Kuvend Polifonie me 26 grupe në Mallakastër

1501
Sigal

 Përfundon me sukses Festivali i VII ndërkombëtar “Bylispolifonia”

 

 

Edhe këtë vit tradita vijoi në Mallakastër. Në qytetin e vogël të Ballshit, të cilit i qëndron si tempull krenarie e qytetërimi Bylisi i antikitetit ilir, me rrënojat e tij sa madhështore aq dhe domethënëse, për tre ditë rresht, nga 7-9 tetor, mbi 26 grupe të polifonisë labe dhe toske u mblodhën në festivalin e VII të polifonisë “Bylispolifonia”. Kënga vendshe dhe vallja tradicionale ushtuan duke i dhënë jetë shpirtërore, hare kulturore e emocion krenarie banorëve të këtij qyteti të vogël, të cilët tashmë janë mësuar me këtë traditë të përmotshme, duke u bërë mikpritësit e përhershëm të këtij festivali që ka marrë vulën e tij si një ndër aktivitetet më të rëndësishëm të këtij lloji në jetën kulturore e artistike shqiptare.


Ky kuvend i këngës dhe i valles burimore, që mbledh vit për vit bartësit autentikë të kësaj vlere shpirtërore të trevave të ndryshme të Labërisë, Toskërisë e të Epirit të poshtëm, me lëvrimin e gjallë të të gjitha ngjyresave të këngës polifonike e të valleve karakteristike, me “vendshen labe” e “vendshen toske”, që sa dallojnë nga njëra-tjetrën për elementët tiparizues të trevave prej nga vijnë, aq dhe bashkohen e harmonizohen në njësinë e tyre kombëtare, duket sikur sfidon dhe shpërfill edhe “thikën mbas shpine” që i është ngulur polifonisë nga institucionet shtetërore përkatëse. Ky kuvend sfidon si shpërfilljen e qëllimshme të Ministrisë së Kulturës që bën të paditurin se një aktivitet i përmasave të tilla është kthyer tashmë në një normalitet dhe traditë e përvitshme në krahinën e Mallakastës, si braktisjen nga ana e institucioneve që duhet dhe e kanë për detyrë të mbështesin të tilla evenimente kulturore, ashtu edhe emërtesën zyrtare “isopolifoni” bashkë me akademikët misionarë të dikujt tjetër që e sajuan dhe e mballosën këtë emërtesë. Në këtë kuvend edhe vetë termi “polifoni” duket i tepërt, sikur e zyrtarizon, sikur e fut nëpër kallëpe, sikur i zë frymën “vendshes” së këtij kuvendi. Është vlerë shpirtërore e artistike e vetë popullit, e ky shpirt i popullit nuk mund të kyçet dot as nëpër dosje, as nëpër emërtesa të ngurta “shkencore”, as në protokolle zyrtarësh të mykur.    


 E vërshuan artistët bartës të kësaj vendsheje nga të gjitha anët e Labërisë e Toskërisë, nga Himara e Skrapari, nga Lunxhëria e Tepelena, nga Saranda e Berati, nga Rrajca e Dropulli i sipërm, nga Vlora e Janina, pa folur për vendasit mallakstriotë që ishin dhe mikpritësit e për organizatorët e festivalit që vinin nga Tirana. Kjo larmi grupesh e zërash shoqërohej dhe me larminë e kostumeve kombëtare që pjesëmarrësit i bartnin si një “polifoni” e llojit tjetër, si një ekspozitë etnografike lëvizëse, me motivet e shumëllojshme, me ngjyrat e modelimet e pasura karakteristike. Një atmosferë e hareshme festive përgjatë tre ditëve, që padyshim përbën një ripërtëritje shpirtërore për vetë pjesëmarrësit e një gjallërim të jetës kulturore për mallakastriotët mikpritës. Duket se shpirti i popullit nuk shterron, pavarësisht kohëve të vështira e dyndjeve që përjeton, ai vijon të këndojë si sot e njëqind vjet, si sot e njëmijë vjet të shkuara, me po atë ashk, me po atë mall, me po atë shfrim ndjenjash që plotësojnë botën e tij të brendshme.


Edhe pse kësaj radhe, në këtë festival të VII, edhe koha dukej se kishte marrë anën e institucioneve për të sabotuar sa të mundej këtë aktivitet, entusiazmi dhe atmosfera nuk rreshtën e as u dobësuan. Publiku mallakastriot, jo veç spektator, por edhe pjesëmarrës organik i kësaj feste të madhe, u shkri me artistët e ardhur nga e gjithë Shqipëria “polifonike” duke improvizuar edhe një skenë të madhe qytetare nëpër rrugët dhe kafenetë e qytetit të Ballshit, ku buçisnin vendshet labe e toske e duke u përzier me bisedat, harenë e përgjithshme e me urimet: “na kënaqët, o iu këndoftë zemra!”.

