Laver Bariu -legjenda e klarinetës dhe muzikës me saze në Shqipëri

1415
Sigal

Si janë shprehur për Laverin, Dritëro Agolli, Edi Rama, Ilir Meta dhe Sali Berisha

26 janar 2014. Ditë e diel, ora 8:48. U nda nga jeta Usta Laver Bariu. Sot 85- vjetori I lindjes

 “Babai, Laveri, edhe kur ne kishim në fillim 2 dhoma dhe më vonë kur u bëmë me 4 dhoma, qëndronte e flinte më vete në një nga dhomat e shtëpisë. Një ditë më parë se të ndahej nga jeta, babai morri klarinetën dhe i ra. E puthi pastaj qau. Në momentin që dha shpirt, përreth krevatit, ku qëndronte babai i shtrirë me kokën mbi jastëk, qëndronim të gjithë, fëmijët e tij: Bujari, Dashi, Nokia, Adelina dhe nuset e djemve: Luljeta, e shoqja e Bujarit dhe unë, gruaja e Dashit”, –  më tha një javë më vonë, më 2 shkurt 2014,  nusja e shtëpisë, Nadua, e cila më tej vazhdoi: “Babai na vështronte me dashuri, e kalonte vështrimin sa tek njëri tek tjetri dhe, me sy gati të përlotur na kërkoi ta puthnim dhe ne e puthëm me plot dashuri me radhë. Në një moment  babai tha: “Bujar, është melodi e bukur kjo që po jep tani TV”  dhe, me pëllëmbën e dorës filloi të rregullonte flokët e pastaj i kaloi gishtërinjtë e dorës te mustaqet. Hodhi vështrimin nga unë, që isha përballë tij dhe pranë TV, dhe më tha: “Ngrije zërin e TV, moj bijë, se më pëlqen kjo melodi”. Unë, pa mbaruar fjalën babai e ngrita  zërin e TV”.  “Ishte kënga “Vallen hedh gjithë Shqipëria”, kënduar nga Erind Xhaferi”, –  më tha Bujar Nurka më 20 shkurt 2014.    Vjen një ditë dhe trupi i njeriut i takon tokës dhe, sa e vërtetë është kjo, po aq e vërtetë është se edhe shpirti, mendimi, idetë e vepra e njeriut, i takojnë familjes, shoqërisë , njerëzimit. Usta Laveri është nga ata njerëz, nga ato personalitete, të cilët jo vitet, por vetëm periudhat historike dhe shekujt ia japin njerëzimit.  U shua Laver Bariu, por nuk shuhet kabaja e Laver Bariut. Usta Laver Bariu është një legjendë e këngës së Përmetit, një simbol dhe mit i klarinetës në Shqipëri. Laver Bariu është jo vetëm një klarinetist i madh dhe një kapiten i madh i sazeve, por ai gjatë hapësirës kohore më se gjysmë shekulli, krijoi edhe shkollën e vet të klarinetës dhe të muzikës me saze në Shqipëri.         Ustai i Madh Laver Bariu ngriti Shkollën Laveriane të Klarinetës dhe të Muzikës me Saze në Shqipëri.

Kanë thënë për Laver Bariun:

   Dritëro Agolli: “Laveri është një monument i madh kulture dhe ai mbajti gjallë shpirtin e gjyshërve. Klarineta e tij është një simfoni e tërë. Njerëzit e mëdhenj, siç është edhe Laveri, lindin një herë në njëqind vjet … Laverin e kisha mik shtëpie, e desha Laverin dhe ai më deshte mua”, – më tha Dritëro Agolli kur unë u takova e bisedova me shkrimtarin e madh në shtëpinë tij më 22.02.2014. Më tej Dritëroi tha: “E mora në telefon djalin e Laverit, Bujarin dhe i thashë: “Kur të vendoset  në banesën e fundit trupi i mikut tim, Laverit, hidh mbi arkivol dy grushte me dhe, një nga ana ime dhe një nga ime shoqe, Sadija”. Kur unë i thashë se Bujari e kreu porosinë Tuaj dhe se dy grushtet e dheut që hodhi Bujari në emrin Tuaj, ishte dheu i parë që u hodh mbi arkivolin me trupin e Usta Laverit, Dritëroi më tha: “Falënderoje nga ana ime dhe Sadijes  djalin e Laverit, Bujar Nurkën”.

