Lili Gjidodaj: Pak më intereson se ç`thonë njerëzit !

623
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore qytetare, Lili Gjidodaj

Një këngëtare e preferuar, një nënë e mrekullueshme, një familjare korrekte. Asaj nuk i bëjnë përshtypje thashethemet, pasi sipas saj, gojët e botës nuk mund të mbyllen dot. “Kryesorja në jetë është të punosh, të krijosh, të besosh në dije dhe të përparosh”,- thekson Lili. Kur flet, ajo buzëqesh dhe përhap mirësi. Pas lindjes së djalit bëra një periudhë pushimi nga koncertet e dasmat. Tani kam kapur ritmin e punës, gjatë gjithë verës kam qenë e zënë me evenimente brenda dhe jashtë Shqipërisë, përfundon ajo.

 -Lili është një këngëtare e njohur, por lexuesit e “Telegraf” duan të dinë më shumë rreth jush…

Së pari, i përshëndes të gjithë lexuesit e juaj, ndërsa sa i përket të rejave, së fundmi kam qenë pjesëmarrëse në Musical Fest me një këngë të re timen dhe shpresoj që t’ju ketë pëlqyer të gjithëve. Gjithashtu, klipi im më i fundit së bashku me Perlat Sheqerin, ka qenë një sukses i padiskutueshëm.

 -Si janë ditët e tua, duke pasur parasysh që jeni edhe nënë?

 Ditët e mia pak a shumë janë njëlloj. Çdo mëngjes çoj djalin në kopsht dhe shkoj ta marr në orën 4. Gjatë këtyre orëve mbaroj punët e shtëpisë apo detyrimet e tjera që duhen bërë. Pasi e marr djalin, nuk ka ditë mos ta çoj te lodrat, bashkë me nënën time. Mund të them me plot gojën se ia kam dhuruar kohën tim biri. Shohim kukullat bashkë… me pak fjalë, për çdo gjë që ai ka nevojë unë jam afër tij.

-Çfarë e bën të vështirë jetën e një nëne në karrierë?

 Do të kisha dëshirë që në shumë raste ta çoj vetë tim bir në gjumë. Kjo mund të them është një nga vështirësitë kur je nënë. Të mos jesh gjithmonë pranë fëmijës tënd, por e thashë më sipër, unë veç rasteve kur jam në punë, gjithë kohën ia kushtoj atij.

 -Tashme jeni një këngëtare shumë e njohur dhe keni shumë fansa, cilat mendoni se janë armët e tua më të forta që kanë goditur zemrat e fansave të tu; oratoria, bukuria, çiltërsia, inteligjenca, apo ëmbëlsia e zërit tënd?

(Qesh).Unë ju falënderoj dhe këto po i marr si komplimente, ndërkohë, shpresoj që të jetë kështu, që vërtetë të kem shumë fansa, fjalë, e cila mund të konvertohet fare mirë me shkëmbim dashurie. Është fitorja më e madhe për një njeri, i cili i hyn karrierës televizive dhe arrin të fitojë zemrat e njerëzve. Mendoj që, armët më të forta mund të kenë qenë thjeshtë të qenurit e vërtetë, pa diskutim vetvetja dhe ndoshta komunikimi i sinqertë me njerëzit, pa falsitet, pa shtirje, por shumë i drejtpërdrejtë, shumë i natyrshëm.

  -Kush ju ka ndihmuar më shumë në gjithë këtë rrugë, të themi?

 Familja ime. Veçanërisht im atë, që më ka mbështetur gjithmonë dhe vazhdon të më mbështesë. Njëkohësisht mbështetje e madhe për mua ka qenë edhe bashkëshorti im i cili me kupton në gjithçka.

 -Si i ke marrëdhëniet me djalin? A e kupton ai që nëna e tij është e famshme?

E vetmja gjë që mund të them është se është një fëmijë shumë i mbarë. E kupton shumë mirë që nëna e tij është e famshme. Madje, ndonjëherë më thotë: “Pse nuk gjen një punë ditën”(qesh). Pastaj mua (meqenëse fëmijët sot janë më të zhvilluar sesa kemi qenë ne), më duhet t’ia shpjegoj me imtësi sesi është puna e një këngëtareje dhe pse më shumë këndon në darkë dhe jo ditën.

-Tani flasim pak për anën tënde profesionale. Të ka penguar një fëmijë i vogël në punën tënde, pasi dihet që të duhet të udhëtosh, të punosh me orare të zgjatura, ndonjëherë deri natën vonë…

Fjalën pengesë nuk do ta përmendja. Për mua ky ishte një hap i menduar mirë. M’u desh vetëm një riorganizim i jetës, duke i krijuar vetes mundësinë për të punuar, por edhe për të shijuar rritjen e fëmijës tim. Djali është gjeja më e mirë që kam bërë, ai tani është një shtysë pozitive dhe kuptimplotë, aspak pengesë. Pas lindjes së tij bëra një periudhë pushimi nga koncertet e dasmat. Tani kam kapur ritmin e punës, gjatë gjithë verës kam qenë e zënë me evenimente brenda dhe jashtë Shqipërisë.

 -Çfarë do të thotë të jesh nënë?

Nënë, një fjalë e shenjtë dhe kuptimplotë, në të njëjtën kohë nënkupton seriozitet, përkushtim dhe sakrificë. Kur bëhesh nënë e sheh veten në një tjetër pikëpamje, je më e përgjegjshme në atë që thua dhe në atë që bën. Unë që kur jam bërë nënë kam një këndvështrim shumë largpamës dhe një karakter shumë të fortë, jam shumë e vendosur në atë që bëj dhe që shikoj në të ardhmen.

 -Më trego pak për ëndrrat e tua prej nëne, dëshirat që ke për të ardhmen e fëmijës tënd…

 Në këtë drejtim jam pak egoiste. Mendoj se çdo nënë e tillë është për fëmijën e saj. Dua që të rris një fëmijë të edukuar, të pastër, të rregullt, që të mos i mungojë asgjë. Dua që të jetë më i mirë se të tjerët, të jetë lider – jetojmë në një botë të egër dhe nëse nuk je i tillë do ishte shumë e vështirë të mbijetojë. Që kur lindi kam dëshiruar që kur të rritet të merret me diplomaci.

 -A të ndryshon lindja e një fëmije?

Patjetër që po. Mund të them se ndjesia e mëmësisë më ka ndryshuar totalisht këndvështrimin për jetën, veten dhe të ardhmen. Ardhja në jetë e djalit tim më bëri të ndihem e plotësuar. Çdo ndikim që solli lindja e tij në jetën time ishte për mirë.

  -Sa të prekin thashethemet?

 -Pak më intereson se çfarë thonë apo mendojnë njerëzit!

-Pro apo kundër kirurgjisë plastike ?

 Patjetër që pro, kjo gjë është në dëshirën e personit.

 Jeni për Martesë apo Bashkëjetesë ?

Sigurisht të dyja, në kohën e duhur.