Natyrisht duhet thënë se realizimi i këtij evenimenti me përmasa ndërkombëtare u arrit me përkushtimin dhe mundin e organizatorëve të tij, Shoqata “Polifonia Shqiptare” e Shoqata “Mallakastra” në bashkëpunim dhe me angazhimin edhe të pushtetit vendor të Qarkut të Fierit e Bashkisë së Ballshit, ku spikati përkushtimi dhe bujaria e kryetarit të kësaj bashkie, zotit Agron Kapllani, i cili si zakonisht shfaqi mikpritjen dhe bujarinë e tij sa institucionale aq dhe familjare me Sofrën mallakastriote për miqtë nga të gjitha trevat e polifonisë, pjesëmarrës në këtë festival.


Njëkohësisht festivalin e VII të polifonisë e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe zyrtarë të lartë të pushtetit vendor si prefekti z. Xhevit Bushi, dhe personalitete të fushës së artit e të shkencës, si historiani Pëllumb Xhufi, etnomuzikologu Pirro Miso, mjeshtri i madh Ermir Dizdari, duke i dhënë dhe seriozitetin e duhur dhe suksesin e merituar me angazhimin e tyre aktiv në mbarëvajtjen e këtij festivali. Padyshim ata ishin në krah edhe të stafit organizator të tij, tashmë me një përvojë disavjeçare, që nga drejtori ekzekutiv Yzeir Llanaj, konsulenti artistik Aleksandër Peçi, regjisori Milto Kutali, skenografi Gëzim Hajdini, e tek presidenti i nderit i këtij festivali, z. Idajet Beqiri e drejtori organizativ z. Fatos Klosi.                


E gjithë kjo atmosferë festive u kurorëzua me hapjen e natës së parë të festivalit në sallën e përgatitur me përkujdesje të veçantë nga drejtori i qendrës kulturore të qytetit, z. Ali Shametaj, sallë e cila qe mbushur plot me spekaktorë që prisnin me padurim fillimin e eventit. Në radhën e parë të sallës ishin ulur natyrshëm personalitetet që përmendëm, por vendi i Ministrisë së Kulturës mbeti bosh, ashtu si dhe herë të tjera. Në tryezën e jurisë zunë vend të nderuarit Pirro Miso, Ermir Dizdari dhe Shyqyri Hysi. Një sharm dhe freski i dha skenës dalja e prezantueses së re 20-vjeçare Bora Hasan Ago që me lirshmërinë e saj skenike, pasi përshëndeti pjesëmarrësit, ftoi presidentin e nderit z. Idajet Beqiri për të hapur festivalin, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, artistët dhe të ftuarit e tjerë, dha një vlerësim të cilësueshëm për këtë aktivitet që, sipas tij, është i rrallë në Ballkan për pasqyrimin e vlerave të tilla shpirtërore e artistike autentike, si dhe kontributin që jep për gjallërimin e jetës aristike të zonës së Mallakastrës, por edhe për zhvillimin e turizmit dhe të njohjes së vlerave kulturore arkeologjike të zonës me qytetin antik të Bylisit të promovuar dhe si park kombëtar. Ai i uroi festivalit edhe 100 vite të tjera, si dhe vazhdimin e bashkëpunimit mes shoqatës “Polifonia Shqiptare” dhe shoqatës “Mallakastra” e fondacionit “Mallakastra” dhe pushtetit vendor të Qarkut të Fierit.        


