Lidia Capa: Ekspozitën time të parë e ka prezantuar Rudina Magjistari, mbetet një ditë e bukur

677
Sigal

INTERVISTA/ Flet piktorja dhe mësuesja Lidia Capa: Punoj dhe luftoj që të më pranojnë kështu siç jam

Lidia Capa, një emër tepër i veçantë që vjen nga shtresa e Personave me Aftësi të Kufizuar. Kushdo që e sheh nuk mund ta besojë se ajo nuk flet dhe dëgjon. Këto mungesa të fizikut të saj, e kanë bërë atë më të vullnetshme, më praktike, më hulumtuese ndaj ambientit që e rrethon. Për më tepër  nëpërmjet talentit dhe pasionit të saj për artin e bukur të pikturës, ajo përcjell qartë sa thellë e njeh jetën, sa racionale është në jetë, sa kërkuese ndaj vetes. Ajo është një piktore që premton, pasi ka marrë vlerësime nga shumë piktorë të mirënjohur të cilët e kanë cilësuar “piktorja që flet me gjuhën e penelit” . Ajo ka studiuar në Universitetin Shqiptar të Tiranës, Akademia e Arteve të Bukura Dega “Qeramik, Skulpturë”, dhe ka mbaruar masterin në këtë degë. Vitin e kaluar pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar ajo çeli në ambientet e  Muzeut Historik Kombëtar, ekspozitën “Heshtja flet”,  me mbi 25 piktura. Në këtë ekspozitë morën pjesë  Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, znj. Eglantina Gjermeni, Arben Malaj, Rektori  i Akademisë së Arteve z.Petrit Malaj.

 Ekspozitat

Ekspozitë Personale me temë “Heshtja që flet” në Muzeun Kombëtar me dt 3. 12. 2013.

17-22,  Dhjetor 2008,  Ekspozitë Ndërkombëtare” Buza” . 24.12.2006 ,Rasegna Internacionale di Pittura. Motola, Itali, në edicionin 41. 25.6. 2006 Ekspozitë Pikturë me temë “,Një pamje nga dritarja ime” në VSA arts . 1-3.12. 2005 Ekspozitën Ndërkombëtare Artet Vizive “Buza” . 2008 -2013 .Universiteti Shqiptar i Tiranës, Akademia e Arteve të Bukura Dega “Qeramik, Skulpturë” dhe Master . Tip i shoqërueshëm me një jetë aktive në komunitetin e njerëzve që nuk dëgjojnë dhe jo vetëm aq.

 Disa nga aktivitetet apo kurset që ke marr pjesë apo ke organizuar vetë?

  Jam e aftë të organizoj aktivitete të ndryshme sociale dhe jo vetëm për grupin tim shoqëror. Kam kryer shumë kurse si Programet “office” të gjitha dhe internet dhe posta elektronike. Jam e aftë të organizoj aktivitete në grupe fëmijësh nga personat që nuk dëgjojnë për aktivitete artistike të shumëllojshme, lojëra humoristike, imitime të ndryshme ,he hapje ekspozitash  Kam luajtur në Teatër me grupin e personave që nuk dëgjojnë dhe kam luajtur në Kinomatografi.

Ku punon sot Lidia?

Sot punoj si mësuese në shkollën e fëmijëve që nuk dëgjojnë, atje ku vete kam qenë nxënëse. Pra jap mësim aty ku u formova e u edukova për herë të parë me talentin që zotëroj sot.

Cila është detyra kryesore që i ke vënë vetes si mësuese?

Të jem pranë atyre fëmijëve, të cilët marrin përballjen e parë me jetën e vështirë që i pret, të jem pranë dëshirave e ëndrrave të tyre për të ardhmen që i pret në këtë realitet sa të vështirë edhe të bukur me sfidat që i dalin .

 Kur ke pasur sadisfaksionin më të madh në punën si mësuese?

Kur para pak ditësh vijnë një grup të rinjsh nga USAJD në shkollën time ku jap mësim dhe u befasuan nga punët që ishin bërë me nxënësit e kësaj shkolle. Ngelën të befasuar dhe ikën me përshtypjet më të mira dhe i cilësuan njerëz të suksesshëm.  Për aq kohë ata erdhën për të parë si njerëz të suksesshëm

 Ndjehesh inferiore?

