“Lahuta e Malcis”, himn atdhedashurie

2524
Sigal

Poema “LAHUTA E MALCIS” e poetit të madh Gjergj Fishta, himni madhështor kombëtar i shqiptarëve

Poema “Lahuta e Malcis” e Padër Gjergj Fishtës është himni madhështor i shqiptarëve dhe një nga “këngët” epike më të spikatura të betejave legjendare të qytetit të Shkodrës me rrethinat; Malësisë së Madhe, Dukagjinit, Ulqinit, Hotit e Grudës, Plavës dhe Gucisë deri në Kosovë gjatë viteve 1878-1912, për mbrojtjën e trojeve stergjyshërore kundër pushtuesve shekullor otomanë dhe shovinistëve serbo-malazezë. Kënga e 19-të “Padër Gjoni”. Fishta ashtu si Rilindësit e tjerë lëshoi kushtrimin për bashkim pa dallim feje e krahine në luftë për çlirim. Atëherë ishin vitet kur Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e themeluar më 10 qershor 1878, kishte ndezur si kurrë ndonjëherë një zjarr të fuqishëm në zemrat e njerëzve për të jetuar të lirë e të pavarur. Lidhja kundërshtoi me vendosmëri politikisht e ushtarakisht vendimet antishqiptare të Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, ku Fuqitë e Mëdha të Europës goditën rendë, duke copëtuar më tepër se gjysmën e tokave tona në favor të shtetëve fqinj. Jeta e saj qe e shkurtër, por e lavdishme. Ajo u mposht nga hordhitë ushtarake të “Portës së Lartë”, që shtypën me zjarr e hekur rezistencën heroike të shqiptarëve për liri e pavarësi. “Çoji, o bij të Skanderbegut/ Turq e t’Kshtënë mos t’u dajë feja!/Çoji e bini n’fushë t’bejlekut,/Tuj gjimue ju porsi rrfeja./ Bini! Toskë, ju n’pikë të vrapit./ Mos t’u nalin mal as zall: Naim Frashri i ra Qitapit/ Mos m’e lshue Shqypnin per t’gjall.”

Shqiptarët ndër shekuj nuk pranuan në asnjë rrethanë njësimin e identitetit kombëtar me atë fetar. Ata i treguan botës që janë ndër popujt më të qytetëruar të saj. Poeti i madh edhe në fushën spirituale të forcimit të ndërgjegjës, vetëdijes e unitetit kombëtar është udhërrëfyes dhe një nga rastët më unikale në histori. Ai i përket elitës intelektuale të atyre figurave të shquara, të cilët lindin shumë rallë në historinë e një kombi. Me kalimin e vitëve lavdia e tyre rritet.

 “Lahuta e Malcisë” solli fuqishëm në vatrat e shqipës edhe jehonën e fjalëve profetike të Pashko Vasës se, ”Feja e shqyptarit asht shqyptaria”. Në kushtët e një Shqipërie të robëruar, me tre besime religjioze dhe në rrezik copëtimi, si alternativë jetike shtrohej rritja e fuqizimi i ndërgjegjes, përkushtimit, unitetit dhe i krenarisë kombtare. Fishta, ashtu si Pashai i Libanit, vuri mbi çdo gjë interesat e Shqipërisë. Pa komb dhe atdhe s’ka  kuptim asnjë fe.

Personalitet e mëdha kurdoherë i kanë çmuar lartë vlerat kombëtare. Duke vepruar kështu ata i bën një shërbim të veçantë kombit. Vigani i bëri vend në krye të vendit gjigandit duke treguar madhështinë e tij: “Naim Frashri i ra Qitapit (kupto librit, dijes) Mos m’e lshue Shqypnin për t’gjall”. Respekti i Fishtës për figurat e ndritura të Shqipërisë është i pazakontë. Kanga e Ndandët, faqe 97, hedh dritë duke ndriçuar kontributin e shkëlqyer të Kryetarit të Lidhjes Shqipëtare të Prizrenit, Abdyl Bej Frashërit: “Ai asht trimi Frasher Begu/ Qi gjithkund, ku e qiti shtegu,/ I la nami aj Toskënisë/ Faqe t’bardhë i la Shqypnisë.”

