Kur Fan Noli takoi Presidentin Uillson më 4 Korrik

859
Anton ÇEFA

“Deklaratat e Uillson-it rreth ‘luftës për t’i dhënë fund luftës’ dhe ‘e drejta e vetëvendosjes së kombeve’ u ngjalli shpresat popujve të shtypur për drejtësi në vendimet e bisedimeve për paqen. Vatra u bë një avokat militant i kauzës së aleatëve. Anëtarët e saj nënshkruan huat për luftën dhe I Përndritshmi Fan Noli vizitoi kampet ushtarake në Massachusetts, duke u mbajtur fjalime të zjarrta të rinjve guximtarë (është fjala për ushtarët shqiptaro-amerikanë, – sqarimi im, A. Ç)”.

Në përpjekje për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë, të mohuar nga Anglia, Franca, Italia, udhëheqësit e “Vatrës” i joshi kërkesa e Presidentit për vetëvendosjen e popujve dhe ndalimin e traktateve të fshehta. Më 4 korrik 1918, në pelegrinazhin e organizuar nga presidenti Uillson në Mount Vernon, vendi historik ku është varrosur presidenti i Parë i Amerikës, George Uashington, “Vatra” dërgoi Nolin, kryetarin e saj, për të përfaqësuar Shqipërinë. Në këtë mision, Nolit iu dha rasti të shtrojë shkurtazi problemin e Shqipërisë. Pas takimit që pati me Wilson-in, ai i dërgoi Komisionit Qendror të “Vatrës” nga Washingtoni këtë mesazh: “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Uillson, i cili më dha shpresa të mëdha. . .”.

Fakti që nuk përmendej Shqipëria në Planin 14 pikësh qe shumë shqetësues si për të gjithë shqiptarët, ashtu edhe për shqiptarët e Amerikës. Gjithsesi, Noli dhe drejtuesit e “Vatrës” kishin besim tek Uillsoni, tek premtimi që ai i kishte dhënë Nolit në Mount Vernon dhe sepse në pikën 11 flitej për garancitë ndërkombëtare për pavarësinë politike e ekonomike dhe integritetin tokësor të disa shteteve ballkanike; dhe, mbi të gjitha, sepse fryma e Fjalimit të Presidentit në planin e paqes ishte plotësisht në hullinë e vendosjes së të drejtave të popujve. Nga fundi i Fjalimit të tij, Uillson-i thoshte: “Një parim evident përshkon gjithë programin që unë kam paraqitur. Është parimi i drejtësisë për gjithë popujt dhe shtetet, dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrëdhënie të barabarta të lirisë dhe sigurisë me njëri-tjetrin, qofshin të fortë a të dobët”.

Presidenti Uillson
Takimin e tij me Uillson-in, Noli ka për ta kujtuar me admirim e mirënjohje të thellë e vlerësim të lartë në disa raste. Në Fjalimin e tij drejtuar ushtarëve amerikanë me prejardhje shqiptare në Camp Devens, më 8 shtator 1918, ndër të tjera, ai tha: “Ne i kemi sytë nga Amerika për mëkëmbjen e pavarësisë shqiptare. Duke gjykuar nga rrjedha e zhvillimit të ngjarjeve në fushën e betejës, tani nuk ka asnjë dyshim që kjo luftë do të përfundojë me fitoren e Amerikës, që do të jetë një triumf për demokracinë botërore dhe kushtet e palës do të diktohen brenda territorit gjerman nga një arbitër botëror, që e do drejtësinë, siç është presidenti Uillson.” . Po në këtë fjalim, shkruan: “Kam patur nderin në një rast historik ta takoj këtë njeri të madh që tani është bërë orakulli i njerëzve të vuajtur. Ishte Dita e Pavarësisë, kur përfaqësuesit e të gjitha grupeve nacionale në Amerikë ishin ftuar nga presidenti Uillson për ta shoqëruar si miqtë e tij të huaj në jahtin Mayflover gjatë pelegrinazhit në Malin Vernon. Gjatë kthimit unë si lutës i përulur iu afrova dhe i thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë, dhe t’i kthejë asaj bukën e jetës, lirinë. Dhe përgjigjja e tij fisnike ishte: ‘Unë do të kem një zë (votë) në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”. Dhe shton: “Unë nuk kam nevojë t’ua tregoj sa i fortë është ai zë dhe se çfarë vëmendje të respektueshme dhe të bindshme ka ai në gjithë botën, i shtyrë nga drejtësia dhe i përkrahur nga miqtë e fuqishëm amerikanë, më të fuqishmit që bota ka parë ndonjëherë.” . Po në këtë Fjalim thotë: “Uillson-i është i sigurt se do të fitojë e do të zërë vend në histori si Linkoln-i për humanizmin dhe si çlirimtar i të gjithë kombeve të mëdhenj dhe të vegjël. Kur do të shpallet paqja, Shqipëria do të rifitojë pavarësinë.”

