Kur humbet shijen e së ardhmes

520
Ivana TOMÇO

A e keni vënë re se sa të paarsyeshëm dhe të dhunshëm janë disa njerëz që ndeshni në jetën e përditshme? Çdo njeri kërkon lumturinë, gëzimin e të jetuarit. Të gjithë duan të jetojnë më mirë, të bëhen të njohur, të adhuruar. Kjo nuk është vetëm në logjikën e individualizmit të sotëm: njerëzit e kanë ëndërruar gjithnjë. Këto kanë lidhje me vullnetin dhe dëshirën që ka individi për të rregulluar jetën e tij, afirmimin, përditshmërinë e suksesshme duke qenë vetvetja, veçanërisht në jetën private dhe emocionale, duke jetuar sipas normave dhe standardeve të veta, të lejuara dhe të mundësuara nga shumëllojshmëria e alternativave në shoqërinë e konsumit masiv.

Një seri lehtësish teknike që siguroi epoka e re, krijuan, mbështetën dhe shpejtuan përparimet e gjithanshme. Gjithçka filloi të bëhet e mundshmedhe e arritshme për të gjithë dhe kjo i dha përparësi forcimit të shtresës së mesme. Gradualisht, duke e gjetur gjithçka gati, dalëngadalë u afirmua një shkëputje nga “vlerat” apo cilësitë e qytetarit të epokave të mëparshme, duke i lënë vendin aspiratave të individëve që ndikohen nga ngjarjet dhe risitë epokës së globalizimit.

Globalizimi dhe shoqëria e informacionit lejojnë kontakte dhe ndërveprim mes popujve, ideve, kulturave. Megjithatë, disa prej aspekteve të tyre kanë natyrë që favorizojnë dhunën, terrorizmin dhe ideologjitë që i nxisin. Zgjerohet gjithnjë e më shumë hendeku midis të varfërve dhe të pasurve. Varfëria, shtypja, mosrespektimi i të drejtave të njeriut, ndjenja e padrejtësisë dhe mungesa e perspektivave më të mira për të ardhmen, ofrojnë terren pjellor për të gjitha llojet e dhunës. 

E gjithë jeta sot jetohet sipas një modeli të shoqërisë së konsumit. Ka një humbje të fortë apo refuzim të kujtesës historike, një shkëputje të heshtur, po gjithsesi shumë të shpejtë, nga simbolet apo pikat e referimit të së shkuarës, nga kultura e brezave të mëparshëm, një lloj humbje të kujtesës historike, jo vetëm te të rinjtë, por edhe te të rriturit.

Ka filluar të mbretërojë interesi vetjak dhe pasoja e kësaj, është kriza e thellë në fushën e angazhimeve kolektive dhe të qëndrueshme dhe pezullimi i projekteve të transformimit social. Në epokën tonë të individualizmit, ajo që dominon mendjet tona është e tashmja pa vazhdimësi, pa thellësi, e tashmja pa të shkuar dhe pa të ardhme, e tashmja pa kujtesë dhe shpresë. Kemi tendencë ta injorojmë të shkuarën dhe na mungon vizioni për të ardhmen. Kemi humbur pra: “shijen e së ardhmes”.

Para nesh shohim çdo ditë fytyra të trishtuara, njerëz të pavendosur, të pasigurt, të pagjumë, pa entuziazëm, të cilët zhyten gjithnjë e më thellë në trishtimin dhe pafuqinë e tyre, të paralizuar para vendimeve që u duhet të marrin, punës që duhet të bëjnë dhe përgjegjësive që duhet të përmbushin. 

Nëse do ta shtrinim gjykimin tonë në rrafshin social, për të gjetur kështu shkakun, do të vëmë re se nuk kemi më individë të izoluar që kërkojnë identitetin e tyre, por grupe të bashkuar. Mbretërimi i individualizmit është gjithashtu paradoksalisht edhe epoka e fiseve, komunitarizmit, sekteve, fondamentalizmit, mungesës së tolerancës, të cilat sjellin si pasojë pasigurinë. Dhe këta grupe i shprehin ndonjëherë me dhunë, frustrimet e tyre.

Nuk është se shqetësimi për “tjetrin“ tek ne nuk është i pranishëm, por “altruizmi“ nuk mund të vijë nga një njeri që nuk është mirë për veten e tij dhe nuk e ndjen gëzimin e të jetuarit. Ai duket i bukur në mënyrën se si e paraqesin mediat, por në këtë rast është një emocion i “diktuar”. 

Çfarë duhet të bëjmë ne në fakt, për të ndërtuar personalitete të lira dhe kritike për të përballuar me sukses sfidat e së ardhmes?

Unë do të thosha: një edukim i shëndoshë e kalit njeriun dhe zhvillon tek ai një frymë tolerance ndaj mendimit të tjetrit, ndaj kulturave të tjera dhe mënyrave të ndryshme të jetesës. Le t’i drejtohemi të gjitha formave të kulturës për t´u përpjekur të rilidhim fijet e shkëputura të dialogut. Vetëm kështu, do të jemi më të mirë me njeri tjetrin, do ta shohim jetën me optimizëm dhe nuk do të humbasim shijen e së ardhmes.
Sigal