Ledio Xhoxhi/ Kodikët e hershëm të Beratit

352

Perandori Justinian, pikërisht më 527-ën, sapo hipi në fron, lëshoi një urdhër perandorak për kopjimin, mbledhjen dhe grumbullimin e dokumenteve në qendra të përshtatshme. Luftërat, pushtimet e huaja dhe pakëz fatkeqësitë natyrore na kanë privuar nga kjo pasuri dokumentare, e cila do të na ndriçonte periudha të rëndësishme të historisë tonë.

Kodiku i parë

Gjithsesi është pikërisht një kodik i cili shënon edhe fillimin e arkivit shqiptar. Bëhet fjalë për Kodikun e shekullit të VI-të ose siç njihet në mbarë botën Codex Purpureus Beratimus. Ky kodik, së bashku me atë të shek. IX-të, në vitin 2005 është i përfshirë në programin “Kujtesa e Botës“ (Memoire du Monde) të UNESCO-s dhe është gjithnjë nën kujdesin e këtij organizmi ndërkombëtar. Ky kodik i famshëm, i dëmtuar pjesërisht, përmban ungjijtë sipas Mateut dhe sipas Markut. Kodiku në fjalë, në formën që arriti deri në ditët tona, kishte 190 fletë pergamene (lëkurë kafshësh që përpunohej posaçërisht dhe përdorej për të shkruar në të, para se të shpikej letra), të ngjyera në të kuq të thellë (purpurt); ai ishte shkruar me germa argjendi të tretur, me përjashtim të disa faqeve, ku disa fjalë janë shkruar me ar. Teksti paraqitet i ndarë në 2 kolona nga 17 rreshta secila, shkrimi është i vazhdueshëm, pa ndarje midis fjalëve. Analiza e germave dhe krahasimi me tekstet e pakta të ruajtura të këtij tipi, i ka shtyrë shkencëtarët t’i caktojnë Kodikut të Purpurt të Beratit shekullin VI si kohë lindjeje. Dorëshkrimi është i shkruar me germa të mëdha biblike, shkrim që u shenjtërua që në shek. III pas Krishtit dhe vazhdoi të përdorej në praktikën librore deri në shek. IX.

Kodiku i dytë

Kodiku i dytë nga Berati, njihet në shkencë me emrin “Codex Aureus Anthimi“ (Kodiku i Artë), i mbiquajtur kështu sipas emrit të një peshkopi të Beratit në shekullin XIX. Siç e thotë edhe emri, ky kodik ishte shkruar mbi pergamenë me germa ari të tretur. Analiza paleografike (shkenca që merret me studimin e veçorive të shkrimeve të vjetra dhe me zbërthimin e tyre) i cakton një epokë më të re, shekullin IX. Si vëllim, Kodiku i Artë është shumë më i madh, ka 413 fletë në format 24 x 19 cm dhe është shkruar me germa të një tipi më të ri, të rrumbullakët e me bishta, të quajtur korsiv minuskul (shkrim i përdorur në shek. IX-X). Në vitet që pasuan, për një periudhë kohore të caktuar, dy dorëshkrimet (i shek. VI dhe i shek. IX) u quajtën të zhdukura. Sipas gojëdhënës, kodikët fshiheshin nga banorët në rast rreziku lufte apo pushtimi, vendi i fshehjes mbahej sekret dhe nxirrej në kohë paqeje. Në këtë mënyrë, Kodiku i Purpurt mbeti në Berat edhe pas përpjekjeve që kishin bërë ushtri të ndryshme për ta përvetësuar gjatë historisë.  U rishfaqën në vitin 1968, në kishën e Fjetjes së Hyjlindëses, në lagjen “kala” të Beratit, në një bodrum rreth 2 m i gjatë dhe 1,5 m i gjerë. Ato u gjendën në një arkë prej llamarine, të mbështjella me kashtë. Fletët e brendshme ishin për fat të keq tepër të dëmtuara nga lagështira dhe myku. Ngjyra e purpurt e pergamenës kishte pësuar një zbehje dhe çngjyrosje progresive gjatë shekujve. Vetë pergamena është brejtur dhe dëmtuar. Gjithashtu, brenda në arkë u gjend dhe një kuti e vogël prej dërrase, ku ishte vendosur një medaljon i rrumbullakët i lidhur me zinxhir, i larë me argjend që përdorej në ditët e festave fetare. Kapaku i Beratimus-1është metalik, me dekoracione në reliev. Kapaku është mjaft më i vonët se kodiku. Ai është punuar në vitin 1805. Në kapakun e përparmë jepet në qendër figura e zbritjes së Krishtit në Had. Në të katër këndet paraqiten ungjillorët Mateo, Mark, Luka dhe Johan. Pjesët bosh mbushen me dekore lulesh. Kodiku i Purpurt i Beratit është pjesë e Fondit “Kodikët e Shqipërisë” (F 488) të AQSh-së, Dosja 1. Në vitin 1971, në bazë të një marrëveshjeje ndërshtetërore, Kodiku i Purpurt i Beratit u dërgua në Kinë për t’u restauruar. Për të siguruar një ruajtje që t’i qëndrojë kohës, të gjitha faqet e dorëshkrimit, pas restaurimit, janë futur në pllakëza xhami me mbyllje hermetike. Kodiku është ndarë në nëntë volume, që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë. Në jubileun e madh të 2000-vjetorit të krishtërimit, kodiku ekspozohet në ekspozitën “Ungjijtë e Popujve“ (I Vangeli dei Popoli), organizuar nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit për nder të kësaj ngjarjeje të madhe. Në këtë ekspozitë ai u vlerësua si një privilegj i rrallë dhe u vendos i dyti në radhë, për nga rëndësia dhe kronologjia, përkrah “Codice B” ose “Codice Vaticana” dhe “Codex Sinopensis” të Bibliotekës Kombëtare të Francës. Të krahasueshëm me “Beratinus-1” janë gjithashtu kodikë të tjerë, që gjenden në Izrael (Sinaiticus), në Greqi (Petropolitanus), në Petersburg dhe në Londër.

Në vitin 2011, Banka e Shqipërisë emetoi monedhën metalike pa kurs ligjor për qëllime numizmatike, me titull “Kodiku i Purpurt i Beratit – Beratimus 1”. Vlera emërore e kësaj monedhe është 50 lekë me materiali argjend dhe me simbolet përkatëse. Kodiku i Purpurt i Beratit nr. 1 është dokumenti historik më i vjetër që ruhet sot në Shqipëri. Qoftë i parë si objekt kulture, qoftë si trashëgimi e gjallë e kultivimit të krishterimit në Shqipëri, ky kodik përmban vlera të papërsëritshme historike dhe kulturore që jo vetëm lidhin të tashmen me të shkuarën, por që përbëjnë edhe vetë fillin e vazhdimësisë kulturore të shqiptarëve ndër shekuj.