Letra e pabotuar e ikonës së letërsisë, Dritëro Agolli

635
Dritero Agolli dhe revista “Hosteni”

Kur në estradë, në vend që të qeshësh, inatosesh 
Shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, gati njëzet vjet ishte anëtari më i devotshëm i Kolegjiumit të revistës “Hosteni” Ai përveç përvojës së madhe dhe prirjes për humor e satirë, jepte një kontribut të veçantë edhe me shkrimet e tij cilësore në faqet e revistës. Në disa numra të saj u botua romani i tij “Shkëlqimi dhe rënia shokut Zylo”, letërkëmbimet ndërmjet Bamkë Çomagës (Dritëro Agolli) dhe Hyskë Borobojkës (Gaqo Veshi) dhe shumë shkrime të tjera cilësore. Ndërmjet tyre po botojmë “Letrën pa zarf” të botuar në faqet e revistës “Hosteni” në shtator të vitit 1977 me titullin:
Të dashura motrat e mia!
Unë, vëllai juaj, “Hosteni” kam dëshirë t’ju shoh të gëzuara, moj lozonjaret e mia, që më jeni shpërndarë si zoçkat, që nga Saranda e gjer në Peshkopi, që nga Korça gjer në Shkodër, që nga Pogradeci gjer në Elbasan, që nga Gjirokastra e gjer në Tiranë. Megjithëse ju shoh javë për javë në televizor, kur bëni shaka e kërceni, kur këndoni e tundni shaminë, më ka marrë malli të rri me ju e të llafosem për punët e hallet, se ju kam motra dhe mund t’ju hap zemrën pa droje e qibër. Mburrem me ju se ju kam artiste të dëgjuara, duke u thënë shokëve: “E shkoni çfarë motra kam? Njëra më shakatore se tjetra!” 

Por me që më kini vëlla, më lejoni që me anë të kësaj letre, t’ju heq pakëz veshin për ca gjëra që kam parë e për ca gjëra që kam dëgjuar. Disa herë ato shakatë tuaja nuk kanë kripë fare dhe nuk të bëjnë hiç të qeshësh. Ju i përdridhni buzkat e i shtrembëroni turiçkat, por unë as qesh, as qaj, veçse inatosem e them me vete: “Po si nuk më ngjanë mua këto motrat, mua që jam kaq shakaxhi, mua që nuk më zë vendi pa një shaka?!” Ja isha andej nga motra e madhe, që e kam në Tiranë. Nejse, ndenjëm e bëmë një natë të tërë muhabet. Kur iu shkrep kësaj motrës së Tiranës, të më bëjë një shaka. Më vishet si nënë nga qyteti, merr të shoqin, djalin, vajzën dhe bën sikur shkon në fshat për të jetuar e punuar. Vete në fshat me gjithë këtë skuadër dhe bën sikur kjo qenka shpëtimtare e të gjithave. Babai bëhet elektricist, vajza veterinere, djali agronom, nusja, mami, plaka në çerdhe… Pastaj si e bëri këtë shaka në skenë, më tha:

-E, u kënaqe?
-Hiç!- i thashë.
-E po ti vëlla, s’di të qeshësh, – më tha. – Si nuk të ardhka për të qeshur, xhanëm?! Ja të gjithë venë në fshat!…

-Unë do të qesh kur të shkosh ti motër, në fshat, se me ato skeçet e tua mua nuk me qeshet! – i thashë i nxehur.- Ku na qenka parë të ngrihen të gjithë nga një shtëpi e t’ia zënë vendin në fshat veterinerit, edukatores, elektricistit, mamisë, agronomit…Ky fshat s’paska asgjë gjer tani, por pritka një familje të tërë nga qyteti, për t’i zënë vendet më të mira! Ti s’di farë ç’është fshati!…

Motra e Tiranës, si e pa se unë u nxeha, më solli një shishe me raki, që të më merrte me të mirë. Unë i thashë se nuk më pihet, pasi kisha pirë shumë te motra e Durrësit dhe Tepelenës. Këto dy motra, edhe e Tepelenës edhe e Durrësit, i kam bekrie të mëdha. Motra e Durrësit dërgon burrin në pazar dhe burri ia prish paratë, se i pi raki dhe ha qafë gjeldeti. Kurse motrës të Tepelenës ia sjellin burrin të dehur të tjerët në krahë.

-E po ti me të vërtetë paske harruar të qeshësh. E si s’të qeshet me një të dehur? -Ai thotë fjalë për të qeshur, – m’u hodh motra e Tiranës.