Në mbrojtje të çështjes shqiptare, Noli, udhëheqësit e tjerë të “Vatrës” dhe personalitete amerikane, miq të Shqipërisë, botuan, në këtë periudhë, shkrime në “Dielli” dhe në revistën“The Adriatic Review”. Revista “Adriatic Review” u botua në Boston në gjuhën angleze, në vitet 1918-1919. Ajo i dërgohej zyrtarëve të lartë të qeverisë amerikane dhe personaliteteve tjera të shquara amerikane. . Në një nga numrat e kësaj reviste, u botua një memorandum, dërguar presidentit Uillson, më 27 nëntor 1918, në kohën kur Aleatët po planifikonin rishtas copëtimin e Shqipërisë. Memorandumi u firmos nga këta klerikë ortodoksë shqiptarë: At Fan S. Noli, At Naum Cere, At Marko Kondili, At Damiani, At Pando Sinica dhe At Vangjel Camçe.

Mbasi jepet një historik i shkurtër i copëtimit të Shqipërisë, etj., në këtë dokument thuhet: “Shqiptarët shpresonin që Amerika dhe Aleatët do ta ndihmonin me zemërgjerësi Shqipërinë të rimëkëmbej, duke zgjidhur çështjen ballkanike në baza të forta, duke shpëtuar një racë të lashtë e mjaft premtuese nga zhdukja dhe skllavërimi, e duke i dhënë asaj vendin që i takon midis kombeve të qytetëruara të botës, vend për të cilin u zhvilluan betejat më të ashpra e më të gjata në shekuj.”. Stili i memorandumit është dëshmi e qartë e dorës së Nolit.

Noli dhe vatranët e konsideronin Uillson-in si të vetmin përkrahës në radhët e aleatëve fitues të luftës dhe kishin bindje të plotë që ai do ta mbronte Shqipërinë në Versajë. Edhe pse Uilson-i në “14 Pikat” nuk e kishte përmendur Shqipërinë, ata vlerësonin frymën e propozimeve të Presidentit Amerikan, i cili në fund të fjalës së tij, mbasi parashtroi planin për paqen botërore, pati theksuar: “Një parim evident përshkon gjithë programin që unë kam paraqitur. Është parimi i drejtësisë për të gjithë popujt e shtetet dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, qofshin të fortë a të dobët”. Në shkrimin “Peshkop Noli dhe bashkësia shqiptare në SHBA”, Peter R. Prifti ka shkruar: “I impresionuar thellë nga idealizmi i Uillson-it, Noli u bë një përkrahës i pasionuar i demokracisë uillsoniane. Drejtësia ndërkombëtare, vëllazërimi njerëzor, simpatia për të dobëtit, paqja botërore qenë idealet dhe vlerat që Noli dhe shqiptarët e Amerikës i bënë të tyret dhe u përpoqën të jetojnë në përputhje me to” .

