Sigal

Enver CAKAJ

Ka një datë të caktuar për t’u ngjitur në Tomorr, por sa më të njohura të bëhen këto vende, aq më shumë prishet ky rregull. Njerëzit, më shumë hallexhinjtë, thuajse janë bërë banorë të përhershëm të këtij mali. Dikur kanë pritur datën 20-25 gusht për të bërë ritualin fetar, kur sigurohen edhe shërbimet tregtare. Por njerëzit nuk presin dot, por rrëmbejnë ndonjë çadër, ndonjë batanije ose gunë dhe ngulen me ditë të tëra atje. Në të vërtetë pelegrinazhi i Tomorrit është më shumë kurativ se fetar. Të gjithë i janë drejtuar Tomorrit për t’u qetësuar e shpëtuar nga ajo zagushi dhe pluhur i qyteteve. Këtë nevojë e kanë edhe të huajt. Pelegrinazhin e malit të Tomorrit mund ta quash një bashkësi e Kombeve të Bashkuara. Ngjiteshim një ditë për në Tomorr mes pishave të bukura me tre kuçovarë. Të tre vuanin nga astma. Gjithë rrugës u ankuan se mezi merrnin frymë, po kur hymë mes pishave, ata po shikonin njëri-tjetrin të çuditur. Astma ishte larguar prej tyre dhe po ecnin si në djalëri. Nuk kam rastisur më me ta, por me siguri në muajt e verës ata do të jenë ngulur atyre pishave për të jetuar pesë ditë si njerëz.

Ka të dhëna se Skrapari do të shndërrohet në rreth turistik. Dhe kjo ka filluar të ndihet. Çorovoda ka marrë një formë të tillë dhe me aq, turistë nga gjithë bota e vizitojnë çdo ditë. Po ky Tomorri me atë bukuri madhështore, që mbledh gjithë botën në muajin gusht, përse të mos shndërrohet në vend turistik. Ujanikasit, që e braktisën totalisht fshatin, i janë rikthyer dhe po i rindërtojnë shtëpitë, të cilat i kanë kthyer në mjete fitimi duke i lëshuar me qira për ardhësit, që duan të qëndrojnë gjatë në këto vise. Kultet fetare kanë punuar për të zgjidhur shumë konflikte që kishin njerëzit. Besimi ndaj tyre ishte i plotë prandaj pranonin çdo zgjidhje që jepnin këto kulte. Ndërhyrja e fesë i mënjanonte të gjitha rrugët ligjore. Mjaftonte një gisht i ngjyer me bojë, që ishte më i besueshëm se mijëra akte noterie. Besimin tek feja e vërteton edhe kjo letër e zëvendës prefektit të Berati dërguar Degës së Punëve të Brendshme Durrës më 02.07.1919: “Nënprefektura e Skraparit na lajmëron, se paria e Skraparit dhe pleqtë e katundeve, duke marrë parasysh vrasjet dhe ligësitë e parashikuara që ndodhin në vendin e tyre, më 20 të këtij muaji u mblodhën në teqe të Kulmakut dhe lidhën besën, duke u betuar për ta ndërmarrë qeverinë kombëtare si për punën e qeverisë ashtu dhe për çdo gjë tjetër, që do të ketë dhe kështu mbledhja u përhap prapë.”

Feja thuajse zëvendësoi shtetin në vitet e hershme. Kush i rregullonte rrugët, urat, puset e Fshatrave? Mos kujtoni se ndërtonin gaxhole sa për të gënjyer njerëzit. Po të keni mundësi shkoni shikoni urën e Dervish Iljazit në Vlushë ose atë urën 35 metra të gjatë dhe tre metra të gjerë në periferi të Vlorës. Shikoni puset në Pirogosh, te mani i Vërzhezhës dhe Devri. Janë sikur i kanë ndërtuar sot. Dervish Iljazi do të mbahet mend në jetë të jetëve si njeriu i fukarenjve. Ai kishte tertipe të tjera dhe ato që i thoshte i bënte. Kohët e fundit të jetës së tij ai i dërgoi këtë letër amaneti patriotit kolonjar Petro Nini Luarasi: “E kam gjetur me mynasip që në Tomorr të bëhet një shkollë e një spital. Shkolla të bëhet në Shesh të Shtyllës dhe spitali në Ujë të Ftohtë, sinor me Ujanikun,me që era e atjeshme është e paqme dhe e shëndetshme. Po,megjithatë,vendi ku të bëhen të mbetet si të gjendet me mynasip prej doktorëve dhe inxhinierëve. Këto institute të bëhen me ndihmën e qeverisë dhe popullit. Dhe meqë unë asokohe do të ndërroj jetën, ju lutem që njerëzit që do të sjellin të mbledhin ndihmat nëpër qytet e nëpër fshatrat të jenë njëri muhamedan dhe tjetri kristian. Sa për ndihmat nga shqiptarët e jashtëm, këto i lë në dorë të qeverisë. Shkruar në Tomorr, dylbetari i Abaz Aliut. Varf Iljaz.” (Marrë nga gazeta “Shqiptari i Amerikës” 26 maj 1923).