Kur dëgjova këto fjalë u bëra vrer. Epo thashë, po më bëhen motrat sarhoshe.

-Sarhoshe! – thirra unë.
Sa thirra sarhoshe, ajo u shkul së qeshuri. Unë hapa sytë
-Ç’ka këtu për të qeshur! – thirra
-Ha-ha-ha!
E lashë gjer sa mbaroi së qeshuri. Duke fshirë sytë e duke mbajtur të qeshurën, mërmëriti:
-Më qeshet me fjalën “sarhoshe”.
E kuptova se motra ime qeshte me budallallëqe, e kuptova se motra ime paska harruar kuptimin e fjalëve komike, tragjike e lirike.
Nga Tirana, mora valixhen, i hipa trenit e shkova në Shkodër, të takoja motrën e mesme. Kur hyra në shtëpi, motra më përqafoi e thirri:
-Ta marrça! Ta marrça!
Edhe unë e përqafova duke lënë në qoshe valixhen. Ajo sa e pa valixhen, ia krisi të qeshurës.
-Ha-ha-ha! Ha-ha-ha! Valixhja!
E vështrova i habitur:
-Ç’ka këtu për të qeshur, moj motër?!
-Ha-ha-ha! Jam tue dekë nga gazi me valixhen!- qeshte motra e Shkodrës.
-E mua nuk më qeshet!- i thashë
-Ty s’të qeshet se e mban vetë valixhen. Me e marrë unë, ti qesh!- tha ajo dhe ia dha gazit përsëri.
-E po, – thashë me vete, – edhe kjo paska lajthitur”. Por pas pak e kuptova pse qeshte motra ime e Shkodrës. Para pak kohësh ajo kishte një skeç të tillë. Një qytetar me valixhe në dorë thërret një taksi. Vjen taksia. Qytetari i thotë shoferit:
-Shofer, sa pare do të më çosh në Televizion!
-Tre lekë! – përgjigjet shoferi.
-Po për valixhen?
-Asnjë lekë!
-Ahere ço valixhen se unë po vij në këmbë.
-Mos vallë ti motër qesh me atë valixhen e atij qytetarit?- pyeta unë.
-Ha-ha-ha! Me atë qesh! – u shkul së qeshuri motra.
-Pusho! – thirra unë dhe e shpova me hosten, se ma solli në majë të hundës. Dhe pastaj fsheha valixhen të mos e shihte dhe të fillonte prapë të qeshte.
Megjithëse e shpova, mendjen e kishte te valixhja.
-Ku e ke valixhen, ta marrsha, se dua të qesh! – m’u lut motra.
Unë rrëmbeva valixhen dhe ika me vrap, se po të rrija te motra e Shkodrës, ajo do të sëmurej nga të qeshurit.
Nga Shkodra vendosa të shkoja në Korçë, se doja të shihja motrën e tretë. Rrugës bleva nja dy kile bajame për fëmijët e motrës së Korçës
Motrën e takova në shkallë. Sa më pa m’u hodh në qafë:
-Ah, Hostenka i motrës! Ah Tenka i motrës, sa më ka marrë malli! Oi, o Tenkë, që na i bëre sytë ujë!- thirri ajo.
Në shtëpi m’u mblodhën fëmijët e motrës. Unë nxora bajamet dhe ua vura përpara. Motra sa i pa bajamet ia dha një të qeshure të papërmbajtur.
-Ç’pate, moj motër? – i thashë, se kujtova se lajthiti.
-Më qeshet me bajamet, o Tenkë! – thoshte ajo e s’mbahej dot.
-Bajamet hahen, nuk qeshen, moj motër! – i them.
-Ua sa më qeshet! Tëpkë si bajamet që kishte blerë Kiçoja! Ha-ha-ha!
-Eh ç’më gjeti! – thashë me vete. – Motra e Shkodrës qeshte me valixhen, kjo qesh me bajamet! Ç’më ndodhi, mor vëllezër?!
-Na shikoje këtë bajamkën. A nuk të qeshet? – thotë motra, duke më zgjatur bajamen.
-Hi-hi! – qeshën fëmijët.
-Nuk më qeshet!- thashë i vrenjtur dhe e futa në gojë pa e thyer nga inati.
-Ti s’qesh se mbahesh më të madh, ti s’qesh se je fodull. Por unë qesh me bajamtën, se s’mbahem më të madh, se s’jam fodulle, – tha ajo.,- Ti nuk e ke parë skeçin që luaj unë. Skeçi tregon sesi një grua vjen te fqinji dhe i kërkon bajame. Shkoi një herë, dy herë. Fqinji u mërzit dhe i dha gjithë thesin me bajame, – përfundoi motra.
-Yner të madh paska bërë! – thashë i zymtë.
-Ua, dhe me këtë nuk të qeshet?! – u çudit ajo.

