Lili Gjidodaj: Kënga "Me valutë", ishte një triumf jashtë parashikimeve

Personazh/ Flet këngëtarja Lili Gjidodaj: Jam e drejtë, e çiltër dhe natyrë impulsive

E pëlqyer dhe e kërkuar, me një elegancë të spikatur profesionale, Lili Gjidodaj është një ndër këngëtaret më përfaqësuese të muzikës popullore, që ka ditur me mjeshtëri të konkurrojë fort në tregun muzikor. Pas disa klipeve të suksesshme, vjen në këtë intervistë duke na rrëfyer projektet e saj më të reja, jetën private e planet e kësaj vere që, parashikohet të jetë e nxehtë ...

-Lili, jemi në prag të verës, kohës kur në treg ka “bum” klipesh. Ju po përgatiteni për ndonjë projekt të ri, klip a material të ri muzikor?

Para pak kohësh kam lançuar klipin tim më të ri muzikor “Pa ty s`jetoj”, një bashkëpunim (duet) me këngëtarin e mirënjohur shqiptar, P. Sheqeri, i cili u prit mirë nga publiku dhe fansat.

-E kënaqur nga bashkëpunimi me Perlatin?

Patjetër që po, por jo vetëm nga Perlati, por nga i gjithë bashkëpunimi. Them se kemi bërë një punë të mirë.

-Cila ishte gjëja që, të pëlqeu më shumë nga puna me ‘të?

Po ajo që, të pëlqeu më pak? Ajo që mua më pëlqeu ishte serioziteti në punë dhe impenjimi artistik. Perlati është shumë komod në punë, kështu që, nuk pati asgjë që të mos më pëlqente puna me të.

-Ka pasur skena të vështira, apo të lodhshme ky klip për ty?

Po, sigurisht ! Çdo punë që, kërkon përkushtim, ka edhe lodhje brenda.

-Së fundi keni qenë pjesëmarrëse në Festivalin e muzikës popullore shqiptare, Musical-Fest. U ndatë e kënaqur nga ky event? Cilat ishin komentet e fansave dhe kolegëve për këtë këngë?

Po, u prezantova me këngën "Me valutë", i cili rezultoi mjaft i suksesshëm, Komentet ishin vërtet pozitive.

-Si ju pret publiku jashtë ?

Me të vërtetë që na pret jashtëzakonisht shumë mirë. Sidomos publiku jashtë vendit, kudo ku ka shqiptarë. Ata kanë mall të dëgjojnë këngët tona popullore. Unë kam udhëtuar shpesh nëpër Europë dhe e shikoj reagimin e tyre gjatë koncerteve që japim jashtë vendit.

-Po me klikimet je e fiksuar? A e kontrollon numrin e tyre?

Klikimet janë një mënyrë për të kuptuar suksesin e një kënge dhe unë padyshim që, i kontrolloj, por nuk e jam e fiksuar...

-Lili, je penduar ndonjëherë që, ke zgjedhur rrugën e muzikës, që jeni bërë këngëtare ? Asnjëherë, nuk ka qenë një përzgjedhje momentale, nuk jam bërë këngëtare rastësisht. Ajo është një ëndërr që, ka filluar realizimin e saj që në fëmijërinë time.

-Si arrin të udhëtosh kaq shumë pa u lodhur?

Jam mësuar dhe tani nuk më bëjnë përshtypje më udhëtimet. Lodhjen më shumë e ndien kur udhëton për një koncert ,dy apo tre ditë, por kur rrimë më gjatë, edhe nuk e ndiejmë lodhjen.

-Është e mërzitshme jeta larg shtëpisë, nëpër turne dhe hotele?

Kjo varet se si përjetohet nga çdo njeri. Për mua nuk është dhe aq e mërzitshme edhe pse kur qëndrojmë nganjëherë më gjatë se ç’duhet na bëhet dhe pak e mërzitshme sepse na merr dhe malli për njerëzit që lëmë këtej. Por që jam mësuar dhe nuk më bën dhe shumë përshtypje.

 -A ka xhelozi profesionale si kudo, apo më e fortë në muzikë?

 Unë nuk kam patur dhe nuk kam xhelozi profesionale. Unë jam Lili dhe kam adhuruesit e mi, ashtu si çdo këngëtar tjetër. Konkurrenca është e fortë, por po punove arrin të shijosh dhe frutet e punës.

-Si mund ta përshkruani veten me tre fjalë?

Jam e drejtë, e çiltër dhe natyrë impulsive.

-Tre kënaqësi?

Skena, Shopping e udhëtimet.

-Gjuhët e huaja që zotëroni ?

Italisht, Anglisht...

-Jeta private, si shkon?

Shkon shumë mirë.

-Cila është dëshira jote më e madhe?

Të realizoj një album muzikor për adhuruesit e mi. Kam realizuar disa klipe dhe mendoj se tani ka ardhur momenti për një album të plotë...