Liliana CINGU: Në moshën e ëndrrave të mia, doja t’i ngjaja Besim Zekthit

2591
Si një fëmijë i zakonshëm kam pasur ëndërr për t’u bërë artiste. Mbrëmjeve me prindërit shkonte në pistat dhe sheshet e kërcimit (në moshën 6 vjeçe), ku luante dhe argëtohej. Pjesëmarrja në Pallatin e Pionierëve dhe kursin e valleve, pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve në moshën 12-vjeçare, i shërbyen mjaftueshëm që ajo të dashurohej përjetësisht me artin.
Në vitet 1967, kur ju, ende ishit vetëm 16 vjeçe, flitej se ishte zbuluar një talente e rrallë, që do t’i vinte skenës shqiptare. Vërtetë, si i përjetuat hapat dhe emocionet e para në skenë?
Në moshën e ëndrrave të mia, doja t’i ngjaja artistëve që kishin bërë emër, në veçanti legjendës së skenës, Besim Zekthi. Kjo u realizua në moshën 16-vjeçare,si profesioniste në Ansambël.
Ç’do të thoshit për ikonat e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore shqiptare, Besim Zekthi dhe Zoica Haxho, të cilët më pas do i kishit kolegë dhe partnerë në skenë?
Në fillimet e punës time në Ansambël, shpesh i bëja pyetje vetes se, a mundesha unë të realizoja ëndrrën e hershme për të kërcyer, si Besim Zekthi e Zoica Haxho, madje t’i kisha dhe partnerë në skenë?… ëndrra mu realizua..
A ka pasur paragjykime në atë periudhë, që një vajzë si ju të ndiqte rrugën e artit, madje të përfaqësonte bindshëm, brenda e jashtë vendit, vallen shqiptare?
Gjithmonë në vitet e diktaturës, çdo artist ndihej i frikësuar, sidomos ne femrat. Njerëz jo artdashës thoshin, “eh, artiste këto…” Unë vazhdoja të realizoja ëndrrën time, të interpretoja në skenë, duke mposhtur thashethemet, ‘pushtova’ skenën… ndihesha krenare.
Magjia që të falte vallja, ishte virtyt i trashëguar nga familja juaj apo trokiti thjeshtë, pa bujë tek ju?
Përherë në familjen time ka pasur një dashamirësi për artin për vallet e vendit tonë dhe këta ishin prindërit e mi, që sot nuk jetojnë. I kujtoj me shumë dashuri e mirënjohje, duke më dhuruar gjithë jetën, mbështetjen e tyre, në rrugën time të artit.
Së bashku me “Mjeshtrit e Mëdhenj”, Besim Zekthi dhe Rexhep Çeliku, keni interpretuar valle me peshë. Sa ka ndikuar ky bashkëpunim dhe kjo performancë, në trinomin Zekthi-Cingu-Çeliku, në arritjen e suksesit?
Kam qenë e mrekulluar që unë kam pasur partner “Mjeshtra të Mëdhenj”, Besim Zekthi dhe Rexhep Çeliku, ku mbështetja e tyre, tek talenti im ka ndikuar shumë. Bashkëpunimi e performanca kanë ndikuar në shumë evenimente e koncerte me vallet tona, me shumë peshë. Duke arritur suksese, u krijua figura jonë tre “Mjeshtra të Mëdhenj”, Zekthi-Cingu-Çeliku.
Çfarë të veçante kanë vallet tona, krahasuar me ato të vendeve të tjera, duke bërë që të pëlqehen nga çdo spektator në botë?
Vendi ynë është burimi i valleve perla, duke filluar nga Veriu në Jug. Madje nga Kosova, Maqedonia, Çamëria dhe Mali i Zi, pëlqehen e duartrokiten shqip.
Sa ka ndikuar tek ju, përvoja e talenti i profesorëve,“Artist i Popullit” Panajot Kanaçi dhe “Mjeshtrave të Mëdhenj” Agron Aliaj, Gëzim Kaceli dhe të tjerë në karrierën tuaj artistike dyzetë e tre vjeçare ?