“Lahuta” tregon edhe për heroizmin e pashoq të burrit të urtë, kreshnikut Dedë Gjo Luli me trimat e tij, të cilët për herë të parë në histori, pas pesë shekujsh robërie ngritën, më 6 prill 1911, në Bratilë të Deçiqit, flamurin kombëtar të Gjergj Kastriotit Skenderbeut. “Dedë Gjo Luli, flakë barotit,/ Prej Deçiqit turqit me i dbue,/ N’sy t’Evropës e t’marë njerzis,/ Me ngrefë flamurin e shqypnisë.”

Fishta, si askush tjetër më mirë se ai, shkruan edhe për betejat legjendare të “Sovranit të Shekujve” me Mehmet Shpendin në krye, i cili në disa beteja luftarake shpartalloi plotësisht hordhitë ndëshkuese ushtarake të pushtuesve të huaj. Qafa e Agrit, Guri i Kuq, etj. janë gjerdane të artë në “Panteonin e Përjetësisë” të heroizmit masiv popullor të malësorëve dukagjinas, në mbrojtjën e lirisë e të pavarësisë kombtare.

Oso Kuka (1810-1862), komandant i një njësie luftarake dha jetën heroikisht për mbrojtjën e trojeve shqiptare. Në qershor të vitit 1862, forca të shumta ushtarake të Malit Zi sulmuan ishullin e Vraninës dhe rrethuan postën kufitare të mbrojtur nga Oso Kuka së bashku me 24 vetë. Të mbetur pa municion, për të mos rënë në dorë të armikut, ai dhe shokët e tij i vunë zjarrin fuçive të barotit që, ndodheshin aty pranë duke u bërë pishtarë të pashuar të vetmohimit për atdhe. Kangë e Katërt. Vranina. “Oso Kuka, i burrë shkodran,/ Shoq në Shkodër, thonë s’ka lanë/ Për kah besa e kah trimnija/ Qi zanat i ka Shqipnija.”

Poeti ynë kombëtar përmes figurës legjendare të Oso Kukës synonte të farkëtonte me atdhdashuri, trimëri e guxim ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve. Në atë kohë stërgjyshërit tanë luftonin kundër disa pushtuesve. Shkodra ishte Vilajet dhe Pashai Turk, përfaqësues e administrator absolut i “Portës së Lartë”. Natyrisht interesat Osmane shpesh herë binin ndesh me synimet grabitçare të pushtuesve shovinistë dhe, në raste të veçanta, përputheshin me aspiratat liridashëse të patriotëve tonë për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga grabitja e dhuna e pashëmbullt e tyre.

Thellësia e mendimit e “Lahutës së Malëcsisë”, bukuria e fjalës, pasuria e madhe e gjuhës shqipe të gegërishtës së Veriut dhe mjeshtria e vargut të autorit është sa e thjeshtë, e mbështetur në gurrën e pashtershme të folklorit popullor, po aq e bukur dhe mahnitëse në gdhendjen e qëndisjen e saj duke e bërë të paarritshme si një yll i një galaktike tjetër.

Kanga e Njëzet e dytë paraqet një “kuadër” të shkëlqyer të vlerave morale dhe cilësive gati mbinjerëzore të vajzave e grave shqiptare. “Veç, po, i vashë unë jam tue pa/ Vashë të re n’xhubletë të bardhë./ Me nji rubë rrethit ballit ardhë/ Qi mje m’vetlla m’i ka ra./ E si ngusht kur gjindet nieri/ Atij i epet si pa hiri/ Me thirrë: Nanë! Kështu Tringes s’ shkretë/ Pa kend nihmë, o Zot! N’ket jetë”.

Tringa jetime banonte në një shtëpi dikund në mes malëve; e vetme me një vëlla të sëmurë rendë, i cili prej vitësh dergjej në shtratin e vdekjes. Ajo i qëndroi, si motër shëmbullore, ditë e natë mbi kokë duke i kushtuar jetën derisa i mjeri dha shpirt. Kur pushtuesi erdhi për ta robërue Tringa me guxim prej luaneshe mori pushkën e babait, doli në pragun e shtëpisë dhe e qëlloi ballazi me plumb në zemër. Vajza e virgjer, trime dhe e bukur si zanë, nuk pranoi për së gjalli skllavërinë e poshtërimin, prandej u vra heroikisht në fushën e betejës duke u bërë rreze drite e pashuar në zemrat e Shqiptarëve. “Ballë për ballë me u gjuejtë me shkja,/ Përdhuni me e ba me m’vra./ Jam bi malit/ S’baj unë marre per s’të gjallit!” 