   Ilir Meta:    “Laver Bariu … Ustai i madh  i sazeve të Përmetit dhe një nga  zëdhënësit e shpirtit, halleve, derteve dhe gazit të popullit tonë nuk është më! Iku duke lënë pas tingujt e  kabave të tij të papërsëritshme! Iku duke lënë pas atë frymëzim fantastik të trëndafiltë të qytetit të tij dhe gjithë Shqipërisë! … Për gjithë çfarë dha, mirënjohje të pafund për Mjeshtrin e Madh!”, – shkruan Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, një ditë pasi u nda nga jeta Usta Laveri, në letrën që i dërgoi familjes së Laver Bariut.

        Edi Rama: “Laver Bariu s’është më! Talenti i madh natyral që meriton sot mirënjohjen tonë për ç’na dha dikur me instrumentin e tij. Ngushëllime familjes”, – shkruan në Facebook, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më 26.01.2014.

        Sali Berisha: “Ndarja nga jeta e Laver Bariut, princit të klarinetës, sazeve, polifonisë sonë është humbje e madhe, trishtim e zi për muzikën, jetën tonë artistike, për polifoninë shqiptare dhe botërore. Laveri u nda nga jeta, por si virtuoz i papërsëritshëm do të jetojë gjithmonë në meloditë, këngët, gëzimet e shqiptarëve. Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Laver Bariut …”, – shkruan ish- Kryeministri, Sali Berisha, në Facebook më 26.01.2014.

                Vetëm disa ditë pasi u nda nga jeta Usta Laveri, më 31.01.2014, Zv/ambasadori amerikan në Tiranë, Henry Jardine, shkoi në Përmet dhe vendosi lule mbi varrin e artistit të madh Laver Bariu.

                Usta Laveri është një apostull i klarinetës dhe muzikës me saze në Shqipëri

                “Nëse do t’i jepja një përgjigje se ç’është kabaja si ndjesi emocionale tek Laveri, do të thoja se është pasqyrë binjake e shpirtit të tij dhe pasqyrë e bashkësisë kolektive.  Ajo reflekton shpirtin e njeriut, që nga djepi me përkëdheljen e një nina-nane e deri tek arkivoli. Dashuron si shpirti, si një shi trëndafilash fletë-fletë i derdh petalet e tingujve, fërfërin si flladi, gurgullon si Vjosa, ka ngjashmëri me të për nga gurgullimat, ondulacionet, pastërtia, kthjelltësia, sasia e prurjeve. Kabaja e Laverit lëndohet si shpirti e të lëndon shpirtin, qan si shpirti, klith si ai, emigron si shpirti dhe merr rrugën për Janinë. Kabaja e Laverit dhe e gjithë bashkësisë që e krijoi është një “OI…” e madhe, e cila përthyhet në mijëra “OI…” të vogla, e të gjitha së bashku krijojnë hapësira të pamata, që do t’i quaja “Hapësirat e OIRAVE”, – shkruan kompozitori Aleksandër Peçi në “Gazetën Shqiptare” më 02.03.2008.  Usta Laverin  do ta kemi vetëm në ajër, në tingujt e kabave të tij të pavdekshme, që do të vazhdojë t’i japë emër Përmetit në shekuj. Vepra e tij është kolona zanore e jetës së këtij qyteti dhe himni i shpirtit të përmetarëve”, – shkruan  deputeti i Përmetit, Vladimir Kosta, në “Facebook” më 26.01.2014. “Usta Laver Bariu … është personalitet i shquar i muzikës popullore shqiptare si muziktar popullor në gërnetë dhe si këngëtar. Themelues dhe drejtues i Sazeve të Përmetit të njohura në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj … Sazet e Usta Laverit janë formacioni më i kompletuar i Sazeve të Jugut për periudhën ndërmjet viteve 1950 – 1990”, – ka shkruar etnomuzikologu Vaso Tole.