-Moj, je në terezi ti, apo jo? – i thashë. – Po më luani nga mentë. Më dilni edhe ne televizor me thasë me bajame, me qafa gjeldeti, me raki, me valixhe, me piknikë nëpër fshatra! Dhe me këto gjëra dashki të qesh edhe unë!? Nuk qesh jo!

Nga inati s’hëngra as bukë. Gjeta një makinë të rastit dhe u nisa për në Berat, te motra e katërt. Motrën e Beratit e kam të urtë. Ajo ç’t’i them unë e bën. Është edhe e sjellshme. Është edhe mikpritëse.

Rrugës takova vajzën e një miku tim dhe i thashë, se, po të dëshironte le të vinte për vizitë te motra e Beratit. Ajo pranoi me gjithë qejf dhe shkuam në shtëpinë e motrës. Motra na priti mirë se ësh

të shumë e sajdisur. Por sa e shikonte vajzën e mikut tim e vinte buzën në gaz.. Unë e ndjeja që thoshte ngadalë, duke qeshur: “E po qo, re, ç’është qo re?!
-Ç’ke moj motër? –e pyeta.
-Më qeshet, vëlla, po kam frikë nga ty! – më tha motra.
-Po qesh, moj motër. Ç’frikë ke nga unë! – i thashë.
-Më qeshet me këtë çupkën, more! Opo qo! – tha motra. Dhe ia dha gazit.
Çupa e mikut tim u skuq dhe shikoi veten, se mos ishte veshur keq. E pashë edhe unë.
-E ç’ka këtu për të qeshur?! – i thashë me autoritet.
-Jo, jo, nuk qesh, – u tremb motra. –Po si të të them. Nuk e pe një skeçin tim? Në skenë dalin tre veta: trajneri i skuadrës së futbollit dhe dy të rinj, një djalë e një vajzë. Trajneri ka një hall të madh. Djali kërkon të martohet me vajzën. Është ky dialog:
-Na fike, na more në qafë, do mbetemi në kategorinë e dytë, – thotë trajneri.
-E përse? –pyet vajza.
-Se duke u martuar me ty, ai do të mungojë në stërvitje, – thotë trajneri.
-Kjo mua nuk më bën fare të qesh! – i thashë
-Mos qesh, të keqen motra, por mua më qeshet! – tha ajo dhe bëri hi-hi, duke parë vajzën.
-Dhe sa herë sheh vajzën qesh! – i thashë
-Qesh, të keqen motra, se më kujtojnë të fejuarën e futbollistit.
-Kjo është për të vënë duart në kokë! – i thashë
-Veri, të keqen motra, veri! O po qy, ore!- tha ajo.
Ne hëngrëm dhe ikëm. Motra e shihte vajzën e shokut dhe qeshte. 
-Kanë harruar se me çfarë duhet të qeshin. Këto motrat e mia, po më çudisin – thashë me vete.

Ja kështu më ka ndodhur, moj motrat e mia Estrada, me disa nga ju. Unë u kam shkuar në shtëpi. Unë po ua dërgoj këtë letër, para se t’ju takoj, se dua të mos qeshni me gjëra që s’janë për të qeshur. Atje ku s’duhet qeshur, ju qeshni.

Prandaj na nxirrni të njëjtat gjëra: shtrembëroni fytyrat, përdridhni buzët, thërritni sa na zini veshët. Na nxirrni edhe burra e gra që zihen, shefa e vartës, që thërrasin si në pyll. Unë ju kam motra dhe nuk më vjen mirë të dëgjoj pakënaqësi për ju.

Jam i bindur që ju jeni të mira, jeni të sjellshme, punëtore dhe shakatore.. Keni bërë shumë punë të lavdërueshme, me të cilat mburrem edhe unë, vëllai juaj i madh.. Por ndonjëherë i harroni ato punë të mëdha, që duhet të bëni. Nga muaji tjetër do t’ju vizitoj të gjithave dhe do të kemi kohë të flasim për hallet e për punët më shtruar e më mirë.

Mos më merrni inat, megjithëse këto nuk i kam me shaka!
Vëllaj juaj, “HOSTENI”
Sigal