O Zot! Ku ka emër tokësor më të afërt, të dashur e të shtrenjt, i cili nuk i ndahet njeriut që nga “britma” e parë e ardhjes së tij në jetë dhe deri në frymëmarrjen e fundit se sa fjala e ngohtë, plotë mister dhe magjike e zemrave tona “Nanë”? “Dikur ne s’ishim në jetë ju na dhatë frymën e parë, gjiri i juaj për ne ka mbetë fill i jetës lyer me ar”. Nga Libri “Lule nën një shkëmb”.

“Lahuta e Malcis” është një “minierë” thesari. Në thellësitë e saj “fshihen” shumë margaritarë. Një ndër ato është dashuria. Ajo është forca më e madhe që vën në lëvizje “Motorin Spiritual të Universit”. Fishta, si pakkush, mahnitet duke u gëzuar si fëmi nga bukuritë përrallore të zanave. Ato janë “motrat” fantastike të njeriut, sidomos të Tringës, dhe shoqet më të ngushta të saj. Zana e maleve, “pasqyra” më e përkryer e fizionomisë së shkelqyer, karakterit të fortë, pastërtisë morale dhe bukurisë së pazakonshme të vajzave e grave shqiptare, veçanërisht atyreve të malësive të veriut, sidomos të zonës së Kelmendit e Vermoshit. ”Hej moj Zanë, ty t’kjosha true,/Si s’po t’bje nder mend për mue,/ Punë të hershme me m’kumtue; Kangë e valle me m’fillue;/ Se kah m’len asht kama e dora,/ Se edhe as vonë, tham, s’ka me shkue/ N’jetë pertej un pa u kalue,/ Prej kah s’lanë kend me u kthye dalë…”

Gjergj Fishta, kur aludonte të “bisedonte” me Zanën, kërkonte meditim, shlodhje, qetësi, ngrohtësi dhe sadopak përkujdesje intime. Kjo aspiratë ishte e herëshme. Ndoshta i takonte kohës së djalërisë. Ajo i përket disa zonave të mistershme të shpirtit, i cili në “fluturimin” drejt qiellit i merr me vehte. Autori, veçanërisht në momentet e vështira, si çdo njeri ndjeu më tepër peshën e rendë të pleqërisë, të vetmisë dhe sidomos të çastit të fundit, i cili po i “trokiste” te “dera”. Ai “shpresonte” që, Zana do shkonte një ditë për ta takuar që t’i shikonte sytë e bukur, të dëgjonte zërin e saj të embël dhe pse jo fëshfëritjen e lehtë të krahërorit e tik-taket e zemrës. Prandaj priste e priste, ndoshta me një shpresë boshe, që ajo t’i sillte të paktën një gotë ujë sa për t’i shuar “etjen” e padurueshme  që e mundonte.

Perandori Franz Jozef i Austro-Hungarisë ishte faktori kryesor i jashtëm për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. “Franc Jozefit s’iu durue;/ Tryezës me grusht fort i ka mshue,/ Ka msy deren per me dalë./ M’kamë Vilhelmi ka flakrue,/ Ka dalë para edhe e ka ndalë/ E ka ndalë qaj miku i vet; Mbreti i fortë i Gjermanisë.”

Te “Dervish Pasha” takojmë disa vargje poetike lapidare: ”S’janë, jo, t’huejt qi e pshtojn Shqipnin,/ Qi ja bijnë vendit lirinë:/ Janë Shqyptarët, e kurrkush tjetër;/ Manie n’mend, pse asht fjalë e vjetër.” Ndihma e jashtme, sado e fuqishme që të jetë, kalon në plan të dytë. Të gjithë duhet ta marrin me mend se çfarë do t’i ndodhte Shqipërisë nëse ajo nuk do të ishte angazhuar totalisht dhe heroikisht në Luftën e Dytë Botërore si pjesëtare e denjë e kualicionit të madh Anglo–sovjeto- amerikan. Pasojat do të ishin katastrofike.