Lashtësia e emrit të Poliçanit dhe nuklet e para njerëzore

3347

Kujtime nga Sami SHMILLI

Sigal

Në lartësinë  350-400 metër, mbi shtratin e lumit Osum, dhe 22 kilometër në juglindje të qytetit të lashtë e muzeal të Beratit, gjendet vendbanimi i Poliçanit. Poliçani kufizohet, në lindje të tij, me malin Tomorr; në jug dhe jugperëndim me lumin Osum, në pjesën veriore me lagjen Balle, të fshatit Kapinovë; si dhe lagjet Perrik dhe Prokuç të fshatit Mbrakull. Sipas të dhënave historike, rezulton që vendbanimi i Poliçanit fillon me krijimin e lagjes Toçkë  rreth viteve 860-900 të Erës Sonë. Sipas historisë sonë kombëtare, në këtë periudhë vendi u pushtua nga sllavët dhe në shumë krahina dhe zona të tij, pati një dyndje të madhe të sllavëve në Shqipëri, të cilët u ngulitën në krahina dhe zona më pak të populluara nga vendasit, por të përshtatshme për jetesë dhe me kushte të favorëshme për zhvillimin e blektorisë dhe bujqësisë. Në rrethinat e trevës së Beratit sllavët u vendosën edhe në zonën e Nahijes dhe, pikërisht, në qendrën e sotme të Poliçanit duke pagëzuar së pari me emërin sllav, Toçkë, pjesën më lartësore të tij. Kjo pikë gjeografike, fjala toçke në gjuhën sllave do të thotë pikë, ka një pozicion favorizues në pjesën perëndimore të malit Tomorr. Ndërsa vendin për rreth kësaj pike ata e emërtuan Poliçan që, në sllavisht, do të thotë shumë lagje. Edhe disa vendbanime të tjera të zonës së Nahijes, sllavët i pagëzuan me emëra të gjuhës se tyre; emra që gjenden edhe sot të pandryshuar si: Novaj, Nishovë, Kapinovë, Malishovë etj… Kolonet sllave, duke gjendur troje të favorshme për jetesë, në këtë trevë, filluan të punojnë. Duket se ata janë marrë kryesisht me blektori, bujqësi dhe pemtari, të bazuar edhe ata në traditën dhe përvojën e krijuar në shekuj prej banorëve të zonës, që në këtë periudhë, gjendeshin me shumicë të ngulitur në qytezën e Bargullasit dhe, pady

shim, në Berat. Blegtoria e vendasve dhe e të nguliturve sllavë veronte gjithmonë në lartësitë e Kulmakut dhe të malit Tomorr, ndërsa në dimer, bëhej kthimi në vendbanime ku ultësirat dhe lumi Osum ishin të përshtatshëm dhe favorizues në ushqim dhe jetesë normale. Në lagjen Toçkë, sllavët ndërtuan edhe një faltore të besimit ortodoks, e cila ndodhej në kodrën e vogël, kodër që, edhe në ditët e sotme thiret “Kodra e Kishës”. Në librin “ Berati, historia dhe arkitektura “ gjejmë të dhëna historike mbi pushtimin sllav dhe ngulitjet e tyre në Shqipëri. « Në vitin 860 të Kohës Sonë, bullgarët pushtuan Shqipërinë e Mesme me kryeqendër Beratin, pushtim ky që zgjati mbi 150 vjet. » Faqe 14, paragrafi 18.