Vlerësimi i lartë i Nolit për Uillson-in shkëlqen në mënyrë të veçantë në Panegjerikun që ai mbajti në Kuvendin Themeltar të Shqipërisë, më 11 shkurt 1924, me rastin e vdekjes së presidentit Uillson. “Amerika dhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Uillson-it, të njëzetetetit President të Shteteve të Bashkuar. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria e cila qanë në fytyrën e amerikanit të madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e tij më të fortë.” Mbasi vë në dukje të mirat ekonomike e politike që ka pasur Shqipëria prej shqiptarëve të mërguar atje dhe prej vetë shtetit amerikan, ai thotë: “Dhe kur themi Amerika, na kujtohet një emër, se të gjitha këto kanë ngjarë, kur nga Shtëpia e Bardhë e Uashingtonit, administronte Shtetet e Bashkuara i shkëlqyeri dhe i shumëvuajturi President Uillson.”

Spikat në fjalimin e Nolit, idealizmi i Uilson-it dhe i vetë Amerikës.“Veç titullit ‘Amerikan’, Uillson-i ka për mirënjohjen tonë edhe një titull tjetër, atë të idealistit dhe të profetit të vëllazërimit ndërkombëtar dhe të paqes së përbotshme. Presidenti Uilson ishte idealist se ishte amerikan. Ata që kujtojnë se Amerika është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për të bërë dollarë, nuk e njohin Amerikën aspak. Fakti që një idealist si Uillson-i u zgjodh dy herë President, arrin për të provuar thezën tonë.” Më pas me penelata të shpejta, në këtë panegjerik, që është një nga perlat më të çmuara oratorike të Nolit dhe gjithë oratorisë shqiptare, ai na jep mjedisin familjar e shoqëror ku u rrit e u formësua karakteri i Presidentit: “Uillson-i u rrit në kishë, në një rrethim fetar me ungjillin në dorë, i predistinuar apostull i një ideali kristianik e njerëzor”, dhe më poshtë: “në çdo gjest e në çdo fjalë shfaqej njeriu mistik i iluminuar, i dërguar prej Perëndisë për një mision të shenjtë. Pranë një karakteri të çeliktë kishte mirësinë e Shën Françeskut”. Duke cituar nga fjalimi i Nolit, është vështirë të nxjerrësh citate të shkëputura për të dhënë vlerësimin e tij për Presidentin, sepse të trazon tundimi për ta përfshirë tërë fjalimin. Një tundim disi i veçantë të shtyn të mendosh dhe të bësh paralelizma mes idealistit tonë të madh, Nolit, dhe idealistit të madh amerikan Uilson-it (A nuk qe edhe Noli një “apostull i një ideali kristian e njerëzor” e po aq edhe kombëtar?) Ngjan se kur flet për Uillson-in, Noli mediton për veten e vet, që, si Presidenti Amerikan, “Fuqinë e qeverisë e kërkoi dhe e fitoi si një qëllim, jo si një mjet për apostullatën e tij.”

Uillson-i u përpoq t’u imponojë të dy palëve, fituesve dhe të mundurve, një paqe të drejtë të bazuar në idealet e tij, të përvijuar në “Katërmbëdhjetë Pikat”, “po në Versailles Uillson-i u ndodh si Danieli në shpellën e luanëve … Aleatët kujtonin se tërë programi idealistik i Uillson-it s’ishte veç një propagandë hipokrite për të gënjyer opinionin e përbotshëm”, thotë Noli. Dhe, vazhdon, duke përgjithësuar fatin e idealistëve, gjithnjë sikur mediton për veten e tij: “Se kjo është tragjedia e të gjithë idealistëve, që bota kujtojnë se idealizma është vetëm një maskë për të fshehur qëllime egoistike dhe materialiste të pavjelura.”