Sipas skenarit të përgatitur nga drejtori organizativ, skena u hap me grupin polifonik të Mallakastrës me këngën “E duam polifoninë”, krijim dhe interpretim i vetë organizatorit të këtij eventi, artistit të merituar Yzeir Llanaj. Më tej vijuan të ngjiten në skenë grupet e tjera në një garë dashamirëse dhe miqësore, duke u bërë njësh me atmosferën e këndshme të publikut entuziast mallakastriot, që i priste dhe përcillte me duartrokitje të ngrohta. Kështu në këtë natë të parë vijuan grupet polifonike të Rrajcës, Kërrabës, Bijtë e Tepelenës, grupi Bashkimi i Tiranës, grupi Zëri i Bilbilit, grupi i Gramshit, i Drashovicës, grupi Gjergj Arianiti, grupi Nënë Tereza, grupi Bilbilat e Vrionit, grupi i Dukatit, i Himarës dhe Fëmijët e SarandësNatës së dytë të festivalit, i parapriu ditën e premte, në ora 11.00, tryeza shkencore në mjedisin e sallës së Bashkisë së Ballshit, me pjesëmarrjen e shumë studiuesve e specialistëve të muzikës, si dhe të artistëve spektatorë. Kjo tryezë u drejtua nga studiuesi i mirënjohur Prof. Dr. Pirro Miso, nën kujdesin e presidentit të nderit të festivalit, z. Beqiri, e ku merrnin pjesë Pirro Miso, Kosta Loli, Ermir Dizdari, Pëllumb Xhufi, Shyqyri Hysi, Ermir Dizdari, Kastriot Bezati etj. Ndër temat që u shtjelluan në këtë tryezë, spikasnin ato mbi pozicionin e institucioneve përkatëse ndaj polifonisë, mbi tjetërsimin e emërtesës së saj në UNESKO, mbi trashëgiminë studimore të studiuesve të shquar, profesorëve Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta e Spiro Shituni, edhe në këtë drejtim të përcaktimit të emërtesës. Nga të pranishmit u shtruan pyetje drejt pjesëmarrësve në tryezë, ku u sqaruan shumë probleme që lidhen me problematikat e mprehta që shoqërojnë polifoninë në ditët e sotme. Për një njohje më të mirë të zhvillimeve të kësaj tryeze shkencore, shoqata “Polifonia Shqiptare” do të bëjë një botim të posaçëm të saj, ashtu siç ka bërë dhe me simpoziumet e mëparshme që kanë shoqëruar edicionet e kaluara të këtij Festivali ndërkombëtar. Njëkohësisht në tryezën shkencore e mori fjalën edhe presidenti i nderit, z. Beqiri, i cili ngriti edhe problemin e financimit të aktiviteteve të këtij lloji nga institucionet. Pasi ky festival u bë i mundur me sponsorizimin dashamirës të vetë atij dhe të z. Fatos Klosi, që me merakun për këtë vlerë kombëtare si dhe me dashurinë për vendlindjen, kontribuan për realizimin e tij. Ky festival, me mbështetjen e mëtejshme edhe të biznesmenëve mallkastriotë, duhet të ketë një vijimësi dhe të marrë fizionominë e duhur në një nivel të arritur artistik në shkallë ndërkombëtare.



Me të njëjtën atmosferë të një dite më parë u hap dhe nata e dytë e festivalit, ku grupet polifonike me kostumet e tyre të mrekullueshme u ngjitën njëri pas tjetrit në skenë, që edhe pse me sakrifica rruge e kushtesh, u karakterizuan nga një disiplinë e lartë artistike. U ngjitën njëri pas tjetrit në skenë grupet e Lunxhërisë, Janinës, Fier-Sheganit, Sevasterit, Urës Vajgurore, Dropullit të sipërm, grupi Buronjat Labe, Rreshniku, grupi Çipini.


Në përfundim të konkurrimit, skena u mbush me artistë të shoqëruar me duartrokitjet e sallës së mbushur plot, në pritje të vendimmarrjes së jurisë.

Dhe ashtu, e rrethuar nga artistët, juria nis të japë çmimet dhe vlerësimet e tjera për grupe e individë.

Me çmimin e parë u vlerësuan dy grupe: Grupi polifonik i Skraparit dhe grupi polifonik Buronjat Labe.

Me çmim të dytë: grupi polifonik i Janinës, grupi polifonik i Himarës, grupi polifonik Zëri i Bilbilit.

Me çmim të tretë: grupi polifonik i Dropullit Selos, grupi polifonik i Çipinit, grupi polifonik Ura Vajgurore, grupi Bijtë e Tepelenës. 

Me çmim të katërt: grupi polifonik Lunxhëria, grupi polifonik Fier Shegan, grupi polifonik i Dukatit dhe grupi polifonik i Drashovicës.

Me çmime speciale u vlerësuan Treshja e Dukatit, Vallja e Drashovicës, Fëmijët e Sarandës. 

Në mbyllje të festivalit presidenti i nderit i festivalit përshëndeti të gjithë artistët pjesëmarrës, duke i uruar suksesin secilit grup fitues dhe ftesën e mirëseardhjes në festivalin e ardhshëm. Mbas ndarjes së çmimeve dhe përshëndetjes përmbyllëse për nder të artistëve e të ftuarve të tjerë u shtrua darka përfundimtare e quajtur Sofra Mallakastriote.

 

LORICA

Yzeir Llanaj, Presiden i Shoqates Polifonia Shqiptare