« Në vitin 1356 qyteti i jashtëm i Beratit u invadua nga serbët. Ata plaçkitën, vranë dhe varën në të dy anët e rrugës, por kalanë nuk e morën dot. »  faqe 27, paragrafi 14 dhe 27. Siç shihet, pushtimi sllav nuk është bërë pa gjakderdhje dhe, si të gjitha pushtimet që ka kaluar vendi ynë, edhe ky pushtim tregoi se Shqiptarët edhe mund të humbin përkohësisht betejat, ata nuk mund të gjunjëzoheshin dhe nuk nënshtroheshin dhe aq më pak akoma, të asimilohen; siç kishin ndërmend të bënin pushtuesit kur pas pushtimit, menjëherë, sollën kolonë të shumtë sllavë të cilët i vendosën në hapsirat e reja që i emërtuan që të gjithe me emra sllavë. Kështu ka ndodhur edhe në zonën e Nahijes, ku pushtuesi, nëpërmjet kolonëve të sjellë dhe emërtimeve të reja që u bëri vendeve dhe pikave dominuese, kishte synim të asimilonte popullsinë autoktone që përgjithsisht në atë kohë, përveç Beratit duhet të ketë qënë e shumtë në numër edhe në qytezën e lashtë të Bargullasit, emërtim i të cilit sipas arkeologëve, është tepër i lashtë dhe i pandryshueshëm gjer në ditët tona. Mospajtimi me pushtimin e vendit dhe supermacia që sllavët kërkonin të arrinin në këtë periudhë edhe në zonën e Nahijes, si në të gjithë teritorinë tjetër të pushtuar, bënin që vendasit, herë pas here, të organizuar ose spontanisht, t’i jepnin goditje të ashpra armikut. Edhe pse, përgjithësisht, për këtë periudhë, mungojnë datime historike, për beteja dhe ngjarje luftarake të zhvilluara, midis sllavëve pushtues dhe banorëve vendas të asaj periudhe, arsyeja të bën të besosh se rezistenca luftarake, traditë e përhershme e vendasve, kundër pushtuesve, ka qënë e përhershme; gjer në shporrjen përfundimtare të sllavëve dhe kolonëve të tyre nga kjo zonë, si nga gjithë zonat e tjera të vendit tonë. Rënia e Stefan Dushanit, shënon përfundimisht edhe largimin e sllavëve nga vendi ynë në gjysmën e dytë të shekullit të 13-të. Për t’i rezistuar edhe asimilimit njerëzor në krahinë, vendasit, duket se kanë rritur ndjeshëm numrin e banorëve të lindur, refleks demografik efikas i vetëmbrojtjes dhe në të njëjtën kohë, garanci për vazhdimësinë e gjeneracioneve të reja shqiptare. Dhe është pikërisht shtimi demografik i popullsisë në zonë, arsyeja e zbritjes graduale e tyre në ultësirat e mbishtratit të lumit Osum. Por ata zbritën dhe u vendosën pikërisht në vendbanimet me ish kolonë sllavë, sepse këta të fundit ose ishin larguar tashmë bashkë me pushtuesin, ose kishin mbetur në minorancë dhe ishin bërë krejt të papërfillshëm për kërcënim ndaj vendasve. Në rrethinat e Poliçanit të sotëm, ata fillimisht janë vendosur në vendin e quajtur Pronovik, dhe janë kryesisht me mbiemrin Bajraktari thuajse të gjithë të ardhur nga fshati Nishovë. Në vend banimin tjetër të quajtur menjëherë, Kalluç sepse këtu u ngulitën banorë me mbiemrat Kalluçi, Çela, Dashi të ardhur edhe këta nga fshati Novaj, Nishovë dhe nga qyteza e lashtë e Bargullasit. Banorë të tjerë me mbiemrat Koroni, Sherri, Xhaferri e Lavdari, u vendosën në një tjetër pozicion dhe u emërtuan “lagja Lavdar”, në një tjetër pozicion, paksa mbi lumin Osum, u vendosën banorët e parë me mbiemrin Shmilli duke e emërtuar këtë zonë me të njëjtin emër, banorë këta të ardhur po nga qyteza e Bargullasit. Ndërsa në vendbanimin e emërtuar më parë nga sllavët Toçkë, janë sistemuar banorë me mbiemrat Lulaj, Koroni, Spaho, Gorezi etj; të gjithë këta mendohet të kenë ikur nga qyteza e lashtë e Bargullasit, siç mendohet të jetë populluar po kështu edhe vendi i quajtur Plirez, me banorë të qytezës së vjetër të Bargullasit, që mbajnë edhe sot mbiemrat Spaho e Sherri. Ndërsa disa familje të tjera me mbiemra të ndryshëm kanë ardhur kryesisht nga fshatrat Teman,Terpan dhe nga fshati i dëgjuar në histori, Frashër i Përmetit. Pra të kësaj periudhe dhe të periudhave të tjera që do të vinin më pas, janë emërtimet e lagjeve të Poliçanit si, Shmill, Pronovik, Plirez, Lavdar, Kalluç dhe lagja më e vjetër autoktone, Toçkë.

