Kush e fitoi konkursin…?!

621
Izet S. ÇULLI

(subjekt për një tragjikomedi)
Në kuvendin e kafshëve, në një pyllishte u mblodhën ato disa vjet më parë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Po doli një problem i veçantë e i padëgjuar më përpara në ato anë. Disa poste drejtuese kyçe, kërkoheshin nga pala kundërshtare për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kriza politike përndryshe do të merrte përmasa të papara e dramatike…

Dhe siç u tha, u bë. Kryetar Ariu u shpreh sakaq, se qysh ditën e parë mbas zgjedhjeve ata do të jepnin dorëheqjen në bllok. Gjithçka kaloi mrekullisht. Votimet në pyllnajën-shtet u kryen më së miri, për t’u pasur zili dhe pa kundërshti. Po javët po kalonin dhe asnjë prej tyre nuk e lëshonte karrigen-magnet. Një pështjellim i madh.”Lëri, -ngulmoi ariu, të binden vetë, do shkojnë nga erdhën shumë shpejt, se po i pezulluam ne, kush bredh mbas gjykatoreve tona, duke na kërkuar paga mbas pagash, po t’i shkarkonim ne…”

-Unë s’e jap dorëheqjen, -tha njëra prej kafshëve, për të cilën thoshin, se s’dihet kujt i ngjante, mbasi gjithë jetën kishte jetuar si lepur dhe lehur si qen…

-As unë, jo! -u shpreh Gomari, sepse një ditë më shumë në karrige më vlen për të pasuruar CV- në time!

-Dreq, o punë, -theksoi Kali, po pse unë i humbur paskam qenë?! Kësaj i thonë,ku ishe, hiç gjëkundi. Këtu do më keni sërish, sepse përveç të tjerave, kam edhe nja dy tenderë për të firmuar, të cilat po m’i përgatit stafi im serioz në punë…

Dhelpra, si zakonisht, duke dhelpëruar, gjithashtu nuk ishte dakord të delte nga skena: “Më keni me vete. Një ditë nuk është pak dhe pa dobi në pyll-shtetin tonë. Ju e patë vetë gjatë kësaj kohe të shkurtër…Megjithatë kjo e fundit tregoi një histori, ndodhur në lagjen e saj, kur një mëshqerrë të përdalë, demi po e mbante pranë si më parë, pa u shqetësuar fare. Kur e pyetën: “Si kështu?”, ai ua ktheu, qetësisht: “Do ta lë sa të vdesë vetë!”

Pra, kafshët e pyllit të palës kundërshtare, me sa duket, do të ngeleshin në drejtim të dikasterit qendror deri sa trutë e kokës t’u mpakeshin dhe t’u kishin zbritur në zverk!
Thoni ç’të doni, po “konkursin” e fitoi Gomari, i cili ishte treguar më i zgjuar dhe tejpamës, ngase biografia e tij, vërtet do të pasurohej më shumë. Ku ta dish se herën tjetër, mbas votimeve, ai me siguri do të delte në krye të dikasterit përkatës për ta drejtuar për një legjislaturë më të plotë…
Sigal