Kush e koncepton femrën si send zbukurimi, gabon

687
Sigal

Kreu studimet parauniversitare në shkollën e mesme artistike Jan Kukuzeli, Durrës, dega piano në vitet 1991-2003. Kreu studimet pranë Akademisë së Arteve, Tiranë, fakulteti i muzikës dega muzikologji, nën drejtimin e Prof. Zana Shuteriqi. Në vitin 2007 mbron diplomën me temë studimore Feim Ibrahimi, monografi. Jeta dhe vepra.  Më 2009 realizon një specializim, pasuniversitar pranë Akademisë së Arteve, Fakulteti i muzikës për muzikologji sistematike dhe etnomuzikologji nën drejtimin e Dr. Ardian Ahmedaja (pedagog në Institutin e Etnomuzikologjisë në Vjenë). Dhe mbron mikrotezën: Përdorimi i regjistrave si një tipar orkestral në miniaturat për piano të Çesk Zadesë. Që prej vitit 2010 ndjek MND të thelluar pranë fakultetit të muzikës, Universiteti i Arteve për muzikologji historike, ku po mbron tezën Jeta kulturore e Shkodrës vitet 1879-1944

Cila ishte arsyeja që konkurruat për muzikologji dhe jo për piano, kur që në vogëli kishit njohuri për pianon?

Rastësia është mbreti i botës …Ndoshta rastësi është edhe futja ime në universin e muzikës, por nga ana tjetër, asgjë nuk është e rastit… Dihet se gjeneza e gjithçkaje është familja. Unë linda në një familje ku të dy prindërit ishin shkrimtar. Kur unë isha ende pesë vjeç, mami im ligjëronte gjuhë shqipe dhe letërsi në shkollën e muzikës “Jan Kukuzeli”. Ndodhte që më merrte me vete, sidomos gjatë verës.

Tingujt melodikë të instrumenteve ishin prezente, aty, por mua më tepër më tërhoqi tingulli i pianos. Më duhet ta kujtoj se po krejt rastësisht me uli në tastierën e pianos pianistja Irma Picari. Dhe unë aq shumë u magjepsa nga timbri i ëmbël i këtij instrumenti, sa më dukej sikur isha në ëndërr. -Zysh, Tila paska impostim natyral të dorës, – iu drejtua ajo mamit, teksa korrigjonte hartimet. Kështu konkurrova për piano dhe dola fituese. Babi im, i bindur, që piano kërkonte impenjim të madh e studim përditë në shkollë, nuk pranoi që t’ju fusja kësaj rruge. Nuk donte të lodhesha … Pra, e nisa klasën e parë në shkollë të përgjithshme… Por, pas një viti nuk vonoi të plotësohej dëshira ime për të nisur pianon. Nuk kishte ndodhur që të fillohej piano në klasë të dytë, megjithatë më këmbëngulje e dëshirë arrita shokët e klasës dhe të plotësova ëndrrën time fëminore…

Sa më shumë kalonin vitet, aq më shumë e dashuroja  pianon. Në klasën e gjashtë prindërit arritën të ma blejnë dhe instrumentin. Ishte dhurata më e bukur që më është bërë dhe do të mbetet e tillë. Isha në klasën e 11–të, në kontrollin teknik, kur ndodhi diçka, që nuk e prisja… M’u kontraktua dora e majtë…e morëm si diçka të përkohshme, por nuk qe ashtu…(U deshën tre vite që të më gjenin diagnozën e saktë. Me keqardhje, jo këtu por në Vjenë.) Ishte diçka e tmerrshme për mua ajo që ndodhi. Ndarja nga piano. Pjesa që kam luajtur për herë të fundit është ‘Revolucioni’ i Schopen.

Shqetësimi endej padyshim edhe tek prindërit me të cilët kërkuam alternativa të tjera. Sugjerimet dhe zgjidhjet vinin nga miqtë e shumtë, muzikantë, që spikatën edhe prirjen time për muzikologji. Duke parë që kjo degë kërkonte kulturë të përgjithshme, përgatitje teorike, etj., një degë komplekse ashtu siç e dëshiroja unë në fakt, ishte pikërisht ajo për të cilën isha gatuar unë, ku pianon do ta kisha avantazh, edhe pse tashmë, sekondare.

Gjithsesi nga një e keqe erdhi edhe diçka e mirë, pasi un gjeta pasionin tim.

 -Kur konkurruat, a ka ndonjë detaj që ju ka mbetur në mendje?

Kujtoj  Prof. Dr. Zana Shuteriqi- Prela me të cilën kam pasur fatin e madh të punoj përmbi 6 vite (pra edhe në Master.) Fillimet mbahen mend: Kur i dorëzova një detyrë mbi Beethoven-in, kompozitor të cilin e adhuroja; e nisja më një citim të marrë nga ‘Bethoveni dhe Revolucioni borgjez-francez’ i Nolit. Mbaj mend që ajo buzëqeshi dhe i pëlqeu… Prof. Zana ka qenë një arsye e forte, që unë i vijova studimet në Shqipëri… Ajo më ka nxitur dhe vlerësuar, njëkohësisht. Dhe mbetet model i autoritetit shkencor e human.

-Ku jeni përqendruar në studimet tuaja?

