Kur 14-vjeçarja Andromaqi Zengo me të atin, zografisnin kishën e Shën Marisë

1229
Kisha e Shën Marisë ndodhet në hyrje të Korçës, në krah të majtë të saj kur vjen nga Tirana. Edhe mund të mos e dallosh dot kur kalon pranë saj, sepse është një kishëz e vogël, madje tepër e vogël, e fshehur pas disa pemëve të larta. Thuhet se është një kishë e vjetër e këtij qyteti, por gjithnjë duke përjashtur manastirin e Fjetjes së Hyjlindëses, që sipas Aravantinos-it, u ndërtua më 1225, pasi ky manastir nuk ka asnjë lidhje me Korçën, sepse në atë kohë Korça nuk ekzistonte as si emër. Gjithsesi, ende edhe sot e kësaj dite nuk e dimë kur kisha e Shën Marisë u ndërtua për herë të parë dhe çfarë madhësie kishte patur. As kodiku i madh i Korçës nuk na vjen dot në ndihmë, sepse ky kodik vërtet është një magazinë të dhënash, por çuditërisht, pa të dhëna të sakta kohore. Është hartuar kështu, qëllimisht ose jo, nuk mund ta themi dot, por megjithatë është fatmirësi që ky kodik ekziston. Dikur në këtë vend (në hyrje të Korçës) kanë qenë varrezat e ortodoksve që jetonin në “Varoshin e Sipërm” dhe të romëvë dhe egjiptianëve që jetonin në “Varoshin e Poshtëm”, ose siç quhej ndryshe kjo lagje – “Katavaroshi”, varreza ishte e përbashkët. Sot varret nuk ndodhen më në këtë vend, u hoqën përfundimisht nga atje, aty nga viti 1936, sepse vendi ishte i papërshtatshëm dhe varrezat mbyteshin në ujë; vendi i varrezave ishte një farë moçalishte. Megjithatë kisha e Shën Marisë mbeti si gjithnjë aty. Edhe dikur edhe sot e kësaj dite, në këtë kishë vazhdojnë të ndizen qirinj të shumtë. Tymi që krijohet nxin pareshtuar muret e kësaj kishëze. Ndoshta për këtë shkak ka qenë e nevojshme që pikturat të pikturohen dhe të ripikturohen herë pas herë, me qëllim nxjerrjen e portreteve sërish në sipërfaqe, të cilat me kalimin e kohës mbeten të mbulura nga shtresat e fjollave të tymit.
Sipas studiuesve
Ju ndoshta do të çuditeni, por nxjerrja e pikturave të mbuluara nga tymi (siç kishte ndodhur disa herë), më 1928 u bë nga 14-vjeçarja, Andromaqi Zengo dhe babai i saj Vangjeli. Gjithsesi, deri sa të mbërrijmë në këtë pikë të rrëfimit tonë, na duhet të themi edhe diçka më shumë për këtë kishë. Sipas studiuesit Andi Rëmmeci, pedagog në Departamentin e Historisë të Universitetit të Tiranës, “kisha e Shën Marisë kishte në anën e djathtë të saj kishëzën (paraklisin) e Shën e Premtes (ose Shën Parashqevisë) dhe ndodhej në Varosh të Poshtëm, në një “vend të mënjanuar, jo fort larg Varoshit”. Kisha ishte ndërtuar atje ku më herët ka qenë ndodhur manastiri i Fjetjes së Hyjlindëses, manastir, i cili, në kohë të ndryshme, është djegur tri herë. Kisha e Shën Marisë pati të njëjtin fat, duke iu nënshtruar dy a tri herë, edhe ajo, pasojave të zjarrit, por arriti të mbijetonte në saj të meremetimeve dhe ndërhyrjes së menjëhershme të komunitetit”. Kështu shkruan studiuesi Andi Rëmbeci. Madje për më tepër ai na jep edhe këtë informacion: “Në nefin e djathtë të kishës në anën jugore, ka ekzistuar ky mbishkrim: “Kjo kishë e shenjtë dhe e hirshme e së përmbishenjtës Hyjlindëse, si u dogj për herë të dytë, u rindërtua për herë të tretë në vitin 1844, në kohën kur ishte kujdestar dhe epitrop zoti Kristo Godi dhe në kohën e kryepriftërisë së të tërëhirshmit z. Kiril nga Veria. Në vitin 1846, në kohën e kryepriftërisë së të tërëhirshmit Mitroplit të Korçës, z.Neofit nga Gjirokastra dhe të kujdestarisë së të sipërpërmendurit, z. K.Godi, u pikturuan në kishë sa vijojnë: të gjitha ikonat dhespotike, 4 kupolat, platitera, proskomidhia dhe Fjetja [të cilat u punuan] nga papa Zikoja nga Selca dhe i biri, Dhimitri, më 24 korrik 1847.”. Rrëmbeci na ofron edhe një fakt tjetër: “Gjithashtu, me dhuratat e Dhimitër Joan Kirkës dhe me lejen e prefektit të Selanikut Aqif Pasha, që inspektonte ato zona, u ndërtua më 1868 kambanorja e kishës së Shën Marisë. Megjithatë kambanoria dhe vendosja e kambanave do të restaurohej edhe më pas, në vitin 1928.