Ikja e sllavëve dhe ardhja e banorëve të rinj në Poliçan, solli ndryshime shumë të rëndësishme. Filloi një jetë e re dhe menjëherë u ndërtuan shtëpi të reja me gurë dhe mbulesa rrase prej guri, karakteristikë e hershme ndërtimore e zonës. U hapën toka të reja bujqësore, u mbollën perime, vreshta, pemë ku dominonin arrë, bajame, mana, kumbulla, tek tuk u mboll edhe ndonjë degë ulliri, u kultivua bletaria, u shtuan kafshët e punës dhe shpezët shtëpijake, u sistemuan rrugët u shtuan kopetë e bagëtive, kryesisht dhitë, u sistemuan dhe rregulluan rrugët, sheshet, burimet e ujit, filloi gjallërimi i jetës me lindje fëmijësh, dasma e fejesa të reja, dhe së fundi u ndërtua edhe varreza si vendpushim i përjetshëm i këtyre banorëve të rinj. Vitet e mëvonëshme dhe shekujt që do të vijnë, nuk do të sjellin shumë begati për Poliçanin dhe banorët e tij. Kjo edhe për faktin e njohur se ikja e pushtuesve të vjetër u zëvendësua me ardhjen e pushtuesve të rinj turq të cilët, ndryshe nga paraardhësit pushtues sllavë, që emërtuan për ti mbajtur përjetësisht vendet, kodrat, sheshet, livadhet, etj… turqit edhe në këtë zonë ndërmorën invazion barbar, jo në drejtim të emërtimeve të vendeve, por në drejtim të gjuhës, emërave njerëzore dhe kryesisht për ndryshimin e besimit fetar. Njihet mirë fermani i sulltan Selimit, i vitit 1517, i cili kërkonte jo vetëm prishjen e kishave ose kthimin e tyre në faltore për myslymanët, por edhe ndërrimet e emrave të krishterëve në myslimanë dhe më e rëndësishmja, bërja synet e fëmijëve dhe të rinjve si shenjë dalluese dhe e pakontestueshme e besimit fetar. Duke vënë në zbatim kulaçin dhe kërbaçin, edhe ata arritën të bëjnë përkohësisht disa ndryshime. Megjithëse ende s’ka  dokumente të vërtetojnë pjesmarrjen e poliçanasve në 25-vjet betejash e luftrash shqiptare, nën udhëheqjen e Skënderbeut, besohet që pjesëmarrja e tyre të jetë e plotë, reshtuar në repartet kalorsike të drejtuara ndofta, nga fisi i njohur beratas Muzakaj. është e pamundur që në gjithë ato vite luftrash dhe angazhimesh atdhetare, Poliçani të mos ketë dhënë ndihmesën dhe detyrimin e vet si gjithë Arbëria. Mungesa e dokumentacionit që tashmë dihet përse ka humbur, djegur, asgjësuar nga pushtuesi dhe lakejtë e tyre bastardë shqiptarë, nuk do të thotë që të fshihet edhe ekzistenca e këtij vebndbanimi kur, siç thamë edhe më sipër, emërtimi i tij zbret gjer në shekujt paraardhës të pushtimit barbar sllav. Po të marrim parasysh edhe faktin tjetër se nga zona e Nahijes, kryesisht flitet për Roshnikun, në periudhën pas vdekjes së heroit kombëtar Skënderbeut, ka dalë një fis tepër i njohur por fatkeqësisht me mbeshtetje totale dhe shërbim besnik e servilizëm, ndaj Portës së Lartë, fisi i Qypërllinjve, të cilët drejtuan shtetin turk për gati dy shekuj, duke nxjerrë nga trungu i tij 9 Kryeministra dhe 40 Zëvendës Kryeministra -Shih revistën Klan nr 8, 1999 – Kjo të jep të drejtën të hamendësosh se siç është shkruar edhe më parë, dokumentacioni ose u dogj, ose u mor e u asgjësua në Stamboll nga pushtuesi i ri, apo nga shërbyesit e tij fanatikë servilë e bastardë shqiptarë. Kur ky dokumentacion ende është tepër i mangët për gjithë vendin tonë, ndaj s’ka përse të kemi habi përse s’ekziston asgjë për Poliçanin e kësaj periudhe, apo për gjithë trevën e Nahijes në përgjithësi.Veç duhet saktësuar këtu një dukuri e përgjithshme shqiptare për të shkuar forcërisht nizam në ushtrinë e Sulltanëve, ka detyruar edhe poliçanasit