Lefter Çeko*/ Tre piktorë bashkojnë veçoritë në Galerinë e Sarandës

814
Sigal

Galeria “Art Saranda”, është vetëm një pjesë në hapësirën muzeale të qytetit. Ky kompleks përfshin Muzeun e Traditës, Muzeun Arkeologjik, Limanin me gurët cilindrikë, ku lidhen varkat e vogla të peshkimit. Po kështu, pjesë e këtij ansambli është sheshi i shtruar me pllaka guri dhe më tej spiranca-simbol i detarisë, që lartësohet poshtë banesës shekullore, tipike bregdetare, e cila në vite ka plotësuar shërbime të ndryshme komunitare: konsullatë, Bashki, Hotel, qendër biznesi. E gji-tha kjo qëndron në mes të gjelbërimit, të bukonvileve, që njihet me sinonimin “lule Saranda”, në kurorat e palmave shekullore. Si nyje lidhëse mes tyre janë shkallaret. Të gjitha bëjnë një unitet dhe ndërtojnë imazhin më tërheqës, dëshmi të qytetërimit të qytetit tonë kulturor,mijëravjeçar. Mbishkrimi i vendosur tek spiranca monumentale “Hidhe edhe ti spirancën tënde në këtë qytet”, është kuptim-plot dhe bujar. Këtë bënë në thelb edhe tre piktorët: Qirjako Meniko, Buron Kaceli e Vasil Kaçi: hodhën spirancën e tyre në Galerinë e qytetit. Është ky një investim i Bashkisë së Sarandës, një mundësi për t’u ekspozuar dhe vlerësuar krijimet e tyre nga publiku dhe nga ata që, duke ardhur në këtë qytet për të pushuar, e kanë atë një pikë të vizitueshme dhe një pikë të interesit turistik.

Ata të tre…

U diplomuan në vitet ‘70. Kërkesat, kriteret për artin e realizmit socialist ishin në përplasje me shkëndijat e para të artit të lirë. Penelatat çliroheshin, krijoheshin tablo me tendenca “formaliste”. Format dekorative, grafike, abstragimi, impresioni, konvencioni ishin lajmëtarët e parë për personalitete në artet figurative. Vitet ‘90 ishin koha e vërshimeve dhe kur mjeshtëria akademike eksperimentohej. Gjinitë, teknikat bëhen pa kufi, shoqëria e konsumit dhe psikologjia e njeriut, memoria, tashmë gatuhej në krijime të reja. Lëvizja e lirë, ballafaqimi me shkolla të ndryshme të krijimit në akademitë e botës, në ekspozita të përbashkëta, vetjake, si edhe kolonitë e ndryshme, i dhanë krahë penelit dhe daltës. Teknologia elektronike, vizive, merr pjesë në procesin krijues. Pra, bëhen pjesë e shqetësimeve të artit bashkëkohor europian. Të tre pikturojnë detin, bregun e detit me rërën, gjelbërimin, dritën, hijen. Të tre pikturojnë stinët. Të tre shprehin në veprat e tyre shqetësimin, mbresën, kënaqësinë. Të tre përdorin penelin. Por secili ka ndjeshmërinë, temperamentin, dinamikën, harmoninë e penelatës dhe secili dallon nga tjetri, megjithëse, e përbashkët është edhe përvoja krijuese pesëdhjetë-vjeçare.

Veçantia Meniko:

Zgjedh me shumë dashuri motivin dhe ndërton arkitekturën e peizazhit të vendlindjes. Veçse ai e filtron atë brenda vetes dhe, duke e realizuar në teknikën ngjyrave të vajit. Peneli i tij formon imazhin e një pikture, që shpreh nostalgjinë, romantiken, grafikën dekorative, me ngjyra të përpunuara, deri dhe potente. Ngjyrat e detit, bregut, shkëmbinjtë, ullinjve, portokalleve, shtëpitë brenda tyre dhe qiparisat në forma vertikale, së bashku vënë thekset e ekzistencës, të përjetësisë, të peizazhit karakteristik të Bregdetit. Këto cilësi shprehen më së miri tek peizazhet: “Himara e vjetër”, “Paga 2011”, “Në Bregdet”, “Ullishtet”. Meniko, me ekspresionizmin e tij, veçohet në plejadën e krijuesve të penelit dhe historianëve të artit.

Veçoria Kaceli:

Krijimtaria e tij në këtë ekspozitë veçohet për larminë e motiveve. Ato i realizon nëpërmjet ngacmimeve të natyrës, impresionit, në teknikën e ngjyrave të vajit. Pjesa më e madhe e tablove, nëpërmjet koloritit,  përcjellin freskinë. Ato janë pikturuar me ndjeshmëri “a la prima”. Tablotë bëhen edhe më interesante, kur në kompozimin e tyre është e pranishme bukuria njerëzore, bota, psikologjia, sidomos kur jemi para atyre veprave që na shtegtojnë tek tradita. Këtu mund të përmendim tablotë: “Binjakët”, “Mesazhi”, “Nusja”, “Restoranti”.

Duke qenë para veprave të tij, tek peizazhet, ne sjellim ndërmend profesorin Sadik Kaceli, 100-vjetorin e lindjes së tij. Dhe na vjen mirë që i biri e çon më tej traditën e të pikturuarit me frymë bashkëkohore.

Veçoria Kaçi:

Duke vizituar ekspozitën, shikon larminë e teknikave në të cilat realizon veprat e tij: në vaj, akrilik, akuarel, pastel. Është njohës i kompozimit grafik, i raporteve dhe i planeve të ngjyrave dekorative. Konfiguracionet, si për shembull: fikun e detit, shkëmbin, detin, lisin, i pikturon në harmoni me elementët e tjerë. Ngjyra blu me të kuqen, kontrastojnë në hapësirën e pafund të ngjyrës së dritës.

Edhe portretet janë shprehëse, dinamike. Silueta, me koloritin e tyre, mbartin memorien, jetën me halle dhe respektin për njeriun e zemrës. Mund të përmendim veprat: “Portret”, “Dhimbje”, “Vjeshtë, “Fiqtë e detit”. Trajtimi modern i veprave të tij, harmonizimi grafik i ngjyrës, e bëjnë krijimtarinë e tij të vlerësueshme nga vizitori.

Pra: Meniko, Kaceli, Kaçi, që të tre piktorë të kavaletit në interior, si edhe në eksterier, na vijnë në këtë ekspozitë me vepra të dimensioneve që ekspozohen bukur në hapësirat e Galerisë. Ato përcjellin mesazhin estetik të problematikës bashkëkohore. Vizitorët e shumtë, duke lënë impresionet e tyre në shumë gjuhë të botës, në librin e Galerisë, vlerësojnë performancën e lartë të autorëve dhe prezantimin e tyre cilësor e profesional.

Kurator-piktor-skenograf Sarandë*