Sot unë jam me merita, falë talentit e punës sime të palodhur. Mendoj se një rol të veçantë në projektimin, ndërtimin dhe interpretimin e valleve, të cilat me të drejtë janë vlerësuar si perla të artit tonë, kanë luajtur “Arkitektët” e koreografisë shqiptare, “Artist i Popullit”, Panajot Kanaçi, “Mjeshtrat e Mëdhenj”, Besim Zekthi, Gëzim Kaceli dhe Agron Aliaj.
Vallet gjigande,“Vallja e shqipeve”,“Festë të madhe ka sot Shqipëria”, “Komitët e Lirisë”, “Motive të Librazhdit”, “Dasma e Rugovës” dhe sot kujtohen me nostalgji nga spektatori. Mendoni se, vërtetë këto valle vlerësohen si ajka e valles shqiptare?
Është vërtetë bukur që këto valle, që ju përmendni dhe sot mbeten ende të freskëta në kujtesën e spektatorit. Me këto valle perla, jemi nderuar në gjithë botën, duke u kujtuar me nostalgji, sepse janë krijimtari e koreografëve tanë mjeshtra. 
Keni arritur të shpalosni vlera të papërsëritshme, të artit shqiptar në Suedi, Norvegji, Finlandë, Francë, Egjipt, Turqi, Azi, Afrikë…në të gjithë botën. Cili spektator i këtyre shteteve dhe kontinenteve, ju ka mrekulluar më shumë?
Çdo arritje e vlera të valleve, që unë kam kërcyer në vendin tonë dhe kudo në botë, kanë qenë pasqyra e bukurisë se pashtershme burimore të valleve në vendin tonë. Ato janë duartrokitur kudo, dhe spektatori ka qenë i mrekullueshëm na ka vlerësuar…nuk më largohet nga mendja, gjerdani i artë në Francë në vitin 1970 .
Gjithsesi, fituesi i trofeut “Gjerdan i artë” në vitin 1970, në Festivalin Botëror në Francë, ku konkurronin 44 vende përbën suksesin më të madh që ka arritur Vallja dhe muzika shqiptare në historinë e saj. Mendoni dhe ju kështu?
(Qesh) Ende e kam të freskët në kujtesë suksesin e arritur në Francë në vitin 1970, ku midis dyzetë e katër shteteve nga e gjithë bota, fituam trofeun “Gjerdan i Artë”. Padyshim kjo na bënë krenar për vendin tonë, sepse atë gjerdan e fituam me meritë.
Liliana, keni kërcyer valle tipike me motive dhe muzikë të ndryshme, shqiptare. Cilën prej tyre do të veçonit si të interpretuar me më shumë përkushtim?
Një nga vallet epike që kam kërcyer është “Luftëtarët e lirisë”, e cila shfaqet bukur në atë motiv lëvizjesh, janë luftëtarët si Azem Galica dhe Shote Galica ….
Është kjo valle, e cila edhe sot ju motivon për ta interpretuar sërish me shumë pasion?
Natyrisht. Është një nga vallet që të jep forcë për ta kërcyer me krenari.
Jo pak artistë janë shprehur se, në periudhën e ashtuquajtur diktaturë, kanë përjetuar censurë në punën e tyre. Ju a keni patur një “fat” të tillë absurd?
Në kohën e ashtuquajtur diktaturë, nuk ka pasur artist të talentuar, pa u prekur në biografi. Këtë fat e kam përjetuar dhe unë,si një artiste që sillja modën në institucion. Fati më ka ndjekur, se kisha talentin dhe ata që zbatonin çdo porosi nga lart, zmbrapseshin. Faleminderit, talentit tim, që mua nuk më larguan nga skena.
Jeni cilësuar si “Kartolina e Ansamblit”, “Perëndesha e Valles Shqiptare”, “Shtojzovallja”, madje kohët e fundit u kurorëzuat me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe” dhe titullin prestigjioz “Ambasadore e Paqes” në botë. Çfarë përbëjnë për ju këto vlerësime?
Jam ende, duke marrë pjesë në aktivitete në Shqipëri dhe vende të tjera. Shumë aktivitete pa fund, nuk numërohen. Për sa u përket cilësimeve dhe vlerësimeve, që ju Fadil po shpreheni tani, patjetër që ndihem krenare dhe e obliguar të punoj ende në skenat tona dhe ato botërore .
