Lenini i Elbasanit, që punoi për afro 44 vjet si brigadier në Komunale

803
Nga Artur Ajazi
Përgjatë 50 viteve të shkuara, edhe emri që të vinin sapo ti lindje ishte një ogur i mirë për ty, familjen dhe jetën tënde. Në atë kohë mbajtja e emrave të tillë si Enver, apo edhe Lenin apo Stalin, ishte një nder i madh, ishte një shans për rrugën tënde jetësore, duke nisur nga shkollimi, dhe duke përfunduar tek gjetja e një vendi pune, natyrisht jo si një punëtor i thjeshtë dhe i rëndomtë. Pothuajse në çdo qytet kishte persona që e kishin marrë emrin e lindjes duke “ringjallur” udhëheqësit komunistë. I tillë ishte edhe Lenini në Elbasan, një qytetar i thjeshtë, por që prindërit qysh ditën e parë të lindjes kishin vendosur t’i vinin emrin e njohur asokohe, të ish-udhëheqësit komunist të Rusisë, V. I. Lenin. Por ai që mbajti përgjatë gjithë jetës së tij emrin e Leninit në Elbasan, ishte nga një familje e varfër, me prindër të thjeshtë, punëtorë, ashtu siç edhe ai vetë. Fëmijëria e tij ishte e bukur padyshim, dhe kjo nisi qysh nga dita e parë e vendosjes së emrit, Lenin në Gjendjen Civile të qytetit. Ai edhe në maternitet shihej ndryshe sepse prindërit kishin paralajmëruar se “djali ynë do të quhej Lenin, dhe do të bëhet i madh si ai”. Edhe tek rritej Lenini nga Elbasani, shihej ndryshe nga bashkëmoshatarët, pastaj nga edukatorët e kopshtit, mësuesit dhe kështu me radhë. Lenini u rrit me frymën e partisë, u rrit me idealet e partisë, me edukimin komunist, duke i kujtuar gjithmonë atij se “ai ishte me fat se kishte emrin e udhëheqësit të proletariatit”. 
Por kush ishte Lenini i Elbasanit
Quhet Lenin Fadil Musta, një fshatar nga origjina, por ardhur në Elbasan para afro 66 vitesh. Fillimisht u shkëput nga fshati Lugaxhi babai i tij Fadili, dhe më pas ka lindur Lenini dhe dy motrat, e tij Merjeme dhe Fatime, që u rritën me përkujdesje falë emrit të vëllait të tyre. Lenini u rrit nga gjyshja dhe shkollën 7 – vjeçare e mbaroi në Elbasan, tek ish-Normalja nga ku shkoi në shkollën Teknologjike, ku mori zanatin e hidraulikut dhe elektricistit. Regjistrimi i Leninit 6 vjeçar në shkollën 7 vjeçare, ishte një eveniment i veçantë, pasi mësuesja çdo ditë i vinte notën 5 (asokohe ishte nota më e lartë, ose 10 sot) dhe e mbushte me fletë- lavdërimi çdo semestër. Lenini po rritej falë “kujdesit” nga partia dhe ekipi mësuesve të shkollës, por ai nuk kishte prirje për tu bërë udhëheqës. Kështu që babai tij Fadili e regjistroi djalin e tij Leninin në shkollën Teknologjike në Tiranë, madje me bursë dhe gjithçka shpenzonte nga shteti. Ardhja e Leninit të ri në Elbasan në 1972, u prit me interes nga Këshilli i Lagjes, kurse nga Zyra e Punës së Elbasanit ai u sistemua urgjentisht në Komunalen e dikurshme, me detyrë “përgjegjës turni”. I riu Lenin e nisi punën me entuziazëm pasi ndryshe nga moshatarët e tij, ai dorëzoi në organizatën e partisë së Komunales edhe kërkesën për t’u bërë anëtar i PPSH. Brenda javës erdhi përgjigja “Shoku Lenin, jeni pranuar kandidat për komunist” dhe stazhin e kreu në ish-NBSH. 
