Libri ndriçon mendjen, mendja ndryshon botën

2272
Çlirim Hoxha

Të dhurosh një libër është kontribut i vyer për kulturimin e brezave. Në kuadër të 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare, muaji nëntor është shpallur si muaji i fushatës për nxitjen e leximit përmes edukimit kulturor. Motoja: “Takohemi për një libër” është e goditur kur mendon se, sot libri ndihet i kërcënuar përballë zhvillimit të vrullshëm të teknologjisë. E megjithatë në bibliotekat e Shqipërisë, të cilat janë pakësuar pas ndryshimeve politike të viteve ’90, bëhet një punë dhe përpjekje e respektueshme për të mbajtur të rinjtë të lidhur me librin. Kryesisht janë vajzat më të lidhura me bibliotekat, kurse djemtë përgjithësisht nuk po e shijojnë kënaqësinë që të jep leximi i një libri. Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” e Bashkisë Vlorë është institucioni më i frekuentuar nga të rinjtë dhe kategoritë e tjera të popullatës së qytetit, por koha na detyron që të bëjmë përpjekje për ringritjen e bibliotekave publike edhe në Orikum, edhe në Novoselë, edhe në Llakatund, si njësi administrative të Bashkisë së Vlorës pas ndarjes së re territoriale. Ka ardhur koha që pranë bibliotekave të shfaqen donatorë, vullnetarët e librit, ata që kanë ngritur me ndershmëri bizneset e tyre prej disa vjetësh, duke dhënë një ndihmesë të vyer në kulturimin e brezave të qytetit. Në traditën e bibliotekave të Shqipërisë, krahas bibliotekave të mirënjohura të Voskopojës, Korçës, Elbasanit, Tiranës, Durrësit, Shkodrës etj, një vend të veçantë në përhapjen e kulturës së librit zë edhe biblioteka e Vlorës. Gjurmët e kësaj biblioteke i ndeshim qysh në lashtësi në formimin e qyteteve antike Amantia, Orik, Olympia, Aulona dhe Triporti, si edhe në kohët më pas, në Mesjetë, në bibliotekat e krijuara në Manastirin e Kllogjerit në Malin e Shashicës, Manastirin e Shën Mërisë në Zvërnec, Kishën e Marmiroit, Peshkopatën e Kaninës dhe atë të Himarës. Krahas tyre një rol të veçantë kanë luajtur edhe biblitekat vetjake të familjeve të mëdha të Ibrahim Pashë Vlorës, Mustafa Pashë Vlorës, që u trashëguan nga Eqerem Bej Vlora, Kolë e Kristo Karbunara, Ibrahim Shyti, Lluka Karafili etj, si ajo e Odës së Tregtisë, ajo e Kishës Ortodokse dhe e Kuzgum Babait. Qysh në vitin 1920 intelektualët e Vlorës, në gazetat që dilnin në këtë qytet, “Politika”, “Mbrojtja Kombëtare”, dhe “Fjal’ e lirë”, shtruan nevojën e krijimit të një biblioteke për qytetin e Vlorës. Ky debat zgjati deri më 29 shtator të vitit 1936, ku një grup arsimtarësh themeluan Bibliotekën Publike të Arsimtarëve që gjallëroi jetën e qytetit. Pas çlirimit u bë riorganizimi i Bibliotekës së qytetit, e cila shfrytëzoi fondin e “Bibliotekës së Arsimtarëve”, një pjesë të fondit të Familjes Vlora si dhe librat e dhuruar nga intelektualët Ibrahim Shyti, që kishte Librarinë “Shpresa” në Sheshin e Flamurit, Lluka Karafili, Ibrahim Abdullahu, Jani Minga, Murat Tërbaçi, Toli Arapi e Mihal Peço, ku me vendim Nr. 48, të Komitetit të Qytetit të Vlorës, dt. 8 gusht 1946 u miratua rikrijimi i bibliotekës së qytetit. Në vitin e mbrapsht ’97 Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” u godit rëndë gjatë trazirave antifajde, ndërkohë që fondi i saj, që kishte bredhur në disa godina, u sulmua dhe grabit kur ndodhej në godinë e Pallatit të Kulturës “Labëria” në Skelë. Nga 120 000 libra biblioteka u katandis me 23 mijë libra. Shpëtuan në këtë agresion kundër kulturës librat e rrallë, të cilët falë përkushtimit të drejtoreshës së atëhershme zonjës së nderuar Liljana Gjika u bë e mundur ruajta e tyre. Pas sistemimit të bibliotekës në një tjetër godinë, jo të bollshme dhe larg qendrës historike të qytetit, ku gjendet sot, (Vlora kërkon një bibliotekë