të cilët në kujtimet që na kanë lënë brez pas brezi të parët tanë, tregohet se si të gjithë fiset që banonin në poliçan, detyrimin ushtarak në ushtritë e Stambollit e kanë kryer jo vetëm në kohë qëndrimi të lartë që shkonte 7-9 e më shumë vjet, por edhe në vende tepër të largëta. Kënga e lashtë që bën fjalë për vdekjen e nizamit të mirënjohur  “Mbeçë, more shokë, mbeçë…”, është kënduar tradicionalisht brez pas brezi edhe në Poliçan, natyrisht me individualitetin e veçantë që kanë këngët popullore të zonës së Nahijes dhe të vet Poliçanit. Pa pretenduar në të njëjtën kohë se kjo këngë është autoktone poliçanase, vërtetohet që ajo është një këngë tipike edhe poliçanase, trashëguar brez pas brezi, siç mund të jetë trashëguar  natyrshëm edhe në zonat e Skraparit, Gramshit, Ersekës dhe deri-diku edhe të Përmetit. Humbja  e së drejtës kombëtare për të folur dhe shkruar shqip, që një tjetër mënxyrë e rëndë që kapi kombin tonë në këtë periudhë errësire otomane, nga ku s’do të bënte përjashtim edhe zona e Nahijes dhe vet Poliçani. U kërkua, dhe në njëfarë mase të konsiderueshme u arrit të realizohej me kulaç e kërbaç, ndërrimi i besimit fetar dhe i emërave shqiptar në emra turk. Ska asnjë dyshim se në këtë periudhë traume të rëndë kombëtare, edhe fiset e poliçanit u detyruan të tjetërsohen me kulaç dhe me kërbaç. Taksat e shumta, ose siç quhej xhelepi, rëndonte shumë gjendjen ekonomike të familjeve të këtij vendbanimi të cilët, shpesh herë, jo vetëm nuk paguanin taksat, por në shumë raste kundërshtonin me forcë dhe ngrinin krye ndaj të dërguarve të Portës së Lartë. Është treguar brez pas brezi dhe njihet akti i guximshëm dhe atdhetar i burrave të Poliçanit, qe me në krye Braho Sherrin, u bënë pritë tagrambledhësve dhe suvarinjve turq që i shoqëronin, tek Përroi i Furrës, duke i coptuar e grirë të gjithë me shpatat e tyre të fuqishme. Ky sulm i suksesshëm i atdhetarëve poliçanas bëri bujë në të gjithë Nahijen dhe më gjerë, duke treguar  edhe një herë se të bashkuar, të armatosur, dhe me idealin për të qenë të lirë, s’kish pushtues që të ishte i pathyeshëm edhe në këtë vend të vogël. Mungesa e datës së saktë të këtij akti atdhetar, nuk do të thotë që edhe sot, në një vend të dukshëm, në vendin ku është zhvilluar beteja, të mungojë një shënim i thjeshtë që të thotë dy fjalë për këtë betejë historike të banorëve të Poliçanit; betejë që mendohet se është zhvilluar në mesin e shekullit të XIX-të. Sigurisht ka patur edhe të tjera akte të guximshme atdhetare si ai i një kohe pak më të vonë, kur Ceno Lavdari bashkë me mikun e tij të afërt, Baki Gjebrea e të tjerë, u ngritën kundër sundimtarëve turq dhe vasalëve të tyre, të cilët arritën që ti kapin dhe ti burgosin në burgun e Beratit. Të tilla beteja dhe kundërshti nuk duhet të kenë qenë të pakta edhe në zonën e Nahijes së Beratit, pavarësisht se më parë se të pëllcisnin, Qyprillinjtë roshnikas duhet të kenë patur mundësinë dhe mjetet e duhura për t’i sheshuar e asgjësuar shpejt gjërat kundër Portës së Lartë. Ata s’kishte se si të lejonin që kundërshtitë ndaj turqëve, në Nahijen e tyre, të bënin bujë dhe të jepnin mësim atdhetar në Shqipëri dhe në krejt Perandorinë. Ata siç është edhe shkruar kishin aftësinë dhe potencën për të mbajtur jo vetëm  me përkëdheli dhe premtime shqiptarët, por edhe me tradhëti, burgime, vrasje dhe helm, gjë që siç edhe është shkruar, kanë arritur ta bëjnë gjer edhe brenda familjes së tyre, kur e donte ambicja për pushtet.

