Labëria promovon “Portret me penë” të Prof. Dr. Ago Nezha

964
Sigal

Promovohet në Vlorë libri që sjell personalitet shqiptare me ngjyrat e së vërtetës

PROF. AGO NEZHA DHE LIBRI I TIJ “PORTRETE ME PENË”

Nga: Çlirim Hoxha

Profesor Ago Nezha është një emër i njohur sot në botën akademike, mediatike dhe letrare shqiptare, por shumë i njohur në botën patriotike shqiptare si Kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare Atdhetare-Kulturore “Labëria”. Menjëherë sapo shqiptoi emrin dhe mbiemrin e Profesorit të nderuar Ago Nezha ndërmend më vjet Dukati i Labërisë së trimave. Këtej e ndesh emrin Ago dhe mbiemrin Nezha. Pyeta disa nga miqtë e mi në Dukat, nëse ishte i përhapur emri Ago, por më thanë jo. Ka vetëm një Ago dhe ai është Profesori Ago Nezha, më thanë. Çfarë kuptimi ka emri Ago dhe unë e shoh në dy plane etimologjik. Ago=Agoi dita e re=Agim i ditës së re, por edhe me Ago apo Agamemnon. Kur Princi i Trojës Enea u largua nga qyteti i artë që po digjej, ai udhëtoi për 7 vjet det më det e breg më breg sipas udhës që i kishin përcaktuar perënditë. Pasi mbërriti në Butrint, në Trojën e re, që sapo ishte ndërtuar, ai takoi gruan e Hektorit Andromakën dhe kunatin e tij Elenin dhe më pas u largua drejt së panjohurës. Virgjili në veprën e tij “Eneida” na tregon për këtë udhëtim të princit të Trojës. Ai na thotë se, pasi la Butrintin Enea udhëtoi rrëzë maleve akrokeraune. Po të shohim me vëmendje hartën e udhëtimit të Eneas nga Troja në Romë, do të vërejmë se ai ka qëndruar me anijet e tij në skajin veriperëndimor të Akrokerauneve, pra në skajin e Karaburunit. Këtu kanë zbritur disa nga trojanët e lodhur, të cilët nuk pranonin të vazhdonin më udhëtimin. Pasi braktisën anijet e Eneas disa familje trojane qëndruar në Karaburun ku gjetën mikpritjen e vendasve dhe u shkrinë me ta. Një pjesë u futën më thellë deri në Amantia, banorët e së cilës, sipas arkeologut Neritan Ceka, mbahen edhe sot e kësaj dite si diaspora e trojanëve. Pra, emri Ago më vjen nga lashtësia trojane këtu e 3000 vjet më parë, sepse në Dukat jeton një fis trojanësh që erdhën nga deti dhe u strehuan aty në gjirin e Akrokerauneve.

Portrete me penë

Le të kthehemi te libri, “Portrete me penë” të Profesor Ago Nezhës “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës së Urdhrit të Skënderbeut”. Të skalitësh me penë portretet e personaliteteve të kombit tonë duhet t’i kesh njohur mirë ata, t’i kesh prekur, t’i kesh përqafuar, të kesh njohur në themel veprat e tyre, të kesh biseduar me ta shtruar dhe të zbulosh sekretet e jetës së tyre. Këtë ka bërë Profesor Ago Nezha në librin e tij “Portrete me penë”. Ai ka marrë në dorë daltën penë dhe ka nisur t’i gdhendë, t’i skalisë një e nga një të 58 portretet e personaliteteve të larta të kulturës dhe dijes shqiptare. Sot në botë janë disa gjini të artit që merrem me portretin; siç janë piktura, skulptura, letërsia në tërësi, psikologjia, sociologjia, etika, arkeologjia, historia, monografia, fotografia etj. Profesor Ago Nezha na sjellë përmes penës së tij të ndier portretet e personaliteteve më në zë të botës shqiptare në tërësi dhe të Labërisë në veçanti, të Vlorës sonë specifikisht. Kur e lexova librin mësova shumë gjëra, ngjarje dhe episode për secilin portret. Këtu nuk po flas për ata personalitete të shquara që Ago Nezha i ka skalitur me mjeshtëri dhe që kanë një staturë kombëtare, të vlerësuar dhe pranuar kombëtarish si i Madhi Dritëro Agolli, akademiku Rexhep Qosja, Piktori i Popullit Skënder Kamberi e me radhë, por edhe për ata portrete që i bëjnë nder Vlorës dhe Labërisë; si Profesor Bardhosh Gaçe e shumë të tjera që Ago Nezha i ka gdhendur me penën e tij në dimensione të larta të mendimit dhe veprimit intelektual.

Fisnikëria e autorit

Fisnikëria e Ago Nezhës qëndron në faktin se ai vlerëson dhe ngre në piedestal kulturën tonë duke skicuar portretet e mëdha, të cilat i japin dimensione epokale një kohe që po kalon. Është e vështirë sot të matesh me kohën që po jetojmë, pasi tranzicioni i gjatë, i lodhshëm dhe i stërmundimshëm që po kalojnë shqiptarët ka prishur shumë ekulibre të moralin në shoqërinë tonë, duke nxjerrë në sipërfaqe veset si virtyte të më të fortit, më egoistit, më të paskrupulltit, më kusarit dhe më imoralit. E pikërisht në këtë mori tranzicioni pa ide dhe pa principe, duhet shumë forcë të mbash dhe ruash ekuilibrin e brishtë të një shoqërie që vuan. Ago Nezha ka ditur t’u qëndrojë besnik parimeve dhe idealeve të tij, duke u shtrirë dorën të gjithëve atyre që e duan Atdheun Shqipërinë tonë, që kanë lënë gjurmë me aktivitetin e tyre intelektual ndër vite e dekada dhe që përbëjnë modelin që duhet përçuar ndër brezat e rinj, për ta mbajtur këtë komb të bashkuar dhe për ta çuar përpara përmes një prosperiteti që duhet të vijë nga puna e ndershme. Duke e përfunduar këtë ligjëratë, dua ta falënderoj nxehtësisht Profesor Ago Nezhën, që në krye të komunitetit më të madh shoqëror në Shqipëri, siç është Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria”, ka dhënë shembullin më domethënës të bashkëpunimit midis rrymave dhe ideve, duke ruajtur me fanatizëm atë që është më thelbësore, të qenit shqiptar dhe bir shqiptarësh, ku përmes penës së tij i fryn erërave të mbara të bashkimit dhe harmonisë.