                “Usta Laveri … nuk fliste me sy, as me fytyrë e mustaqe. Fliste me frymën e nxjerrë nga zemra, që transmetohej përmes klarinetës së tij, e cila shprehte gjuhën më unifikuese njerëzore – muzikën … Usta Laver Bariu u nda fizikisht nga kjo botë …pushoi zemra e tij, por nuk do të heshtë tingulli i klarinetës i nxjerrë nga mjeshtri i papërsëritshëm i këtij instrumenti”, – shkruan etnomuzikologu nga Kosova Visar Memishi në gazetën “Koha Ditore” të Kosovës më 01.02.2014. Kush e bëri Laverin Laver? Mjedisi familjar i Laverit dhe ai shoqëror i Përmetit e drejtuan Laverin drejt muzikës, drejt instrumenteve popullore, në fillim drejt llautës e pastaj klarinetës, ndërsa më tej talenti natyral dhe puna këmbëngulëse derdhën ngjyrat e ylberit në klarinetën e Laver Bariut, e bënë Laver Bariun një legjendë të gjallë të sazeve dhe usta të madh të klarinetës  në Shqipëri, në Ballkan dhe  në Europë. Përmeti, ky qytet, – si e ka cilësuar Pukëvili, -“i mrekullueshëm, ngjyrë gri, buzë Vjosës e anës Dhëmbelit, i spërkatur nga Zoti me të gjitha ngjyrat që të fal natyra”, ka qenë dhe është një qendër e madhe me instrumentist të njohur e orkestra sazesh të shquara. “Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX dëgjohen sazet e vëllezërve Muço e Meko”, – thotë muzikologu Kosta Loli. Sazet e Medi Përmetit (1865 – 1935) përbënë  një pikë referimi për një brez të tërë klarinetistësh. Në vitet 1930 – 40 veçohen klarinetistët Halit Asllani, Vait Islami dhe usta Jonuzi, ndërsa në hapësirën e viteve ‘50 të shekullit XX deri në atë të viteve ‘10 të shekullit XXI shquhet e lartësohet edhe në planin kombëtar Laver Bariu.