Megjithse periudha e Qyprillinjve është disi e hershme dhe ende e errët, dhe mungesa e fakteve ka vlerën e vet konkludive; mund të supozohet se në kohën e tyre nuk është përfunduar plotësisht myslymanizimi i zonës dhe për rrjedhojë, në këtë periudhë ky myslimanizim megjithëse pushtoi tërësisht Shqipërinë arriti të prek edhe vendbanimin e lashtë të Poliçanit. Ndonëse ende nuk ka ndonjë figurë qëndrore poliçanase, në këtë periudhë nuk mund të mendohet se ky myslimanizim është bërë pa telashe dhe pa prerë qoftë edhe ndonjë kokë kundërshtuesi poliçanas. Në një periudhë më të vonë, 1810 – 1820, mendohet që edhe poliçanasit të kenë qenë mbështetës të Ali Pashë Tepelenës i cili arriti të bëhet kundërshtar i ashpër i Portës së Lartë të kërkojë pavarësi dhe të vendos lidhje të ngushta me perëndimin gjer edhe mimësi e premtime prej Napoleon Bonopartit.(Shih librin “Storia di Albania” të Nunzio dell’ Erba, Faqe 16). Duhet të kenë qenë mbështetës, jo vetëm për aftësitë e tij rrebeluese ndaj Portës së Lartë, synimet për pavarësi por edhe për faktin tjetër sinjifikativ, që një nga mbështetësit dhe luftëtarët më besnik të Ali Pashë Tepelenës, ishte edhe Pasho Koka, (1780-1843 ) nga Kapinova e Skraparit. Dëshmitë tregojnë se influenca e Pasho Kokës ka zbritur dhe ka gjetur mbështetje gjer edhe tek poliçanasit. Po të kemi parasysh teatrin e luftimeve ku ka zhvilluar aktivitetin çeta e tij patriotike, Skrapar- Berat -Mallakastër, kuptohet që edhe luftëtarët e tij janë nga këto zona. Siç dihet historikisht, Pasho Koka gjeti mbështetje shumë të gjërë jo vetëm në të gjithë zonën e Skraparit, por edhe të Nahijes, Beratit dhe Mallakastrës. Kënga e kënduar edhe në Poliçan për këtë luftëtar të shquar ka ardhur gjer në ditët tona: ” Pasho Koka në Kapinovë/ Bënte luftë me Stambollë/ Pasho Koka i Kënes/ mik i ngusht i Tepelenës…/ Vjen nizami nga Përmeti/ Duket sikur digjet deti/ Nuk qëndron dot serasqeri /Se nga Pasho ballëdreri/ I zu data dhe lemeri/ Kapinova, nëpër gropa/ lufton Pashua me topa/…” Gjatë kryengritjes së viteve1699-1717 Stambolli dërgoi në Skrapar mijëra ushtarë me në krye gjeneralët e sprovuar Hodaverd Pashën, Adem Pashën dhe Sejfulla Pashën. Gjatë betejave të përgjakshme që u zhvilluan, pjesa dërmuese e kësaj ushtrie gjeti vdekjen nga trimat e këtij vendi. (Shkrim i Pasho Çelës, gazeta Tomori, 3 mars 2003). Gjatë viteve 1833-1835 janë zhvilluar luftime të mëdha për të çliruar Beratin me pjesëmarrjen e çetave luftëtare, jo vetëm nga krahina e Beratit, por edhe nga krahinat e tjera të vendit si Skrapari, Kurveleshi, Mallakastra e Labëria. Nën drejtimin e Pasho Kokës duket janë inkuadruar edhe poliçanasit, pasi një këngë e vjetër thotë:

” Pasho Koka, në Poliçan

Po ngre çetën, me djem azganë,

Janë levendë, me jataganë,

Për liri, s’njohin sulltan…

Prerja e kokës së Ali Pashë Tepelenës, nga turqit në Janinë, është edhe faza përmbyllëse e një periudhe plotë shpresë e Shqiptarëve për të krijuar shtetin e tyre të mëvetësishëm, gjë që s’u  realizua në këtë periudhë, për faktin e thjeshtë, se prijsat e atëhershëm, Bushatllinjtë në Veri dhe Ali Pashai në Jug, ishin të përçarë dhe s’u morën vesh dhe s’u bashkuan mes tyre asnjëherë.