Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Dr. Zini Goxhaj

Poçemi, vend i kuvendeve

Poçemi është një vend i vogël, por historik ndërmjet fshatrave Klos dhe Drizar të Mallakastrës. Këtu ka burimin dhe ka nisur qëndresa popullore dhe organizimi i kryengritjes antitazimat kundër pushtimit osman më 1847, për të vazhduar me organizimin dhe kontributin e madh të dhënë për Luftën e Vlorës më 1920, si dhe mobilizim dhe përpjekje për bashkim dhe qëndresë të paepur ndaj pushtuesëve fashiste duke i dhënë një hov shumë të madh Lëvizjes Nacionalçlirimtare më 8 korrik 1943. Këtu në këtë fshat janë organizuar dhe zhvilluar tre kuvende madhështorë që kanë lënë gjurmë në historinë tonë kombëtare, të cilët kanë marrë vendime shumë të rëndësishme për liri, pavarësi dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashist. Kuvendet janë mblodhur në vitet 1847-1920-1943. Tre kuvendet në Poçem janë historike për vendimet që morën dhe për fuqinë popullore që realizuan.

Kuvendi për të kundërshtuar reformat e Tanzimatit

Në fillim të korrikut 1847 në Poçem të Mallakastrës u mblodh Kuvendi i Parë. Përfaqësues popullor nga krahina e Mallakastrës u mblodhën e vendosën të prisnin me luftë reformat e Tanzimatit. Mbi 2.000 luftëtarë të drejtuar nga Rrapo Hekali u organizuan për qëndresë popullore. Populli e shprehu me këngë: Xhelepe e vergji s’ka,/ Është vendi fukara,/ Jetojmë me lakra,/ Katër shtëpi me një ka. Beteja u zhvillua më 14 korrik 1847 në fshatin Greshicë, ku kapedani Sulo Zeneli dhe kapedanë të tjerë luftuan me heroizëm. Beteja ishte shumë e ashpër sipas kronikanëve të kohës, ku luftohej për jetë a vdekje. Në këto beteja kanë marrë pjesë edhe gratë. Kënga popullore thotë: Mallakastra e sipërme,/ Bashkë venë në batare,/ Vrave goxha Isuf Be,/ Isuf Be o ligësi,/ Ç’e quajte Greshicën ti,/ T’i nxorrën zorrë e mëlçi. Në këtë betejë ranë heroikisht shumë luftëtarë, afro 300 trima edhe nga Labëria dhe fshati i varrosi në një faqe kodre që shikonin gjithmonë Labërinë. Në këtë Kryengritje të Jugut mëshirohet më së miri filozofia popullore në këngë “pse lufton a derëzi, as për mua e as për ti, por për gjithë Shqipëri”.

Kuvendi për të çliruar Vlorën

Më 3l maj 1920 në Poçem u mblodh Kuvendi i Dytë. Mbi 2.500 burra u betuan dhe lidhën besë për të luftuar kundër fashistëve italianë dhe për të çliruar Vlorën. Luftëtarët në Poçem i kënduan Vlorës: Po ti mos u tremb moj zonjë,/ Neve tyja s’të lëshojmë,/ Gjakun lum do ta shkojmë… Nga të gjithë fshatrat e Mallakastërs u mblodhën luftëtarë dhe u nisen drejt Vlorës për çlirimin e saj me thirrjen: Ta marrvesh jeziti (italianët),/ Se lufton kapedan Musa Hamiti. Mallakastra në këtë luftë u përfaqësua nga drejtuesit: Hajredin Cakrani ishte një nga organizatorët dhe luftëtarë në çetën e Cakranit në Luftën e Vlorës kundër ushtrisë italiane, ku mori pjesë në frontin e luftimeve në Bestrovë e Panaja. Ndërsa Bektash Kareman Cakrani ishte delegat i Mallakastrës në Kongresin e Lushnjës dhe më 31 janar 1920 u zgjodh senatorë. Në luftimet kundër pushtuesve italianë të vitit 1920 ishte në krye të çetës së Cakranit. Më 20 korrik 1920, në kodrinën e Grabianit, Llakatund, u takua me Osman Haxhiun dhe bënë koordinimin e veprimeve luftarake. Kursë nga maj i vitit 1943 përkrahu politikën e Ballit Kombëtar dhe u bërë një nga drejtuesit kryesorë të tij në Mallakastër. Ali Rrapo Rrapaj mori pjesë në takimin e Cakranit me kryeministrin Sulejman Delvina në shkurt 1920, si dhe ka komanduar një pjesë të çetës së Cakranit 1920 në frontin Panaja-Bestrovë. Në luftën për çlirimin e Vlorës shumë luftëtarë ranë heroikisht dëshmorë të atdheut, si Feçorr Lalari, Qerim Graçani, Sinan Caka, Hysen Dura, Taip Xh. Klosi, Rexhep Daut Myrtaj dhe u plagosën mjaft të tjerë.