të re), biblioteka nisi rikuperimin e fondit të dëmtuar. Një sërë intelektualësh dhe botuesish dhanë kontributin e tyre në pasurimin e fondit të dëmtuar të bibliotekës. Dua të përmend këtu botuesin e njohur i Sh. B. TOENA, zotin Fatmir Toçi, botuesin Luan Pengili të OMSKA-1 etj. Një kontribut të posaçëm dha zotit Bujar Leskaj kur ishte Ministër i Kulturës, i cili, jo vetëm si djalë i Vlorës, por si një libërdashës i thekur bëri të mundur dhurimin disa herë të një fondi të caktuar librash nga letërsia dhe historia për bibliotekën e Vlorës, duke përfshirë këtu edhe kontributin personal. Duke ruajtur traditën e dhurimit të librave, zoti Bujar Leskaj ka vazhduar edhe në pozicionin ku ndodhet sot të dhurojë libra të ndryshëm, duke përfshirë këtu edhe ata që kanë të bëjnë me menaxhimin e KLSH gjatë këtyre viteve. Një mbështetje të vazhdueshme për mbarëvajtjen e Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj” ka dhënë dhe jep edhe Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”, si dhe bashkëpunimi me shoqatat e ndryshme letrare të qytetit. Sot në këtë kohë, kur librit i bëhet konkurrencë e fortë nga inteligjenca artificiale, është e domosdoshme që të shtohen fondet për blerjen e librave dhe libri artistik të zhvishet nga tenderimet dhe sorollatjet pa fund. Bibliotekat duhet ta blejnë librin e ri kur ai del nga botuesi dhe jo duke pritur tenderimin e radhës një herë në vit, ndërkohë që lexuesit presin ta lexojnë sa më parë atë. Libri artistik nuk mund të tenderohet njëlloj si libri shkollor, ku për shtypjen dhe botimin e tij shpallen tenderë?! Një tjetër problematik që shqetëson mbarëvajtjen e bibliotekave është futja e këtyre institucioneve nënë sqetullat e qendrave kulturore, duke vështirësuar mirëfunksionimin e tyre. Bibliotekat duhet të jenë institucione të pavarura, me vartësi direkt nga bashkitë, çka do t’u jepte atyre më shumë frymëmarrje dhe do t’i bënte qendra të vërteta komunitare dhe informacioni siç e kërkon koha jonë. Krijimi i qendrave të kulturës pranë bashkive në vitet ’94 -’95 ishte një gabim, për mendimin tim. Qendrat e Kulturës kanë pasur brenda tyre ansamblet folklorike, Orkestrat simfonike, sazet popullore, teatrin e kukullave, trupat e baletit dhe të valleve, etj, sepse një qendër kulture e organizon veprimtarinë e saj duke u mbështetur te lëvizja amatore. Prishja e organizimit të këtyre strukturave në fillim të viteve ’90 bëri që të sajoheshin masa emergjente për të ruajtur qendrat e kulturës nga shpërbërja. Rruga më e lehtë ishte përfshirja brenda tyre e teatrove profesioniste, e bibliotekave publike, e muzeumeve etj, çka solli vështirësi të panumërta në menaxhimin e plotë të tyre. (Teatrot nuk duruan shumë dhe dolën nga vatha). Sot është e domosdoshme që bibliotekat publike të jenë institucione të pavarura nga qendrat e kulturës, me vartësi drejtpërsëdrejti nga bashkitë. Kjo edhe për faktin që, bibliotekat qendrore të qyteteve duhet të ngarkohen me ngritjen apo ri-ngritjen e bibliotekave në zonat e tjera urbane pas ndarjes së re territoriale, si dhe të marrin përsipër çuarjen e librit te lexuesi në zonat rurale, mision që po e kryen sot më së miri Biblioteka Publike “Gjergj Fishta” e qytetit të Lezhës, shembulli i të cilës duhet përhapur me shpejtësinë e dritës. Veç kësaj, është thelbësore digjitalizimi i fondit të bibliotekave, projekt që nuk është zbatuar në të gjitha bibliotekat, kur hera herës këto të fundit shihen si hallka e fundit e zinxhirit të kulturës. Ministria e Kulturës lipset të bëjë më shumë për koordinimin e punëve të bibliotekave me librin, si dhe, pavarësisht nga përpjekjet për të ndihmuar hera-herës me dhurim librash për bibliotekat, duhet të ndërhyj për pavarësinë institucionale të tyre. 
Sigal