Drama e Uillson-it bëhet më e rëndë, kur kthehet në atdhe, sepse “dhe atë copkë të fitorjes që mundi të çkëputë nga thonjtë e luanëve të Versailles tani vendi i tij do t’ia rrëmbente nga duart … Senati Amerikan refuzoi të ratifikojë Paqen e Versailles, të kryesuar prej Paktit të Lidhjes së Kombeve . . . Dhe Evropa vazhdoi luftën nën maskën e paqes”. “Partizanllëku i verbër më shumë se çdo faktor tjetër e shkatërroi Lidhjen e Kombeve.” , ka shkruar historiani amerikan Thomas A. Bailey. Rishtas, por me detaje më të hollësishme, edhe në këtë Fjalim, ai rikujton takimin me Uillson-in në Uashington, duke e cilësuar atë “kalorës të kohëve të kaluara në një kohë tragjike”. “Atëherë iu afrova – dhe i bëra një apel në emër të kombit tonë fatzi, dhe përgjigjen e tij bujare e mbanj mend sikur po e dëgjonj sot … Dhe e mbajti fjalën. Në janar 1920, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjitha anët e vendit tonë, i cili qe si i vdekur në agoni. Projektet e copëtimit të Shqipërisë, redaktuar prej Aleatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej fakt definitiv. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Uillson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Uillson, jo vetëm që nuk vuri firmën, po u përgjigj dhe me dy nota, në të cilat mbronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy nga xhevahiret më të ndritshëm të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë rast të marrim frymë e të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot. Që Prefekturat jugore nuk u invaduan para se të caktoheshin kufijtë, kanë një shkak dhe shkaku është Presidenti Uillson.”

Noli e rikujton Uillson-in, gjithashtu, në Gjenevë, kur Shqipëria, e përfaqësuar prej tij, u pranua në Lidhjen e Kombeve dhe pavarësia e vendit tonë u njoh zyrtarisht: “Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë dhe më rrotullonte në kokë një emër, që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, emri i Presidentit Uillson.” Duke na dhënë me ngjyra të gjalla vdekjen e Presidentit Amerikan, Noli e vazhdon fjalimin me vlerësimet e panumërta për Uillson-in, duke e quajtur atë: “Profeti bujar i paqes njerëzore, ati spiritual i Lidhjes së Kombeve, titani dhe kalorësi idealist”. Dhe më poshtë: “Fara e idealit që mbolli do të rrojë e gjallë sa kohë ka zemra njerëzore në botë”; dhe më pas, duke iu drejtuar Kuvendit Themeltar në emër të tij dhe të shokëve të tij idealistë demokratë, Noli e tradhton veten kur thotë: “Lufta jonë s’ka qenë e kotë (është fjala këtu për luftën për demokraci gjatë viteve 1920-1923; shënimi im, A. Ç). Se atje ku ka varre si yti, atje ka jetë e ngjallje”. Sikurse idealistët e mëdhenj, ëndërrimtarë dhe fisnikë, në vizionet e të cilëve ravijëzohet profecia e një të ardhmeje më të ndritur, Noli e përfundon panegjerikun e tij për Uillson-in dhe Amerikën: “Amerika, ajo nënë bujare që i ka dhënë botës Uillson-in, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ay, kalorës të cilët të kenë shqytin e tyre kryefjalën e Virgjilit: “Regere parvos, debellare superbas” (Të mbrosh të vegjëlit, të mposhtësh kryelartët), të cilët mbrojnë të vegjlit dhe përunjin kryelartët, kalorës të cilët të vazhdojnë dhe të mbarojnë veprën e paqes, e vëllazërimit, e mirëdashjes ndërkombëtare.” Dhe vërtet, Amerika, në ditët më të vështira për kombin tonë, kur barbaria serbe e etur për gjak u përpoq të zhdukë nga faqja e dheut një pjesë të gjakut tonë, e lindi kalorësin e madh Bill Klinton që “të mbarojë veprën e paqes, të vëllazërimit e të mirëdashjes ndërkombëtare”. Dhe, po ashtu, ajo lindi Bush-in, i cili në vizitën më 10 qershor 2007, në Tiranë, deklaroi qëndrimin amerikan: “Kosova do të bëhet e pavarur.”

(Pjesë e shkëputur nga një ese e autorit për aktivitetin e Federatës “Vatra”, botuar në gazetën “Illyria”)
Sigal