Lilianë, në këtë Ansambël, cilësuar emblema e valles shqipe, ka kënduar e paharruara, e madhja ,“Nderi i kombit” Vaçe Zela, të cilën ju e keni pasur kolege dhe shoqe të afërt. Si do e kujtonit emrin dhe veprën e saj në këto momente?
Artiste e madhe, njeri me shumë vlera. Gjithmonë do të na mungojë emblema, e madhja, “Nder i Kombit”, Vaçe Zela, ku unë kam pasur fatin në shumë turne të shoqëroheshim bashkë. Një talente si Vaçja, duhet kohë t’i vij kombit tonë. Prej saj, fitova më shumë talent dhe kulturë profesionale. Faleminderit, Vaçe!
Çfarë ndjesie përjetuat, kur disa dekada më parë, në një shfaqje që Ansambli ynë dha në Kosovë për herë të parë, ju prekët tokën e vendlindjes të babait tuaj?
Në vitin 1971, kemi pasur fatin,që për herë të parë të bënim turne në gjithë Kosovën. Kemi përjetuar shumë emocione. Të shkosh në vendin tënd me një kulturë e një gjuhë, do përjetosh emocione të mëdha, sepse unë prekja tokën e vendlindjes të babait tim, Gjakovën. Babai im prej vitesh përjetoi mungesën e tokës mëmë,pragun e shtëpisë së tij. Mbyllja e kufirit, e shoqëroi deri në fund të jetës së tij…
…dhe vjen një ditë…kërcimi i fundit që keni interpretuar në skenë.
Për të kujtuar skenën në kërcimet e mia të valles me trupën e ansamblit, nuk më kanë shteruar, por dua të përmend recitalin e fundit me Rexhep Çelikun dhe trupën në vitin 2011, recital me shumë vlera artistike timen në këtë moshë. 
Çdo të thotë për ju, të jesh valltare e kompletuar, e suksesshme?
Të kompletohesh si valltare e suksesshme, duhet punë ,shumë punë dhe natyrisht talent.
Keni qenë në jurinë e disa festivaleve. A keni spikatur mes tyre ndonjë vajzë të vogël, si dikur Liliana Cingu?
(Qesh) Më vjen mirë që ma bëni këtë pyetje ..unë nuk mundem të them, por publiku po … Dëshira e talenteve të reja është: Të bëhemi si Lili Cingu .
Cilën periudhë të jetës suaj, do e vlerësonit si më të bukurën?
Çdo periudhë për mua ka qenë e bukur, vlerësimi është kudo. Këmba në skenë dhe shqiponja fluturon.
Mësuam se, së bashku me të afërmit tuaj ju keni ngritur një ansambël të valleve, ku të gjithë janë të talentuar. E vërtetë?
Kam pasur shumë dëshirë që nga familja e prindërve të mi të ishte një fëmijë artist, si unë. Por çuditërisht të gjithë e kishim në gjak vallen. Përveç meje, motra Lindita dhe mbesa, Nevisi, ishin valltare të ansamblit të ndërmarrjes artistike “Migjeni”, motra tjetër, Tatjana me Kombinatin Tekstil, nipi me grupin “Bashkimi Kombëtar” të Nju Jorkut, Amerikë, mbesa Neslinta, me grupin e Athinës, Greqi, dhe së fundi mbesa 4 vjeçe në Angli. Pra një familje artistësh, me bukurinë e valleve tona.(qesh)
Keni menduar ndonjëherë me veten, se në moshën e rinisë po të konkurronit në një spektakël të miseve, do të ishit një mis Albania?
Oh, dëshira ka qenë e madhe, po më kanë kapur ato vite, ku në vendin tonë nuk zhvilloheshin spektakle misi, sepse ishte vend me diktaturë dhe misi konsiderohej modë. Në vitet e demokracisë, që u bë për herë të parë në vitin 1992, Mis Shqipëria, ku kam qenë në juri, shikoja ato vajza të bukura doja që të gjitha të ishin me kurorën e misit. Vlerësim për bukurinë shqiptare.
Vitet e fundit, jetoni në Kanada. Cili motiv ju shtyu të jetonit në këtë vend të largët?
