Lamtumirë “Pishtari i demokracisë”, Agim Faja

700
Shpendi TOPOLLAJ
Shijaku humbi birin e tij më të çmuar, Durrësi artistin emërmadh dhe i gjithë vendi piktorin e ilustruesin më shpirt-lirë
I shtrenjti dhe i paharruari ynë Agim Faja!
Ne, të afërmit, shokët dhe miqtë e tu, jemi mbledhur sot rreth teje, jo si herët e tjera; për të parë veprën tënde, për të dëgjuar fjalët e tua të mençura e për të shijuar humorin tënd të pashuar, por për të të dhënë me lot në sy dhe përmes një pikëllimi të thellë, lamtumirën e fundit. Ti vetë ishe i përgatitur shpirtërisht për këtë ditë, përderisa mbaje përballë, të varur në murin e studios tënde, porosinë proverbiale të Mark Tweinit “Të jetojmë në mënyrë të tillë që kur të vdesim t`i dhimbsemi edhe varrmihësit”. Pastaj, ti e kishe zgjedhur edhe vendin ku do të preheshe në përjetësi; pranë Durrijes tënde të dashur, njësoj si Xh. Verdi dikur që kishte shfaqur dëshirën të varrosej atje, në Casa di Riposo, pranë Xhuzepinës së tij. Ithtar i Senekës që thoshte se “Jetëgjatësia nuk varet prej meje. Por prej meje varet mënyra e të jetuarit për sa kohë do të jetoj”, ti u ndave paqësisht me jetën: Ajo u tregua bujare me ty, por edhe ti, me talentin e rrallë, me vlerat e spikatura njerëzore dhe me vullnetin e pashembullt në punë, e zbukurove atë me penelin dhe penën tënde. Veç, ti ishe më shumë se kaq: Pasi me emrin tënd të praruar u identifikua i gjithë qyteti i Shijakut me rrethina që ti i doje aq shumë, me ato traditat e njohura atdhetare, demokratike e kulturore. Me një durim e këmbëngulje të admirueshme, ti u shërbeve atyre me forcën e një institucioni të vërtetë, duke fiksuar dhe evidentuar historinë. Njëkohësisht, me dashamirësinë tënde, u bëre babai i aradhës së piktorëve shijakas, por dhe mburrja e sa e sa artistëve, shkrimtarëve dhe intelektualëve anë a mbanë Shqipërisë e më gjerë. Se ti, siç ishe mjeshtër i madh dhe artist i merituar në të pikturuar, nuk e kishe shoqin në të fituarit e zemrave të të tjerëve. Ti kishe pafundësisht shokë e miq që nga akademikë e deri fshatarë të zakonshëm, pasi ishe në radhë të parë vetë i tillë. Duke e parë jetën, sipas parimit filozofik, si dhuratë të natyrës dhe të jetuarit si dhuratë e mençurisë, ti me gjithë qenien tënde u mbështete dhe përfaqësove atë që thjeshtë e quajmë “tabani popullor”. Është kjo arsyeja që më jep të drejtën e pamohueshme të them se me ikjen tënde fizike, Shijaku humbi birin e saj më të çmuar, Durrësi artistin emërmadh dhe i gjithë vendi, piktorin dhe ilustruesin më simpatik e shpirt-lirë. Familjes që ti Agim e kishe të shenjtë, do t`i mungojë babai, gjyshi dhe mësuesi i pazëvendësueshëm, gjë për të cilën ne me hidhërim të madh i shprehim ngushëllimet tona të sinqerta. Dhe me këtë rast, lejomë të të përcjell dhimbjen e madhe të mikut tënd 99 vjeçar, Heroit të Popullit dhe Nderit të Kombit, gjeneral lejtnant Rrahman Parllakut, pasi në organizatën që ai drejton, ti Agim Faja ishe zgjedhur njëzëri anëtar nderi. Me të tillë dhimbje do largohemi nga Shijaku (i cili si kurrë më parë edhe pse në një ditë shkëlqimtare plot diell, po na duket më gri) edhe ne shokët e miqtë e tu të shumtë, të ardhur nga çdo anë, por, duke marrë me vete bindjen se banorët e tij do të të përjetësojnë si Njeri dhe Artist të mrekullueshëm, me një epitaf si ai që kishte zgjedhur Bajroni për veten e tij se “ Unë jam hi, aty ku dikur isha zjarr.” U preftë në paqe shpirti yt i mirë dhe të qoftë i lehtë dheu i vendit që ti e deshe aq shumë!
Sigal