Leka Rudha: Si e fitova të drejtën të bëj portretet e shokut Enver nëpërmjet fotografive

834
Sigal

INTERVISTA/ Flet piktori Leka Rudha, “Mjeshtër për dekor dhe portret”

Një piktor që koha nuk e plak. Ka hapur më shumë se 21 ekspozita vetjake si në Gjermani, Itali, Greqi, por edhe në shumë qytete të Shqipërisë. Gëzon titullin “Mjeshtër për dekor dhe portret”, falë punë së tij korrekte dhe të vazhdueshme. Por ai ka një veçori tjetër, ishte piktori I zgjedhur në sistemin monist, për të bërë portretet e Enver Hoxhës në parakalimet e 1 Majit, Paradat ushtarake apo dhe ato q vareshin nëpër sheshe të ndryshme nëpër qytete e Shqipërisë. Ka bërë rreth 100 portrete të tillë dhe vetën e ka ndjerë keq kur në vitin 1986 nuk ishte në gjendje për të bërë një të tillë për arsye shëndetësore. Atëherë donin që ta kryqëzonin. Më pas ai ka bërë dhe portretet e Ramiz Alisë. Në fondin e tij ka rreth 500 piktura të gjinive të ndryshme ku mbizotëron peizazhi.

Kush ju zgjodhi si piktorë të portretit të Enver Hoxhës?

Ne ishim shumë piktorë që na ftuan për të bërë portretin e Enver Hoxhës. Ai që kujdesej për portretet e Enver Hoxhës ishte Foto Çami dhe Ramiz Alia. Pra ne na bënë një provë dhe pastaj na pyetën se kush do i merrte përsipër këto portrete që në raste festash do të ishin të shumta. Si përfundim u zgjodha unë dhe Kel Kodheli.

Kur ju dha kjo e drejtë?

Ishte viti 1976. Prej atëherë unë fillova që të bëj këto portrete.

Ju do të bënit takime me Enver Hoxhën?

Jo ne do të interpretonim foto, pra nëpërmjet fotove do të bënim portrete të mëdha nga një metër deri në 10 metër në rastet e rralla për Kongrese, për 1 Majin, apo për Paradat ushtarake. Plus këtyre na u dha e drejta të bënim dhe portretet e anëtarëve të Byrosë Politike që edhe ato do të mbaheshin nga parakaluesit në këto manifestime të mëdha.

Sa portrete të Enver Hoxhës mund të kesh riprodhuar?

Mbi 100 portrete të madhësive të ndryshme. Më e madhja ishte 10×3 metër. Pra për festa të ndryshme do t’i bëja të madhësive të ndryshme. Ndryshonin nuk ishin stabël.

Kur ka qenë dita më e vështirë në jetë në realizmin e e këtyre portreteve?

Në vitin 1986. Mua më caktuan urgjent të bëja një portret të ri të Enver Hoxhës për 1 Majin. Ato ditë unë kisha një mpirje krahu. Kisha një dhimbje të madhe sa nuk e ngrija dot dorën për të bërë një pikturë normale dhe profesionale. Drejtuesit e mi u habitën. Urgjent më thanë është detyrë e partisë. Është urdhër nga lart. Por s’mundesha. Filluan presionet deri në atë që më thanë se do të çojmë në burg. Situata u acarua mjaft. Së fundi u desh ndërhyrja e Foto Çamit që çdo gjë u vendos në vend. Ishte dita më e vështirë e jetës sime.

Kë ke bërë tjetër portret me përmasa kaq të mëdha?

Portretin e Ramiz Alisë. Pra këta të dy ishin detyra ime kryesore. Kur u vendos Sekretar i Parë Ramiz Alia, mua më kontrollonte vetëm Foto Çami. Ishte njeri zemërgjerë, korrekt që nuk abuzonte me asgjë. Ai ishte i predispozuar të të ndihmonte. Sa mbaroja portretet raportoja dhe ai vinte kontrollonte. N.q.s thoshte jo, çdo gjë fillonte nga e para.

A bëheshin në atë sistem ekspozita individuale dhe sa?

Pak. Shumë pak. Atëherë më shumë bëheshin ekspozita kolektive.  Kam marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive si në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, etj…

Ju keni pasur studio në atë sistem?

Sigurisht. Atë të mirë e kishte ai sistem, të siguronte ambiente pune.

A kanë dalë piktorë të spikatur  në atë sistem ?

Po, shumë. Ne kishim shkollë shumë të mirë të pikturës. Mbase disa gjëra ideologjizoheshin, por kërkesa ishte e madhe, kushtet për studio ishin. Vetëm duhej t’i përmbaheshe vijës së partisë. Por nuk kishte ndonjë ngacmim ndaj piktorëve. Nuk u bë luftë si në letërsi dhe në muzikë. Por dhe ne kishim ngushtësitë tona, ku p.sh në peizazh duhet të kishte edhe ndonjë parullë ëpr partinë. Por hapeshin ekspozita, bëheshin konkurse, etj…

Në demokraci cila është ekspozita më e bukur që ke bërë?

Në Gjermani, në Mynih me 25 piktura, ku shumica ishin peizazhe. Thuajse të gjithë pikturat u blenë.

Ju keni hapur dhe një ekspozitë ditët e fundit në Ministrinë e Mbrojtjes “Kalatë dhe fortesat shqiptare”.  Përse kjo temë?

Tematika e këtyre pikturave ishin peizazhe nga kalatë tona, që nga Durrësi, Lezha, Elbasani, e deri tek rrethinat e Tiranës.  Përmasat janë 80×60. Me këtë, numri i ekspozitave të mia është 21. Rraha këtë temë për vetë faktin se është pak e rrahur, pasi kalatë dhe fortesat janë pjesë e rëndësishme e historisë së kombit. Ato qëndrojnë hijerëndë si gjurmë të pakontestueshme të përpjekjeve dhe luftërave të shumta të popullit tonë për liri dhe pavarësi. Ato me madhështinë e tyre ngjallin admirim për çdo vizitor.

Cilat janë synimet e së ardhmes?

Mendoj se këtë ekspozitë do ta çoj dhe në Francë, pikërisht në Paris. Shikoj se ka shumë interes ky lloj peizazhi.

Si do ta konsideronit pikturën sot, e cila vuan nga mungesa e kritikës?

Sot abuzohet me artin. Po futen disa rryma që nuk kanë të bëjnë me artin. Abstraksionizmi, modernizimi etj., kanë bërë që të shohësh gjithfarë pozicionesh gjeometrikë, por që vetëm piktura nuk janë. Më shumë janë dëshira të vetvetes, se sa art për të kënaqur të tjerët. Kjo është detyra e artit, të bëjë që të tjerët të ndjejnë kënaqësi kur shohin ose kur komentojnë një pikturë. Secila prej tyre përmban përbrenda një copëz historie dhe pavdekësie të brezave të mëparshëm, duke fshehur brenda mureve të tyre edhe ndonjë sekret.

Sa piktura gjenden në arkivin tuaj?

Mund të them se kam rreth 500 piktura të gjinive të ndryshme si kompozime, peizazhe, natyra të qeta dhe portrete. Por si gjithmonë këmbëngul tek peizazhet dhe tek portretet. Mund të them se peizazhet janë kudo të kërkuara.

 Albert  Z. ZHOLI