Surprizat e jetes se Leninit
Jeta i rezervoi Leninit më pas surpriza të tjera, pasi erdhi fejesa dhe martesa, me një grua anëtare partie, e cila vinte nga edhe ajo një familje partizanësh. Hyseni një bashkëmoshatar i Leninit dhe shok pune në Komunale kujton se “çdo përvjetor të PPSH, për 1 Maj, 28 dhe 29 Nëntor, për Vitin e Ri dhe në Kongreset e Partisë, Lenini merrte letra dhe mesazhe, dërgonte urime dhe kishte ftesa të veçanta, sepse ishte “Shoku Lenin”. Madje mbaj mend që edhe ish-Sekretarët e Parë: Jashar Mezlenxhiu dhe Pirro Kondi, e kanë ftuar disa herë në përvjetorë, si emër dhe njeriu që vinte nga “klasa punëtore”, merrte gjithashtu edhe dhurata të mira për fëmijët. Në 1978, kur ka ardhur Enver Hoxha në Elbasan dhe në 1986 kur ka ardhur Ramiz Alia në Elbasan, Lenini ishte i pranishëm, madje ishte në krahun e djathtë të ish-Sekretarit të Parë Jashar Mezlenxhiu dhe ish-kreut të Komitetit Ekzekutiv Feruz Mataj. Lenini u martua dhe bëri edhe tre fëmijë, të cilët deri në vitin 1990, kishin rrugën e hapur drejt shkollave dhe vendeve të punës, por pastaj me ardhjen e demokracisë, vetë ai nisi të shihej me sy tjetër. Sot Lenini i Elbasanit është afro 66 vjeç, dhe akoma kujton me nostalgji vitet e dikurshme, ato vite që i dhanë lavdi dhe afrimitet me pushtetin komunist, falë emrit të tij, por edhe falë shkathtësive të tij. Askush në 44 vite punë, nuk i dha një vërejtje, askush nuk e kritikoi, sepse ai ishte Lenini i Madh. 
Tek ecte rrugëve të Elbasanit deri në 1991, Lenini i Komunales, ishte njeriu që përshëndetej me çdo njeri, të thjeshtë apo edhe zyrtar, madje me fjalët “Njatjeta shoku Lenin”, por edhe shprehja e tij e zakonshme “Për idealin e partisë”, do të mbetej gjatë në gojë në të gjitha rastet kur i duhej të betohej për diçka. Sot ai e ka në shtëpi akoma bustin e V.I.Leninit të vërtetë, por ka edhe shumë foto duke nisur nga ato me ish-Sekretarët e Parë të Elbasanit, ish-Kryetarët e Komitetit Ekzekutiv, dhe duke mbaruar nga ato me Enver Hoxhën, Ramiz Alinë, Pali Miskën dhe disa ish-anëtarë të tjerë të KQPPSH. Në vitin 1989, Lenini Elbasani i dërgoi për vitin e ri një kartolinë urimi Ramiz Alisë, dhe tregon se “urimi im ishte shkurt, Gëzuar Vitin e Ri 1989, mbarësi në punët e partisë, lumturi e shëndet. Lenini Elbasan”. Kaq duhej që Ramiz Alia, t’i niste brenda të nesërmes kartolinën e tij, me firmën dhe logon e KQPPSH. Kjo asokohe bëri sërish bujë, por për shumë kohë, sepse situata politike kishte nisur të rëndohej, të merrte kthesa të tjera, ndryshe nga ato që dëshironte edhe Lenini i Elbasanit. Edhe pse kanë kaluar 25 vjet nga përmbysja e teorisë dhe praktikës M-L edhe tek ne, sërish Leninin e Elbasanit, nuk kanë mundur ta ndryshojnë as thirrjet, as presionet për të ndryshuar emrin dhe kursin e tij të përjetshëm, duke mbetur leninist deri në fund. Sot ai është në pension, shëtit me miqtë e tij, familjarët e tij dhe shpesh kujton edhe udhëheqësit dhe pushtetarët e tij leninistë, për të cilët thotë se “ishin burra, punuan për Shqipërinë, ndërtuan shtetin ligjor”. 
Sigal