Kulmaku ka dasmë të madhe. Krushq e dasmorë vijnë nga e gjithë bota. Na thoni, cili mal është kaq miqësor, që mbledh aq shumë njerëz në këto ditë të nxehta vere? Ata që janë caktuar për të pritur dasmorët kanë kohë që janë ngjitur në Kulmak. Atje nuk ka vapë, as dhoma pritjeje. Të gjitha ato çahire që u bëjnë hije pisha të hershme, janë shtëpi pritje për ardhësit. Dervish Iljazi është atje ,I gjallë edhe pse në një bust të bukur. Ai e themeloi dhe ngriti teqenë e parë në këto bukuri më 28 korrik 1916. Vetë nuk ndenji atje, as pranoi të bëhej Haxhi. Gjithë jetën rrugëve e fshatrave të vendit për të ndërtuar ura, rrugë e puse e kaloi jetën. Gazeta e Sofjes, “Liri e Shqipërisë” të datës 5 të vjeshtës së tretë 1911, shkruante që andej: “Për të mirin Varf që ka mbaruar afër Vlorës një urë 35-metra të gjatë dhe tre metra e gjysmë të gjerë. Mbase Perëndia që rri në Tomorr të Shqipërisë e dërgoi këtë njeri të mirë që të zbukurohen ato vende,që gjer sot kanë qenë shkretëtira. Perëndia dërgoftë të tillë njerëz kudo në Shqipëri…! Të lumtë, o Iljaz, puno, puno, të lësh një emër të paharruar në këtë jetë, se njeriu një herë i shkon kësaj jete.” Dervish Iljazi e bëri veten që të mos harrohet kurrë, po tërë këta klerikë që janë sot në të gjitha institucionet fetare, çfarë bëjnë? A do të përsëritet ndonjëherë figura e Dervish Iljazit? Nuk i duam të bëjnë ura e rrugë, se ato i kemi ashtu si i kemi, po të paktën t’i kthejnë ato kultet fetare në vende të bukura me pemë e lule si në Alipostivan. A do të përsëriten ato blloqet e pemëve të Prishtës në Skrapar me turli varietetesh? A do të përsëriten më ato vendet e shenjta me një kamare pa kyç si dikur? Nuk na vjen mirë ta themi, po kamare janë hapur vend e pa vend me kyç, që të bind, se ato pak të ardhura nuk shkojnë për të zbukuruar kultet fetare, por i marrin për vete. Bërja e kamareve me kyç tregon se institucionet fetare nuk janë të besueshme. Të mos harrojmë, se edhe në kohën e Dervish Iljazit kishte xhelozi. Këtë e tregon edhe fakti, se në inaugurimin e teqesë së Kulmakut, nuk mori pjesë asnjë klerik bektashi! Për të pasur fe të besueshme, lipset të kemi fetarë të besueshëm. Dhe i besueshëm bëhesh kur punon për popullin dhe për fenë. E që të arrihet kjo nëpër institucionet fetarë duhet të punojnë ata njerëz që janë përgatitur nëpër shkolla fetare, jo ata që lënë ndonjë mjekër dhe veshin nga një fustan të bardhë..

Kur ngjitesh dhe zbret nga Tomorri e ndjen veten të tjetërsuar. Nga ai mal ke marrë ose ke lënë diçka. Kur ngjitesh të duket sikur mali të ka hedhur dorën mikpritëse mbi supe. Kur zbret, ngre dorën mikpritëse dhe të thotë “Mire se të vini!” Atje lart ke lënë freskinë dhe këngën, që nuk pushon asnjë ditë. Poshtë të ndjek me mall melodia e këngës, që të duket sikur ka mbirë nga mali.

Në Tomorr gjurmët i mbenë,

Atje ku ngriti teqenë.

Atje ku ngriti shtëpinë,

Për hazret Alinë.

Ike nga Berati, erdhe në Skrapar,

Aman, o Dervish, o Dervish Iljaz.

Bëre puse, çezma, ura për sevap.