kush më linte t’i ekspozoja?

Cili është vlerësimi më i madh që ju është bërë si piktor?

 Nga një amerikan, i cili ndoqi një ekspozitë timen. Ai tha kështu (thënien e tij e kam në librin e përshtypjeve): “Në toka të pashkelura, gjen lule të paprekura”!…