Ledi Basha: Synoj më të mirën, punoj me shpirt për ta arritur dhe më pas e shijoj

789
Sigal

Intervista/ Flet Modelja & Balerina , Ledi Basha: E vështirë të arrish suksesin dhe famën!

Ledi Basha ka lindur në vitin 1988 në Qytetin e Shkodrës dhe i përket shenjës së Shigjetarit. Një femër plot sharm, elegancë dhe komunikim perfekt . Që e vogël është dalluar për bukurinë dhe shkathtësinë e saj , qysh kur shkonte në kopsht, edhe pse nuk e kishte me shumë dëshirë. Por në shkollë dallohej për rezultate të larta në mësime, si dhe një vajzë e edukuar. Sekretin e suksesit të saj nuk e di askush edhe pse ajo shprehet se publiku i jep gjithë energjinë që ka . Ledi është një balerinë super sexy, gjithashtu edhe një super modele e suksesshme. Për më tepër ju ftojmë të lexoni intervistën që kemi përgatitur me të!

-Përshëndetje Ledi, prej kohësh merreni me balet & modeling, cilat janë eksperiencat e deritanishme ?

  Prej kohësh merrem me Balet & Modeling dhe mendoj se, sot jam profesionist në këtë fushë. Fillimisht nisa bashkëpunime me shumë fotografë të njohur për sete të ndryshme , më pas kam qenë pjesëmarrëse (figurante) ne disa klipe muzikore te shumë këngëtarëve të njohur . Aktualisht jam pjesë e agjencisë prestigjioze “Icon” në Tiranë.

-Kur ka filluar të kërcejë Ledi për herë të parë dhe kush e ka zbuluar si talent ?

Që e vogël isha e pasionuar pas baletit dhe ëndrrës për të qenë një balerin. Në fëmijërinë time më pëlqente shumë të kërceja, e kisha me shumë pasion. Prindërit më kanë përkrahur në ëndrrën time për të qenë një Balerin . Sa herë shikoja shfaqje baleti ose kërcime të ndryshme, provoja një ndjesi të mrekullueshme, emocionohesha dhe ndjeja një dëshirë të madhe për të qenë edhe unë pjesë e asaj shfaqje . Më pas vendosa të ndjek studimet përkatëse në fushën e baletit .

-A ka industri mode në Shqipëri, ç’mund të na thoni?

 Në fakt e kam dëgjuar shpesh dhe më vjen keq sepse e thonë pikërisht ata që ndërkohë merren me këtë gjë. Është mëse normale që s`mund të flasim për industri si vendet e botës, por gjithsesi edhe këtu ka shumë përpjekje për të arritur. Stiliste, Modelë, Fotografë, janë në gamën e modës, ku secili përpiqet në një mënyrë apo tjetër të sjellë diçka të re. Ndoshta, fakti është se shumë herë duke mos pasur dhe një edukatë mode shumë gjëra nuk perceptohen. Është më e thjeshtë të flasësh kundër sesa të ecësh me hapin e kohës.

-Ku jeni përgatitur si Balerin ?

Gjithçka ka nisur nga Shkolla e Baletit në Tiranë, ku unë morra mësimet e para rreth baletit & koreografisë. Gjithashtu, jam përgatitur dhe me mjeshtrin e madh, Profesor Agron Aliaj i cili sapo më ka parë për herë të parë , u mahnit me aftësitë e mia skenike dhe më tha që do të kesh një rrugë vërtet të gjatë në ekranet shqiptare . I kujtoj me nostalgji ato fjalë të të ndjerit dhe i jam shumë mirënjohës për gjithçka më ka mësuar . Gjithashtu kam ndjekur kurse të ndryshme baleti klasik dhe modern me profesor të zhanrit përkatës . Gjithashtu, kam qenë pjesëmarrëse në programe të ndryshme televizive si Zonë e Lirë, Pasdite në Klan etj .

-Ndërkohë , ju keni punuar dhe në disa klube në Tiranë, çfarë fituat nga kjo eksperiencë ?

Po, kam punuar në disa klabe brenda dhe jashtë Shqipërisë dhe jam ndjerë mirë dhe me një mikpritje shumë të kënaqshme.

-Çfarë e bën një Modele të jetë e suksesshme?

 Në radhë të parë e bën vetëm këmbëngulja dhe ambicia për të arritur aty ku ajo dëshiron. Është shumë e thjeshtë të bëhesh Modele sot, por e vështirë të arrish suksesin dhe famën. Unë personalisht kam tre parime në jetë, të synoj më të mirën, të punoj me shpirt për ta arritur dhe më pas të shijoj atë çka kam arritur. Nuk duhet kurrë të kënaqesh me pak, gjithmonë duhet të kërkosh atë që meriton, edhe pse pak e vështirë në ditët e sotme.

-Cili është idhulli juaj në botën e televizionit & spektaklit ?

Do të veçoj këtu Moderatoren e Pasdite në Top- Channel, Ulpiana Lama, e cila është një prezantuese plot sharm dhe elegancë.

– Cili është personazhi shqiptar, i veshur më mirë sipas jush ?

 Këngëtarja Jolanda Dhamo, mendoj unë, është super në formë…

-Dhe së fundmi diçka për ta mbyllur .

 Një përshëndetje shumë speciale për familjen time, në veçanti për miken time më të mirë, Ivën, gjithashtu dhe për lexuesit e gazetës. Ju kam xhan!