Për disa vite kam jetuar në Kanada, Toronto. Ka qenë viti 1997, viti i errët për vendin tonë. Detyrohem si shumë të tjerë, por jo për të mos u kthyer. Punova me artistë valltarë të vegjël, ku u mësoja bukurinë e valles të vendlindjes, të prindërve të tyre. Pasioni i tyre ndihma e shoqatës ku unë isha e emëruar, bëri që edhe sot ato të kërcejnë në festa e festivale.
Mendoni se vlerat tuaja si Artiste e Madhe, me vlera kombëtare e botërore, bënë që parlamenti kanadez, t’ju nderoj juve në fundvitin e kaluar me diplomë, si Artiste e Madhe?
Puna ime në Kanada është vlerësuar nga parlamenti kanadez, ku është thënë se një artiste e madhe, e një vendi të vogël siç është Shqipëria, është nderë për Kanadanë. Gjithashtu unë vlerësohem nga shoqata shqiptaro- kanadeze e Torontos me shumë vlerësime,për 100 vjetorin e vendit tonë. Po kështu jam vlerësuar, për kontribut të shquar në çështjen shqiptare dhe lartësimin e emrit të shqiptarëve në Toronto, nga shoqata e bashkësisë shqiptaro- kanadeze, me kryetare Dr. Ruki Kondaj. Gjithçka kam arritur, ja dedikoj talentit tim, artit të mrekullueshëm të vendi tim.
Ju keni ardhur disa herë këtu në Amerikë, në aktivitete të ndryshme artistike, kulturore të shqiptarëve, madje flitet për një bashkëpunim tuajin në hapjen e shkollës së Kulturës shqiptare, pranë Ansamblit shqiptar të Nju Jorkut, mbështetur nga shoqata “Bashkimi Kombëtar”. Si e vlerësoni ju këtë bashkëpunim?
Kam ardhur disa herë në Amerikë, me Ansamblin tonë , me ftesa që më kanë bërë për koncerte, por edhe duke punuar me grupin artistik në Nju Jork “Bashkimi Kombëtarë” me kryetar të grupit, të pa lodhurin Gjergj Dedvukaj, shumë artdashës. Mendoj se bashkëpunimi ynë ka dhënë shumë frute artistike dhe për këtë jam e lumtur …pse jo. 
Çfarë përbën për ju, trekëndëshi Tiranë-Kanada-Nju Jork?
Të jesh e angazhuar për artin duke dhuruar talentin tim, është diçka shumë e bukur. Ndjehem vërtetë krenare që jetën time e përjetoj në trekëndëshin e bukur Tiranë- Kanada-Amerikë, duke shfaqur kudo vlerat e mrekullueshme të artit tonë. Muajin e kaluar në Shqipëri, unë isha e angazhuar me ansamblin e valleve shqiptare dhe jurinë e festivalit kombëtarë të valleve burimore folklorike, zhvilluar gjatë muajit tetor në qytetin e Lushnjës. Ndoqa me kureshtje e vëmendje çdo valle të interpretuar me shumë talent nga të gjitha grupet pjesëmarrëse. Vlerësuam vlerat e reja të artit tonë, i cili po kalon i shëndetshëm dhe tek të rinjtë. 
Liliana Cingu, nesër…?
Festat e nëntorit po afrojnë e pse jo Lili në Toronto, Kanada për 28 nëntorin, nxënësit më kërkojnë. Ndërkohë parlamenti kanadez më datën 19, ku jam e ftuar me disa anëtarë të shoqatës dhe njerëz të cilët kontribuojnë për shqiptarët në Toronto, ka vendosur, që në Toronto ato ditë të zhvillohet, trashëgimia kulturore për vendin tonë. Falënderoj shoqatën e bashkësisë shqiptaro- kanadeze, e cila drejtohet me shumë përkushtim nga dr. Ruki Kondaj, Aida Bejte dhe koreografi i pasionuar Ramazan Këllezi, për këtë eveniment të veçantë. Si një talent që jeta më ka ndihmuar të marrë këto vlerësime, po pres që në muajt e parë të vitit të ardhshëm, të bëj recitalin e tretë, së bashku me Rexhep Çelikun dhe artistë të tjerë me emër. Gjithsesi nuk do më mungoj vendlindja e mamit, Shkodra dhe vendlindja e babit, Gjakova. Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët!


Intervistoi: FADIL SHEHU
Florida, SHBA, Nëntor 2015
Sigal