Nuk ndjehem inferiore aspak. E shikoj jetën në sy. E njoh realitetin dhe e përballoj atë. Punoj dhe luftoj me të tjerët që të më pranojnë kështu siç jam dhe në raste nënvleftësimi reagoj. Jam shumë aktive në shoqatën e njerëzve që nuk dëgjojnë. Përballem me seriozitet me sfidat e jetës.

Studimet në Akademinë e Arteve kanë qenë dëshirë e juaj?

Po, kam studiuar vetëm me këtë dëshirë, që të hyj në auditorët e  Akademisë së  Arteve, ku më pas kam mbaruar edhe Masterin. Studiova dhe për pikturë dhe skulpturë. Qysh para se të hyja isha e qartësuar se, “të jesh piktore e mirë duhet të jesh më parë skulptore e mirë”, cilësim që ma ka edukuar xhaxhai im Dashi. Por dua të theksoj kryesoren… Babai im e ka pas ushtruar skulpturën që  në rininë e tij. Sikundër dhe xhaxhallarët e mi. Pra nuk është e rastësishme. Dua të theksoj  se dhe  halla ime që është poeteshë më ka mbështetur dhe inkurajuar në nismat dhe kërkesat e mia jetësore.

A ka të përbashkëta skulptura me pikturën dhe kush është më e vështirë?

Sigurisht, skulptura është më e vështirë, pasi kërkon materiale, kërkon angazhime të mëdha, kohë maksimale pune, etj.. Pastaj ajo ka disa procese të vështira që janë piktura, forma, kallëpi dhe deri tek derdhja, procese shumë të vështira. Ndërsa  piktura përcaktohet në imagjinatë në një afat kohor më të shpejtë ose të drejtpërdrejtë. Por mbi të gjitha piktura nuk do shumë materiale dhe ka forcën e ngjyrës. Ngjyra të lehtëson, të krijon një qetësi shpirtërore të paparë. Ka emocion të drejtpërdrejtë. Piktura tek unë, mbetet pjesa më e bukur e jetës, mbushja e ushqimit tim shpirtëror e mendor

 Hobet tuaja?

Pëlqej pikturën, skulpturën, qeramikën, patinazhin, alpinizmin, notin dhe kafshët.

  Mundohesh të imitosh dikë në jetë?

Aspak. Në çdo hap jam vetvetja. Punoj të kem imazhin tim origjinal. Dua të jem me veçantitë e mia jetësore.

-Ju praktikoni pikturën moderne, abstraksioniste ?

 Po, jam piktore e stilit modern, ku nuk ruaj udhëzime dhe përvijime fikse. Kërkoj kombinime ngjyrash dhe idesh, që t’i transformoj sipas ideimit në trurin tim.

-Një ndër ditët më të bukura të jetës tuaj?

Jeta të sjell shumë gjëra, me larmishmërinë e saj. Por për mua dita më e bukur ka qenë një surprizë që më ka bërë halla ime poetja Venka Capa me  hapjen e ekspozitës time të parë nga prezantuesja Rudina Magjistari. Madje në këtë ekspozitë të parë ka qenë e pranishme dhe znj. Liri Berisha e shumë Artistë të Artit e Kulturës. Kjo erdhi në një kohë kur jeta ime ishte kthyer në monotoninë gri, thuajse e pa shpresë, që nga ndarja e vëllait tim të dashur.

-Cili është mesazhi tuaj optimist, për personat me Aftësi të kufizuara?

Kam dëshirë të filloj punë në mesin e personave me aftësi të kufizuara që të jap shembullin tim personal edhe duke u frymëzuar nga sakrificat që bëjnë për jetën e tyre .

 -Kush janë artistët-pikturistë  famozë të preferuar nga Ju, të huaj e shqiptarë?

Artistët që  me frymëzojnë  janë nga e madhja Helen Keler  e Dalia dhe  shumë artistë famozë , librat e  të cilëve i kam në komonë time, që miq të ndryshëm m’i kanë dhuruar