 Jeta

  Laveri u lind më 2 maj 1919. I ati, Bariu, ishte djali i Demkës, ndaj dhe e thërrisnin Bahri Demka, ndërsa babai i Demkës ishte Nurka, ndaj dhe quhej Demkë Nurka. “Babai, Bariu, ishte muzikant në lahutë e këngëtar, ndërsa gjyshi, Demka, ishte muzikant në violinë”, – më ka thënë Usta Laveri më 05.05.1998. Nëna e Laverit, Fatime Ramadani, ishte nga Përmeti dhe, nga ana e prindërve, zotëronte edhe një sasi toke e vreshtash.  Bariu merrej me vreshtin e tij dhe punonte  si llautjer edhe me Medi Përmetin. Bariu dhe Demka “mbollën” ndjenjën e muzikës dhe dashurinë për instrumentet e kësaj muzike në shpirtin e Laverit.  Ende pa u rritur, kur ai ishte vetëm gjashtë apo shtatë vjeç, – thonë bashkëmoshatarët, – e shikoje Laverin me pipëzën e kallamit të grurit si dhe të fyellit të bërë prej teneqeje apo me llautën e të atit, që u binte sokakëve të Qoshkut të Përmetit apo brenda mureve të shtëpisë së tij që ngrihej pranë lumit Vjosa. Në vitin 1936, kur Laveri ishte 7 vjeç, prindërit e tij, Bariu dhe Fatimeja, të detyruar nga vështirësitë e mëdha ekonomike me mendimin që të mposhtnin fukarallëkun dhe të rrisnin të gjashtë fëmijët që ata kishin, Elimën, Sulejmanin, Ganiun, Laverin, Lefterin dhe Myneverin, largohen nga Përmeti dhe vendosen në Korçë, ku qëndruan jo pak, por plotë nëntë vjet, deri më 1945-n, kur u rikthyen në Përmet. Në Korçë, si llautier punonte Bariu, si llautier punonte edhe Laveri. Nisur nga përpjekjet e domosdoshme për mbijetesë, nga emri i mirë i babait, Bariut, si dhe nga talenti që kishte derdhur tek ai natyra dhe nga puna e tij me përkushtim, Laveri në Korçë , hyn e punon në fillim si llautier me sazet e klarinetistit Hajdar Cangonji nga Zvezda dhe, më pas, me sazet e klarinetistit Sulo Konica, të dy klarinetistë me emër në Korçë. “Në Korçë shkova e punova me klarinetistin Hajdar Cangonji. Dasmën e parë e kam bërë me Hajdar Cangonjin në Vithkuq të Korçës. Pas Hajdarit shkova me klarinetistin Sulo Konica, i ardhur në Korçë. Unë punoja me llahutë. Punoja me Sulon në lagjen Kulleirë dhe në lokalet e Korçës”, – më ka thënë Usta Laveri më 05.05.1998. Disa muaj mbas Çlirimit, Bariu me gjithë familjen kthehet në Përmet, ku nuk do të kalonin veçse disa ditë dhe, Laverin, do ta thërriste klarinetisti i njohur Vangjel Leskoviku, i cili në atë kohë ishte vendosur me familje në Lëshicë dhe vetë punonte në Përmet, ku jo rrallë qëndronte e kalonte natën në shtëpinë e Mazar Asllanit. I ati i Laverit, Bariu, kishte muaj që nuk po luante më në llahutë, dy djemtë e tij, Sulejmani,  apo si e thërrisnin në familje e në shoqëri, Mamani (1925-1944) dhe Ganiu (1927-1944), kishin rënë dëshmorë në luftë  për Çlirimin e Atdheut: në fillim, Ganiu, partizan në batalionin “Reshit Çollaku”, ra në luftë me forcat gjermane në Poiskë të Pogradecit më 12 shtator 1944, ndërsa, pas 42 ditësh, Mamani, me veprimtari antifashist në Korçë, u kap dhe u pushkatua nga nazistët gjermanë në Prishtinë më 24 tetor 1944. Bari Nurka, i kërkoi Vangjel Jorgos apo si njihej Vangjel Leskovikut (1906 – 1970),  të merrte në grupin e vet  djalin e tij, Laverin dhe mjeshtri i klarinetës Vangjel Leskoviku, duke parë edhe mjeshtërinë e djalit, e mori si llahutier në grupin e vet Laverin e Ri.       “Pranë Vangjelit punova afro 8 -10 muaj me llautë, me shahirët apo sazet e Përmetit. Për mua Vangjel Leskoviku ishte një ndër klarinetistët më të mirë në Shqipërinë e Jugut. Vangjeli ishte në atë kohë lart-poshtë 40 vjeç, moshatar me babanë, Bariun”, – më ka thënë Usta Laveri. Laveri, ndërsa pranë Vangjelit punonte me llahutë, në shtëpi e larg Vangjelit luante me klarinetë, të cilën ia kishte blerë i ati gjatë luftës në Korçë.  “E desha llahutën, por nuk e di as vetë pse klarineta më qëndronte gjithmonë mbi llahutën”, – thoshte Laver Bariu. “Ishte diçka e brendshme, gati mistike, që më shtynte drejt klarinetës”, – vazhdonte më tej Laveri. Ndaj, pas afro dhjetë muajsh, më 1946-n, kur mjeshtëria ishte ulur tashmë në duart e tij, Laveri, edhe kur në Përmet ishte Vangjel Leskoviku,  në vitet 1946 -1950, ngre grupin e vet të sazeve, punon vetë në klarinetë dhe pranë tij tre llahutierë: Selim Asllani, Sherif Lamçe dhe Mazar Asllani. Në këto vite u ngritën dhe filluan rrugën sazet e Usta Laver Bariut.

   Ç’na thotë vetë Laveri për veprimtarinë e tij dhe të familjes së tij deri më 1952?

 “Jam lindur dhe jam rritur në një familje shumë të varfër, ndaj dhe nuk arrita kurrë të arsimohesha … Kam kryer vetëm dy klasë fillore … Familja ime u lidh me Luftën Nacionalçlirimtare dhe dy vëllezërit e mi ranë dëshmorë … Isha fare i vogël kur dëgjoja me ëndje të madhe gjyshin tim  Nurka, i cili ishte mjeshtër në violinë. Ai ma nguli në mëndje e në shpirt muzikën. Kohë më pas, im atë, Bariu, më mësoi t’i bija llahutës dhe xhezit, vegla këto të cilat ai i zotëronte vetë shumë mirë … I thoja tim eti se, nëse nuk më blinte një gërnetë, unë nuk lëvizja nga shtëpia. Ai u detyrua të ma blinte atë, duke paguar pesë napolona. Në Përmet u njoha me shokë të rinj, me llahutierin e Ansamblit të Shtetit, Selim Asllanin, me Sherif Lamçen e Mazar Asllanin … Së bashku, me punë këmbëngulëse, arritëm të përfaqësoheshim në festivalin e organizuar në Tiranë, në vitet 1951 – 1952”, –  thoshte për këto vite Usta Laveri. Laveri kishte një trup të drejtë, i gjatë 1.75 m, me ballë të gjerë, me rrudha të dallgëzuara, me sy bojë qielli, depërtues e plot shkëlqim, që shikonin larg në pritje të diçkaje misterioze, që vinte nga hapësira apo zbret nga qielli, me flokë të dendur e vetulla të trasha, me mustaqe spic të mbajtura me kujdes, të cilat qëndronin në raport harmonik me flokët dhe vetullat, të treja me ngjyrë të zezë të ndezura, plot theksim, që vlerësojnë ballin dhe sytë plot mister të portretit, ku derdhej e qëndronte bukuria.

