Lajmet e “çmendura” për yjet, nga mrekullitë te thashethemet

569
Sigal

 Dje u fol për një aksident të rëndë të Kristiano Ronaldos, me sulmuesin që përfundoi në koma

Lajmi tjetër për yllin e Realit të Madridit ka të bëjë me zgjimin nga koma të një tifozi të tij

 Kristiano Ronaldo ishte dje në qendër të vëmendjes botërore, për shkak të dy lajmeve krejt të ndryshme në përmbajtje: i pari, për një aksident të tmerrshëm me makinë të yllit të Realit të Madridit, që e çoi atë në koma, dhe, i dyti për daljen nga koma të një tifozi polak 14-vjeçar, me këtë të fundit që doli nga koma, pasi dëgjoi komentet e golave të një inserti për sulmuesin portugez.

AKSIDENTI

“Kristiano Ronaldo, në koma pas një aksidenti me Ferrari?”. Lajmi i “çmendur” ishte thashethemi më i bujshëm në rrjetin social “Twitter”. Lajmi provokoi jo vetëm habi, por dhe komente të shumta të tifozëve të sulmuesit të famshëm portugez. Sipas një thashethemi, që zuri vend në rrjetet sociale, lojtari ishte në koma pas një aksidenti të tmerrshëm me veturën e tij. Të paktën, kështu raporti portali francez në internet, “Meltybuzz.fr”. Sipas artikullit, Kristiano Ronaldo ishte shfaqur së fundi në një PAB për një festë të “Fly Emirates”, dhe më pas kishte kryer dhe aksidentin duke përfunduar në koma. Në fakt, thashethemi i pabesueshëm kishte provokuar reagime të shumta te fansat e lojtarit portugez prej shumë orësh në rrjetin në social “Twitter”. Por, nga vjen ky informacion i trishtueshëm për Ronaldon, që në fakt nuk ishte në asnjë gazetë të madhe e serioze? Gjithçka nisi nga një shaka e keqe për ditën e 1 prillit, të paraqitur në faqen e internetit “7sur7 Sport”, që nga ana e saj kishte publikuar një artikull të titulluar: “Urgjent! Kristiano Ronaldo në koma, pas një aksidenti në rrugë!” Kjo alarmoi jo pak tifozët e tij, pasi lajmi ishte shoqëruar edhe me videon e një aksidenti ku ishin përfshirë 14 makina, midis tyre dhe një Ferrari, në të cilën pretendohej se ishte Kristiano Ronaldo. Lajmi mori dhenë në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Twitter”. Dihet që, në rrjetet sociale thashethemet amplifikohen shumë shpejt dhe ndjekësit e tyre i shpërndajnë ato me symbyllur, pa kërkuar qoftë dhe një burim informacioni zyrtar.

MREKULLIA

Kristiano Ronaldo është një nga lojtarët më të adhuruar në botë, boll të kujtojmë se faqja e tij zyrtare në “Facebook” pëlqehet nga gati 75 milionë përdorues të rrjetit social. Historia e radhës mbi yllin portugez ka të bëjë me një mrekulli të tij. Kapiteni i Portugalisë ka realizuar një mrekulli që, sipas portalit francez “Butfootballclub.fr”, do të shkruhet në librat e historisë së futbollit. Ndërkombëtari portugez ia ka dalë të bëjë në performancë akoma dhe më impresionuese: të zgjojë një adoleshent nga koma! Historia është thjeshtë. Pas rënies nga biçikleta, Davidi, një tifoz polak i klubit madrilen, qëndroi në reanimacion gjatë tre muajve. Me shpresën për t’i rikthyer ndërgjegjen, mjekët përdorën një ilaç origjinal: i vendosën kufjet në veshë, për të dëgjuar pjesë nga komentet e golave të idhullit të tij. Dhe sipas asaj që raporton revista polake “Fakt”, gjatë dëgjimit të përshkrimit të golit të tretë të realizuar nga CR7 nëntorin e kaluar përballë Suedisë (3-2) në ndeshjet e “play-off”-it për Kupën e Botës, djaloshi 14-vjeçar kishte hapur sytë. Historia mbërriti deri të veshët e fituesit të dyfishtë të “Topit të Artë”, i cili e ftoi Davidin të asistonte në ndeshjen e së mërkurës së kaluar të Ligës së Kampioneve midis Realit të Madridit dhe Borusias së Dortmundit të fituar nga madrilenët 3-0.