Kuvendi për të përballuar operacionin fashist

Më 8 korrik 1943 u mblodh Kuvendi i Tretë në Poçem për të përballuar operacionin fashist mbi Mallakastër. Në Mallakastar nga fundi i vitit 1942 e fillim viti 1943 u krijuan Këshillat Nacionalçlirimtar në të gjitha fshatrat dhe u formuan çeta partizane. Kjo i tmerroi e tërboi pushtuesit italianë. Nuredin Aliu më 28 nëntor 1942, u zgjodh nga populli Kryetar i Këshillit ANÇ të Cakranit. Shtëpia e tij u kthye në bazë të luftës, duke vënë në dispozicion të saj njerëzit dhe gjithë pasurinë. Në prill 1943 zgjidhet kryetar i Qarkut të Mallakastrës. Mbas dështimit të operacionit fashist të Qershorit 1943, ushtria fashiste nuk ia arriti qëllimit të shkatërronte bazat partizane në Mallakastër. Komanda italiane hartoi një plan të dytë ushtarak për asgjësimin e forcave partizane duke sulmuar Mallakastrën në shumë drejtime, si nga Berati, Fieri, Vlora e Tepelena. Mbi 2.000 partizanë u mblodhën në Poçem nga 70 fshatra të Mallakastrës nën drejtimin e Mehmet Shehut e të Hysni Kapos. Qysh në mëngjes herët fshatarë nga çdo skaj i zonës lëvizën grupe-grupe dhe u grumbulluan në vendin e caktuar për mbledhje. Nuk mbeti pothuajse asnjë fshat pa dërguar këshilltarët dhe çetën e vet vullnetare. U mblodhën aty rreth dy mijë veta, partizanë e vullnetarë, fshatarë, të tërë të armatosur, dhe me trasta të mbushura me ushqime. Ata qenë të gatshëm të shkonin e të zinin menjëherë vendet e caktuara për luftime. Prisnin vetëm urdhrin. Duke vënë në dukje traditën e pasur dhe gatishmërinë luftarake të popullit të zonës, duke demaskuar propagandën dhe veprimtarinë përçarëse të Ballit Kombëtar, thirrjen e tyre për t’i pritur ushtritë operuese me flamurë të bardhë, pjesëmarrësve, në kuvend iu bë thirrje për të luftuar dhe qëndruar me vendosmëri të lartë kundër pushtuesit. Mehmet Shehu iu drejtua pjesëmarrësve: “Si të thoni ju, të ngremë flamurin e bardhë dhe fashistët të vijnë në shtëpitë tona,  apo ti presim me plumb ballit si e kanë hak. Do ti lëmë të djegin shtëpitë e kasollet tona? Të vrasin e therin kalamajtë tanë. Të marrin nëpër këmbë nderin e familjeve tona që e kemi gjënë më të shtrenjtë. Përse i mbajmë në krahë këto arme? Le të betohemi që do të luftojmë pushtuesit me tërë urrejtjen tonë”. Pjesëmarrësit në kuvend ngrihen në këmbë e thirrën një zëri: “Betohemi-vdekje fashizmi-Liri e popullit”. Ky kushtim u përhap në të gjithë Mallakastrën në çdo fshat e shtëpi. Përballë kësaj veprimtarie luftëtarët dhe këshillat nacionalçlirimtare, që përfshiheshin në zonën e operacionit, zhvilluan një veprimtari të gjerë politike për të asgjësuar propagandën kapitulluese e në shërbim të armikut, që bënte Balli Kombëtar dhe për t’i përgatitur masat popullore për qëndresë të vendosur aktive. Komandat ushtarake vendosi që të thirrej, me këtë rast, një kuvend i madh popullor, ku të shtrohej e të rrihej mirë çështja e përballimit të operacionit fashist. Kuvendi vendosi që jo vetëm t’i bëhej ballë me guxim e trimëri armikut, por edhe t’u jepej fashistëve një goditje tjetër dërrmuese në këto zona. Më në fund u përcaktuan sektorët dhe drejtimet që do të zinin çetat vullnetare të fshatrave së bashku me çetat partizane. U dhanë edhe udhëzimet e nevojshme për organizimin e mbrojtjes, për manovrimin, për ndërlidhjen, për sistemin e gatishmërisë, për sinjalin e lajmërimit, për mënyrën e furnizimit, për bashkëveprimin midis forcave etj. Komanda partizane përpunoi planin konkret të veprimeve luftarake për mbrojtjen e zonës në të gjitha drejtimet e mësymjes së armikut. Ideja e këtij plani ishte: nëpërmjet veprimeve mbrojtëse, të mos lejohej ushtria operuese italiane të hynte në Mallakastër pa u dëmtuar rëndë dhe duke manovruar forcat me shpejtësi, të shmangej shkatërrimi apo dëmtimi i madh i çetave partizane dhe vullnetare. Në rast pamundësie për ta ndalur armikun që të futej thellë në zonën e çliruar, të kryhej tërheqja dhe manovrimi i shkathët i organizuar i çetave, për ta sulmuar e për ta goditur befasisht armikun në krahë e në shpinë. Me të filluar operacioni, popullsia do të zhvendosej në male e në pyje që paraqitnin vështirësi për t’u shkelur nga pushtuesit. Masa u morën edhe për zbulimin e planeve, të përbërjes dhe të vendvendosjes së armikut. Komanda partizane bëri ndarjen e forcave sipas drejtimeve të mundshme të mësymjes së trupave fashiste. Më 20 korrik 1943 filloi mësymja e përgjithshme nga të gjitha anët mbi Mallakastër. Për 10 ditë e netë luftoi Mallakastra e rrethuar nga armiku. U dogj e u shkatërrua. U vranë e plagosën 1.000 veta të pafajshëm. Mallakastra nuk u gjunjëzua e as u dorëzua por luftoi me heroizëm. Mallakastra gjatë LANÇ-it pësoi dëme të mëdha. U dogjën 70 fshatra, u dogjën e shkatërruan 8.300 shtëpi, mbi 25.000 kokë bagëti u dëmtuan e u dogjën, ranë heroikisht 365 dëshmorë, 3 heronj të popullit, u plagosën me qindra të tjerë. Mallakastra nuk u tremb e gjunjëzua as nga presioni e torturat, por ruajti të pa prekur nderin e dinjitetin. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ajo dha kontribut të vlerësuar.