                I ati i Laverit, Bariu, u nda nga jeta më 1958-n, ndërsa e ëma, Fatimeja, më 1969.

                Laveri u martua më 12 shtator 1949, me Kanon, vajzën e Cenes dhe Serfirasë nga Përmeti. Ishte zonjë grua, e cila i qëndroi përherë në krah Laverit. “Babai gjithmonë e ka respektuar nënën dhe, kurdoherë, si në monizëm ashtu dhe në pluralizëm,  e thërriste “Zonja Kano”, – më thotë djali i Laverit, Dashi, më 12.03.2014. Laveri ka 5 fëmijë, 3 djem dhe 2 vajza, që janë: Merita, Bujari, Dashnori, Adelina dhe Novruzi. 52 vjet drejtuesi i sazeve të Përmetit ishte Laveri. Nuk mund të ndahet ai nga klarineta dhe as ajo nga Laveri. Po kështu edhe sazet e Përmetit. Sazet, si formacione të vogla orkestrale, kanë qenë dhe janë tipike për Përmetin. Mendohet se ato janë kristalizuar si formë fillestare gjatë shekullit XIX. Më tej, kristalizimi i tyre, si një shprehje e veçantë e ndërgjegjes artistike të popullit, lidhet me ligje të tilla folklorike si organizimi, kombinimi e drejtimi i ndërgjegjshëm i intonacionit muzikor popullor në një ansambël orkestral heterotimbrik për nga numri tepër i vogël e për nga cilësia artistike me vlera të mëdha. Parë në këto drejtime formacioni orkestral gjysmëshekullor i Laver Bariut, qëndron më lart se ai i shekullit XIX apo gjysmës së  parë të shekullit XX. Laveri, në vitet ’50, futi fizarmonikën në formacionin orkestral dhe, i pari në këtë instrument është Qemal Ponoçi, i cili njëherësh dhe së bashku me Laverin janë ndër këngëtarët e parë dhe tashmë të njohur të sazeve të Përmetit. Laveri, në vite ’60, futi edhe defin në sazet e Përmetit dhe defxhi ishte Krenar Mania, i cili, si thoshte Laveri: “Është defxhiu më i mirë që deri më sot ka nxjerrë Përmeti”. Klarineta, siç dihet, udhëheq sazet dhe, ky instrument aerofon, në duart e Laverit, shquhej për veçoritë e saj të gjëra e të thella tingëlluese,për timbrin e pastër dhe aftësitë e mëdha teknike për të luajtur në natyrën e stilit popullor meloditë modale instrumentale apo vokale me pasazhe të ndërlikuara, me variacione, me rrëshqitje e figura zbukuruese nga më të ndryshmet, që dinë t’i bëjnë vetëm ata pak mjeshtra në qoftë se ka të rangut të Laverit. Kabaja e Laverit karakterizohet nga improvizimi i lirë i ngritur mbi një fillesë muzikore modale, nga temperamenti i gjallë, nga ndjenja e gjendja shpirtërore plot hove e shpërthime, ka kontraste të brendshme dhe elasticitet në ndërtim, shpreh jo vetëm dhimbjen, meraket dhe mundimet, por edhe gëzimin e jetës, qejfin e harenë, shpreh gëzimin dhe dhimbjen, gazin dhe vajin apo gazavajin  e njeriut. Jo vetëm në Përmet, por kudo në Shqipëri si dhe jashtë Shqipërisë, njihet sot bukuria, eleganca dhe virtuoziteti i kabave sa tokësore aq edhe qiellore të Laver Bariut.  “Kur luaj në klarinetë më këndon gishti!”, – më thotë Usta Laver Bariu më 12.07.2003, kur me ne të dy  ishin edhe Moikom Zequa e Thanas Dinua. Klarinetën e kishte pasion edhe një nga figurat më të mëdha intelektuale shqiptare të dekadave të para të shekullit XX, Faik Konica. “Faik Beg Konica kishte pasion klarinetën dhe oboen. Në dhomën e ndenjes kishte një koleksion të vjetër të këtyre instrumenteve … Faiku luante melodi të vjetra”, – shkruan poeti i njohur francez Gijom Apolineri.  Laveri, i ka vlerësuar dhe është frymëzuar nga klarinetistët Hajdar Cangonji, Sulo Konica, Medi Përmeti, Vangjel Leskoviku, Riza Meko dhe Jonuz Lamçe. Vlerësonte Remzi Lelën – Çobanin dhe Novruz Nuren – Lulushin. Ai, gjatë ecurisë drejt përsosmërisë, ka frymëzuar klarinetistët e rinj, ndër të cilët nga Përmeti përmendim Genci Muço, Ilir Duralliu, Gëzim Duralliu, Sadik Zeqiri e Josif Shukollari.  Usta Laveri i organizoi sazet e veta, si kemi cilësuar, në vitet 1946-1950, me një klarinetë e tre llahuta, luante vetë në gërnetë dhe në llahuta Selim Asllani, Mazar Muço  dhe Sherif Lamçe. Në takimet kombëtare të folkut, Sazet e Laverit për herë të parë konkurruan më 13 korrik 1952, në Takimin Folklorik të Tiranës, ndërsa për herë të fundit më 14 qershor 2001 në Takimin Polifonik të Gjirokastrës. Në daljen e parë përbërja e tyre ishte: Laveri në klarinetë, Mazar Muçua në llahutë, Qemal Ponoçi në fizarmonikë e këngëtar, Sazan Shahini në llahutë dhe Lefter Nurka në fizarmonikë, ndërsa në daljen e fundit: usta Laveri në klarinetë, Lefter Nurka në fizarmonikë, Sulejman Lame në fizarmonikë e këngëtar, Gëzim Duralliu në klarinetë, Jarek Muço në llahutë, Spiro Konini në dajre dhe Ylli Muço në fizarmonikë.  Në hapësirën e viteve 1968 – 2000, nga i 1-ri në të 6-in Festival Folklorik Kombëtar, të organizuar në Kalanë e Gjirokastrës, sazet e Usta Laver Bariut kanë përbërjen më të qëndrueshme , që tashmë ka hyre në histori: Usta Laveri në klarinetë, Lefter Nurka në fizarmonikë, Sulejman Lame këngëtar e në fizarmonikë, Xhelal Zeqiri në llahutë e këngëtar, Krenar Mane në dajre dhe Llazo Vangjeli në violinë. Pas ndarjes nga jeta të Krenarit më 1994-n, në dajre herë ishte Fatmir Shahini dhe herë Arban Zeqiri. Sazet e Usta Laverit ishin shkolla, ndërsa Usta Laveri ishte profesori i artistëve që krijuan më vonë orkestrinat e reja me saze në Përmet, të cilët mësuan në Shkollën Laveriane të Përmetit dhe morën pjesë edhe në përbërje të Sazeve të Usta Laverit në shumë koncerte, brenda e jashtë Përmetit, në takime e festivale rajonale e kombëtare, nga të cilët veçojmë instrumentistët: Genci Muço, Jarek Muço, Ilir Duralliu, Ylli Muço, Refan Ponoçi, Artur Zeqiri, Fredi Daci, Sadik Zeqiri, Gëzim Duralliu, Adem Daci e Josif Shukollari dhe këngëtarët: Sulejman Lame, Vaskë Curi, Arban Zeqiri, Evgjeni Çulli, Drini Kanani, Donika Pecollari, Vjollanda Tralo, Yllki Zeqiri, Fatmir Shahini, Dhimitraq Curi e Dhimitrulla Ngjela.

Nesër do të lexoni:

-Klarineta  e Usta Laverit ndoshta është e papërsëritshme te filmi “Gjeneral Gramafoni”

–        Dy monumente ka Përmeti, Gurin e Qytetit dhe Laver Bariun

–        Usta Laverit kur ishte 15 vjeç, iu vranë në luftë dy vëllezërit e tij, Ganiu e Mamani

 Përmet, 26.03.2014