Pikturat nën hi
Pra, siç e shihni edhe vetë, në vitin 1847, u zografisën, (ky ishte termi që përdorej atëherë), 4 kupolat, platitera, proskomidhia dhe Fjetja nga papa Zikoja nga Selca dhe i biri i tij, Dhimitri. E njëjta histori do të përsëritej edhe pas 81 vitesh, më 1928, veçse kësaj radhe nuk ishte papa Zikoja me brin, por Vangjel Zengo me të bijën 14-vjeçare që kishin vendosur ta bënin Shën Marinë edhe më të bukur nga sa ishte pikturuar deri atëherë. Shkak për këtë gjë u bë instalimi i dritës elektrike edhe në kishën e Shën Marisë. Madje, në gazetat e kohës shkruhej: “Që javën e parë kisha e Shën Mërisë, Korçë, zuri të dritohet me elektrik. Me qenë se u bënë instalime elektrike dhe me që ishte shumë e tymosur kisha, u pa e nevojshme të lahet dhe të zografiset përsëri me që dhe shumë zografira ishin më ngjyrë uji. Përgëzojmë zotin Petraq Dimço, epitropin e kishës që kujdeset për këto përparime”. (Gazeta “Zëri i Korçës”, e martë, 15 maj 1928). Pra. me t’u ndezur drita elektrike, të gjithë vunë re se Shën Maria ishte mbuluar nga hiri dhe tymi i qirinjve që ndizeshin aty prej vitesh. Pikërisht në këtë kohë, Vangjel Zengo dhe bija e tij nisën nga puna për restaurimin e pikturave në ambientet e brendshme të kishës. Të gjitha këto i mësojmë nga shtyipi i asaj kohe.

14-vjeçarja habit Korçën
Në faqet e shtypit të asaj kohe thuhet: “Shën Maria, kisha e vjetër e qyteti tonë që ndodhet në lagjen “Katavarosh”, ka ca kohë që po ndërtohet. Disa vjet më parë u ndërtua porta e jashtme e përmbi të u instalua kambanoria me kambanat dhe i jep kësaj një bukuri të madhe. Veç kësaj, tani, po restaurohet brenda duke lyer me ngjyra gjithë muret anembanë; po prishin gjithë figurat e vjetra të cilat po këmbehen gjithë me ato, po të pikturuara sërish me mjeshtëri artistike. Këtë punë po e bën zoti Vangjel Zengo nga Dardha me të bijën e tij, me zonjushën Andromaqi që është një vajzë 14 vjeçe. Kjo vajzë është mësuar dhe stërvitur në pikturë prej t’et edhe mund të jetë e vetmja vajzë këtu në Korçë që merret me këtë art. Le të shënojmë emrat e shenjtorëve që ka pikturuar kjo vajzë: Shën Mitrin, Tri Arhondët, Shën Pandelimonin, Shën Ilinë që ndodhen në anën e mëngjër kur hyn brenda në kishë. Anën e djathtë e ka pikturuar i ati. Zotësinë e tij e njohin pothua të gjithë qytetarët e Korçës dhe e dinin që është një piktor me praktikë të mirë. Në kube kanë punuar së bashku shumë shenjtorë”. (“Gazeta e Korçës”, e martë, 14 gusht 1928)
Emrat e shenjtorëve shkruhen shqip
Besimtarët ortodoks të Korçës vinin aty çdo mëngjes për të parë çfarë ndodhte dhe çfarë bëhej në kishën e Shën Marisë, dhe gjithnjë dilnin prej andej të lumturuar. Ishte hera e parë që emrat e shenjtorëve shkruheshin në gjuhën shqipe. Po kaq të mrekulluar kishin mbetur edhe nga portreti i Shën Marisë. Kaq bukur saç ishte pikturuar nga Andromaqi dhe babai i saj nuk e kishin parë kurrë më parë. Ajo ngjasonte shumë me vajzat e Korçës. E njëjta gazetë shkruante: “Këta, (shenjtorët), gjer tani kanë qenë shkrojtur me shkronja të huaja, kurse tani u shkruan shqip dhe tani Shën Maria po zbukurohet mjaft dhe duket sikur nuk është ajo. Në qoftë pra, se zonjusha Andromaqi do të vazhdojë të studiojë edhe pak vjet në shkolla të këtij arti, vallë çdo t’i sillte qytetit të saj dhe kombit. Do t’i sillte shumë shërbime me artin e saj që s’ka nisur të zhvillohet se nuk ka patur mjetet për ta kultivuar. Të gjitha këto zbukurime të Shën Mërisë i deyrohen z.Petraq Dimço, epitropit të tanishëm të saj, zotëria e tij është një burrë energjik me guxim dhe i palodhur në detyrën e vet. Përveç këtyre, u përkujdes dhe instaloi elektrik edhe kishës. Edhe zoti Vasil Dodi është shquar; zotëria e tij kujdeset për rregullën e për pastrimin e kishës. Dhe kështu, sivjet kisha e Shën Mërisë do të jetë restauruar plotësisht edhe fare si e re. (“Gazeta e Korçës”, e martë, 14 gusht 1928)

Kush ishte Andromaqi Zengo?