Ndonëse jam marrë edhe me analiza të literaturave perëndimore dëshira ime dhe synimi im është muzika shqiptare. Jo pa arsye temën shkencore të mbrojtës së diplomës Universitare kisha objekt  kompozitorin Feim Ibrahimi, më pas një postdiplomë me Çesk Zadenë e tanimë tezën e masterit e kam për ‘Aktivitetin kulturor të Shkodrës në vitet 1879-1944’, punë për të cilën kam hulumtuar në Arkivin Qendror të Shtetit dhe të Shkodrës. E punime të tjera që kanë të bëjnë me muzikën shqiptare. Një rubrikë e veçantë në media është ajo që i kam kushtuar trurit të larguar. Pra, për  kapacitet tona, që jetojnë e zhvillojnë veprimtarinë muzikore jashtë vendit, këto punime janë të projektuara për të parë dritën e botimit.

-Cilat janë pengesat që duhet të kalojë shkolla shqiptare e muzikologjisë sot?

Normalisht që kjo degë (ashtu edhe shumë tjera në vendin tonë), po veçanërisht kjo degë është relativisht e re, krahasuar me shkollat e perëndimit. Muzikologjia në perëndim futet te Shkencat Humane, tek ne është ende tek Fakulteti i Muzikës, por kjo ka anët e mira të saj gjithsesi. Rëndësi ka që për këtë degë po bëhen reforma progresive. Në fakultetin tonë kanë pesë vite që kanë nisur, duke e radhitur këtë te degët e vështira të llojit në sferën e muzikës. Por, një që është e domosdoshme muzikologjia është shkencë muzikore, si e tillë ka punë kërkimore, hulumtime në terren etj., etj.. Duhet të kesh ‘luksin’ që ta ndjekësh, për këtë duhet të ketë një mbështetje për studimet shkencore, sepse mirë që bëhet një studim, me tërë impenjimin, kohën e vështirësitë që ka, por nuk është korrekte që një studim që i jepet gjeneratës së re, të mos mbështetet.

-Si do ta komentoni mitmarrjen në radhët e pedagogëve?

Për konkretisht më mirë e lemë. No Comment!

Sa për princip. Fatkeqësisht është një fenomen që po e dëgjojmë rëndom. Por, muzika, arti ka një të mirë del në pah, e këto metoda nga një anë lindin nga vetë personat, që kanë ambicien më të madhe se aftësitë dhe përdorin lloj-lloj mënyrash për të marrë ç’ka nuk meritojnë.

Si është sot kërkesa e llogarisë në Liceun Kukuzeli dhe në Universitetin e Arteve dhe a është shkolla jonë e pianos dhe muzikologjisë në nivelin e atyre europiane?

Do të nënvizoj që në shkollën ‘Kukuzeli’ ka ende mësues me principe, që e duan profesionin dhe u kërkojnë, por edhe i ndihmojnë shumë nxënësi. Ka një frymë pozitive dhe ruhet tradita e mirë si vatër talentesh me rëndësi kombëtare. Aty nga kanë dalë shumë talente e muzikante që luajnë nëpër skenat më prestigjioze botërore…. Sa për Fakultetin e Muzikës, siç e përmenda edhe më sipër, janë bërë e do bëhen reformat, të cilat lidhen drejtpërdrejtë me modelet e shkollave perëndimore, duhet vetëm shumë punë, përkushtim, dëshirë  e bashkëpunim për t’i realizuar.

-Ku preferoni t’i kaloni pushimet?

Më pëlqen shumë natyra, rëndësi ka që të kem njerëzit e duhur e qetësinë shpirtërore dhe çdo vend bëhet i bukur më pas.

Veshja e preferuar?

Sipas momentit e rastit, jam më shumë tek veshjet serioze e klasike, po rëndësi ka veshja e duhur në vendin e duhur, pra të adaptosh veshjen me vendin ku je.

-Keni ndonjë peng në jetë?

Pengje? Jam ende e re. Do përpiqem që mos të kem shumë deri në fund të shekullit … Ky është një nga qëllimet e mia.

-Ç’është familja për ju?

Familja është diçka e shenjtë, është një vend që e ke gjithnjë e një vend ku të duan gjithnjë, kjo është familja ideale e familja ime. Ashtu sikurse vendi i inspirimit (jemi të pestë artistë), uroj që edhe ajo e reja të jetë po kështu .

-A ndihet e vlerësuar femra shqiptare sot?

Kjo është shumë e përgjithshme, por edhe personale, nuk marr përsipër të flas për të gjitha femrat shqiptare. Ka nga ato që janë të ‘përkëdhelura nga fati’, ka edhe ndryshe…Por, është bërë  pak si pyetje standarde kjo sot. E rëndësishme është që të vlerësohen femrat e duhura, femrat me virtyte …Kjo le pak për të dëshiruar… nuk shteron diskutimin.

-A është shoqëria shqiptare maskiliste dhe cilat janë format më shprehëse të saj?

Fakti që e kanë të vështirë ta shohin femër edhe të zonjën e me koeficient intelekti herë –herë sfiduese, të bën mendosh për doza mentaliteti maskilist. Pra, përveç faktit që mund të jetë e bukur, a vishet bukur, duhet të shohin edhe më tej. Kush e koncepton si send zbukurimi, gabon…. Ky mentalitet si fillim duhet luftuar edhe nga femrat, dhe jo të bëjnë rolin e kukullës së bindur, duke i dhënë meshkujve shkas për këtë mentalitet, personaliteti duhet të shfaqet me guxim dhe mençuri njëherazi.

-Moto nga e cila udhëhiqeni në jetë?

Janë disa motive, po shfaq: Besimi tek e ardhmja … Kjo edhe në emër të moshës së re, por edhe të formimit tim: Kur jam e ngarkuar them: “E drejta vonon, por nuk harron…” një ditë çdo gjë do shkojë në vendin e duhur. “Në këtë botë kaotike rëndësi ka që të gjejmë qetësinë shpirtërore”.