Gjithnjë sipas shtypit të Kohës, Andromaqi Zengo u lind në Korçë më 26 maj 1913. Babai i saj, piktori Vangjel Zengo ishte nga fshati Dardhë i rrethit Devoll. Kishin vetëm pak vite që kishin ardhur në Korçë. Fal kujdesit të të atit, Andromaqi mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në qytetin e Korçës. Sipas studiuesit Nedai Thëllimi “mësimet e para për pikture, Andromaqi i mori nga i ati, piktori i njohur kishtar…”. “Në moshë fare të re, në vitet 1927-1929, kur ishte vetëm 15-vjeçare ajo ka punuar si ndihmëse e të atit, bile ka kryer disa punime të pavarura në pikturimin e kishave të Shën Mërisë, Shën Thanasit në Korçë dhe atë të Shën Kollit në Hoçisht më 1930. Në fushën e afreskut ka punuar në pesë kisha ku vepra e saj e fundit është pikturimi i kishës së Shën Thanasit në Dardhë, fshati i origjinës së saj, kryer më 1983, ku piktorja është në moshën 80 vjeçare.” Duke i referuar sërish studiuesit Thëllimi, “Në vitin 1930, Andromaqi shkon për studime në Akademinë e Arteve të Bukura në Athinë, studion në degën e pikturës, e udhëhequr nga piktori grek Umberto Agjiros. Pas përfundimit të studimeve, më 1935, punoi si mësuese vizatimi në shkollën e Korçës e më vonë në Tiranë (mbas martesës më këngëtarin e njohur lirik Kristaq Antoniu). Në vitin 1937, dy vjet pas përfundimit të studimeve, Çeli ekspozitën e saj të gjerë e cila është datë historike për pikturën shqiptare në përgjithsi, sepse autore e veprave të paraqitura në të është për herë të parë një piktore shqiptare. Në këtë ekspozitë ajo paraqiti 65 punime të kryera në gjininë e portretit dhe peisazhit.
Zengo, piktorja e parë shqiptare
Gjithnjë sipas Thëllimit, te libri i tij, “Ata lavdi Korçës i dhanë”, “në vitin 1938, një vit pas ekspozitës së parë, Andromaqi çeli po në Tiranë ekspozitën e saj të dytë, ku paraqiti disa prej punimeve të saj më të mira në gjininë e peisazhit, si “Kështjella e Petrelës”, “Pazari i Krujës” etj. Më 1939 mori pjesë në ekspozitën e organizuar në SHBA, ( New York ), me 15 punime të saj me tematikë patriotike. Më 1940 u bë pjesë e ekspozitës së organizuar në Bari të Italisë së bashku me V. Mihon, z. Kolombo etj. Puna e saj në fushën e pikturës vazhdoi edhe më vonë. Në fushën e portretit dhe peisazhit mund të përmendim “Plaka me thinja”, “Plaku me mjekër”, “Portret Gruaje” etj. Në fushën e pesizazhit mund të përmendim “Peisazh nga Korça”, “Pamje nga Drenova”, “Nga fshati” etj, të cilat dëshmojnë për nivelin artistik të realizimit. Ka marrë pjesë në ekspozitat e organizuara në Tiranë më 1942, 1945, 1963, (bashkë më të motrën, Sofinë). Në Galerinë e Arteve në Tiranë, ndodhen 57 vepra të piktores së parë shqiptare, Andromaqi Zengo Antoniu”.
Megjithatë përkushtimi i saj për të pikturuar shenjtorët e kishës së Shën Marisë në Korçë, ka mbetur i paharruar. Më të vjetrit kujtojnë me nostalgi Shën Marinë të zografisur ndryshe, më të bukur nga ajo që e kishin njohur më parë
Sigal